© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA VONA k. HUNGARISË
(Kërkesë nr. 35943/10)
VENDIM
STRASBURG
9 Korrik 2013
PËRFUNDIMTAR
09/12/2013
Ky vendim është bërë përfundimtar në bazë të Nenit 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet ndryshimeve redaktoriale.
Në çështjen Vona k. Hungarisë,
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), e mbledhur si Dhomë e përbërë nga:
Guido Raimondi, President,
Peer Lorenzen,
Dragoljub Popović,
András Sajó,
Nebojša Vučinić,
Paulo Pinto de Albuquerque,
Helen Keller, gjyqtarë,
dhe Stanley Naismith, Regjistrues i Seksionit,
Pas shqyrtimesh në seancë të mbyllur më 11 Qershor 2013,
Jep vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në po këtë datë:
PROÇEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në një kërkesë (nr. 35943/10) kundër Republikës së Hungarisë, depozituar në Gjykatë në bazë të Nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore ("Konventa") nga një shtetas hungarez, Z. Gábor Vona ("kërkuesi"), më 24 Qershor 2010.
2. Kërkuesi u përfaqësua nga Z. T. Gaudi-Nagy, një avokat me ushtrim profesioni në Budapest. Qeveria hungareze ("Qeveria") u përfaqësua nga Z. Z. Tallódi, Agjent, Ministria e Administratës Publike dhe Drejtësisë.
3. Kërkuesi pretendonte, në bazë të Nenit 11 të Konventës, se shpërndarja e Magyar Gárda Egyesület, një shoqatë kjo e kryesuar prejt tij, kishte shkelur lirinë e tij të organizimit.
4. Më 14 Mars 2012, Qeveria u njoftua në lidhje me kërkesën. Po ashtu u vendos që për pranueshmërinë dhe themelin e kërkesës të shprehej në të njëjtën kohë (Neni 29 § 1).
5. Më 12 Qershor 2012, Presidenti i Seksionit, në bazë të Nenit 36 § 2 të Konventës dhe Rregullit 44 § 3 të Rregullores së Gjykatës, autorizoi Qendrën Europiane për të Drejtat e Romëve për të ndërhyrë në proces si palë e tretë.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
6. Kërkuesi ka lindur në vitin 1978 dhe jeton në Budapest.
7. Më 8 Maj 2007, dhjetë anëtarë të partisë politike Jobbik Magyarországért Mozgalom (Lëvizja për një Hungari më të Mirë) kanë themeluar Magyar Gárda Egyesület (Shoqata e Gardës Hungareze– “Shoqata”), me qëllimin e deklaruar, inter alia, të ruajtjes së traditave dhe kulturës hungareze.
8. Nga ana e saj, më 18 Korrik 2007, Shoqata themeloi Magyar Gárda Mozgalom (Lëvizja e Gardës Hungareze - "Lëvizja"). Byroja e Shoqatës deklaroi se kishte vendosur të "krijonte Gardën Hungareze, e cila fillimisht do te operonte si lëvizje, për t’u integruar më vonë në Shoqatë si seksion i saj." Po ashtu ishte vendosur që "me qëllim integrimin e Gardës Hungareze në Shoqatë, statuti [i kësaj të fundit] duhej amenduar... deri më 10 Tetor 2007."
Objektivi i Lëvizjes përkufizohej si "mbrojtja e një Hungarie të pambrojtur fizikisht, shpirtërisht dhe intelektualisht". Detyrat që Lëvizja merrte përsipër, siç listoheshin ne dokumentin e saj të themelimit, përfshinin trajnimin fizik dhe psikologjik të anëtarëve të saj, pjesëmarrjen në menaxhimin e fatkeqësive dhe sigurimin e sigurisë publike, si dhe fillimin e një dialogu social në lidhje me këto çështje përmes veprimtarive publike.
9. Më 4 Tetor 2007, zyra e prokurorit publik të Budapestit i dërgon një njoftim Shoqatës duke i kërkuar asaj ndalimin e veprimtarive të saj të paligjshme. Njoftimi vinte në dukje se Shoqata kishte kryer veprimtari që nuk ishin në përputhje me qëllimet e saj, siç përcaktoheshin në statutin e saj. Në mënyrë të veçantë vërehej se, më 25 Gusht 2007, ajo kishte organizuar betimin e pesëdhjetë e gjashtë "gardistëve" në Kështjellën e Buda-s. Më pas Shoqata kishte organizuar një fushatë kombëtare me qëllim popullarizimin e detyrave të përcaktuara për Lëvizjen, të cilat nuk ishin në përputhje me qëllimet e Shoqatës.
Më 9 Nëntor 2007 kërkuesi, si kryetar i Shoqatës, ka njoftuar zyrën e prokurorit publik se veprimtarive të paligjshme i ishte dhënë fund duke fshirë pjesën e kundërshtuar nga dokumenti i themelimit të Shoqatës dhe se kishte filluar amendimin e statutit të Shoqatës. Në përputhje me këtë, më 7 Dhjetor 2007 Asambleja e Përgjithëshme e Shoqatës kishte vendosur t’i shtonte dispozitën në vijim paragrafit 2 të statutit të saj: “(f) Në përputhje me emrin e saj, Shoqata e Gardës Hungareze ka për qëllim të angazhohet në një dialogim me shoqërinë dhe të organizojë aktivitete dhe grumbullime publike për qytetarët në lidhje me çështje që kanë ndikim mbi sigurinë e tyre, të tilla si menaxhimi i fatkeqësive, mbrojtja kombëtare e teknikat për shpëtimin e jetës”.
10. Siç duket, në zbatim të këtyre qëllimeve, anëtarët e Lëvizjes, të veshur me uniforma, kanë organizuar më pas tubime e demonstrime në të gjithë Hungarinë, përfshirë edhe fshatrat me popullsi të mëdha rome, dhe kanë bërë thirrje për mbrojtjen e "hungarezëve etnikë" nga i ashtuquajturi "kriminalitet cigan". Këto demonstrime dhe tubime nuk ishin ndaluar nga autoritetet.
Një nga këto demonstrime, ku morën pjesë rreth 200 aktivistë, u organizua në Tatárszentgyörgy, një fshat me rreth 1,800 banorë, më 9 Dhjetor 2007. Policia ishte e pranishme dhe nuk lejoi që të parakalohej përmes një rruge të banuar nga familje rome.
11. Duke reagur ndaj kësaj ngjarje, më 17 Dhjetor 2007, Zyra e Kryeprokurorit të Budapestit bëri kërkesë në gjykatë për shpërndarjen e Shoqatës. Kërkesa në gjykatë bazohej në pretendimin për abuzim, nga ana e Shoqatës, të së drejtës për lirinë e tubimit dhe në faktin se ajo kishte organizuar aktivitete që shkelnin të drejtat e romëve, duke krijuar frikë mes tyre përmes fjalimeve dhe paraqitjes së jashtme të aktivistëve që, të veshur me uniforma, parakalonin në formacione të rregullta dhe jepnin komanda të llojit ushtarak.
Zyra e Kryeprokurorit ishte e mendimit se Lëvizja ishte pjesë përbërëse e Shoqatës dhe se aktiviteti i saj në të vërtetë përfaqësonte një pjesë domethënëse të aktiviteteve të kësaj të fundit. Ajo argumentoi se Lëvizja nuk ishte një "komunitet spontan", për faktin që anëtarët e saj ishin të gjithë të regjistruar, dhe theksoi se ajo ishte krijuar nga kryesia e Shoqatës, se kërkesat për anëtarësim vlerësoheshin nga Shoqata dhe se uniformat e saj mund të bliheshin nga Shoqata.
12. Në procesin që vijoi Shoqata pretendoi, megjithatë, se mes saj dhe Lëvizjes nuk kishte lidhje organizative që të tregonin se ato ishin një; në përputhje me këtë, ajo argumentoi se nuk mbante asnjë përgjegjësi për Lëvizjen. Ajo deklaroi gjithashtu se, në çdo rast, aktivitetet e Lëvizjes nuk paraqisnin ndonjë rrezik objetiv ndaj kujtdo. Sipas Shoqatës, një ndjesi subjektive frike nuk mund të bëhej shkas për çfarëdolloj kufizimi të të drejtave themelore, përfshirë lirinë e tubimit; po të gjykohej me objektivitet, qëndrimi i Lëvizjes nuk kishte qenë frikësues.
13. Pas katër seancash, Gjykata Rajonale e Budapestit, më 16 Dhjetor 2008, mori vendim në favor të Zyrës së Kryeprokurorit duke e shpërndarë Shoqatën në bazë të seksionit 16(2)(d) të Aktit nr. II të viti 1989 mbi të drejtën e lirisë së organizimit (shiko paragrafin 18 më poshtë).
Gjykata nuk pranoi argumentet në lidhje me dallimet mes të dy entiteteve dhe u shpreh se mes tyre ekzistonte një "marrëdhënie simbiotike". Ajo u shpreh se aktiviteti kryesor i Shoqatës kishte qenë themelimi, operimi, orientimi dhe financimi i Lëvizjes, duke vërejtur, inter alia, se Lëvizja merrte donacione nëpërmjet llogarisë bankare të Shoqatës. Efekti ligjor i vendimit kufizohej, megjithatë, tek shpërndarja e Shoqatës; përderisa Lëvizja, sipas gjykatës, nuk kishte ndonjë personalitet ligjor, vendimi nuk shtrihej direkt mbi të.
Për sa i takon tubimit në Tatárszentgyörgy, Gykata Rajonale u shpreh si më poshtë:
“Qëllimi thelbësor i aktivitetit ishte në të vërtetë venia në qendër të vëmendjes të ‘kriminalitetit cigan’. Përdorimi i këtij përgjithësimi, qartësisht bazuar në arsye raciale dhe etnike, dhunonte parimin e dinjitetit të barabartë njerëzor ... Veç kësaj, ky nuk ishte një rast i vetëm ... [Lëvizja] e bazonte programin e saj tek diskriminimi mes njerëzve dhe këtë e kishte shprehur me anë të parakalimeve në disa raste; kjo përbënte demonstrim pushteti dhe kërcënim të të tjerëve me anë të paraqitjes së jashtme [të pjesmarrësve në marshime]. ... Gjykata është e mendimit se, nga një këndvështrim kushtetues, krijimi i frikës, thuajse si mision, është i papranueshëm si qëllim apo rol.”
14. Gjykata vërejti se pjesmarrësit, të cilët ishin të veshur me uniforma, mbanin në krah rripa shumë të ngjashëm me ato të oficerëve të Arrow Cross (përgjegjës për terrorin e ushtruar në Hungari në vitet 1944/45). Ajo ishte e mendimit se parakalimet me pjesmarrës të veshur në këtë mënyrë ishin objektivisht të aftë të lëndonin "ndjeshmëri historike".
Gjykata deklaroi më tej se, pavarësisht qëllimit të deklaruar të Shoqatës, veprimet e saj kishin shkelur ligjet e Hungarisë për shoqatat dhe kishin krijuar një atmosferë ndjenjash anti-rome. Sipas gjykatës, vetëm demonstrimi verbal dhe vizual i pushtetit, duke patur parasysh përvojën historike, përbënte shkelje të ligjit; kështu, që Shoqata të shpërndahej nuk ishte e domosdoshme që ajo të kishte kryer shkelje faktikisht: fakti që programi i saj përfshinte në vetevete diskriminim, përbënte paragjykim të të drejtave të tjerëve në kuptimin e Seksionit 2(2) të [Aktit nr. II të 1989] (shiko paragrafin 18 më poshtë).
15. Më 2 Korrik 2009, Gjykata e Apelit e Budapestit ruajti vendimin e Gjykatës Rajonale. Ajo shqyrtoi gjithashtu edhe dy demonstrime të tjera, të ngjashme, të mbajtura nga Lëvizja në fshatin Fadd, më 21 Qershor 2008, dhe në fshatin Sárbogárd në një datë të paspecifikuar. Gjykata e Apelit vërejti se fjalimet e mbajtura nga anëtarët e Lëvizjes gjatë tubimit të Faddit përmbanin komente të shumta me qëllim përjashtimin e romëve. Për sa i takon aktivitetit në Sárbogárd, Gjykata e Apelit vërejti se aty ishin bërë disa deklarata anti-Semite.
Kjo gjykatë vendosi një lidhje më të ngushtë midis të dy entiteteve, duke e shtrirë fushëveprimin e vendimit të saj edhe mbi Lëvizjen. Gjykata u shpreh se Shoqata, në fakt, e përfshinte Lëvizjen si një "njësi" brenda saj; rrjedhimisht, vendimi kishte të bënte me të dyja. Shpërbërja e Shoqatës shpërbënte gjithashtu edhe kuadrin organizativ të individëve që operonin brenda çdo lëvizjeje që kishte lidhje me shoqatën e shpërndarë.
Gjykata vendosi se zgjedhja e vendit të demonstrimeve, domethënë fshatrat me popullsi të mëdha rome, nuk mund të shihej si dialog social, por si një formë ekstreme e shprehjes në kontekstin e një demonstrimi thuajse ushtarak të forcës, që përbëhej nga tërësia e efekteve të krijuara prej uniformave, formacioneve, komandave dhe përshëndetjeve të stilit militar. Gjykata e Apelit, ndërkohë që ruajti në thelb argumentet e Gjykatës Rajonale, argumentoi se popullsia e fshatrave ishte detyruar "si një audiencë e zënë rob" të gjendej përballë pikëpamjesh ekstreme dhe përjashtuese pa qenë në gjendje t’u shmangej atyre. Në pikëpamjen e gjykatës, aktivitetet e organizuara nga Lëvizja përbënin rrezik për dhunë, gjeneronin konflikt, shkelnin rendin dhe paqen publike dhe dhunonin të drejtën për liri dhe siguri të banorëve të fshatrave, pavarësisht faktit se të gjitha demonstrimet, të cilat ishin zhvilluar nën kontrollin e rreptë të policisë, kishin përfunduar pa ndonjë akt dhune.
Gjykata shqyrtoi, po ashtu, lirinë e shprehjes së kërkuesit. Ajo u shpreh , duke ruajtur argumentet e vendimit të shkallës së parë dhe duke cituar jurisprudencën e Gjykatës, se kjo liri nuk mbulonte gjuhën e urrejtjes apo nxitjen e dhunës.
16. Më 15 Dhjetor 2009 Gjykata e Lartë ruajti vendimin e Gjykatës së Apelit të Budapestit. Ajo njohu konstatimin e Gjykatës së Apelit se Lëvizja ishte në fakt një entitet brenda Shoqatës. Ajo ishte, po ashtu, e të njëjtit mendim me gjykatat më të ulta në lidhje me domosdoshmërinë e shpërndarjes së Shoqatës, duke theksuar se tubimet e Shoqatës kishin shkaktuar situata konflikti, protagonistët e të cilave potencialisht mund të kishin përdorur dhunën.
Ky vendim u dha më 28 Janar 2010.
II. E DREJTA E BRENDËSHME RELEVANTE
17. Kushtetuta, siç ishte në fuqi në kohën e çështjes, përmbante dispozitat e mëposhtëme:
Neni 2
“(3) Aktivitetet e organizatave shoqërore, e organizmave qeveritare apo të qytetarëve në mënyrë individuale, nuk mund të synojnë përvetësimin apo ushtrimin forcërisht të pushtetit publik, apo zotërimin ekskluziv të këtij pushteti. Çdokush ka të drejtën dhe detyrimin t’u rezistojë aktiviteteve të tilla në mënyrat e parashikuara nga ligji.”
Neni 63
“(1) Në Republikën e Hungarisë çdo person, në bazë të së drejtës së organizimit, ka të drejtën të themelojë organizata, qëllimet e të cilave nuk ndalohen nga ligji, dhe t’i bashkohet këtyre organizatave.
(2) Themelimi i organizatave të armatosura me objektiva politike nuk lejohet në bazë të së drejtës së organizimit.
(3) Për miratimin e ligjit për të drejtën e tubimit dhe menaxhimin financiar dhe vënien në funksionim të partive politike kërkohet një shumicë prej dy të tretave të votave të Anëtarëve të Parlamentit.”
18. Akti nr. II i vitit 1989 mbi të drejtën e lirisë së organizimit parashikon si më poshtë:
Seksioni 2
“(1) Në bazë të së drejtës së organizimit, individë privatë, persona juridikë dhe entitete të tyre që nuk kanë personalitet ligjor, në varësi të qëllimeve të aktiviteteve të tyre dhe synimit të themeluesëve të tyre, mund të formojnë dhe venë në funksionim organizata të shoqërisë civile.
(2) Ushtrimi i të drejtës së organizimit nuk duhet të shkelë Nenin 2 (3) të Kushtetutës, as duhet të përbëjë shkelje penale apo nxitje të një shkelje penale, dhe nuk duhet të paragjykojë të drejtat dhe liritë e të tjerëve.”
Seksioni 3
“(1) Një organizatë e shoqërisë civile është një organizatë vetë-qeverisëse e themeluar vullnetarisht për qëllimin e deklaruar në statutin e saj, që ka anëtarë të regjistruar dhe organizon aktivitete të antarëve të saj për përmbushjen e qëllimit të saj.
(2) Në aktivitete të mëdha publike mund të marrin pjesë edhe anëtarë të paregjistruar.”
Seksioni 4
“(1) ... një organizatë e shoqërisë civile lind me anë të regjistrimit të saj në gjykatë.”
Seksioni 5
“Një bashkësi personash privatë, e krijuar në bazë të së drejtës së organizimit, që nuk operon në mënyrë të rregullt apo që nuk ka anëtarë të regjistruar apo strukturë të specifikuar në bazë të këtij Akti, nuk përbën një organizatë të shoqërisë civile.”
Seksioni 16
“(2) Me kërkesë të prokurorit publik, gjykata:
(d) shpërndan një organizatë të shoqërisë civile në rast se funksionimi i saj shkel seksionin 2(2); ...”
Statusi juridik i shoqatave mund të përshkruhet shkurtimisht si më poshtë. Shoqatat, aktivitetet e të cilave nuk i shërbejnë një interesi publik, nuk mund të mbështeten nga individë me anë donacionesh të zbritshme nga tatimi mbi të ardhurat dhe nuk kanë të drejtë të përfitojnë donacione të tjera apo të bëjnë kërkesë për subvencione publike, pasi këto privilegje u rezervohen organizatave me përfitim për publikun në bazë të dispozitave të Akteve nr. CXXVI të vitit 1996 dhe CLXXV të 2011-s. Megjithatë, Akti nr. LXXXI i 1996-s siguron se të ardhurat e çdo shoqate nga aktivitete jo-fitimprurëse përjashtohen nga taksa e biznesit dhe se aktivitete biznesi të shoqatave i nënshtrohen një tatimi biznesi preferencial. Veç kësaj, në bazë të Aktit nr. CXVII të 1995-s, për shërbime të caktuara të ofruara nga shoqatat, si dhe për pagesa apo benifite të caktuara të mirëqenies sociale të përfituara prej tyre, zbatohen rregulla avantazhuese të tatimit mbi të ardhurat. Veç kësaj, Akti nr. IV i 1959-s (Kodi Civil) garanton se antarët e një shoqate nuk kanë përgjegjësi për borxhet e shoqatës.
19. Akti nr. LXXVII i 1993-s për të drejtat e shtetasve të minoriteteve etnike, siç ishte në forcë në kohën e çështjes, siguronte si më poshtë:
Seksioni 4
“(1) Republika e Hungarisë ndalon të gjitha politikat apo sjelljet që:
(a) kanë për qëllim ose çojnë në asimilimin, ose përjashtimin apo veçimin e një minoriteti nga kombi maxhoritarar;
(b) kanë për qëllim të ndryshojnë përbërjen nacionale apo etnike të zonave të populluara nga minoritetet;
(c) të persekutojnë, të cënojnë jetën apo të pengojnë ushtrimin e të drejtave të një minoriteti apo të personave që i përkasin një minoriteti për shkak të përkatësisë së tyre në një minoritet; ...”
20. Dekreti legjislativ nr. 8 i 1976-s, me dekretimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike miratuar nga Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara në sesionin e saj XXI më 16 Dhjetor 1966, siguron si më poshtë:
Neni 20
“2. Çdo mbrojtje ndaj urrejtjes nacionale, raciale apo fetare, që përbën nxitje të diskriminimit, armiqësisë apo dhunës, ndalohet me ligj.”
21. Dekreti legjislativ nr. 8 i 1969-s, me dekretimin e Konventës Ndërkombëtare mbi Zhdukjen e të Githa Formave të Diskriminimit Racor miratuar në Nju Jork, më 21 Dhjetor 1965, siguron si më poshtë:
Neni 1
“1. Në këtë Konventë, termi "diskriminim racor" nënkupton çdo dallim, përjashtim, kufizim apo preferencë bazuar tek raca, ngjyra, prejardhja, apo origjina nacionale apo etnike, që ka për qëllim apo pasojë asgjesimin apo cënimin e njohjes, gëzimit apo ushtrimit, në kushtet e barazisë, të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në fushën politike, ekonomike, sociale, kulturore apo çdo fushë tjetër të jetës publike.”
Neni 2
“1. Shtetet palë dёnojnё diskriminimin racor dhe zotohen të ndjekin me të gjitha mjetet e pёrshtatshme dhe pa vonesë, një politikё për zhdukjen e çdo forme të diskriminimit racor dhe tё ndihmojnё në mirёkuptimin midis të gjitha racave. Për këtë qëllim: ...
(d) Çdo shtet palë duhet të ndalojë dhe t’i japë fund, me të gjitha mjetet e pёrshtatshme, duke pёrfshirё, sipas rrethanave, edhe legjislacionin, diskriminimin racor prej çdo personi, grupi apo organizate; ...”
Neni 4
“Shetet Palë dënojnë të gjithë propagandën dhe të gjitha organizatat që ... përpiqen të justifikojnë apo promovojnë urrejtjen racore dhe diskriminimin e çdo forme, dhe zotohen ...
(a) të shpallin vepra të dënueshme nga ligji çdo ... nxitje të diskriminimit racor ... e po ashtu edhe dhënien e çdo ndihme aktiviteteve raciste, përfshirë financimin e tyre;
(b) të shpallin të paligjshme dhe të dënojnë organizatat e po ashtu edhe aktivitetet e organizuara apo çdo aktivitet tjetër propagandistik, që promovojnë apo nxisin diskriminimin racor, dhe pjesëmarrjen në të tilla organizata apo aktivitete ta konsiderojnë vepër të dënueshme me ligj; ...”
22. Vendimi nr. 30/1992 (V. 26) AB i Gjykatës Kushtetuese përmban paragrafet e mëposhtëm:
“II. 3. Kodet penale të të gjitha vendeve europiane demokratike me sistem ligjor kontinental, si dhe ato të Anglisë dhe Uellsit, Kanadasë dhe Zelandës së Re, të cilat kanë sistemin ligjor anglo-sakson, ndalojnë nxitjen me bazë ‘racore’. Vija ndarëse midis nxitjes, zgjimit të urrjetjes dhe shprehjes së opinionit mbetet një çështje shumë e kontestuar edhe ndërkombëtarisht.
IV. 1. Dëmet potenciale që rezultojnë nga nxitja e urrjetjes, dhe nga shprehje poshtëruese përbuzëse për grupe të caktuara të një popullate janë gjerësisht të dokumentuara në annalet e eksperiencës njerëzore. ...
Përvojat tragjike të shekullit tonë provojnë se pikëpamje që predikojnë inferioritetin apo superioritetin racor, etnik, nacional apo fetar dhe përhapjen e ideve të urrjetjes, përbuzjes dhe përjashtimit rrezikojnë vlerat e qytetërimit njerëzor.
Është provuar si nga historia, edhe nga ngjarjet e kohës tonë, se çdo thënie që shpreh një qëllim për zgjim urrjetjeje ndaj një grupi specifik njerëzish mund ta çojë në ekstrem tensionin social, të trazojë harmoninë dhe paqen sociale dhe në një rast ekstrem mund të rezultojë në përplasje të dhunshme mes grupeve të caktuara të shoqërisë.
Veç përvojave historike e bashkëkohore, që provojnë efektet ekstremisht dëmtuese të nxitjes së urrjetjes, është e nevojshme të mbahen parasysh kërcënimet e përditshme që rezultojnë nga shprehje pa kufi idesh e konceptesh përgjegjëse për nxitjen e urrejtjes. Një shprehje e tillë ndalon jetesën e bashkësive njerëzore në harmoni me grupe të tjera. Intensifikimi i tensioneve emocionale e sociale brenda një bashkësie më të vogël a më të madhe, mund të shkatërrojë lidhjet brenda shoqërisë, përforcon pozicionet ekstreme dhe rrit paragjykimin. E gjithë kjo çon në zvogëlim të mundësive për krijimin e një shoqërie tolerante e multikulturore, të një shoqërie të së drejtës për të qenë i ndryshëm dhe dinjitetit të barabartë për të gjithë njerëzit, ku diskriminimi nuk shikohet si vlerë.
2. Të japësh mbrojtje kushtetuese për nxitjen e urrejtjes ndaj grupeve të caktuara nën maskën e lirisë së shprehjes dhe shtypit do të krijonte një kontradiktë të pazgjidhshme me sistemin e vlerave dhe orientimin politik të shprehur në Kushtetutë, domethënë, me sundimin demokratik të ligjit, barazinë e qenieve njerëzore, dinjitetin e barabartë, ndalimin e diskriminimit, lirinë e fesë dhe ndërgjegjes dhe mbrojtjen e minoriteteve nacionale dhe etnike, siç njihen nga Nenet e ndryshme të Kushtetutës. ...
Nxitja e urrejtjes është mohim i nocioneve të sipër-përmendura, një përgatitje emocionale për përdorimin e dhunës. Ajo është abuzim i lirisë së shprehjes, duke qenë një klasifikim intolerant i një grupi karakteristik për diktaturat e jo demokracitë. Të tolerosh ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe shtypit në një mënyrë që ndalohet nga Neni 269 (1) i Kodit Penal, do të ishte në kundërshtim me kërkesat që rrjedhin nga sundimi demokratik i ligjit. ...
Në përmbledhje të pozicionit të saj, Gjykata Kushtetuese thekson se kufizimi i lirisë së shprehjes dhe shtypit bëhet i domosdoshëm dhe justifikohet nga përvojat negative historike, që rrethojnë nxitjen e urrejtjes ndaj grupe të caktuara njerëzish, mbrojtja e vlerave kushtetuese dhe detyrimi i Republikës së Hungarisë për të qenë në pajtueshmëri me angazhimet e saj në bazë të së drejtës ndërkombëtare. ...”
23. Vendimi nr. 14/2000 (V. 12) AB i Gjykatës Kushtetuese përmban paragrafet në vijim:
“3. Liria për të shprehur mendimin tënd nuk është vetëm një e drejtë subjektive, por edhe një garanci e shprehjes së lirë të pikëpamjeve të ndryshme që i japin formë opinionit publik. ...
Megjithëse kjo e drejtë mund të kufizohet, ajo gëzon mbrojtje të posaçme në saj të rolit të saj parësor, e kështu mund të kufizohet vetëm në lidhje me disa të drejta të tjera. Prandaj, vlera teorike dytësore të tilla si paqja publike gëzojnë mbrojtje më të pakët se e drejta në fjalë. ...
Ashtu si e drejta për jetën, e drejta për dinjitet njerëzor gëzon mbrojtje të lartë nga Kushtetuta ... Kushtetuta nuk është neutrale përsa i takon vlerave, por ka paketën e saj të vlerave. Shprehja e opinioneve që nuk i përmbahen vlerave kushtetuese nuk mbrohet nga Neni 61 i Kushtetutës. ...
Gjykata Kushtetuese thekson se, edhe në bazë të Konventës, liria e shprehjes mbart në vetvete ‘detyra dhe përgjegjësi’. Të gjitha autoritetet shtetërore janë të detyruara të mbrojnë vlerat e një Shteti demokratik në bazë të sundimit të ligjit dhe të respektojnë dinjitetin e personave. Duhen marrë masa ndaj sjelljeve që përfaqësojnë forcën, urrejtjen dhe konfliktin. Refuzimi i përdorimit apo i kërcënimit të forcës si mjet për zgjidhjen e konflikteve është pjesë përbërëse e konceptit kompleks të demokracisë.”
24. Vendimi nr. 18/2004 (V. 25) AB i Gjykatës Kushtetuese përmban paragrafin në vijim:
“III. 2.1. ... Edhe në rastin e opinioneve ekstreme, nuk është përmbajtja e opinionit, por pasojat e drejtpërdrejta dhe të parashikueshme të komunikimit të tij, që justifikojnë një kufizim mbi shprehjen e lirë dhe zbatimin e masave ligjore në bazë të së drejtës civile apo, në disa raste, të asaj penale.”
25. Vendimi nr. 95/2008 (VII. 3) AB i Gjykatës Kushtetuese përmban paragrafet në vijim:
“III. 3.4. ... Qëllimi i amendimit [të Kodit Penal] është ndëshkimi i gjuhës dhe gjesteve të urrejtjes edhe nëse nuk mund të identifikohet pala e dëmtuar. Për rrjedhojë, amendimi do të ndëshkonte jo vetëm sjelljen që dhunon nderin dhe dinjitetin e personave të veçantë, por të gjitha format e gjuhës së urrejtjes, përfshirë deklaratat raciste që përmbajnë përgjithësime, që do të thotë se palët ‘e prekura’ apo palët që e konsiderojnë veten si ‘të prekura’ nuk janë të detyruara të marrin pjesë apo të ndjekin komunikimin mes personave që shprehin urrejtje apo të përballen me mendime urrejtjeje në organe të caktuara të medias. ... Në demokracitë kushtetuese zërat ekstremistë nuk shtypen thjesht për shkak të përmbajtjes së tyre. Në një shoqëri demokratike, një gjuhë e tillë raciste përgjithësuese nuk mund të ndryshojë faktin se, nga perspektiva e Shteit, secili qytetar është njëlloj i vlefshëm dhe ka të njëjtat të drejta bazë.
Në formën e tij aktuale, amendimi do të ndëshkonte edhe fjalime që përmbajnë vetëm përgjithësime të tilla. Pjesëmarrja në komunikim nga persona që i përkasin grupit të sulmuar, domethënë dëgjimi apo ekspozimi në çfarëdolloj mënyre ndaj deklaratave raciste, nuk është një element statutor i shkeljes sipas përcaktimit në amendim.
Megjithatë, këto janë pikërisht rastet ku shprehja e një opinioni mund të cënojë jo vetëm ndjeshmërinë apo sensin e dinjitetit të personave të caktuar, por edhe të drejtat e tyre kushtetuese. Për shembull, nëse një keqbërës shpreh bindjet e tij ekstremiste politike në një mënyrë të tillë që një person që i përket grupit të dëmtuar, detyrohet ta dëgjojë komunikmin në një gjendje frikësimi, dhe nuk është në kushtet për ta shmangur atë [audiencë e zënë rob] ... Në këtë rast, e drejta e personit në fjalë për të mos dëgjuar apo për të mos qenë në dijeni të opinioneve të papëlqyeshme dhe të dëmshme meriton të mbrohet. ...
Personat i përkasin jo vetëm bashkësisë së qytetarëve, por edhe një grupi apo bashkësie më të ngushtë. Një individ, edhe për shkak të përkatësisë në këtë grup, mund të ekspozohet ndaj një dëmi të një rëndese apo intensiteti të tillë që mund të kërkojë deri përdorimin e sanksioneve sipas të drejtës penale për zgjidhjen e çështjes.”
III. VËZHGIME TË ORGANIZMAVE NDËRKOMBËTARE MONITORUESE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT
26. Vëzhgimet konkluduese të Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara në lidhje me Hungarinë (miratuar në Gjenevë, më 11-29 Tetor 2010) përmbajnë pjesët në vijim:
“18. Komiteti është i shqetësuar në lidhje me deklaratat e ashpra dhe të përhapura anti-rome të ... anëtarëve të organizatës së shpërndarë Magyar Gárda. ... Veç kësaj, ai është i shqetësuar nga treguesit e një anti-semitizmi në rritje në Shtetin palë. Komiteti është i shqetësuar në lidhje me interpretimin kufizues të Gjykatës Kushtetuese të nenit 269 të Kodit Penal për nxitjen e dhunës, i cili mund të jetë në papajtueshmëri me detyrimet e Shtetit në bazë të nenit 20.”
27. Raporti i Komisionit Europian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) për Hungarinë (cikli i katër monitorues), miratuar me 20 Qershor 2008, përmban pjesët në vijim:
“61. ... Ka patur një rritje shqetësuese të racizmit dhe intolerancës në komunikimin publik në Hungari. Në veçanti, krijimi dhe ngritja e Gardës Hungareze të krahut të djathtë radikal (Magyar Garda) ... citohet në mënyrë të vazhdueshme si shkak për shqetësim serioz. Që nga krijimi i saj në Gusht 2007 dhe betimi publik i disa qindra anëtarëve të rinj në Tetor 2007, Garda Hungareze ka organizuar tubime të shumta publike në të gjithë vendin, përfshirë fshatrat me popullsi të madhe rome; pavarësisht neneve në dukje të padëmshme të shoqatës, ndër mesazhet kryesore të grupit është mbrojta e hungarezëve etnikë nga i ashtuquajturi ‘krim cigan[1]‘. Anëtarët e Gardës Hungareze parakalojnë të veshur me uniforma dhe çizme të zeza të stilit para-militar, me iniciale dhe flamuj shumë të ngjashme me Partinë e Kryqit Shigjetë (Arrow Cross Party), një organizatë haptazi naziste që ka sunduar për një kohë të shkurtër në Hungari gjatë Luftës së Dytë Botërore, e nën sundimin e të cilës u vranë apo deportuan dhjetëra mijëra hebrej e romë.
73. ... Grupe të tilla si Garda Hungareze shprehin haptazi edhe pikëpamje anti-semitiste, ... shprehja e pikëpamjeve anti-semitiste është aktualisht në rritje në Hungari.”
28. Opinioni i Tretë për Hungarinë i Komitetit Këshillimor të Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Nacionale, miratuar më18 Mars 2010, përmban pjesët në vijim:
“75. Që nga krijimi i saj në vitin 2007, Garda Hungareze (Magyar Gárda) ka organizuar tubime të shumta publike në të gjithë vendin, përfshirë fshatrat me popullsi të madhe rome, gjatë të cilave anëtarët e Gardës Hungareze kanë parakaluar të veshur në mënyrë uniforme me çizme e uniforma të zeza të stilit para-militar, me distinktivë dhe flamuj nazistë. ... Komiteti Këshillimor është i shqetësuar nga kjo sjellje frikësuese.”
IV. E DREJTA KRAHASUESE
29. Gjykata Kushtetuese Federale Gjermane është shprehur në vendimin e saj “Stoppt den Synagogenbau!” (BVerfGE, 111, 147 – Inhaltsbezogenes Versammlungsverbot) (23.06.2004) se për të shmnagur rrezikun ndaj rendit publik ishte e mundur të kufizoje lirinë e tubimit, nëse ishte Art und Weise, domethënë nëse shqetësimi i krijuar kishte të bënte me mënyrën apo mjetin me anë të cilës kryhej tubimi e jo me përmbajtjen. Në përputhje me këtë, ishte e lejueshme të kufizoje “sjelljen agresive dhe provokuese të pjesmarrësve që kërcënojnë qytetarët e përmes të cilës demonstruesit krijojnë një klimë demonstrimi të dhunshëm dhe gadishmëri potenciale për dhunë.” Në lidhje me një marshim të së djathtës ekstreme organizuar në Ditën Përkujtimore të Holokaustit, ajo u shpreh gjithashtu se “forma apo mjetet [e organizimit të tubimit] [mund] të shkaktojnë provokime që prekin në mënyrë domethënëse ndjeshmëritë morale (sittliches Empfinden)”. Në lidhje me mënyrën e organizimit të tubimit, Gjykata Kushtetuese Federale po ashtu i dha rëndësi edhe sjelljes provokuese të protestuesëve. Ajo shtoi se e njëjta gjë është e zbatueshme edhe “kur një procession, për arsye të karakterit të tij në përgjithësi (durch sein Gesamtgepräge), identifikohet me ritet dhe simbolet e tiranisë naziste dhe kërcënon qytetarët e tjerë duke evokuar tmerret e regjimit të shkuar totalitar dhe çnjerëzor”.
30. Në kontekstin e shkrirjes së një shoqate, Gjykata Administrative Federale Gjermane, në vendimin BVerwG 6 A 3.08 (05.08.2009), ka përmbledhur jurisprudencën e saj për ndalimin e shoqatave si më poshtë:
16. Që aktiviteti i një shoqate është apo jo i dënueshëm sipas të drejtës penale, kjo varet nga qëllimet dhe sjellja e antarëve të saj. Shoqata si e tillë nuk mund të jetë përgjegjëse penalisht. Vetëm personat fizikë janë të dënueshëm në bazë të së drejtës penale, pasi penaliteti nënkupton pasjen e aftësisë për përgjegjësi penale [Schuldzurechnungsfähigkeit], gjë që e kanë vetëm personat fizikë. Siç del qartë nga seksioni 3(5) i Aktit për Shoqatat [VereinsG], ligjërisht është megjithatë e mundur që një shoqatë të jetë penalisht e përgjegjshme [Strafgesetzwidrigkeit einer Vereinigung], sepse shoqata, përmes anëtarëve të saj dhe organeve të veta përfaqësuese, mund të formojë një vullnet kolektiv të shkëputur prej anëtarëve si individë, duke ndërtuar një qëllim të vetin [Zweckrichtung] e duke vepruar në mënyrë të pavarur. Në qoftë se e drejta penale shkelet si rezultat i këtij qëllimi, apo i veprimeve të pavarura të një shoqate, plotësohen të gjitha kushtet për zbatimin e ndalesës ligjore [Verbotstatbestand]. Në këtë kontekst faktori vendimtar është që sjellja e anëtarëve të mund t’i atribuohet shoqatës. Karakteri i shoqatës duhet të marrë formë (formësohet) [prägen] prej shkeljeve penale [Strafgesetzwidrigkeit] të kryera nga anëtarët e saj. Një shoqatë mund të përpiqet për realizim qëllimesh të ndryshme njëkohësisht.; përveç qëllimit të ligjshëm përcaktuar në rregulloren e saj, ajo mund të ndjekë, po ashtu, edhe qëllime kriminale, të cilat i realizon përmes sjelljes së anëtarëve të saj. ...
17. Ndalimi me ligj i një shoqate në bazë të seksionit 3(1), fjalia e parë, alternativa e parë, e Aktit për Shoqatat, e lexuar në lidhje me alternativën e parë të Nenit 9(2) të Ligjit Bazë, është de iure i pavarur nga dënimi penal i një anëtari apo zyrtari të shoqatës. Eshtë në kompetencën e autoritetit, që lëshon urdhrin e ndalimit, dhe të gjykatës administrative për të shqyrtuar nëse ështe shkelur e drejta penale [Gesetzeswidrigkeit]. Megjithatë, ndalimi [Verbotstatbestand] nuk ka për qëllimin vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj individëve që kanë shkelur tashmë dispozitat penale. Në fakt, qëllimi [i dispozitës] është trajtimi i një kërcënimi të veçantë ndaj sigurisë publike dhe rendit publik shprehur në themelimin dhe ekzistencën në vazhdim të një organizate e cila po planifikon apo po kryen akte penale. Të tilla organizata përbëjnë një kërcënim të veçantë ndaj interesave [Rechtsgüter] të mbrojtura nga e drejta penale. Dinamika e brendëshme e organizatës dhe burimet e saj të organizuara njerëzore dhe materiale mundësojnë apo promovojnë akte të dënueshme. Në të njëjtën kohë, sensi i përgjegjësisë së çdo anëtari shpesh reduktohet, rezistenca individuale ndaj kryerjes së akteve penale pakësohet, dhe krijohet shtysa për kryerjen e akteve të mëtejshme kriminale (vendim i 18 Tetorit 1988, op. cit., p. 307 dhe pp. 23-24 respektivisht; Löwer, në: v. Münch/Kunig, GG, Vël. 1, 5 ed. 2000, shënim 39 i Nenit 9).”
Gjykata Administrative Federale Gjermane në mënyrë të përsëritur ka ruajtur urdhra të lëshuar për shkrirje shoqatash që mbështesin ide (neo-) naziste. Në vendimin e saj (BVerwG 6 A 4.09 (01.09.2010) për çështjen Heimattreue Deutsche Jugend, në të cilën anëtarët e shoqatës propogandonin traktate dhe ide raciste naziste, Gjykata Administrative Federale ritheksoi jurisprudencën e saj përkatëse, duke deklaruar se, për të plotësuar kushtet e ndalimit, shoqata duhet të kishte synuar realizimin e qëllimeve të saj antikushtetuese në një mënyrë militante dhe agresive, një kusht ky që nuk kërkonte përdorimin e forcës apo një shkelje specifike të ligjit. Për konstatimin e një qëllimi jokushtetues që justifikonte ndalimin, mjaftonte programi, imazhi dhe stili për të shprehur një lidhje thelbësore me Nazizmin. Fakti që një shoqatë e asocionte veten me një Parti naziste (e ndaluar në Gjermani) apo propogandonte një teori raciste që nuk ishte në përputhje me ndalimin kushtetues të diskriminimit, ishte i mjaftueshëm për të plotësuar kushtet për ndalimin e shoqatës. Në qoftë se një shoqatë përpiqej të fshihte qëllimet e saj jokushtetuese, kushtet për ndalimin do të bëheshin të qarta thjesht prej panoramës së përgjithëshme të krijuar nga deklaratat dhe sjelljet individuale. Fakti që këto elemente mund të dukeshin se vareshin nga një numër rrethanash të padëmshme nuk thoshte asgjë në lidhje me domethënien e tyre.
31. Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka gjykuar problemin e frikësimit në çështjen Virginia v. Black, 538 U.S. 343 (2003). Një ligj i Virxhinias e quante krim “për çdo person ... , që me qëllimin e frikësimit të çdo personi apo grupi... , djeg... një kryq në pronën e një tjetri, në rrugë nacionale apo në vende të tjera publike," dhe specifikon se “[çdo] djegie e tillë ... do të jetë provë prima facie e qëllimit për të frikësuar një person apo grup.”
Gjykata Supreme u shpreh se djegia e një kryqi në Shtetet e Bashkuara ishte pazgjidhshmërisht e lidhur me historinë e Ku Klux Klanit. Klani i kishte pëdorur shpesh djegjet e kryqit si mjet kërcënimi dhe si paralajmërim dhune. Deri më sot, pavarësisht nëse mesazhi ishte me natyrë politike apo kishte për qëllim edhe të kërcënonte, djegia e një kryqi ishte "simbol i urrejtjes". Ndërsa djegia e kryqit nuk përcillte pashmangshmërisht një mesazh kërcënimi, shpesh djegësi i kryqit kishte për qëllim që marrësi i mesazhit të kishte frikë për jetën e tij. Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara e lejonte një Shtet të ndalonte "kërcënimet e vërteta", ku përfshiheshin deklaratat ku folësi kishte për qëllim të komunikonte një shprehje serioze të qëllimit për të kryer një akt dhune të paligjshëm ndaj një individi të veçantë apo një grupi individësh. Nuk është e nevojshme që folësi të ketë faktikisht qëllimin për të bërë një kërcënim. Në të vërtetë, një ndalim ligjor për kërcënime të vërteta mbronte individët nga frika e dhunës dhe trazimet që krijonte frika, si dhe nga mundësia që dhuna e kërcënuar mund të ndodhte. Frikësimi, në kuptimin kushtetues ndalues të fjalës, ishte një lloj i kërcënimit të vërtetë, ku një folës i drejtonte një kërcënim një personi apo grupi personash me qëllim vendosjen e viktimës në një gjendje frike për dëmtim fizik apo vdekje. Amendamenti i Parë e lejonte Virxhinian të nxirrte jashtë ligjit djegien e kryqit, që bëhej me qëllimin për të frikësuar, pasi djegia e kryqit ishte një formë frikësimi veçanërisht virulente.
LIGJI
I. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 11 TË KONVENTËS
32. Kërkuesi është ankuar se shkrirja e Shoqatës së kryesuar prej tij kishte çuar në shkelje të së drejtës së tij të lirisë së organizimit garantuar nga Neni 11 i Konventës, i cili lexon si më poshtë:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së tubimit paqësor dhe të organizimit me të tjerët, duke përfshirë të drejtën e themelimit me të tjerë të sindikatave dhe të pjesëmarrjes në to për mbrojtjen e interesave të tij.
2. Ushtrimi i këtyre të drejtave nuk mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tjera përveç atyre që parashikohen me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve. Ky nen nuk ndalon kufizime të ligjshme të ushtrimit të këtyre të drejtave nga pjesëtarë të forcave të armatosura, të policisë ose të administratës shtetërore.”
Qeveria e kundërshtoi këtë argument.
A. Pranueshmëria
33. Në këndvështrimin e Qeverisë, kërkesa duhej të deklarohej e papranueshme duke qenë në papajtueshmëri ratione materiae me dispozitat e Konventës në dritën e Nenit 17, pasi Shoqata siguronte një kuadër institucional për shprehjen e urrejtjes raciste ndaj hebrejve dhe qytetarëve romë. Ajo tërhoqi vëmendjen ndaj faktit se organizmat ndërkombëtare për monitorimin e të drejtave të njeriut (si Komiteti Këshillimor i Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Nacionale dhe Komisioni Europian kundër Racizmit dhe Intolerancës, shiko paragrafet 26 deri në 28 më sipër) kishin ngritur gjithashtu shqetësimin në lidhje me efektet kërcënuese të uniformës, distinktivave dhe flamujve të përdorur në demonstrimet e Lëvizjes.
34. Qeveria iu referua jurisprudencës së institucioneve të Konventës, përfshirë vendimit të Gjykatës në çështjen Garaudy v. France (24 Qershor 2003, nr. 65831/01, ECHR 2003-IX (ekstrakte)). Ajo vuri në dukje se, atje ku kërkuesit ishin mbështetur tek e drejta e lirisë së shprehjes për të justifikuar publikimin e teksteve që shkelnin vetë frymën e Konventës dhe vlerat thelbësore të demokracisë, Komisionit Europian të të Drejtave të Njeriut i ishte dashur t’i drejtohej Nenit 17 të Konventës, në mënyrë direkte apo indirekte, për të hedhur poshtë argumentet e tyre dhe deklaruar të papranueshme kërkesat e tyre (shembujt përfshijnë Glimmerveen dhe Hagenbeek k. Hollandës, nr. 8348/78 dhe 8406/78 (të bashkuara), Vendimi i Komisionit i 11 Tetorit 1979, Vendime dhe Raporte (DR) 18, f. 187, dhe Pierre Marais k. Francës, nr. 31159/96, Vendimi i Komisionit i 24 Qershorit 1996, DR 86, f. 184). Në këndvështrimin e Qeverisë, Gjykata e kishte konfirmuar në vijim këtë qasje (ajo iu referua Lehideux dhe Isorni k. Francës, 23 Shtator 1998, §§ 47 dhe 53, Raporte dhe Gjykime dhe Vendime 1998-VII). Veç kësaj, ajo theksoi se, në një çështje në lidhje me Nenin 11 (W.P. dhe të Tjerë k. Polonisë (dec.), nr. 42264/98, 2 Shtator 2004, Raporte 2004-VII), Gjykata kishte vërejtur se “qëllimi i përgjithshëm i Nenit 17 ishte të ndalonte grupet totalitare në shfrytëzimin për interesat e tyre të parimeve të shpalluara nga Konventa.” Konkluzione të ngjashme ishin arritur edhe në çështjet Norwood k. Mbretërisë Bashkuar((dec.), nr. 23131/03, 16 Nëntor 2004, Raporte 2004-XI), dhe Witzsch k. Gjermanisë ((dec.), nr. 7485/03, 13 Dhjetor 2005; Qeveria iu referua për kontrast çështjes Vajnai k. Hungarisë (nr. 33629/06, § 25, ECHR 2008)).
35. Kërkuesi u përgjigj duke argumentuar se aktivitetet e Shoqatës nuk përbënin abuzim të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe organizimit, ndërkohë që objektivi i tyre kishte qenë rivendosja e sundimit të ligjit duke mbrojtur qytetarët nga kriminelët. Shoqata nuk ishte përfshirë në asnjë aktivitet që synonte shkatërrimin e asnjërës prej të drejtave dhe lirive të përcaktuara në Konventë.
36. Gjykata vërejti që në fillim se, ndryshe nga çështjet e cituara nga Qeveria që kishin të bënin me të drejtën për lirinë e shprehjes, kërkesa aktuale ka të bëjë me të drejtën e kërkuesit për lirinë e organizimit, e në të vërtetë me një kufizim vërtë serioz të saj, duke rezultuar në dhënien fund ekzistencës ligjore të Shoqatës si e tillë. Ndaj, kërkesa aktuale duhet dalluar nga ato mbi të cilat është mbështetur Qeveria. Në lidhje me këtë fundit, Gjykata vërejti se, veçanërisht në çështjen Garaudy dhe tek Lehideux dhe Isorni (të dyja cituar më lart), ishte rrezikuar justifikimi i politikave të ngjashme me ato naziste. Për pasojë, konstatimi i një abuzimi në bazë të Nenit 17 mbështetej në faktin se Neni 10 ishte përdorur nga grupe me motivime totalitare.
37. Në këtë çështje, megjithatë, nga Qeveria nuk është argumentuar se kërkuesi ka shprehur përbuzje për viktimat e një regjimi totalitar (ndryshe nga Witzsch (cituar më lart) apo i përkiste një grupi me ambicie totalitare. Këtë konkluzion nuk e mbështet as informacioni në dosjen e çështjes. Në kohën e çështjes kërkuesi ishte kryetari i një shoqate të regjistruar. Ai ankohet në lidhje me shpërndarjen e shoqatës e bashkë me të edhe të një lëvizje e cila, në këndvështrimin e gjykatave të brendëshme, përbënte një entitet brenda asaj shoqate, në thelb për shkak të një demonstrimi që nuk ishte shpallur i paligjishëm në nivel të brendshëm dhe nuk kishte çuar në ndonjë akt dhune. Në këto rrethana, Gjykata nuk mund të konkludojë se aktivitetet e Shoqatës kishin për synim të justifikonin apo të propagandonin një ideologji shtypjeje në shërbim të "grupeve totalitare".
38. Këto aktivitete, pajtueshmëria e të cilave me Nenin 11 të Konventës do të jetë objekt shqyrtimi në lidhje me themelin (krahaso dhe kontrasto Féret k. Belgjikës, nr. 15615/07, § 52, 16 Korrik 2009), nuk zbulojnë prima facie ndonjë akt që synon shkatërrimin e ndonjërës prej të drejtave dhe lirive përcaktuar në Konventë (shiko Sidiropoulos dhe të Tjerë k. Greqisë, 10 Korrik 1998, § 29, Raporte 1998IV) ose ndonjë qëllim prima facie nga ana e kërkuesit për të mbrojtur në mënyrë publike apo bërë propagandë në mbështetje të pikëpamjeve totalitare (shiko Vajnai, cituar më lart, §§ 24 deri në 26). Vetëm pasi shqyrtimi i mësipërm të jetë i plotë, Gjykata do të jetë në kushtet për të vendosur, në dritën e të gjitha rrethanave të çështjes, nëse duhet zbatuar Neni 17 i Konventës (shiko Refah Partisi (Partia e Mirëqenies) dhe të tjerë v. Turqisë[GC], nr. 41340/98, 41342/98, 41343/98 dhe 41344/98, § 96, ECHR 2003II).
39. Rrjedhimisht, për Gjykatën, kërkesa nuk përbën abuzim të së drejtës së peticionit për qëllimet e Nenit 17 të Konventës. Prandaj, ajo nuk eshtë e papajtueshme ratione materiae me dispozitat e Konventës në kuptimin e Nenit 35 § 3 të Konventës. Gjykata vëren më tej se ajo nuk është e papranueshme për ndonjë arsye tjetër. Ndaj duhet të deklarohet e pranueshme.
B. Themeli
1. Parashtrimet e palëve
(a) Qeveria
40. Qeveria u shpreh se Lëvizja nuk kishte patur një status ligjor të dallueshëm, por kishte qenë një njësi e Shoqatës, e krijuar, e organizuar dhe e financuar nga kjo e fundit. Anëtarët e saj kishin vepruar për interesin dhe nën drejtimin e Shoqatës dhe i paguanin asaj kuotat e tyre të anëtarësisë. Fakti që statuti i Shoqatës nuk sqaronte strukturën e saj të brendëshme nuk çonte në përfundimin se Lëvizja nuk kishte qenë de jure pjesë e Shoqatës. Megjithatë, edhe duke menduar se Lëvizja kishte qenë një entitet i dallueshëm de jure, lidhjet e saj de facto me Shoqatën justifikonin konstatimin se Shoqata kishte tejkaluar lirinë e saj të shprehjes për shkak të operacionit të Lëvizjes. Për këtë arsye, Shoqata e kryesuar nga kërkuesi nuk ishte shpërndarë për shkak të akteve të një entiteti tjetër, por për shkak të aktiviteteve të veta.
41. Për më tepër, Qeveria ishte e mendimit se nuk kishte patur ndërhyrje në lirinë e organizimit të kërkuesit, pasi ajo liri nuk mbulonte të drejtën e organizimit me qëllim bërjen e propagandës raciste. Megjithatë, edhe në rast se kishte patur ndërhyrje, ajo ishte e përshkruar në ligj dhe i shërbente qëllimeve legjitime të mbrojtjes së sigurisë publike, parandalimit të mungesës së rregullit apo krimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
42. Veç kësaj, ndërhyrja kishte qenë e domosdoshme në një shoqëri demokratike, nisur nga përmbajtja anti-semitike e demonstrimeve të organizuara nga Lëvizja dhe ritualet e saj paramilitare, të cilat ishin frikësuese dhe traumatizuese, nxisnin veçimin, rrisnin tensionin social dhe provokonin dhunë. Sa i takon proporcionalitetit shpërndarja ishte një sanksion i duhur për propagandimin e diskriminimit dhe të veçimit racial. Madje nuk ishte as sanksioni më i rreptë i disponueshëm, pasi mund të përdoreshin edhe sanksione penale, si një ultima ratio ndaj individëve të përfshirë, që ishin përgjegjës për shprehjet më serioze të urrejtjes racore, duke nxitur të tjerët për dhunë.
(b) Kërkuesi
43. Që në fillim kërkuesi theksoi se, në kundërshtim me konstatimet e gjykatave të brendëshme, veprimet e kundërshtuara të Lëvizjes nuk mund t’i atribuoheshin Shoqatës së shpërndarë. Ai kundërshtoi se Lëvizja kishte qenë një pjesë integrale e Shoqatës, përderisa të dy entitetet kishin funksionuar më vete dhe në mënyrë të pavarur, megjithësi bashkëpunuese. Ai theksoi gjithashtu se asnjë nga anëtarët e Shoqatës nuk kishte marrë pjesë në Lëvizje.
44. Kërkuesi kundërshtoi argumentin e Qeverisë se shpërndarja e Shoqatës kishte patur një qëllim legjitim në interes të sigurisë kombëtare apo të sigurisë publike, domethënë për parandalimin e krimit dhe mungesës së rendit dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve në kuptimin e Nenit 11 § 2 të Konventës. Në këtë këndvështrim, gjykatat nuk kishin arritur të vërtetonin ndonjë rast të prishjes së rendit apo shkelje të të drejtave të të tjerëve. Ai theksoi se vendimet e brendëshme i ishin referuar një rreziku thjesht hipotetik, parandalimi i të cilit nuk mund të shihej si një qëllim legjitim në bazë të Konventës.
45. Veç kësaj, kërkuesi pretendonte se, edhe po të supozohej se ndërhyrja në të drejtat e sanksionuara në bazë të Nenit 11 të Konventës kishte qenë e ligjshme, shpërndarja e Shoqatës nuk kishte qenë as e domosdoshme e as proporcionale në raport me qëllimet e ndjekura. Ai vërejti se çdo ndërhyrje nga autoritetet publike në ushtrimin e të drejtës për lirinë e organizimit duhet të ishte proporcionale në raport me seriozitetin e sjelljes së kundërshtuar në gjykatë; kështu, masa e shpallur nga gjykatat e brendëshme kishte qenë tejet e ashpër. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, shpërndarja rezervohej për situata në të cilat aktivitetet e një shoqate rrezikonin seriozisht vetë thelbin e sistemit demokratik; si aktivitetet e Shoqatës edhe ato të Lëvizjes as e kishin kërkuar e as e kishin patur një efekt të tillë. Në çdo rast, e drejta e brendëshme përkatëse nuk parashikonte ndonjë sanksion tjetër, veç shpërndarjes, në lidhje me aktivitete të paligjshme të pretenduara të një shoqate, një fakt ky që përjashtonte çdo proporcionalitet.
46. Kërkuesi theksoi gjithashtu se përjashtimet e përcaktuara në Nenin 11 § 2 duheshin interpretuar ngushtë; vetëm arsye bindëse dhe detyruese mund të justifikonin kufizimet mbi lirinë e organizimit. Megjithatë në çështjen aktuale gjykatat e brendëshme nuk kishin cituar arsye të njaftueshme dhe relevante për kufizimin, përderisa nuk kishin demonstruar dot mënyrën se si aktivitetet e Shoqatës kishin qenë në gjendje të provokonin konflikte ose të mbështesnin apo nxisnin dhunën dhe shkatërrimin e demokracisë. Në të vërtetë, aktivitetet e Shoqatës kishin synuar thjesht mundësimin e diskutimit për probleme sociale të pazgjidhura si siguria e njerëzve vulnerabël dhe shkalla jashtëzakonisht e lartë e krimit.
47. Kërkuesi tërhoqi më tej vëmendjen ndaj jurisprudencës së Gjykatës duke e konsideruar Nenin 11 në dritën e Nenit 10. Në këtë kontekst ai pranoi se idetë e shprehura nga Lëvizja mund të jenë ofenduese dhe tronditëse. Megjithatë ato nuk kishin shkuar deri në nxitje të urrejtjes apo intolerancës, e kështu ishin në pajtim me parimet pluralizmit dhe tolerancës në një shoqëri demokratike.
(c) Pala e tretë
48. Qendra Europiane për të Drejtat e Romëve parashtroi se liritë e garantuara në bazë të Nenit 11 të Konventës mund të kufizoheshin me qëllim mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të komuniteteve minoritare. Duke iu referuar, inter alia, dispozitave përkatëse të Konventës Ndërkombëtare për Zhdukjen e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial, ajo argumentoi se organizatat që përpiqeshin të justifikonin apo promovonin urrejtjen dhe diskriminimin racial në çdo formë nuk hynin në fushëveprimin e Mbrojtjes së siguruar nga Neni 11. Pala e tretë tërhoqi më tej vëmendjen ndaj faktit se minoritetet dhe, në veçanti, romët, gëzonin mbrojtje të posaçme në bazë të Nenit 14 të Konventës, dhe iu referua konsensusit të qartë ndërkombëtar mes Shteteve Kontraktuese të Këshillit të Europës për njohjen e një detyrimi për mbrojtjen e sigurisë së tyre.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Nëse ka patur ndërhyrje
49. Gjykata vëren se Shoqata e kryesuar nga kërkuesi është shpërndarë dhe efektet e kësaj mase u shtrinë deri tek Lëvizja (shiko paragrafin 15 lart). Ajo rrjedhimisht gjykon se ka patur ndërhyrje në të drejtat e kërkuesit në bazë të Nenit 11 të Konventës.
(b) Nëse ndërhyrja ishte e justifikuar
50. Një ndërhyrje e tillë do të përbëjë shkelje të Nenit 11 përveç se kur është e parashikuar me ligj, është bërë për një apo më shumë synime legjitime për qëllimet e Nenit 11 § 2 dhe ka qenë e domosdoshme në një shoqëri demokratike për përmbushjen e këtyre qëllimeve.
(i) “e parashikuar me ligj”
51. Gjykata vëren se Shoqata, e rrjedhimisht edhe Lëvizja, u shkri në bazë të seksionit 16(2)(d) të Aktit nr. II të 1989-s për të drejtën e lirisë së organizimit (shiko paragrafin 18 lart), përfshirë referencën aty për seksionin 2(2) (“paragjykimi i të drejtave dhe lirive të të tjerëve”).
Ajo vëren gjithashtu argumentet diverguese të palëve në lidhje me faktin nëse vendimet e gjykatave të brendëshme, në urdhërin për shpërndarjen e Shoqatës, përfshinin në mënyrë të ligjshme shkrirjen e Lëvizjes.
Në lidhje me këtë Gjykata vëren se, në përgjigje të vëzhgimeve faktike të autoriteteve të akuzës (shiko paragrafin 11 lart) Gjykata e Apelit e Budapestit dhe Gjykata Supreme u shprehën (shiko paragrafet 15 dhe16 lart) se Lëvizja duhej të konsiderohej, sipas interpretimit të ligjit të brendshëm për shoqatat, si një enitet që funksionon brenda Shoqatës e jo në mënyrë të pavarur. Këto gjykata vërejtën se aktiviteti kryesor i Shoqatës ishte themelimi, operimi, drejtimi dhe financimi i Lëvizjes.
Gjykata nuk gjen asnjë element të veçantë në dosjen e çështjes apo parashtrimet e palëve, që do ta bënte arbitrar këtë zbatim të ligjit, duke konsideruar që autoritetet nacionale janë në një pozicion më të mirë për të bërë interpretimin e ligjit të brendshëm dhe vlerësimin e provave. Nisur nga fakti se krijimi i Lëvizjes ishte një projekt i Shoqatës, se Lëvizja dhe Shoqata kishin një llogari bankare të përbashkët, se kandidatët për anëtarësim në Lëvizje vlerësoheshin nga Shoqata dhe se uniforma e të parës mund të blihej vetëm nga kjo e fundit, Gjykata nuk e gjen të paarësyeshme pozicionin e këtyre gjykatave.
Për pasojë, Gjykata është e bindur se shpërbërja e Shoqatës për shkak të veprimeve të Lëvizjes ishte “e parashikuar në ligj”, duke marrë parasysh gjetjet e gjykatave të brendëshme në lidhje me marrëdhenien e tyre.
(ii) Qëllimi legjitim
52. Gjykata gjykon se masa e kundërshtuar mund të konsiderohet se është marrë për qëllime të sigurisë publike, parandalimit të mungesës së rendit dhe mbrojtjes së të drejtave të të tjerëve, të cilat janë të gjitha legjitime për qëllimet e Nenit 11 § 2 të Konventës, pavarësisht pretendimeve të kërkuesit se gjykatat e brendëshme nuk kishin demonstruar ekzistencën e ndonjë rasti faktik të mungesës së rendit apo shkeljes së të drejtave të të tjerëve (shiko paragrafin 44 lart).
Mbetet për t’u provuar nëse masa e kundërshtuar ishte e domosdoshme në një shoqëri demokratike.
(iii) E domosdoshme në një shoqëri demokratike
(α) Parime të përgjithëshme
53. Parimet e përgjithëshme të artikuluara në këtë fushë në jurisprudencën e Gjykatës janë përmbledhur në çështjen e Partisë Komuniste të Turqisë dhe të Tjerë k. Turqisë (30 Janar 1998, Raporte 1998-I) si më poshtë:
“42. Gjykata rithekson se, pavarësisht rolit të tij autonom dhe sferës së veçantë të zbatimit, Neni 11 duhet konsideruar edhe në dritën Nenit 10. Mbrojtja e opinioneve dhe liria për t’i shprehur ato është një nga objektivat e lirisë së organizimit mishëruar në Nenin 11 (shiko, ndër të tjera, vendimin Young, James dhe Webster k. Mbretërisë Bashkuar, 13 Gusht 1981, Seria A na. 44, f. 23, § 57, dhe vendimin e dt. 26 Shtator 1995 Vogt k. Gjermanisë, Seria A nr. 323, f. 30, § 64).
43. Kjo është e zbatueshme edhe më shumë në lidhje me partitë politike nisur nga roli i tyre esencial në sigurimin e pluralizmit dhe funksionimit të mirë të demokracisë (shiko pragrafin 25 lart).
Siç është shprehur Gjykata shumë herë, nuk mund të ketë demokraci pa pluralizëm. Kjo është arsyeja përse liria e shprehjes e mishëruar në Nenin 10, është e zbatueshme, në bazë të paragrafit 2, jo vetëm për "informacione" apo "ide" që pranohen pozitivisht apo konsiderohen si joofenduese a me indiferencë, por edhe për ato që ofendojnë, trondisin apo trazojnë (shiko, ndër të tjera, vendimin Vogt cituar më lart, f. 25, § 52). Fakti që aktivitetet e tyre janë pjesë e një ushtrimi kolektiv të lirisë së shprehjes, i jep partive politike të drejtën të kërkojnë mbështetjen e Neneve 10 Dhe 11 të Konventës. ...
45. Demokracia është padyshim një tipar themelor i rendit publik europian (shiko vendimin Loizidou cituar më lart, f. 27, § 75). ...
Veç kësaj, Nenet 8, 9, 10 dhe 11 të Konventës kërkojnë që ndërhyrja në të të drejtat e sanksionuara prej tyre duhet vlerësuar me metrin e ‘të domosdoshmes në një shoqëri demokratike’ E vetmja domosdoshmëri e aftë për të justifikuar një ndërhyrje në çdonjërën prej këtyre të drejtave është, rrjedhimisht, një domosdoshmëri që mund të pretendohet se del nga ‘shoqëria demokratike’. Kështu pra, demokracia rrezulton të jetë modeli i vetëm politik i marrë parasysh nga Konventa dhe, rrjedhimisht, modeli i vetëm i pajtueshëm me të. ...
46. Rrjedhimisht, përjashtimet e përcaktuara në Nenin 11, kur bëhet fjalë për partitë politike, duhen interpretuar në mënyrë strikte; vetëm arsye bindëse dhe detyruese mund të justifikojnë kufizimin e lirisë së organizimit të partive. Për të përcaktuar nëse ekziston një domosdoshmëri në kuptimin e Nenit 11 § 2, Shtetet Kontraktuese kanë vetëm një hapësirë të kufizuar vlerësimi, që shkon paralel me mbikqyrjen e rreptë europiane. e cila ka të bëjë si me ligjin edhe me vendimet për zbatimin e tij, përfshirë edhe ato të marra nga gjykata të pavarura. Gjykata është shprehuar tashmë se një shqyrtim i tillë hetues ishte i domosdoshëm në një çështje në lidhje me një Anëtar Parlamenti i cili ishte dënuar për fyerje të qeverisë (shiko vendimin Castells cituar më lart, f. 22–23, § 42); ky shqyrtim hetues është sidomos i domosdoshëm kur bëhet fjalë për shkrirjen e një partie politike të tërë, udhëheqësit e të cilës ndalohen të marrin pjesë në çfarëdolloj aktiviteti të ngjashëm në të ardhmen.
47. Kur Gjykata kryen shqyrtimin e saj, qëllimi i saj nuk është të zëvendësojë këndvështrimin e autoriteteve përkatëse nacionale me këndvështrimin e saj, por të analizojë, sipas Nenit 11, vendimet e dhëna prej tyre në ushtrim të diskrecionit të tyre. Kjo nuk do të thotë se asaj i duhet të kufizohet në vërtetimin nëse Shteti përgjegjës e ka ushtruar diskrecionin e tij në mënyrë të arsyeshme, të kujdesshme e në mirëbesim; ajo duhet ta analizojë ndërhyrjen e ankimuar në dritën e çështjes si një e tërë dhe të përcaktojë nëse ka qenë ‘proporcionale me qëllimin legjitim të ndjekur’ e nëse arsyet e paraqitura nga autoritetet nacionale për justifikimin e saj janë ‘relevante dhe të mjaftueshme’. Në këtë proces, Gjykata duhet të bindet se autoritet nacionale kanë zbatuar standarde në përputhje me parimet e mishëruara në Nenin 11 dhe, veç kësaj, se vendimet e tyre bazoheshin në një vlerësim të pranueshëm të fakteve relevante (shiko mutatis mutandis, vendimin Jersild k. Danimarkës të 23 Shtatorit 1994, Seria A nr. 298, f. 26, § 31).”
54. Parime të tjera relevante janë pjesë e vendimit për çështjen Refah Partisi (Partia e Mirëqenies) dhe të Tjerë (cituar më lart) në vijim:
“(γ) Mundësia e vendosjes së kufizimeve, dhe mbikqyrja e rreptë europiane
96. Liritë e garantuara nga Neni 11, dhe Nenet 9 dhe 10 të Konventës, nuk mund t’u heqin të drejtën autoriteteve të Shtetit ku një shoqatë, përmes aktiviteteve të saja, vë në rrezik institucionet e Shtetit, për t’i mbrojtur këto institucione. Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se ajo është shprehur më parë se vetë sistemi i Konventës përmban në vetvete njëfarë kompromisi mes kërkesave për mbrojtjen e shoqërisë demokratike dhe të drejtave të ndividit. Për të patur një kompromis të tillë, çdo ndërhyrje nga autoritetet duhet të jetë në përputhje me paragrafin 2 të Nenit 11– një çështje që Gjykata e shqyrton më poshtë. ...
98. [Një] parti politike mund të promovojë një ndryshim në ligjin apo në strukturat ligjore e kushtetuese të Shtetit në bazë të dy kushteve: së pari, mjetet e përdorura për këtë qëllim duhet të jenë ligjore dhe demokratike; së dyti, ndryshimi i propozuar duhet të jetë vetë në pajtueshmëri me parimet demokratike themelore. Natyrshëm rrjedh që një parti politike, udhëqeqësit e të cilës nxisin dhunën apo propozojnë një politikë që nuk respekton demokracinë apo që ka për qëllim shkatërrimin e demokracisë apo shpërfilljen e të drejtave dhe lirive të njohura në një demokraci, nuk mund të ngrejë pretendime për mbrojtje nga Konventa ndaj penaliteteve të zbatuara për këto arsye. (shiko Yazar dhe të Tjerë k. Turqisë, nr. 22723/93, 22724/93 dhe 22725/93, § 49, ECHR 2002-II, dhe, mutatis mutandis, vendimet në vijim: Stankov dhe Organizata e Bashkuar Maqedonase Ilinden k. Bullgarisë, nr. 29221/95 dhe 29225/95, § 97, ECHR 2001-IX, dhe Partia Socialiste dhe të Tjerë k. Turqisë, vendim i dt 25 Maj 1998, Raporte 1998-III, f. 1256-57, §§ 46-47).
99. Nuk mund të përjashtohet mundësia që një parti politike, duke kërkuar respektim të të drejtave të sanksionuar në Nenin 11 e po ashtu në Nenent 9 dhe 10 të Konventës, mund të përpiqet të nxjerrë prej tyre të drejtën për të kryer çka në praktikë përbëjnë aktivitete që synojnë shkatërrimin e të drejtave dhe lirive të përcaktuara në Konventë, duke çuar kështu në shkatërrim të demokracisë (shiko Partia Komuniste (KPD) k. Gjermanisë, nr. 250/57, Vendim i Komisionit i dt. 20 Korrik 1957, Yearbook 1, f. 222). Duke patur parasysh lidhjen shumë të qartë mes Konventës dhe demokracisë (shiko paragrafet 86-89 lart), askush nuk duhet autorizuar të mbështetet në dispozitat e Konventës me qëllim dobësimin apo shkatërrimin e idealeve dhe vlerave të një shoqërie demokratike. Pluralizmi dhe demokracia bazohen mbi një kompromis që kërkon lëshime të ndryshme nga individë apo grupe individësh, të cilët nganjëherë duhet të bien dakord të kufizojnë disa nga të drejtat që ata gëzojnë, me qëllim garantimin e një stabiliteti më të madh të vendit në tërësi (shiko, mutatis mutandis, Petersen v. Germany (dec.), no. 39793/98, ECHR 2001-XII).
Në këtë kontekst, Gjykata mendon se nuk është aspak e pamundur që lëvizje totalitare, të organizuara në formën e partive politike, mund ta asgjesojnë demokracinë, pasi të kenë përparuar nën një regjim demokratik, shembuj të të cilave i gjejmë në historinë moderne europiane. ...
(δ) Atribuimi një partie politike i akteve dhe fjalimeve të anëtarëve të saj
101. Gjykata gjykon më tej se statuti dhe programi i një partie politike nuk mund të merren parasysh si i vetmi kriter për përcaktimin e objektivave dhe qëllimeve tësaj. Përvoja politike e Shteteve Kontraktuese ka treguar se, në të shkuarën, parti politike me qëllime në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë nuk i kanë zbuluar këto qëllime në botimet e tyre zyrtare deri pas ardhjes në pushtet. Prandaj Gjykata ka theksuar gjithmonë se programi politik i një partie mund të fshehë objektiva dhe qëllime të ndryshme nga ato të shpallura prej saj. Për të verifikuar se ajo nuk e bën një gjë të tillë, programi i partisë duhet krahasuar me veprimet e udhëheqësve të partisë dhe qëndrimet e mbrojtura prej tyre. Të marra sëbashku, këto akte dhe qëndrimet mund të jenë relevante në procesin për shpërndarjen e një partie politike, duke patur parasysh që, në tërësi, ato zbulojnë synimet dhe qëllimet e saj...
(ε) Koha e përshtatshme për shpërndarje
102. Veç kësaj, Gjykata gjykon se një Shteti nuk mund t’i kërkohet të presë të ndërhyjë deri pas ardhjes në pushtet të një partie politike e pasi ajo të ketë filluar të ndërmarrë hapa konkretë për zbatimin e një politike të papajtueshme me standardet e Konventës dhe Demokracisë, megjithëse rreziku për demokracinë i asaj politike është mjaftueshmërisht i provuar dhe i pashmangshëm. Gjykata pranon se, atje ku prania e një rreziku të tillë është e përcaktuar, pas një shqyrtimi të hollësishëm nënshtruar mbikqyrjes rigoroze europiane, një Shtet mund ‘të parandalojë në mënyrë të arsyeshme ekzekutimin e një politike të tillë, që është e papajtueshme me dispozitat e Konventës, përpara bërjes së ndonjë përpjekje për zbatimin e saj me hapa konkretë që mund të paragjykojnë paqen civile dhe regjimin demokratik të vendit ‘ (shiko vendimin e Dhomës, § 81).
103. Gjykata është e mendimit se një pushtet i tillë ndërhyrjeje parandaluese nga ana e Shtetit është gjithashtu në përputhje me detyrimet pozitive të Shteteve Kontraktuese në bazë të Nenit 1 të Konventës për të siguruar të drejttat dhe liritë e personave brenda juridiksionit të tyre. Keto detyrime kanë të bëjnë jo vetëm me ndërhyrje që mund të rezultojnë nga akte apo mungesë aktesh atribuar agjentëve të Shtetit apo që ndodhin në institucione publike, por edhe me ndërhyrje atribuar individëve private në organe jo shtetërore ... Një Shtet Kontraktues mund të jetë i justifikuar, në bazë të detyrimeve të tij pozitive, t’i vendosë partive politike, raison d’être i të cilave është ardhja në pushtet dhe drejtimi i punës së një pjese të konsiderueshme të aparatit të Shtetit, detyrën për të respektuar dhe siguruar të drejtat dhe liritë e garantuara nga Konventa dhe detyrimin për të mos propozuar një program politik në kundërshtim me parimet themelore të Demokracisë.
(ζ) Shqyrtimi i përgjithshëm
104. Në dritën e konsideratave të mësipërme, shqyrtimi i përgjithshëm nga Gjykata i çështjes nëse shpërndarja e një partie politike, për shkak të një rreziku për minim të parimeve demokratike, plotësonte kushtin e ‘një nevoje të ngutshme sociale, (shiko, për shembull, Partia Socialiste dhe të Tjerë, cituar më lart, f. 1258, § 49) duhet të përqëndrohet tek pikat e mëposhtme: (i) nëse kishte prova të besueshme se rreziku për demokracinë, duke supozuar se ishte provuar ekzistenca e tij, ishte mjaftueshmërisht i pashmangshëm; (ii) nëse aktet dhe fjalimet e udhëheqësve dhe anëtarëve të partisë politike në fjalë i atribuoheshin partisë në tërësi; e (iii) nëse aktet dhe fjalimet që i atribuoheshin partisë politike, formonin një tërësi që jepte një panoramë të qartë të një modeli shoqërie të përftuar dhe mbështetur nga partia, i cili ishte i papajtueshëm me konceptin e një ‘shoqërie demokratike’.
105. Shqyrtimi i përgjithshëm i pikave të mësipërme, që duhet të bëjë Gjykata, duhet të marrë parasysh edhe kontekstin historik në të cilin ... ka ndodhur ... shpërbërja në vendin në fjalë për të siguruar funksionimin e mirë të ‘shoqërisë demokratike’ (shiko, mutatis mutandis, Petersen, cituar më lart).”
55. Vendimi i Gjykatës në çështjen Herri Batasuna dhe Batasuna k. Spanjës (nr. 25803/04 dhe 25817/04, ECHR 2009) përmban pjesët e mëposhtme:
“79. ... Natyrshëm rrjedh se një parti politike, udhëqeqësit e të cilës nxisin dhunën apo propozojnë një politikë që nuk respekton demokracinë apo që ka për qëllim shkatërrimin e demokracisë ose shpërfilljen e të drejtave dhe lirive të njohura në një demokraci, nuk mund të ngrejë pretendime për mbrojtje nga Konventa ndaj penaliteteve të vëna për këto arsye ...
81. ... [Një] Shtet mund ‘të parandalojë në mënyrë të arsyeshme ekzekutimin e një politike të tillë, që është e papajtueshme me dispozitat e Konventës, përpara bërjes së ndonjë përpjekje për zbatimin e saj me hapa konkretë, që mund të paragjykojnë paqen civile dhe regjimin demokratik të vendit ‘ (shiko Refah Partisi, cituar më lart, § 102). ...
83. Shqyrtimi i përgjithshëm nga Gjykata i çështjes nëse shpërbërja e një partie politike për shkak të një rreziku për minim të parimeve demokratike plotësonte kushtin e ‘një nevoje të ngutshme sociale, (shiko, për shembull, Partia Socialiste dhe të Tjerë, cituar më lart, f. 1258, § 49) duhet të përqëndrohet tek pikat e mëposhtme: (i) nëse kishte prova të besueshme se rreziku për demokracinë, duke supozuar se qe provuar ekzistenca e tij, ishte i mjaftueshëm dhë në mënyrë të arsyeshme i pashmangshëm; dhe (ii) nëse aktet dhe fjalimet që i atribuoheshin partisë politike, formonin një tërësi që jepte një panoramë të qartë të një modeli shoqërie të përftuar dhe mbështetur nga partia, i cili ishte i papajtueshëm me konceptin e një ‘shoqërie demokratike’ ...”
(β) Zbatimi i këtyre parimeve në çështjen aktuale
56. Gjykata vëren që në fillim se, megjithëse e drejta për krijimin dhe vënien në funksion të partive politike është brenda suazës së mbrojtjes së Nenit 11 të Konventës, njëlloj si e drejta për krijimin dhe vënien në funksion të organizatave shoqërore, këto dy lloje entitetesh dallojnë mes tyre për sa i takon, veç elementesh të tjera, rolit që ata luajnë në funksionimin e një shoqërie demokratike, pasi kontributi i shumë organizatave shoqërore ndaj këtij funksionimi është vetëm në mënyrë të tërthortë.
Në disa Shtete Anëtare të Këshillit të Europës, partitë politike gëzojnë një status ligjor të posaçëm që lehtëson pjesmarrjen e tyre në politikë në përgjithësi dhe në zgjedhje në veçanti; ato kanë po ashtu funksione specifike të njohura ligjërisht në procesin elektoral dhe në formimin e politikave publike dhe të opinionit publik.
Organizatat shoqërore normalisht nuk gëzojnë të tilla privilegje ligjore dhe kanë, në parim, mundësi më të pakta për të ndikuar mbi vendim-marrjen politike. Shumë prej tyre nuk marrin pjesë në jetën politike publike, megjithëse nuk ka ndonjë ndarje të saktë mes formave të ndryshme të shoqatave në këtë kuptim, dhe rëndësia e tyre aktuale politike mund të përcaktohet vetëm rast pas rasti.
Lëvizjet shoqërore mund të luajnë një rol të rëndësishëm në formësimin e politikës dhe politikave, por krahasuar me partitë politike, organizata të tilla zakonisht kanë mundësi të privilegjuar ligjore më të pakta për të ndikuar mbi sistemin politik. Megjithatë, duke patur parasysh impaktin politik aktual që organizatat dhe lëvizjet shoqërore kanë, sa herë vlerësohet ndonjë rrezik ndaj demokracisë, duhet mbajtur parasysh ndikimi i tyre.
57. Në pikëpamjen e Gjykatës, Shteti ka po ashtu të drejtën të marrë masa parandaluese për mbrojtjen e demokracisë vis-à-vis të tilla entitetesh jo-partiake, nëse një paragjykim mjaftueshëm i qartë ndaj të drejtave të të tjerëve kërcënon të minojë vlerat fundamentale në bazë të të cilave ekziston dhe finksionon një shoqëri demokratike. Një vlerë e tillë është bashkë-ekzistenca e anëtarëve të shoqërisë të çliruar prej veçimit racial, pa të cilën një shoqëri demokratike është e pakonceptueshme. Një Shteti nuk mund t’i kërkohet të presë pa ndërhyrë deri sa një lëvizje politike të ketë ndërmarrë veprime për minimin e demokracisë apo të ketë përdorur dhunën. Edhe sikur kjo lëvizje të mos ketë bërë ndonjë përpjekje për të ardhur në pushtet dhe rreziku që për faqëson ajo për demokracinë të mos jetë fare i dukshëm e i pashmangshëm, Shteti ka të drejtë të marrë masa parandaluese nëse është provuar se kjo lëvizje ka nisur të marrë hapa konkretë në jetën publike për zbatimin e një politike të papajtueshme me standardet e Konventës dhe të demokracisë (shiko Refah Partisi (Partia e Mirëqenies) dhe të Tjerë, cituar më lart, § 102).
58. Në vlerësimin e dosmosdoshmërisë dhe proporcionalitetit të masës së ankimuar, Gjykata vëren se çështja aktuale ka të bëjë me shpërbërjen e një shoqate e të një lëvizje e jo të një partie politike. Përgjegjësitë që e kanë bazën në rolin e veçantë kushtetues dhe privilegjet ligjore të zbatueshme për partitë politike në shumë Shtete Anëtare të Këshillit të Europës, mund të zbatohen në rastin e organizatave shoqërore vetëm për aq sa këto të fundit kanë një shkallë të krahasueshme ndikimi politik. Nga ana tjetër, Gjykata është e vetëdijshme se përfundimi i ekzistencës ligjore të Shoqatës dhe Lëvizjes ishte një sanksion serioz në mënyrë të konsiderueshme, pasi ai ishte i barazvlershëm me zhveshjen e ketyre grupimeve prej avantazheve ligjore, financiare e praktike normalisht të siguruara për shumicën e shoqatave të regjistruara në shumicën e juridiksioneve (shiko paragrafin 18 më lart). Ndaj, çdo masë e tillë duhet mbështetur në arsye relevante dhe të mjaftueshme, njëlloj si në rastin e shpërbërjes së një partie politike, megjithëse në rastin e një shoqate, për shkak të mundësive të saj më të kufizuara për të ushtruar ndikim nacional, justifikimi për masa kufizuese parandaluese mund të jetë në mënyrë legjitime më pak i detyrueshëm se në rastin e një partie politike. Duke patur parasysh dallimin në rëndësinë për demokracinë mes një partie politike dhe një shoqate jo-politike, vetem e para meriton shqyrtim më rigoroz të domosdoshmërisë së kufizimit mbi të drejtën për t’u organizuar (krahaso, per analogiam, me nivelin e mbrojtjes dhënë ligjërimit politik dhe ligjërimit që nuk ka të bëjë me çështje të interesit publik, në Lingens k. Austrisë, 8 Korrik 1986, § 42, Seria A nr. 103, dhe Tammer k. Estonisë, nr. 41205/98, § 62, ECHR 2001I). Ky dallim duhet zbatuar me fleksibilitet të mjaftueshëm. Për sa i takon shoqatave me qëllim dhe ndikim politik, niveli i shqyrtimit varet nga natyra dhe funksionet aktuale të shoqatës duke marrë parasysh rrethanat e çështjes.
59. Gjykata vëren se Lëvizja, shpërbërja e të cilës është ankimuar nga kërkuesi, ishte krijuar nga Shoqata me qëllimin e shpallur për "mbrojtjen e një Hungarie të pambrojtur fizikisht, shpirtërisht dhe intelektualisht" (shiko paragrafin 8 më lart). Aktivitetet e mëvonshme të Lëvizjes përfshinin tubime, demonstrime, ku anëtarët parakalonin të veshur me uniformë dhe në formacione të ngjashme me ato militare. Këto aktivitete ishin bërë në disa pjesë të vendit dhe, veçanërisht, në fshatra me popullsi të mëdha rome, si në Tatárszentgyörgy; ishin bërë thirrje për mbrojtjen e "hungarezëve etnikë" përballë të ashtuquajturit "kriminalitet cigan" (shiko paragrafin 10 lart). Në reagim ndaj këtij vargu ngjarjesh, prokurori publik ngriti çështje kundër Lëvizjes dhe Shoqatës, thelbi i të cilës ishin se aktivitetet e të pandehurve kishin arritur në nivel frikësimi për arsye raciste të qytetarëve me origjinë rome (shiko paragrafin 11 lart).
60. Në proceset gjyqësore vijuese gjykatat vlerësuan lidhjet mes dy të akuzuarave dhe gjetën prova bindëse se ato nuk përbënin dy entitete të ndara. Duke marrë parasysh argumentet e konsideruara në këtë kontekst, Gjykata nuk mund ta gjejë këtë përfundim si të paarsyeshëm e arbitrar (shiko paragrafet 11, 13, 15, 16 dhe 51 lart).
61. Kjo çështje rezultoi në shpërbërjen si të Shoqatës, edhe të Lëvizjes. Në thelb, gjykatat e brendëshme konstatuan se edhe pse nuk kishte ndodhur ndonjë dhunë faktike si rrjedhojë e aktiviteteve të të pandehurve, ata ishin përgjegjëgjës se kishin krijuar një atmosferë kundër romëve me anë të demonstrimeve verbale e vizuuale të pushtetit. Kjo përbënte shkelje të ligjit përkatës për shoqatat, ishte kundër dinjitetit njerzor dhe paragjykonte të drejtat e të tjerëve, domethënë, të qytetarëve romë. Në lidhje me këtë të fundit, gjykatat vërejtën se tema qendrore e tubimit të Tatárszentgyörgy ishte “kriminaliteti cigan”, një koncept ky racist. Gjykatat i kushtuan vëmendje të veçantë faktit se tubimet e kundërshtuara përmbanin në vetvete uniforma, komanda, përshëndetje dhe formacione si dhe distinktivë që ishin reminishenca të simboleve të Arrow Cross. Në apel, ky argumentim u shtri deri aty sa të përmblidhte në vetvete edhe konsiderata të tilla që popullsinë e fshatrave, që ishin objektivi i Lëvizjes, e quajtën "audiencë e zënë rob", pasi ata qytetarë nuk kishin qenë në gjendje të shmangnin pikëpamjet extreme dhe përjashtuese të përcjella nga veprimet e Lëvizjes. Në pikëpamjen e gjykatave, kjo e fundit përbënte krijim të një rreziku publik duke gjeneruar tension social dhe duke shkaktuar një atmosferë dhune të pashmangshme (shiko paragrafet 15 dhe 16 lart).
62. Gjykata shprehet në mënyrë përsëritur se në radhë të parë u takon autoriteteve nacionale, veçanërisht gjykatave, të interpretojnë dhe zbatojnë të drejtën e brendëshme (shiko, ndër të tjera,, Lehideux dhe Isorni, cituar më lart, § 50). Detyra e Gjykatës është thjesht të analizojë vendimet e dhëna nga autoritetet brenda hapësirës së tyre të vlerësimit. Për këtë gjë, ajo duhet të bindet se ato i kanë mbështetur vendimet e tyre mbi një vlerësim të pranueshëm të fakteve relevante (shiko Incal k. Turqisë, 9 Qershor 1998, § 48, Raporte 1998IV). Në rrethanat e çështjes aktuale, Gjykata nuk mund t’i gjejë të paarsyeshme dhe arbitrare vendimet e gjykatave hungareze dhe është e të njëjtit mendim me këto gjykata se aktivitetet dhe idetë e shprehura nga Lëvizja bazoheshin në një krahasim në bazë racash mes minoritetit rom dhe shumicës etnike hungareze (shiko paragrafin 13 lart).
63. Gjykata është shprehur më parë, në kontekstin e Nenit 10, se idetë apo sjellja nuk mund të përjashtohen nga mbrojtja që siguron Konventa vetëm sepse ato janë në gjendje të krijojnë një ndjesi mosrehatije në grupe të caktuar qytetarësh apo sepse disa mund t’i perceptojnë ato si të pasjellshme (shiko Vajnai, cituar më lart, § 57). Ajo është e mendimit se konsiderata të ngjashme duhet të zbatohen edhe në lidhje me lirinë e organizimit për aq sa ajo ka të bëjë me organizm individësh me qëllim nxitjen e ideve që janë më pak se gjerësisht të pranuara, apo madje tronditëse ose shqetësuese. Në të vërtetë, në qoftë se shoqata në fjalë nuk mund të konsiderohet në mënyrë të arsyeshme si një terren ushqyes për dhunë apo si mishëruese e një mohimi të parimeve demokratike, masa radikale që kufizojnë të tilla të drejta fondamentale si ajo e lirisë së organizimit - në emër të mbrojtjes së demokracisë - është e vështirë të pajtohen me shpirtin e Konventës, e cila ka për qëllim të garantojë artikulimin e pikëpamjeve politike (edhe ato që për autoritetet apo një grup më të madh qytetarësh janë të vështira të pranohen dhe kontestojnë rendin shoqëror të vendosur) përmes gjithë mënyrave paqësore dhe të ligjshme, përfshirë shoqatat dhe tubimet (shiko, mutatis mutandis, Güneri dhe të Tjerë k. Turqisë, nr. 42853/98, 43609/98 and 44291/98, § 76, 12 Korrik 2005).
64. Duke qenë kështu, duhet vërtetuar nëse në këtë rast veprimet e Shoqatës dhe Lëvizjes kanë qëndruar brenda kufijve të aktiviteteve të ligjshme dhe paqësore. Në lidhje me këtë Gjykata nuk mund të anashkalojë faktin se aktivistët e tyre kanë organizuar disa tubime, të tilla si ngjarja në Tatárszentgyörgy, e cila përfshiu rreth 200 persona në një fshat me rreth 1,800 banorë. Është e vërtetë që nuk ndodhi dhunë, megjithëse nuk është e mundur të përcaktohet pas ngjarjeve tashmë, nëse kjo ishte apo jo si rrjedhojë e pranisë së policisë. Aktivistët kanë parakaluar në fshat të veshur me uniforma në dukje ushtarake dhe me shirita në krah me pamje frikësuese, në formacione të ngjashme me ato ushtarake, duke përshëndetur dhe dhëna komanda të të njëjtit lloj.
65. Në këndvështrimin e Gjykatës, një tubim i tillë ishte i aftë t’u përcillte personave të pranishëm mesazhin se organizuesit e tij kishin qëllimin dhe kapacitetin të vinin në veprim një organizatë paramilitare për përmbushjen e qëllimeve të tyre, cilatdo qofshin ato. Formacioni paramilitar të kujtonte lëvizjen naziste hungareze (Arrow Cross), e cila kishte qenë shtylla kurrizore e regjimit që kishte qenë përgjegjës, ndër të tjera, për zhdukjen në masë të romëve në Hungari. Duke patur parasysh faktin që ekzistonin tashmë lidhje organizative të vërtetuara midis Lëvizjes, aktivistët e të cilës kishin qenë të pranishëm, dhe Shoqatës, Gjykata gjithashtu konstaton se efekti frikësues i tubimeve në Tatárszentgyörgy e kudo tjetër duhet të jetë bërë më dinamik- e në të vërtetë është shumëfishuar - për faktin se tubimet mbështeteshin nga një shoqatë e regjistruar e njohur ligjërisht.
66. Gjykata mendon se demonstrimi nga protagonistë politikë i aftësisë dhe vullnetit të tyre për të organizuar një forcë paramilitare shkon përtej përdorimit të mjeteve paqësore dhe të ligjshme për artikulimin e pikëpamjeve politike. Në dritën e përvojës historike – e tillë si ajo e Hungarisë në kohën e Arrow Cross - mbështetja e një shoqate tek demonstrimet paramilitare, që shprehin ndarjen raciale dhe në mënyrë të nënkuptuar bëjnë thirrje për veprime që bazohen tek dallimet raciste duhet të kenë një efekt frikësues tek antarët e një minoriteti të një race tjetër, sidomos kur ata janë në shtëpinë e tyre e si të tillë përbëjnë një audiencë të zënë rob. Në këndvështrimin e Gjykatës, kjo kapërcen kufijtë e fushëveprimit të mbrojtjes së siguruar nga Konventa në lidhje me shprehjen (shiko Vajnai, loc. cit.) apo tubimet dhe përbën frikësim, i cili - në fjalët e vendimit të Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara në çështjen Virginia k. Black (shiko paragrafin 31 lart) - është një "kërcënim i vërtetë". Rrjedhimisht Shteti ka të drejtë të mbrojë të drejtën e anëtarëve të grupeve të shënjestruar për të jetuar pa frikë. Kjo është veçanërisht e vërtetë pasi ata u veçuan mbi bazë raciale dhe u frikësuan për shkak të përkatësisë së tyre në një grup etnik. Në këndvështrimin e Gjykatës, një parakalim paramilitar shkon përtej thjesht shprehjes së një ideje shqetësuese apo ofenduese, përderisa mesazhi është shoqëruar nga prania fizike e një grupi kërcënues aktivistesh të organizuar. Atje ku shprehja e ideve shoqërohet nga një formë sjelljeje, Gjykata gjykon se niveli i mbrojtjes që i jepet përgjithësisht lirisë së shprehjes mund të reduktohet, duke patur parasysh interesa të rëndësishme të rendit publik të lidhura me këtë sjellje. Nëse sjellja e shoqëruar me shprehjen e ideve është frikësuese ose kërcënuese ose ndërhyn në ushtrimin e lirë apo gëzimin nga një tjetër i secilës prej të drejtave apo privilegjeve të Konventës për shkak të racës së atij personi, këto konsiderata nuk mund të shpërfillen edhe në kontekstin e Neneve 10 dhe 11.
67. Në çështjen aktuale aktivitetet e kundërshtuara shënjestrojnë në mënyrë fare të qartë minoritetin rom, i cili supozohej se ishte përgjegjës për "kriminalitetin cigan", dhe Gjykata nuk është e bindur nga argumentet e kërkuesit se qëllimi i entiteteve të shpërndara nuk ishte dallimi dhe frikësimi i këtij grupi vulnerabël (shiko Horváth dhe Kiss k. Hungarisë, nr. 11146/11, § 102, 29 Janar 2013). Në lidhje me këtë Gjykata njeh shqetësimin e organizmave të ndryshme ndërkombëtare (shiko paragrafet 26 deri 28 lart).
68. Siç e ka vënë në dukje tashmë Gjykata (shiko paragrafin 57 lart), në rrethana të tilla autoriteteve nuk mund t’u kërkohej të prisnin për zhvillime të mëtejshme përpara se të ndërhynin për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve, përderisa Lëvizja kishte ndëmarrë hapa konkretë në jetën publike për zbatimin e një politike të papajtueshme me stadardet e Konventës dhe demokracinë.
69. Gjykata gjykon se karakteri frikësues i tubimeve në fjalë është një konsideratë thelbësore, pavarësisht faktit se tubimet në fjalë nuk qenë ndaluar nga autoritetet e as nuk kishin ndodhur akte dhune apo krim. Ajo që është e rëndësishme është se organizimi i përsëritur i tubimeve (shiko paragrafin 15 lart) kishte aftësinë të frikësonte të tjerët e për rrjedhojë të afektonte të drejtat e tyre, sidomos duke patur parasysh vendndodhjen e paradave. Në lidhje me shpërbërjen e Shoqatës, është e parëndësishme për rrethanat që demonstrimet, të marra më vete, nuk ishin të paligjshme, dhe Gjykatës në çështjen aktuale nuk i kërkohet të përcaktojë se në çfarë mase demonstrimet përbënin ushtrim të së drejtës së Konventës për organizimin. Mundet që vetëm nga organizimi i demonstrimeve të tilla bëhen të qarta qëllimet dhe natyra e vërtetë e një shoqate. Në këndvështrimin e Gjykatës, organizimi i një numri tubimesh gjoja për të mbajtur larg "kriminalitetin cigan", me anë të paradave paramilitare, mund të konsiderohet si zbatim i një politike veçimi racial. Në fakt, parakalimet firikësuese mund të konsiderohen si hapat e parë për realizimin e një vizioni të caktuar "ligji dhe rendi" i cili është racist në thelb.
Në këtë kontekst, Gjykata do të vërente se, në qoftë se e drejta e lirisë së tubimit ushtrohet në mënyrë të përsëritur nëpërmjet parakalimesh frikësuese me pjesëmarrje grupesh të mëdha, Shteti ka të drejtë të marrë masa kufizuese në lidhje me të drejtën e lirisë së organizimit për aq sa kjo është e domosdoshme për të shmangur rrezikun që ky frikësim në shkallë të gjerë përfaqëson për funksionimin e demokracisë (shiko paragrafin 54 lart). Frikësimi në shkallë të gjerë, i organizuar - në mbështetje të politikave me motivim racial, që janë të papajtueshme me vlerat fundamentale të demokracisë - mund të justifikojë ndërhyrjen e Shtetit në lirinë e organizimit, edhe brenda hapësirës së ngushtë të vlerësimit të zbatueshme në çështjen aktuale. Arsyeja për këtë lidhet me pasojat negative që një frikësim i tillë ka mbi vullnetin politik të popullit. Ndërsa avokatia rastësore ndaj ideve anti-demokratike nuk është në vetvete e mjaftueshme për të justifikuar ndalimin e ekzistencës së një partie politike për arsye të një domosdoshmërie detyruese (shiko paragrafin 53 lart), e akoma më pak në rastin e një shoqate që nuk mund të përfitojë prej statusit special që u jepet partive politike, rrethanat të marra në tërësi, e veçanërisht çdo veprim i koordinuar dhe i planifikuar, mund të përbëjnë arsye të mjaftueshme dhe relevante për një masë të tillë, veçanërisht atje ku nuk preken në mënyrë të drejtëpërdrejtë forma të tjera potenciale për shprehje idesh përndryshe tronditëse (shiko paragrafin 71 in fine më poshtë).
70. Nisur nga konsideratat e mësipërme, Gjykata është e bindur që argumentet e cituara nga autoritetet nacionale ishin relevante dhe të mjaftueshme për të demonstruar se masa e kundërshtuar i korespondonte një nevoje sociale urgjente.
71. Gjykata është e vetëdijshme se shpërndarja e Lëvizjes dhe e Shoqatës përfaqësonte një masë vërtetë drastike. Megjithatë është vërtetë e kënaqur që megjithatë autoritetet, për t’ u marr me këtë problem, zgjodhën mënyrën më pak intruzive- në të vërtetë të vetmen mënyrë të arsyeshme. Për më tepër, duhet vënë në dukje se autoritetet e brendëshme i kishin tërhequr më parë vëmëndjen Shoqatës në lidhje me natyrën e paligjshme të aktiviteteve të Lëvizjes, një veprim ky që resultoi vetëm në një pajtueshmëri formale (shiko paragrafin 9 më lart), aq sa u organizuan tubime të tjera ndërkohë që procesi ishte në vazhdim (shiko paragrafin 15 lart) (krahaso S.H. dhe të Tjerë k. Austrisë [GC], nr. 57813/00, § 84, ECHR 2011). Në këndvështrimin e Gjykatës, kërcënimi që përfaqësonin tubimet e Lëvizjes në lidhje me të drejtat e të tjerëve, mund të eliminohej në mënyrë të efektshme vetëm duke i hequr Lëvizjes mbështetjen organizative, që i siguronte Shoqata. Në qoftë se autoritetet do të kishin pranuar në heshtje aktivitetet në vazhdim të Lëvizjes dhe Shoqatës, duke ruajtur ekzistencën e tyre ligjore në formën e privilegjuar të një entiteti sipas ligjit të shoqatave, publiku i përgjithshëm mund ta kishte perceptuar këtë gjë si legjitimim nga Shteti i këtij rreziku. Kjo do t’i kishte krijuar mundësinë Shoqatës që, duke përfituar nga të drejtat e një entiteti ligjërisht të regjistruar, të vazhdonte të mbështeste Lëvizjen, dhe Shteti në këtë mënyrë do të kishte mundësuar në mënyrë indirekte orkestrimin e fushatës së saj të tubimeve. Veç kësaj, Gjykata vëren se asnjë sanksion shtesë nuk ishte vënë mbi Shoqatën apo anëtarët e saj, të cilët nuk ishin ndaluar në asnjë mënyrë të vazhdonin aktivitetet e tyre politike në forma të tjera (shiko, a fortiori, Refah Partisi (Partia e Mirëqenies) dhe të Tjerë, cituar më lart, §§ 133-34). Në këto rrethana, Gjykata konstaton se masa e ankimuar nuk ishte jo-proporcionale në raport me qëllimet legjitime të ndjekura.
72. Konsideratat e mësipërme janë të mjaftueshme për t’i lejuar Gjykatës të konkludojë se nuk ka parur shkelje të Nenit 11 të Konventës.
PËR KËTO ARËSYE, GJYKATA NË MËNYRË UNANIME
1. Shpall kërkesën të pranueshme;
2. Shprehet se nuk ka shkelje të Nenit 11 të Konventës.
Bërë në anglisht, dhe njoftuar me shkrim, më 9 Korrik 2013, në bazë të Rregullit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Stanley NaismithGuido Raimondi
RegjistruesPresident
Në përputhje me Nenin 45 § 2 të Konventës dhe Rregullit74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, këtij vendimi i bashkangjitet si shtojcë edhe opinioni më vete i Gjyqtarit Pinto de Albuquerque.
G.R.A.
S.H.N.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1] përndryshe referuar si kriminalitet.
Full & Egal Universal Law Academy