© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA VISTIŅŠ DHE PEREPJOLKINS KUNDËR LETONISË
(Kërkesë nr. 71243/01)
VENDIM
(Shpërblim i drejtë)
STRASBURG
25 Mars 2014
Ky vendim është përfundimtar, por ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen e Vistiņš dhe Perepjolkins kundër Letonisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Dhoma e Madhe me trup gjykues të përbërë prej:
Dean Spielmann, President,
Nicolas Bratza,
Françoise Tulkens,
Nina Vajić,
Lech Garlicki,
Peer Lorenzen,
Karel Jungëiert,
Elisabeth Steiner,
Ján Šikuta,
András Sajó,
Nona Tsotsoria,
Işıl Karakaş,
Kristina Pardalos,
Angelika Nußberger,
Julia Laffranque,
Linos-Alexandre Sicilianos,
André Potocki, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Zëvendës Kancelar,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 5 Mars 2014,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në bazë një kërkese (nr. 71243/01) kundër Republikës së Letonisë drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga dy shtetas letonez, Z. Jānis Vistiņš dhe Z. Genādijs Perepjolkins (“kërkuesit”), më 5 qershor 2001.
2. Në një vendim[1] të dhënë më 25 tetor 2012 ("vendimi kryesor"), Gjykata (Dhoma e Madhe) vendosi se, me shpronësimin e tokës që i përkiste kërkuesve, duke qenë se kompensimi ishte disproporcionalisht shumë i ulët, Shteti i paditur kishte tejkaluar hapësirën e tij të vlerësimit, duke mos vendosur në këtë mënyrë një ekuilibër të drejtë ndërmjet mbrojtjes së pasurisë dhe interesit të përgjithshëm. Rrjedhimisht, ishte shkelur neni 1 i Protokollit nr.1 (shih Vistiņš dhe Perepjolkins kundër Letonisë [GC], nr. 71243/01, §§ 130-131, dhe pikën 2 të dispozitivit, 25 tetor 2012).
3. Në bazë të nenit 41 të Konventës, kërkuesit pretenduan vlerën e plotë kadastrale të tokës në fjalë në kohën e shpronësimit dhe rimbursimin e të ardhurave tw munguara të cilat i korrespondonin qirasë qw nuk ishte përfituar në lidhje me tokën. Ata gjithashtu kërkuan rimbursimin e shpenzimeve të tyre në lidhje me procedurën para Gjykatës.
4. Duke qenë se çështja e zbatimit të nenit 41 të Konventës nuk ishte gati për vendim, Gjykata e rezervoi shqyrtimin sipas kësaj dispozite dhe ftoi Qeverinë dhe kërkuesit për të paraqitur, brenda tre muajve nga data e njoftimit të vendimit kryesor, vëzhgimet e tyre me shkrim për çështjen dhe, në veçanti, të njoftonin Gjykatën për çdo marrëveshje që ata mund të arrinin (shih po aty, § 140, dhe pikën 4 të dispozitivit).
5. Duke qenë se nuk u arrit një marrëveshje ndërmjet palëve, kërkuesit dhe Qeveria paraqitën vëzhgimet e tyre. Më pas, Qeveria paraqiti vëzhgime shtesë në lidhje me pretendimet e kërkuesve për shpërblim të drejtë.
FAKTE
A. Përcaktimi i vlerës kadastrale të pasurive të paluajtshme në 1997
6. Në kohën e shpronësimit të tokës së kërkuesve, vlera kadastrale e pasurive të paluajtshme brenda perimetrit të një qyteti përcaktohej sipas rregullores nr. 94 e datës 12 prill 1994 në lidhje me vlerësimin e tokës në zonat urbane (Noteikumi “Par pilsētu zemes vērtēšanu”), e cila ishte në fuqi deri më 12 qershori 1998. Për aq sa është pertinente në rastin në fjalë, preambula e rregullores jep përkufizimet e mëposhtme:
“...Vlera kadastrale e një ngastër toke - Planifikimi urban dhe vlera ekonomike e një parcele toke, formuluar në terma monetare.
...
Modeli i vlerës së një ngastër toke [zemes paraugvērtība] - vlera maksimale e një metër katror të tokës në zonë urbane, e cila ndodhet në një ‘zonë vlere’ për qëllime të shfrytëzimit të saj për një synim specifik.
Modeli de facto i vlerës të një ngastër toke [zemes faktiskā paraugvērtība] - vlera maksimale e një metër katror të tokës në zonë urbane, e cila ndodhet në një territor të caktuar të një ‘zonë vlere’ [vērtību zona] për qëllime të shfrytëzimit të saj për një synim specifik...
Zonë vlere – një pjesë e territorit urban që i korrespondon një set të dhënash konstante që karakterizojnë vlerën e pronave të paluajtshme...”
7. Neni 5 parashikonte se rregullorja nuk zbatohej në lidhje me përcaktimin e vlerës së tregut të tokës në zonë urbane. Për qëllime të vlerësimit, territori urban ndahej në ‘zona vlere’, bazuar në planin e përgjithshëm të përdorimit të tokës. Kryeqyteti, Riga, ndahej në shtatë ose më shumë zona (neni 7). Në bazë të nenit 8, kriteret kryesore për përcaktimin e zonave ishin si më poshtë:
“...
(1) vend ndodhja [e tokës] në lidhje me qendrën e qytetit;
(2) niveli i zhvillimit të infrastrukturës së punëve publike dhe shërbimeve sociale;
(3) atraktiviteti i territorit;
(4) kushtet ekologjike dhe pasojat e faktorëve negativ;
(5) kushtet lokale gjeologjike”
8. Neni 24 i rregullores përcaktonte metodologjinë për llogaritjen e modelit të vlerës (paraugvērtība) të një ngastër toke. Për qytete të tilla si Riga, modeli i vlerës nuk llogaritet posaçërisht pasi ajo i korrespondon një shkalle të caktuar në Shtojcën nr. 2 të rregullores. Për të përcaktuar modelin de facto të vlerës (faktiskā paraugvērtība), duhet llogaritur diferenca midis modelit të vlerës të zonës në fjalë dhe asaj të zonës ngjitur e cila shumëzohet me distancën nga zona pasuese e më pas rezultati pjesëtohet me gjerësinë e zonës në fjalë dhe, së fundi, i shtohet modeli i vlerës përkatëse nga shkallët e fiksuara/ përcaktuara (neni 25). Më pas, modeli de facto i vlerës ndryshohet duke marrë parasysh çdo ndërtesë të ngritur mbi atë truall (neni 26).
9. Modeli de facto i vlerës duhet të shumëzohej me sipërfaqen e parcelës së tokës në mënyrë që të merret vlera kadastrale e tokës. Kjo e fundit ishte më pas subjekt i axhustimeve brenda një kufiri prej 20%, duke marrë parasysh faktorë të caktuar pozitiv ose negativ (nenet 30-34). Llogaritja e vlerës kadastrale të tokës ishte përgjegjësi e Autoritetit Shtetëror të Tokës (Valsts Zemes dienests).
B. Interesi Ligjor
10. Dispozitat përkatëse të Kodit Civil (Civillikums), parashikojnë si vijojnë:
Neni 1757
“Kur kontrata parashikon pagesën e një interesit, ajo duhet të përcaktojë edhe përqindjen e tij, në të kundërt prezumohet se është rënë dakord në mënyrë të heshtur për normën e përcaktuar nga ligji (shih nenin 1765).”
Neni 1765
(versioni në fuqi para 1 marsit 2006)
“Norma e interesit do të përcaktohet në mënyrë të qartë në aktin ose kontratën e lidhur midis palëve. Nëse ajo nuk është përcaktuar dhe pagesa e normës së interesit kërkohet nga ligji, atëherë norma do të jetë gjashtë për qind në vit. Interesi llogaritet vetëm mbi kapitalin. Megjithatë, nëse interesi nuk paguhet brenda periudhës së caktuar një vjeçare ose më gjatë, nga ajo kohë e në vazhdim, me kërkesën e kreditorit, interesi ligjor do të llogaritet bazuar në interesin e konstatuar”.
Neni 1765
(versioni në fuqi pas 1 marsit 2006, ndryshuar me ligjin e 23 majit 2013)
“Norma e interesit do të përcaktohet në mënyrë të qartë në aktin ose kontratën e lidhur midis palëve. Nëse ajo nuk është përcaktuar atëherë norma do të jetë gjashtë për qind në vit.
Norma e interesit për shlyerjen me vonesë të një detyrimi monetar bazuar në një kontrate për ofrimin ose blerjen e një shërbimi apo sendi, do të jetë tetë për qind ["shtatë për qind" para 26 qershor 2013] mbi normën bazë (neni 1765, paragrafi i tretë) në vit; për sa i përket marrëdhënieve kontraktuale ku një konsumator është palë, norma bazë do të jetë gjashtë për qind në vit.
Norma bazë e interesit do të jetë katër për qind. Kjo normë do të ndryshohet më datë 1 janar dhe 1 korrik të çdo viti, bazuar në përqindjen që korrespondon me rritjen apo uljen të normës më të fundit të caktuar për ri financimin e operacioneve të Bankës së Letonisë para ditës së parë të gjysmës së vitit në fjalë. Pas datës 1 janar dhe 1 korrik të çdo viti, Banka e Letonisë duhet të publikojë menjëherë në Fletoren Zyrtare informacion mbi normën e zbatueshme të interesit për gjysmë e ardhme të vitit.
Interesi llogaritet vetëm mbi kapitalin. Megjithatë, nëse interesi nuk paguhet brenda periudhës së caktuar një vjeçare ose më gjatë, nga ajo kohë e në vazhdim, me kërkesën e kreditorit, interesi ligjor do të llogaritet bazuar në interesin e konstatuar.”
Neni 1763
“Interesi nuk do të rritet më:
(1) kur shuma e interesave ende të papaguar arrijnë vlerën e kapitalit; ...”
C. Norma e inflacionit
11. Sipas llogaritjes nga Zyra Qendrore e Statistikave të Letonisë (Centrala Statistikas pārvalde), norma e inflacionit ndërmjet periudhës 25 nëntor 1997 (data e hyrjes në fuqi të ligjit përkatës për shpronësimet; shih vendimin kryesor, §§ 23 dhe 54) dhe 25 tetor 2012 (data e vendimit kryesor) ishte 94.3%.
E DREJTA
12. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi material
1. Parashtrimet e palëve
(a) Kërkuesit
13. Kërkuesit, si fillim, vunë në dukje se, sipas vendimit kryesor të Gjykatës, fitimi i pronësisë mbi tokën përkatëse ishte bërë në përputhje me kërkesat ligjore letoneze dhe vlefshmëria e titullit të tyre të pronësisë nuk kishte vënë në dyshim. Nga ana tjetër, Gjykata ka shprehur qartë se mirëbesimi i kërkuesve në lidhje fitimin e pronësisë së pronës nuk ishte kundërshtuar dhe autoritetet letoneze u kishin njohur zyrtarisht të drejtën e tyre të pronësisë pasi toka ishte e regjistruar në emër të tyre dhe u paguhej qira (shih vendimin kryesor, § 120). Për më tepër, kurrë nuk ishte pretenduar se ata i ushtronin të drejtat e tyre pronësore në kundërshtim me ligjin apo në dëm të interesave publike. Rrjedhimisht, kërkuesit nuk ishin përgjegjësi për dëmin e pësuar për shkak të shpronësimit të parcelave të tyre të tokës.
14. Duke u bazuar në vendimet[2] në çështjen e Guiso-Gallisay kundër Italisë ((shpërblim i drejtë) [GC], nr. 58858/00, § 105, 22 dhjetor 2009) dhe Medici dhe të tjerët kundër Italisë (shpërblim i drejtë), nr. 70508/01, § 13, 4 dhjetor 2012), kërkuesit vërejtën se, kompensimi duhet t’i korrespondojë vlerës së plotë të tokës në kohën e humbjes së pronësisë mbi të, duke i zbritur shumat e marra tashmë në nivel të brendshëm e më pas duke bërë ndryshimet përkatëse për të kompensuar efektet e inflacionit dhe shtimin e interesit. Në lidhje me këtë, ata theksuan se vlera kadastrale e një parcele toke, e përcaktuar nga Shërbimi Shtetëror për Tokën, i ndikuar, ndër të tjera, nga konsiderata politike, nuk përkon me vlerën aktuale në treg të tokës, vlerë kjo që përcaktohet kryesisht nga mekanizmat e tregtisë së lirë. Për shembull, kërkuesit paraqitën një raport të hartuar nga ekspertë, të firmës SIA I., një vlerësues i certifikuar i pronës së paluajtshme, ku tregohej se më 20 dhjetor 2012, vlera e përgjithshme kadastrale e gjithë tokës në fjalë ishte 723, 118 lati (monedha letoneze) (LVL), ndërsa vlera e saj e plotë e tregut arrinte në 7, 609, 000 LVL. Kështu vlera kadastrale ishte rreth 10% e vlerës së tregut të pronës. Lidhur me raportet e ekspertëve të paraqitura nga Qeveria (shih paragrafët 23-28 më poshtë), kërkuesit komentuan se ato nuk ishin shumë të besueshme dhe në to nuk tregohej qartë metodologjia e zbatuar.
15. Përveç kësaj, kërkuesit pohuan se asnjë nga vlerat e sipërpërmendura nuk ishin prekur nga e ashtuquajtura infrastrukturë e ndërtuar mbi tokën në fjalë. Infrastruktura e vetme që gjendej atje në kohën e shpronësimit konsistonte në disa "pllaka betoni" për grumbullimin e kontejnerëve, vlera e së cilës arrinte 5.28 LVL për metër katror.
16. Në të vërtetë, vlera e vetme në lidhje me tokën që kishte qenë në dispozicion në kohën e shpronësimit ishte vlera kadastrale e përcaktuara nga Autoriteti Shtetëror i Tokës (Valsts Zemes dienests). Kjo vlerë ishte përdorur për llogaritjen e tatimit të pronës së paluajtshme, për përcaktimin e qirasë dhe të kompensimit për përdorimin e tokës në bazë të servitutit. Në rastin në fjalë, gjykatat letoneze kishin përdorur vlerën kadastrale edhe si vlerë referuese për llogaritjen e shumave të qirasë që u detyroheshin kërkuesve (shih vendimin kryesor, §§ 25-27) dhe ishte kjo vlerë që Gjykata duhet të përdorë si bazë për dëmshpërblimin sipas nenit 41 të Konventës.
17. Kërkuesit ishin të mendimit se në përcaktimin e kompensimit për ta ishte e nevojshme të merreshin parasysh shumat të cilat u ishin akorduar personave të tjerë në situata të ngjashme me ta. Ata paraqitën një kopje të marrëveshjes së shitjes dhe ekstrakte nga regjistri i tokës për të treguar se më 31 korrik të vitit 2002 qyteti i Rigas i kishte blerë znj. D. një tokë me sipërfaqe 10,590 metra katrorë në Kundziņsala, në afërsi të një prej parcelave të tokës të cilat i përkisnin kërkuesit të dytë. Vlera kadastrale e kësaj toke në kohën e blerjes ishte 515,981 LVL; çmimi i rënë dakord nga palët në marrëveshje ishte 309,588.60 LVL, d.m.th. 29.23 LVL për metër katror, që përfaqëson 60% të vlerës kadastrale në atë kohë.
18. Kërkuesit deklaruan se vlera kadastrale e tokës që u përkiste, në kohën e shpronësimit, arrinte vlerën 564,140 LVL (802,698.90 euro (EUR)) për tokën e kërkuesit të parë dhe 3,126,480 LVL (4,448,580.26 euro) për atë të kërkuesit të dytë. Kështu, kryesisht këto ishin shumat që kërkuesit pretendonin përpara Gjykatës.
19. Më tej, kërkuesit vërejtën se, sipas jurisprudencës së Gjykatës, çdo dëmshpërblimi që akordohej i shtohej një interes ligjor (6% në vit në bazë të Kodit Civil të Letonisë), dhe gjithashtu merreshin parasysh edhe efektet e inflacionit duke bërë kështu rregullimet përkatëse. Megjithatë, kërkuesit preferuan të kërkonin rimbursimin për humbjen e të ardhurave për shkak të pamundësisë së tyre për të mbledhur qiranë për pesëmbëdhjetë vjet (ndërmjet vitit 1997 dhe 2012). Duke qenë se qiraja përfaqësonte 3% në vit të vlerës kadastrale të tokës, ata pretenduan mbi këtë bazë, përkatësisht, 253,863 LVL ose 361,214.51 EUR (kërkuesi i parë) dhe 1,406,916 LVL ose EUR 2,001,861.12 (kërkuesi i dytë).
20. Në total, kërkuesit pretenduan shumën 1,163,913.41 EUR (kërkuesi i parë) dhe 6,450,441.38 EUR (kërkuesi i dytë).
(b) Qeveria
21. Qeveria pranoi se shuma e kompensimit duhet t’i korrespondojë vlerës së pronës në datën në të cilën pronarët kishin humbur pronësinë mbi tokën. Megjithatë, ata argumentuan se, edhe pse vlera kadastrale e tokës në fjalë ishte përdorur si bazë për llogaritjen e qirasë së papaguar, nuk ishte e përshtatshme dhe nuk duhej përdorur për qëllime të nenit 41 të Konventës. Në lidhje me këtë, Qeveria shpjegoi se vlera kadastrale e tokës në vitin 1997 ishte krejtësisht pa lidhje me vlerën aktuale të tregut të tokës. Vitet e para pas pavarësisë, tregu i pasurive të paluajtshme (të cilat ishin inekzistente gjatë periudhës sovjetike, kur çdo tokë ishte në pronësi të shtetit) sapo kishte filluar të zhvillohej. Si pasojë, në atë periudhë tranzicionit, ndarja e tokës urbane në zona, model vlerash dhe vlera kadastrale ishin të bazuara në supozime teorike dhe vareshin nga madhësia e popullsisë në qytetin përkatës dhe në afërsinë e parcelës së tokës me qendrat e qytetit (shih paragrafët 6-9 më lart). Duke qenë se Porti Autonom i Rigës ishte relativisht afër qendrës së kryeqytetit, territori i tij u përfshi në zonën "AB", e cila ishte zona e dytë me vlerën më të lartë. Në atë zonë modeli i vlerës së tokës varionte nga 24.24 LVL në LVL 87,60 për metër katror.
22. Më 1 janar 1998, pas shpronësimit në fjalë, ligji i ri "për tatimin mbi pronën e paluajtshme", hyri në fuqi. Ndryshe nga sistemi i mëparshëm, ky ligj parashikonte se në të ardhmen vlera kadastrale duhej përcaktuar në bazë të informacionit që vinte nga tregu i pronës. Zonat e reja dhe vlerat e reja kadastrale në bazë të këtij informacioni nuk u zbatuan deri në vitin 2003. Kështu, vlera e re kadastrale e tokës që u takonte kërkuesve ishte 3.90 LVL për metër katror dhe mbeti në atë nivel deri në vitin 2007.
23. Për arsyen e lartpërmendur, Qeveria argumentoi se vlera kadastrale e tokës në vitin 1997 nuk mund të përdorej për llogaritjen e dëmit material që kërkuesit kishin, por duhej përdorur për këtë qëllim vlera e tij e tregut në datën e shpronësimit. Megjithatë, në kohën e shpronësimit vlera e tokës nuk njihej; llogaritja e saj në atë kohë do të ishte e pakuptimtë duke qenë se prona nuk ishte objekt i transaksioneve. Për ta rregulluar këtë, Qeveria paraqiti raportet e katër ekspertëve të hartuar në janar 2013 nga tre firma të vlerësimit të pasurive të paluajtshme të cilat bënë një llogaritje retroaktive të vlerës së tregut të tokës në fjalë në 25 nëntor 1997 (data e hyrjes në fuqi të ligji përkatës të shpronësimi; shih vendimin kryesor, §§ 23 dhe 54).
24. Raporti i parë, i hartuar më 22 janar 2013 nga firma SIA B.K.G., paraqiti vlerësimin e mëposhtme:
“Neve na u kërkuar të përcaktonim vlerën e tregut të pronës, domethënë një parcele të tokës e cila ndodhet në Riga, Kundziņsala, e regjistruar me numrin 0100 096 0236 [shpronësuar nga Janis Vistiņš] si e ... 25 nëntor 1997. Vlerësimi është kryer në përputhje me standardin e vlerësimit të pronës të Letonisë (Latvijas Īpašuma vērtēšanas standarti, LVS-401) dhe kërkesave të ligjit ... në lidhje me shpronësimin e pasurive të paluajtshme në interesin publik, që në fuqi në datën e shpronësimit.
Pas llogaritjeve dhe analizave tona, kemi arritur në përfundimin se më 25 nëntor 1997, vlera e tregut e tokës [në fjalë] mund të vlerësohet në 338,484 Lati...
‘Vlera e tregut’ është një shumë parash, e llogaritur në kohën e vlerësimit, si kompensim, për kalimin e një prone nga një pronar tek një tjetër në bazë të një transaksioni tregtar midis një blerësi të vullnetshëm dhe një shitësi të vullnetshëm pas një marketingu të përshtatshëm; supozohet që secila palë vepron me vetëdije dhe pa detyrim. ...”
25. Raporti i dytë, i cili u hartua në të njëjtën datë nga e njëjta firmë, i referohej parcelave të tokës të shpronësuara nga kërkuesi i dytë (z. Genādijs Perepjolkins). Arsyetimi i tij ishte identik me atë të raportit të parë. Sipas këtij raporti, vlera e përgjithshme e tregut të parcelave të tokës që i përkisnin kërkuesit e dytë, më 25 nëntor 1997, arrinte 1,250,593 LVL
26. Raporti i tretë u hartuar më 22 janar 2013 nga një tjetër firmë vlerësimit, SIA V. Duke iu referuar gjithashtu standardit LVS-401 dhe duke përdorur të njëjtin përkufizim të "vlerës së tregut", raporti paraqiti këto shifra: 338,500 LVL për parcelën e tokës të kërkuesit të parë dhe 1,250,500 LVL për të katër parcelat e tokës të kërkuesit të dytë. Megjithatë, raporti shkoi më tej dhe përcaktoi vlerën e tregut të të gjitha pronave të lartpërmendura "pa marrë parasysh rrethanat e veçanta, përkatësisht vendimet gjyqësore që përcaktonin qiratë". Me këto llogaritje, vlera e tokës së shpronësuar nga kërkuesi i parë arrinte vlerën 100,700 LVL dhe vlera totale e katër parcelave të tokës të kërkuesit të dytë 281,300 LVL.
27. Raporti i katërt, i hartuar nga një firmë e tretë, SIA E., mbante datën e 23 janar 2013. Ashtu si të gjitha raportet e lartpërmendura, ai iu referua gjithashtu standardeve LVS-401 dhe të njëjtit përkufizim të "vlerës së tregut". Ky raport nxori këto shifra: 338,000 LVL për parcelën e tokës së kërkuesit të parë dhe 1,250,000 LVL për të katër parcelat e tokës të kërkuesit të dytë.
28. Gjithashtu, Qeveria paraqiti një raport të pestë të hartuar nga ekspertë të së njëjtës firmë SIA E. në vitin 1999. Ndryshe nga katër raportet e mëparshme, ai nuk përcaktonte vlerën e tregut në 25 nëntor 1997, por "vlerën kadastrale mesatare mbi baza ekonomike" për të gjithë tokën brenda perimetrit të Portit Autonom Tregtare të Rigës në 12 shtator 1999. Qeveria shpjegoi se ky vlerësim nuk mori parasysh largësinë e tokës në fjalë nga qendra e qytetit (dhe në këtë mënyrë ishte i gabuar) dhe u bazua në krahasimet me porte të tjera të ngjashme në zonë dhe xhiron e tyre. Sipas këtij raporti, " vlera kadastrale mesatare mbi baza ekonomike " për këtë zonë ishte 6.62 LVL për metër katror, ndërsa "vlera kadastrale mesatare efektive mbi baza ekonomike " ishte 18,79 LVL për metër katror.
29. Qeveria iu referuar konstatimit të Gjykatës në vendimin e saj kryesor se "autoritetet letoneze mund të vendosnin kompensimin e kërkuesve në vlerën e plotë të tregut të pronës së shpronësuar dhe se shuma shumë më të ulëta të kompensimit mund të përmbushnin kërkesat e nenit 1 i Protokollit nr.1 "(shih vendimin kryesor, § 118). Më tej, ata pohuan se kërkuesit e kishin fituar pronësinë mbi tokën me anë të dhurimit, nuk kishin investuar në zhvillimin e saj, nuk kishin paguar tatim mbi tokën dhe se pas shpronësimit kishin marrë një shumë të madhe të qirave (po aty, §§ 25-27). Për më tepër, kërkuesit ishin kompensuar, edhe pse Gjykata e vlerësoi si të pamjaftueshëm (po aty, §§ 22 dhe 24). Në parashtrimin e Qeverisë, fitimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë që kërkuesit kishin marrë nga pronësia në fjalë në dëm të tatimpaguesve (i cili përfshin qiratë, taksat e papaguara dhe kompensimin) arrinte në 72,475.26 LVL për kërkuesin i parë dhe 455,320.71 LVL për kërkuesin e dytë. Duke pasur parasysh situatën e përgjithshme ekonomike të Shtetit të paditur në kohën e shpronësimit (për shembull, në periudhën ndërmjet vitit 1993 dhe 1996, paga mesatare bruto mujore në Letoni ishte vetëm 142 euro), këto shifra ishin të mëdha. Qeveria kërkoi nga Gjykata që të marrë në konsideratë sa më sipër dhe të reduktojë në mënyrë të konsiderueshme detyrimet kundrejt kërkuesve.
30. Në dritën e konsideratave të mësipërme, Qeveria ishte e mendimit se Gjykata duhet t’i akordonte 27,607 (39,281 euro) LVL për kërkuesin e parë dhe 80,522 LVL (114,572 euro) për kërkuesin e dytë, në lidhje me dëmin që kishin pësuar për shkak e shpronësimit të tokës që ata kishin në pronësi. Ata nuk dhanë shpjegime si kishin arritur në këto shifra apo çfarë formule llogaritjeje kishin përdorur; megjithatë, ata theksuan se çmimi i tregut në të cilin ishin bazuar përllogaritjet e merrnin parasysh normën 5% të kapitalizimit të të ardhurave.
31. Së fundi, Qeveria argumentoi se në dritën e jurisprudencës aktuale të Gjykatës, nuk kishte bazë ligjore mbi të cilën kërkuesin të mund të pretendonin gjithashtu një humbje të të ardhurave. Në lidhje me këtë Qeveria, vërejti se zgjidhja e ofruar nga Gjykata në vendimin[3] e sipër përmendur Guiso-Gallisay nuk ishte i zbatueshëm në rastin në fjalë duke qenë se bëhej fjalë për një një shpronësim i ligjshëm dhe jo për një shpronësim faktit tw papajtueshëm me parimin e ligjshmërisë.
2. Vlerësimi i Gjykatës
32. Që në fillim, Gjykata vëren se në paragrafin 118 të vendimit kryesor, ajo ka deklaruar si më poshtë:
“Gjykata pranon se autoritetet letoneze ishin të justifikuar për sa i përket vendimit për të mos kompensuar kërkuesit në vlerën e plotë të tregut të pronës së shpronësuar dhe se shuma shumë më të ulëta të kompensimit mund të përmbushnin kërkesat e nenit 1 i Protokollit nr.1 për tri arsye: së pari, vlera aktuale e tregut të tokës nuk mund të përcaktohej objektivisht, në mënyrë të veçantë për shkak të së drejtës ekskluzive të blerjes të parashikuar nga Ligji për Portet në favor të autoriteteve shtetërore dhe lokale...; së dyti, toka në fjalë i është nënshtruar një servituti ligjor në favor të portit ...; dhe së fundi, kërkuesit nuk kishin investuar në pronën e tyre e nuk kishin paguar tatim mbi tokës dhe rrjedhimisht procedura e rivlerësimit tatimor e iniciuar kundër tyre nga Këshilli i Qytetit Riga kishte qenë e pasuksesshme.”
33. Gjykata vëren më tej se, kërkuesit pretenduan humbjen e të ardhurave që ata do të kishin përfituar nga mbledhja e qirave nëse toka në pronësi të tyre nuk do të ishte shpronësuar. Ajo përsërit se, një vendim i cili konstaton një shkelje e vendos Shtetin e paditur nën detyrimin ligjor për të t’i dhënë fund shkeljes dhe për të bërë korrigjimet e duhura në lidhje me pasojat e saj në një mënyrë të tillë që të rikthej për aq sa është e mundur situatën ekzistuese para se shkelja të ndodhte ( shih Iatridis kundër Greqisë (shpërblim i drejtë) [GC], nr. 31107/96, § 32, ECHR 2000-XI). Me fjalë të tjera, dëmshpërblim për dëmin material duhet të krijojë një situatë e cila i afrohet sa më shumë të jetë e mundur situatës e cila do të kishte ekzistuar, nëse shkelja në fjalë nuk do të kishte ndodhur. Gjykata e ka shprehur edhe më parë se është e pamundur që të vihet shenja e barazimit ndërmjet shpronësimit të ligjshëm dhe shpronësimit faktit të papajtueshëm me parimin e ligjshmërisë (shih Guiso-Gallisay, cituar më lart, § 95). Në rastin konkret Gjykata e la të hapur çështjen e ligjshmërisë formale të shpronësimit të kundërshtuar, duke konkluduar si më poshtë (shih vendimin kryesor, § 105):
“Megjithatë, Gjykata mbetet me dyshimin nëse shpronësimi i kundërshtuar mund të konsiderohet se është kryer ‘në kushtet e parashikuara me ligj ", duke pasur parasysh sidomos që shpronësimi i tokës së kërkuesve ishte bërë duke devijuar nga rregullat normale të shpronësimit dhe masat mbrojtëse procedurale që e shoqëronin - ose jo – këtë proces shpronësimi... Megjithatë Gjykata nuk e konsideron të nevojshme për t’i dhënë përgjigje kësaj çështjeje, duke qenë se procesi i shpronësimit i kundërshtuar është konstatuar se është në shkelje të nenit 1 të Protokollit nr.1 për arsye të tjera...”
34. Në çdo rast, në vendimin kryesor Gjykata asnjëherë nuk e deklaroi shpronësimin e tokës së kërkuesve si të papajtueshme me parimin e ligjshmërisë, por u konstatua shkeljeje vetëm për shkak të disproporcionalitetit të pajustifikuar ndërmjet vlerës zyrtare kadastrale të tokës dhe shumës së kompensimit që iu akordua kërkuesve (po aty, §§ 119 dhe 130). Në ato rrethana, "situata më e afërt e mundur me situatën e cila do të kishte ekzistuar, nëse shkelja në fjalë nuk do të kishte ndodhur" mund të arrihej vetëm nëpërmjet pagesës së kompensimit të përshtatshëm i cili duhet të ishte dhënë në kohën e shpronësimit. Nga ana tjetër, nuk baza për pretendimin e kërkuesve për humbjen e të ardhurave (lucrum cessans) në lidhje me periudhën pas shpronësimit. Kështu ky pretendim i tyre hidhet poshtë.
35. Tani, Gjykata duhet të përcaktojë shumën që do t’i akordohet kërkuesve në lidhje me dëmin material të pretenduar (damnum emergens). Në lidhje me këtë, ajo shprehet se kriteret e përcaktuara në çështjen e Guiso-Gallisay (cituar më lart, §§ 104-105), nuk mund të zbatohen në rastin në fjalë duke qenë se ato janë të zbatueshme kundrejt shpronësimeve që janë të paligjshme per se. Gjykata përsërit se, në rastin konkret, shkelja e konstatuar kishte të bënte me disproporcionalitetin ekstrem midis vlerës zyrtare kadastrale të tokës dhe kompensimi që kërkuesit morën dhe jo me paligjshmërinë e marrjes së tokës nga kërkuesit.
36. Në këto rrethana, Gjykata konstaton se dëmshpërblimi që do të përcaktohet në këtë çështje nuk do të reflektojë idenë e eliminimit të plotë të pasojave të ndërhyrjes së kundërshtuar dhe as vlerën e plotë të pronës në fjalë. Në përcaktimin e shumës së duhur të dëmshpërblimit, Gjykata do të mbajë parasysh kriteret e përcaktuara në jurisprudencën e saj në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr.1, sipas të cilit, marrja e pronës pa kompensimin përkatës i cili të përfaqësojë në mënyrë të arsyeshme vlerën e saj, përbën një ndërhyrje disproporcionale, e cila nuk justifikohet sipas atij neni. Kështu, Gjykata e sheh të përshtatshme për të akorduar shuma të cilat , për aq sa është e mundur "t’i korrespondojnë në mënyrë të arsyeshme " vlerës së tregut të parcelave të tokës, shuma këto, që nëse Shteti i paditur do tu akordonte kërkuesve, do të konsideroheshin se ishin në pajtim me nenin 1 të Protokollit nr. 1. Për këtë qëllim, Gjykata duhet të bëjë një vlerësim të përgjithshëm të pasojave të shpronësimit të kundërshtuar, duke llogaritur shumën e kompensimit sipas vlerës së tokës në kohën që kërkuesit kishin humbur pronësinë e tyre (shih vendimin kryesor, § 111). Së fundi, duke pasur parasysh rrethanat e veçanta të rastit në fjalë, Gjykata do të llogarisë mbi baza të barabarta shumat përkatëse (shih, mutatis mutandis, Ish-mbreti i Greqisë dhe të tjerët kundër Greqisë [GC] (shpërblim i drejtë), nr. 25701/94, § § 78-79, 28 nëntor 2002), duke marrë ndërkohë parasysh konstatimet në paragrafin 118 të vendimit kryesor.
37. Gjykata vëren se, para se të shpronësoheshin, parcelat e tokës kishin pasur tri vlerësime të njëpasnjëshme: në vitin 1994, në vitin 1996 dhe në vitin 1997. Vlerësimi i parë, i kryer kur ishte fituar toka me dhurim, asnjëherë nuk ishte përdorur si referencë gjatë procedurës së shpronësimit dhe kompensimit. Për sa i përket vlerësimit të tretë, ai paraqet vlerat që Gjykata i konstatoi si të pamjaftueshme për qëllimet e nenit 1 të Protokollit nr.1 (shih vendimin kryesor, §§ 115-117 dhe 130-131). I vetmi që ngelet është vlerësimi i dytë, i bërë në vitin 1996 nga Qendra e Vlerësimit të Pasurive të Paluajtshme e Autoritetit Shtetëror të Tokës, bazuar në vlerën kadastrale të parcelave të tokës në fjalë (po aty, § 116). Sipas shpjegimeve të Qeverisë, të cilat nuk ishin debatuar nga kërkuesit, vlera kadastrale e pasurive të paluajtshme në atë kohë ishte llogaritur thjesht sipas kritereve të planifikimit urban dhe nuk pasqyronin vlerën e saj aktuale të tregut (shih gjithashtu ligjin e brendshëm përkatës në paragrafët 6-9 më lart). Rrjedhimisht, Gjykata nuk e vlerëson të përshtatshëm për të përdorur këtë vlerësim si bazë për llogaritjen e dëmit material.
38. Gjykata vëren se palët kanë paraqitur një sërë raportesh të përpiluar nga ekspertëve pas shpronësimin e parcelave të tokës në fjalë. Duke iu referuar detyrimit për të vlerësuar mbi baza të barabarta, siç kërkohet nga neni 41 të Konventës, ajo gjykon se "vlera kadastrale mesatare efektive mbi baza ekonomike" e tokës brenda perimetrit të Portit Autonom Tregtar të Rigas, e përcaktuar nga firma e ekspertëve SIA E. në vitin 1999, është baza më e përshtatshme për llogaritjen e shumave që do t’u akordohen kërkuesve (shih paragrafin 28 më lart). Së pari, avantazhi i kësaj vlere, të përcaktuar nga ekspertë të e SIA E., është llogaritja e saj vetëm rreth dy vjet pas shpronësimit të kundërshtuar. Së dyti, edhe pse "vlera aktuale e tregut e tokës nuk mund të përcaktohet objektivisht, në mënyrë të veçantë, për shkak të të drejtës ekskluzive të blerjes në favor të autoriteteve shtetërore dhe lokale të parashikuar nga Ligji për Portet" (shih vendimin kryesor, § 118 ), vlera e lartpërmendur merr parasysh faktorët ekonomikë të tilla si xhiroja në porte në një rajon të caktuar. Kështu, vlera kadastrale mesatare efektive mbi baza ekonomike që do të përdoret nga Gjykata është 18,79 LVL për metër katror.
39. Duke pasur parasysh të gjitha rrethanat përkatëse të çështjes dhe, në veçanti, ato që përmenden në paragrafin 118 të vendimit kryesor, Gjykata e konsideron të drejtë zvogëlimin e shumës së lartpërmendur me 75%. Kështu, shifra që do të merret si bazë për llogaritjen e dëmin material është 4.69 LVL për metër katror. Toka e parë me një sipërfaqe prej 17.998 metra katror që i përket kërkuesit të parë vlerësohet 84,410.62 LVL. Ndërsa katër parcelat e tokës së shpronësuara nga kërkuesi i dytë me një sipërfaqe totale 47,740 metra katror, vlerësohen 223,900.60 LVL (shih vendimin kryesor, § 11).
40. Më pas, shumave të lartpërmendura u zbriten shumat që u janë paguara kërkuesve me anë të kompensimit në nivelin e brendshëm, përkatësisht, 548,26 LVL dhe LVL 8,616.87 respektivisht (po aty, §24), duke arritur në vlerën 83,862.36 LVL (119,378.18 euro) për kërkuesin e parë dhe 215,283.73 LVL (306,461.90 EUR) për kërkuesin e dytë.
41. Gjykata vlerëson se këto shuma duhet të reflektojnë edhe efektin e inflacionit, duke u bërë kështu rregullimet përkatëse (shih Scordino kundër Italisë (nr. 1) [GC], nr. 36813/97, § 258, ECHR 2006-V). Ajo vëren se norma e inflacionit ka qenë 94.3% në periudhën nga 25 nëntori 1997 deri më 25 tetor 2012 (shih paragrafin 11 më lart). Duke zbatuar këtë përqindje, shumat e mësipërme ndryshojnë në 231,951.63 euro (për kërkuesin e parë) dhe 595,455.47 euro (për kërkuesin e dytë).
42. Gjithashtu mbetet për t’u llogaritur edhe interesi ligjor (po aty). Gjykata vëren se, në përputhje me nenet 1763 dhe 1765 të Kodit Civil të Letonisë, interesi ligjor është 6% në vit, por ai nuk rritet më kur arrihet vlera e kapitalit (shih paragrafin 10 më lart). Periudha midis dy datave të lartpërmendura është katërmbëdhjetë vjet e njëmbëdhjetë muaj, një shifër e cila duhet të rrumbullakohet. Kështu, në lidhje me periudhën pesëmbëdhjetë vjeçare ndërmjet dy datave të sipër përmendura, interesi në shumën 107,440.35 euro duhet t’i paguhet kërkuesit të parë dhe 275,815.65 euro të dytit. Kështu, shumat përfundimtare që do t’u akordohen kërkuesve janë 339,391.98 euro kërkuesit të parë dhe 871,271.12 euro kërkuesit të dytë.
43. Së fundi, Gjykata nuk e sheh të arsyeshme t’u zbres shumave të lartë përmendura qiratë që u ishin paguar tashmë kërkuesve në nivel kombëtar apo detyrimet e papaguara tatimore mbi tokën, siç sugjerohet nga Qeveria. Siç Gjykata vërejti në vendimin e saj kryesor, pretendimi për qiratë ka një bazë ligjore të ndryshme nga ajo e kompensimit për shpronësim. Për sa i përket tatimit mbi tokën, vetë gjykatat letoneze kishin vendosur se kërkuesit ishin çliruar nga ai detyrim, duke qenë se ai ishte paguar tashmë nga korporata publike përgjegjëse për menaxhimin e portit (shih vendimin kryesor, § § 37-38 dhe 128) .
44. Duke pasur parasysh sa më sipër, Gjykata e gjen të arsyeshme t’i akordojë kërkuesit të parë 339,391.98 euro dhe kërkuesit të dytë 871,271.12 euro në lidhje me dëmin material.
B. Dëmi jo material
45. Secili prej kërkuesve pretendonte 10,000 euro në lidhje me dëmin jo material si pasojë e ankthit dhe frustrimit që atyre u ishte dashur të përjetonin për shkak të shpronësimit të pronave të tyre. Në lidhje me këtë, ata theksuan se u kishte kushtuar shumë kohë dhe përpjekje jo vetëm procedurat e shpronësimin por edhe mbledhja e qirave që nuk u ishin paguar.
46. Qeveria kundërshtoi pretendimet e kërkuesve për dëm jo material. Së pari, ata argumentuan se rasti në fjalë, i cili kishte të bënte me shpronësimin e ligjshëm, nuk ishte i krahasueshëm me rastet e lart përmendura të Guiso-Gallisay dhe Medici. Së dyti, ata kundërshtuan ekzistencën e një lidhje shkakësore midis shkeljes të nenit 1 të Protokollit nr.1, të konstatuar nga Gjykata dhe procedurave të brendshme të iniciuara nga kërkuesit, procedura të cilat, për më tepër, nuk kishin rezultuar të gjitha në disfavor të kërkuesve. Së treti, Qeveria ishin të mendimit se përpjekjet ligjore të zakonshme të një pale gjatë proceseve gjyqësore, nuk përbënin per se "vuajtje morale", e cila të shërbente si bazë për të akorduar dëmshpërblim në bazë të nenit 41 të Konventës.
47. Gjykata pajtohet me pikëpamjen e Qeverisë se ndjenja e pafuqisë dhe frustrimit që përjeton një pronar, i cili është dëbuar në mënyrë të paligjshme nga prona e tij, (shih Guiso-Gallisay, cituar më lart, § 110) nuk është e krahasueshme me ndjenjat e një ish-pronari i cili është thjesht i pakënaqur me shumën e kompensimit të dhënë nga Shteti. Megjithatë ajo pranon, se kërkuesit kanë mbështetur një pjesë të dëmit jo material për shkak të shkeljes së konstatuar, kështu që një shumë e akorduar mbi këtë bazë mund të konsiderohet e justifikuar. Duke vlerësuar mbi baza të barabarta, siç kërkohet nga neni 41 të Konventës, Gjykata vendos t’u akordojë secilit prej kërkuesve 3,000 EUR sipas këtij kreu.
C. Kostot dhe shpenzimet
48. Në procedurën mbi themelin para Dhomës së Madhe, kërkuesit kërkuan rimbursimin e kostove dhe shpenzimeve në vlerën 4,980 euro secili. Ata nuk treguan se në cilat procedura ishin përdorur këto shuma parash dhe as nuk paraqitën dokumente mbështetëse.
49. Qeveria e kundërshtoi këtë pretendim me argumentimin se ai nuk ishte i provuar mjaftueshmërisht dhe nuk plotësonte kërkesat themelore të përcaktuara me nenin 60 § 2 të Rregullores së Gjykatës. Megjithatë, ata pranuan se kërkuesit kishin pasur shpenzime dhe binin dakord me dhënien e një shume sipas këtij kreu, jo më tepër se 1,500 euro për secilin kërkues.
50. Gjykata rithekson se një palë e dëmtuar ka të drejtën të rimbursohet për kostot dhe shpenzimet sipas nenit 41 të Konventës, të cilat janë të vërteta dhe të domosdoshme. Në veçanti, neni 60 § 2 i Rregullores së Gjykatës parashikon se të gjitha pretendimet e bëra sipas nenit 41 të Konventës duhet të detajohen duke iu bashkangjitur dokumente mbështetëse përkatëse. Nëse një gjë e tillë nuk bëhet, Gjykata mund të refuzojë kërkesën tërësisht ose pjesërisht. Për më tepër, kostot dhe shpenzimet janë të rikuperueshme vetëm për aq sa ato kanë të bëjnë me shkeljen e konstatuar (shih, midis shumë vendimesh të tjera, Andrejeva k. Letonisë [GC], nr. 55707/00, § 115, ECHR 2009).
51. Në rastin konkret, Gjykata konstaton se pretendimi i kërkuesve në procedurën para Dhomës së Madhe për rimbursimin e kostove dhe shpenzimeve, në mënyrë të qartë nuk i kishte përmbushur këto kërkesa, pasi shumat e pretenduara nuk ishin provuar me dokumente mbështetës dhe as nuk ishte përcaktuar natyra e saktë e shërbimeve të marra apo nëse ato kishin qenë objektivisht të domosdoshme në procedurën para Gjykatës. Megjithatë, Gjykata pranon se, duke pasur parasysh kompleksitetin e çështjes, kërkuesit duhet të kenë pasur shpenzime, sidomos në procedurën para Dhomës së Madhe. Në këto rrethana, duke vendosur mbi baza të barabarta siç kërkohet nga neni 41, gjykata çmon të arsyeshme t’u akordojë 1,500 euro secilit për të gjitha kostot dhe shpenzimet, së bashku me çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme (po aty, § 116).
D. Interesi i munguar
52. Gjykata çmon të nevojshme se interesi i mospagimit, duhet të bazohet në përqindjen ditore të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane, së cilës duhet t’i shtohen tre pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Vendos, me dymbëdhjetë vota pro dhe pesë kundër,
(a) Se Shteti i paditur duhet të paguajë, brenda tre muajve, shumat e mëposhtme:
(i) 339,391.98 EUR (treqind e tridhjetë e nëntë mijë e treqind e nëntëdhjetë e një euro e nëntëdhjetë e tetë cent) për kërkuesin e parë në lidhje me dëmin material, plus çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme mbi këtë shumë;
(ii) 871,271.12 EUR (tetë qind e shtatëdhjetë e një mijë e dyqind e shtatëdhjetë e një euro e dymbëdhjetë cent) për kërkuesin e dytë në lidhje me dëmin material, plus çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme mbi këtë shumë;
(iii) 3,000 EUR (tre mijë euro) për secilin kërkues në lidhje me dëmin jo material, plus çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme mbi këtë shumë;
(iv) 1.500 EUR (një mijë e pesëqind euro për secilin nga kërkuesit në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme mbi këtë shumë;
(b) Se nga mbarimi i afatit tremujor deri në ditën e pagesës, do të zbatohet interesi i thjeshte mbi shumën e mësipërme, në një përqindje të barabarte me përqindjen ditore të kreditimit nga Banka Qendrore Evropiane, gjatë periudhës se mospagimit, plus tre pikë përqindjeje;
2. Hedh poshtë njëzëri pjesën e mbetur të pretendimeve të kërkuesve për shpërblim të drejtë.
Përgatitur në gjuhën angleze dhe franceze dhe njoftuar me shkrim më 25 mars 2014 sipas nenit 77 § § 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Michael O’BoyleDean Spielmann
Zëvendës KancelarPresident
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenit 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimet e pakicës në vazhdim i bashkëngjiten këtij vendim:
- mendimi i pakicës i gjyqtarit Garlicki;
- mendimi i përbashkët i pakicës i gjyqtarëve Lorenzen, Bratza, Tsotsoria dhe Pardalos.
D.S.
M.O’B.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1] Për pranueshmërinë dhe themelin
[2] Për pranueshmërinë dhe themelin
[3] Për pranueshmërinë dhe themelin
Full & Egal Universal Law Academy