X DHE TË TJERË kundër AUSTRISË
(kërkesa nr. 19010/07)
19 shkurt 2013
Dhomë e Madhe
pamundësia e birësimit nga bashkëjetuesi në një marrëdhënie të seksit të njëjtë në Austri është diskriminues në krahasim me situatën e çifteve të pamartuara të seksit të ndryshëm
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesit janë dy gra austriake ("kërkuesja e parë dhe e tretë"), të dyja të lindura në vitin 1967, të cilat jetojnë në një marrëdhënie të qëndrueshme homoseksuale dhe i biri i njërës prej tyre ("kërkuesi i dytë"). Ky i fundit, fëmijë i lindur jashtë martese në vitin 1995 dhe e ëma e tij, e cila ka kujdestarinë e plotë të tij. Kërkuesit jetojnë sëbashku dhe dy gratë bashkërisht kujdesen për fëmijën.
2. Duke dashur të krijonin një marrëdhënie juridike ndërmjet kërkuesit e parë dhe fëmijës, pa ndërprerë marrëdhënien që ai kishte me nënën e tij, ata arritën një marrëveshje birësimi në shkurt 2005 dhe e dorëzuan atë në gjykatën kompetente të rrethit për miratim. Duke qenë të vetëdijshëm se dispozitat përkatëse të Kodit Civil mund të kuptoheshin sikur përjashtonin birësimin e fëmijës së partnerit nga partneri tjetër në një çift homoseksual, pa ndërprerë marrëdhënien me prindin biologjik, kërkuesit i kërkuan Gjykatës Kushtetuese t`i shpallte ato dispozita antikushtetuese, me argumentin se ishin diskriminuese ndaj tyre për shkak të orientimit seksual. Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë kërkesën si të papranueshme në qershor 2005, duke argumentuar se ishte në pritje të vendimit të gjykatës së rrethit.
3. Në tetor 2005, gjykata e rrethit refuzoi të miratonte marrëveshjen e birësimit, duke arsyetuar se sipas Kodit Civil në rast të birësimit nga një person, prindi birësues zëvendëson prindin natyror të seksit të njëjtë, duke ndërprerë marrëdhëniet e fëmijës me të. Në rastin në fjalë, birësimi i fëmijës nga kërkuesja e parë do të ndërpriste marrëdhënien e fëmijës me nënën, jo me babain e tij.
4. Kërkuesit apeluan ndaj këtij vendimi por ai u hodh poshtë nga gjykata rajonale në shkurt 2006. Përveç konsideratave të gjykatës së rrethit, ajo shtoi më tej se e drejta austriake, duke mos i dhënë një përkufizim të saktë termit "prindër", haptazi i referohet dy njerëzve të sekseve të ndryshme. Ndërkohë, në rastin në fjalë, fëmija i kishte të dy prindërit dhe nuk ishte nevoja për të zëvendësuar njërin prej tyre nga një birësues. Në lidhje me këtë, gjykata vuri re, bazuar në dosjen e çështjes se fëmija kishte kontakte të rregullta me babain e tij. Ajo nuk analizoi çështjen nëse kishte baza thelbësore për mos marrjen parasysh të refuzimit të babait për dhënien e pëlqimit për birësimin, siç pretendohej nga kërkuesit. Në shtator 2006, Gjykata e Lartë hodhi poshtë ankesën e kërkuesve për çështje të ligjit, duke vendosur se birësimi i fëmijës nga partneri femër i nënës së tij ose të saj ishte ligjërisht i pamundur. Ajo konkludoi se dispozitat përkatëse të Kodit Civil nuk ishin jo kushtetuese.
II. Vendimi i Gjykatës
5. Kërkuesit u ankuan bazuar në nenin 14 marrë sëbashku me nenin 8 të Konventës me argumentin se diskriminoheshin për shkak të orientimit seksual. Ata parashtruan se nuk kishte asnjë përligjie të arsyeshme dhe objektive për të lejuar birësimin e fëmijës së partnerit nga partneri tjetër tek çiftet heteroseksuale, qofshin ata të martuar ose jo dhe të ndalohej e njëjta praktikë në rastin e çifteve homoseksual.
A. Në lidhje me nenin 14 marrë sëbashku me nenin 8
6. Gjykata konfirmoi se marrëdhëniet midis tre kërkuesve përbënin "jetë familjare" brenda kuptimit të nenit 8 të Konventës. Prandaj, në këtë rast neni 14 mund të shqyrtohej në lidhje me nenin 8 të Konventës.
i) Krahasimi me një çift të martuar kur bashkëshorti dëshironte të birësonte fëmijën e bashkëshortit tjetër
7. Gjykata arriti në përfundimin se kërkuesja e parë dhe e tretë nuk ishin në një situatë të ngjashme me atë të një çifti të martuar. Rrjedhimisht, nuk ka pasur shkelje të nenit 14 i shqyrtuar në lidhje me nenin 8 të Konventës në këtë drejtim.
ii) Krahasimi me një çift të pamartuar me partner të sekseve të ndryshme, kur një partner dëshiron të birësojë fëmijën e partnerit tjetër
8. Gjykata pranoi se kërkuesit ishin në një situatë të ngjashme me atë të një çifti të pamartuar me partnerë të sekseve të ndryshme, ku njëri prej tyre dëshironte të birësonte fëmijën e partnerit tjetër. E drejta austriake e lejonte birësimin e fëmijës së partnerit në rastet e një çift të pamartuar me partnerë të sekseve të ndryshme. Ndërkohë, që birësimi i fëmijës së partnerit në rastin e çifteve homoseksuale ishte ligjërisht i pamundur. Kjo pamundësi ligjore e birësimit kishte qenë vazhdimisht në qendër të konsideratave të gjykatave austriake, ato nuk kishin analizuar në një mënyrë të plotë nëse birësimi do të ishte në interesin e fëmijës. Në rastin e një çifti të pamartuar me partnerë të sekseve të ndryshme, atyre do tu duhej të shqyrtonin nëse birësimi i shërbente interesave të fëmijës. Rrjedhimisht, kërkuesit ishin të prekur drejtpërdrejt nga situata ligjore të cilën ata e kundërshtuan. Për më tepër, duke qenë se ata, pa diskutim gëzonin "jetën familjare" sëbashku për qëllime të nenit 8, të tre kërkuesit mund të pretendoni të ishin viktima të shkeljes së në fjalë.
9. Nuk kishte asnjë detyrim sipas nenit 8 të Konventës për të shtrirë të drejtën për birësimin e fëmijës së partnerit për çiftet e pamartuara. Duke qenë se e drejta austriake lejonte birësimin e fëmijës së partnerit në rastin e çifteve heteroseksuale të pamartuara, Gjykata duhej të shqyrtonte nëse kjo e drejtë për të çiftet e të njëjtit seks i shërbente një qëllimi legjitim dhe ishte në proporcion me të.
10. Gjykatat austriake dhe qeveria kishin argumentuar se e drejta austriake për birësimin synonte të rikrijonte rrethanat e një familje biologjike. Gjykata pranoi se mbrojtja e familjes në kuptimin tradicional ishte në parim një arsye legjitime, që mund të justifikonte një dallim në trajtim, siç ishte edhe mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës. Megjithatë, sipas jurisprudencës së Gjykatës, në rastet kur kishim të bënim me një dallim në trajtim në bazë të seksit apo orientimit seksual, qeveria duhej të tregonte se ky dallim ishte i nevojshëm për të arritur qëllimin.
11. Gjykata konstatoi se qeveria nuk kishte parashtruar arsye bindëse për të treguar se përjashtimi nga e drejta për të birësuar fëmijën e partnerit për çiftet e të njëjtit seks dhe lejimi i të njëjtës situatë për çiftet e pamartuara me partnerë heteroseksualë ishte e nevojshme për mbrojtjen e familjes në kuptimin tradicional apo për mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijës. Prandaj, dallimi përbënte diskriminim. Gjykata vendosi me shumicë se ka pasur shkelje të nenit 14 i shqyrtuar në lidhje me nenin 8 të Konventës.
B. Në lidhje me nenin 41
12. Gjykata u akordoi kërkuesve 10 000 euro në lidhje me dëmin jo material dhe 28 420.88 euro në lidhje me kostot dhe shpenzimet.
Full & Egal Universal Law Academy