© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA X KUNDËR LETONISË
(Kërkesë nr. 27853/09)
VENDIM
STRASBURG
26 Nëntor 2013
Ky vendim është përfundimtar, por ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen X kundër Letonisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Dhoma e Madhe me trup gjykues të përbërë prej:
Dean Spielmann, President,
Nicolas Bratza,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger,
Nina Vajić,
Khanlar Hajiyev,
Danutė Jočienė,
Ján Šikuta,
Päivi Hirvelä,
George Nicolaou,
Zdravka Kalaydjieva,
Nebojša Vučinić,
Angelika Nußberger,
Julia Laffranque,
Paulo Pinto de Albuquerque,
Linos-Alexandre Sicilianos, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Zëvendës Kancelar,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 10 tetor 2012 dhe 25 shtator 2013,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e fundit të lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka filluar zanafillën në bazë të kërkesës (nr. 27853/09) kundër Republikës së Letonisë drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga një shtetase letoneze, Znj. X (“kërkuesja”), më 8 maj 2009. Presidenti i Dhomës autorizoi mos bërjen publike të emrit të kërkueses (neni 47 § 3 i Rregullores së Gjykatës)
2. Kërkuesja u përfaqësua nga Z. R. Strauss, jurist që ushtron aktivitetin në Riga. Qeveria Letoneze (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjenti i saj, Znj. K. Līce.
3. Kërkuesja pretendoi se, për shkak të vendimit të gjykatave letoneze që urdhëronin kthimin e së bijës në Australi, në zbatim të Konventës së Hagës të 25 tetorit 1980 ‘Mbi aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës’, ajo kishte qenë viktimë e shkeljes të së drejtës për respektimin e jetës së saj familjare brenda kuptimit të nenit 8 të Konventës
4. Kërkesa iu caktua për gjykim Seksioni të tretë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 15 nëntor 2011 një dhomë e këtij seksioni, e përbërë nga presidenti Josep Casadevall dhe gjyqtarët Corneliu Birsan, Alvina Gyulumyan, Egbert Myjer, Ineta Ziemele, Luis López Guerra dhe Kristina Pardalos, dhe kancelari i seksionit Santiago Quesada e deklaroi kërkesën të pranueshme dhe mori vendim lidhur me çështjen. Me një shumicë votash u vendos se ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës. Më13 dhjetor 2011 gjyqtarët Myjer dhe López Guerra dolën në një mendim në pakicës i cili iu bashkëngjit vendimit.
5. Më 13 mars 2012, Qeveria kërkoi referimin e çështjes në Dhomë të Madhe, në përputhje me nenin 43 të Konventës. Më 4 qershor 2012 Dhoma e Madhe e pranoi këtë kërkesë.
6. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në përputhje me dispozitat e nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe nenit 24 të Rregullores së Gjykatës. Në përputhje me nenin 23 § 3 të Konventës dhe nenin 24 § 4 të Rregullores së Gjykatës, gjyqtarët Nicolas Bratza dhe Nina Vajić qëndruan në panelin e gjyqtarëve edhe në diskutimet përfundimtare, pavarësisht përfundimit të mandatit të tyre.
7. Kërkuesja dhe Qeveria paraqitën pretendimet me shkrim (neni 59 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Vëzhgime me shkrim u paraqitën gjithashtu nga Qeveritë e Finlandës, Republikës Ceke si dhe nga organizata jo-qeveritare Qendra për Ribashkim në rastet e Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijëve të autorizuar nga Presidenti i Dhomës për të ndërhyrë në procedurën me shkrim (neni 36 § 2 të Konventës dhe neni 44 § 2 i Rregullores së Gjykatës)
8. Seanca publike gjyqësore u zhvillua në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg më 10 tetor 2012 (neni 59 § 3 i Rregullores së Gjykatës).
U paraqitën përpara Gjykatës:
– për Qeverinë
Znj.K. Līce, Agjent,
Znj.I. Reine, Përfaqësues ligjor,
Znj.A. Rutka-Kriškalne, Këshilltar;
– për kërkuesen
Z.Roberts Strauss, Përfaqësues ligjor.
Gjykata dëgjoi parashtresat e Znj. K. Līce dhe Z. Strauss.
FAKTE
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
9. Kërkuesja ka lindur në vitin 1974 dhe jeton në Australi. Ajo është shtetase letoneze, e cila në vitin 2007 mori edhe shtetësinë australiane.
10. Në fillim të vitit 2004 ajo u takua me T. dhe filluan një marrëdhënie dashurore. Në fund të atij viti, ajo u zhvendos në banesën e tij edhe pse ishte ende e martuar me një burrë tjetër, me inicialet R.L, nga i cili u divorcuar më 24 nëntor 2005.
11. Më 9 shkurt 2005, kërkuesja lindi një vajzë të cilën e quajnë E. Certifikata e lindjes së fëmijës nuk tregonte babain dhe nuk ishte kryer asnjë test atësisë. Rrjedhimisht kërkuesja përfitonte nga statusi i prindit të vetëm, pavarësisht se vazhdonte të jetonte me T. Marrëdhëniet ndërmjet çiftit ishin përkeqësuar por pavarësisht kësaj kërkuesja vazhdoi të jetonte me T. si një qiramarrëse.
12. Më 17 korrik 2008 kërkuesja u largua nga Australia për tu vendosur në Letoni së bashku me vajzën e saj e cila në atë kohë ishte tre vjeç e pesë muaj.
A. Procedurat në Australi
13. Më 19 gusht 2008 T. paraqiti një kërkesë në Gjykatën Familjare në Australi për të vendosur të drejtat e tij prindërore në lidhje me fëmijën. Në mbështetje të kërkesës së tij, ai deklaroi nën betim se: kishte pasur marrëdhënie me kërkuesen që prej vitit 2004 dhe kjo e fundit gjithmonë kishte pohuar se ai ishte babai i fëmijës; marrëveshje e qirasë për banesën me kërkuesen ishte mashtrim dhe kishte qenë një vendim të përbashkët; ai kishte bërë deklarata të rreme tek shërbimet e sigurimit shoqëror në mënyrë që kërkuesja të përfitonte nga përfitimet e prindit të vetëm. T. pohoi se kërkuesja kishte lënë Australinë bashkë me fëmijën pa pëlqimin e tij, në shkelje të nenit 3 të Konventës së Hagës, dhe jetonte në Letoni por ai nuk kishte informacion se ku banonte ajo. Në mbështetje të dëshmisë së tij, ai paraqiti korrespondencën nëpërmjet adresës elektronike me anëtarët e familjes së tij.
14. Kërkuesja, edhe pse të ftuar me mënyra të ndryshme për të marrë pjesë në seancë apo për ta ndjekur atë me telefon, nuk ishte e pranishme.
15. Me një vendim të datës 6 nëntor 2008, Gjykata Australiane për Çështjet Familjare njohu atësinë e T. në lidhje me E. dhe tha se, kërkuesja dhe T. kishin pasur përgjegjësi të përbashkët prindërore për fëmijën e tyre që nga lindja e saj. Gjyqtari shtoi se, shqyrtimi i çështjes do të vazhdojë kur fëmija të kthehej në Australi, duke deklaruar si më poshtë:
“...megjithatë, sigurisht nuk më takon mua të them nëse prania e fëmijës në Letoni ka ardhur si rezultat i largimit apo mbajtjes të padrejtë të fëmijës. Me gjithë respektin, u takon gjyqtarëve letonezë për të vendosur mbi këtë çështje.”
16. Kërkuesja nuk apeloi kundër këtij vendimi.
B. Procedurat në Letoni
17. Më 22 shtator 2008, Ministria e Çështjeve të Familjes dhe Fëmijëve, e cila ishte Autoriteti Qendror letonez përgjegjës për zbatimin e Konventës së Hagës, morën nga homologu i tyre australian një kërkesë nga T. për kthimin e fëmijës në Australi në bazë të asaj konvente. Kërkesa për kthimin e fëmijës u shoqërua me një deklaratë nën betim që përcaktonte ligjin australian në fuqi dhe vërtetonte, pa paragjykuar çështjen e atësisë, se në datën në të cilën fëmija ishte larguar nga Australia, T. ushtronte autoritet të përbashkët prindëror ndaj fëmijës brenda kuptimi i nenit 5 të Konventës së Hagës.
18. Më 19 nëntor 2008 Gjykata e Distrikti Riga në Zemgale ("Gjykata e Rrethit") shqyrtoi kërkesën në praninë e T. dhe kërkueses.
19. Në seancën gjyqësore kërkuesja kundërshtoi kërkesën e T.. Ajo shpjegoi se, nuk mund të njihej si babai i fëmijës, pasi në kohën e lindjes së fëmijës ajo kishte qenë e martuar me një burrë tjetër dhe T. nuk kishte shprehur asnjëherë dëshirën për të njohur fëmijën si të tijin para nisjes së saj nga Australia. Ajo pretendoi se T. ishte treguar armiqësor me të dhe ndonjëherë edhe agresiv dhe ndaj kërkonte të thirreshin si dëshmitarë personat të cilët e kishin vizituar atë në Australi. Gjithashtu kërkuesja parashtroi se T. kishte filluar procesin vetëm për të përfituar prej tij në procesin penal që pretendohej se ishte iniciuar kundër tij në Australi.
20. Përfaqësuesi i Bāriņtiesa, një institucion kujdestarie dhe administrimi pasurie i themeluar nga këshilli i qytetit të Rigës, kërkoi që kërkesa e T. të hidhej poshtë, me arsyetimin se kërkuesja kishte qenë një nënë e vetme, kur fëmija ishte larguar nga Australia dhe fëmija kishte zhvilluar lidhje me Letonin.
21. Me një vendim të datës 19 nëntor 2008, Gjykata e Distriktit aprovoi kërkesën e T. dhe urdhëroi që fëmija të kthehej në Australi menjëherë, dhe në çdo rast, jo më vonë se gjashtë javë pas vendimit. Në arsyetim e saj, gjykata shprehej se, duke mbajtur parasysh se gjykatat australiane kishin vendosur që kërkuesja dhe T. ushtronin përgjegjësi të përbashkët prindërore, gjykatat letoneze jo vetëm që nuk mund ta hidhnin poshtë atë vendim por as nuk mund të interpretonin apo zbatonin ligjin australian. Ajo më pas vendosi se, në zbatim të neneve 1 dhe 14 të Konventës së Hagës, gjykatat letoneze nuk kishin juridiksion për të vendosur mbi përgjegjësinë prindërore të T., por vetëm për largimin e fëmijës nga Australia dhe kthimin e saj të mundshëm. Gjykata konstatoi se largimi i fëmijës ishte i padrejtë dhe ishte kryer pa pëlqimin e T.. Për sa i përket zbatimit të nenit 13 të Konventës së Hagës, ajo konkludoi, në bazë të fotografive dhe kopjeve të e-maileve ndërmjet kërkueses dhe të afërmve të T., se T ishte kujdesur për fëmijën para largimit të saj për në Letoni. Më tej ajo u shpreh se, pavarësisht dëshmive për mosmarrëveshje ndërmjet palëve dhe sjelljes agresive të T., nuk mund të arrihej në përfundimin se T. nuk ishte përkujdesur për fëmijën. Së fundi, gjykata hodhi poshtë si të pabazuar pretendimin se kthimi i fëmijës rrezikonte dëmtim psikologjik të tij.
22. Kërkuesja apeloi, duke argumentuar se kur ajo dhe fëmija ishin larguar nga Australia ajo kishte qenë kujdestari i vetëm i fëmijës si me ligj ashtu edhe në praktikë, dhe më tepër kthimi i vajzës në Australi do ta ekspozonte atë ndaj një dëmtimi psikologjik. Në mbështetje të kësaj të fundit, ajo paraqiti një raport të përgatitur nga një psikolog me kërkesën e saj, pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Në këtë raport, i cili bazohej në vlerësimin psikologjik të E. më 16 dhjetor 2008 deklarohej:
“Edhe pse është e qartë nga vlerësimi psikologjik se zhvillimi i saj është i përshtatshëm për sa i përket njohurive dhe gjuhës, fëmija nuk është në gjendje, për shkak të moshës së saj, për të thënë se në cilin vend preferon të banojë .... Duke pasur parasysh moshën dhe lidhjet e ngushta emocionale të fëmijës me nënën e saj, çka është normale për moshën e saj, mirëqenia e saj emocionale e saj është e bazuar kryesisht në bilancin psikologjik të kërkueses.... fëmija ka nevojë për praninë e përditshme të nënës së saj dhe për të jetuar në një vendbanim permanent. Duke pasur parasysh moshën e vajzës - tre vjeç e 10 muaj - një ndarje e menjëhershme nga nëna e saj duhet përjashtuar, pasi kjo gjë mund ti shkaktonte trauma psikologjike, në kuptim që mund të ndikonte tek ndjenja e sigurisë dhe vetëbesimit të saj.”
23. Gjithashtu, kërkuesja deklaroi në apel se letonishtja ishte gjuha amtare e fëmijës dhe se ajo kishte marrë pjesë në aktivitete parashkollore në Letoni. Më tej ajo deklaroi se vajza nuk kishte asnjë lidhje me Australinë dhe se ajo kishte nevojë për praninë e nënës së saj. Kërkuesja pretendoi se T. nuk i kishte ndihmuar financiarisht dhe madje i kishte keqtrajtuar. Përveç kësaj, ajo kritikoi gjykatën e shkallës më të ulët për refuzimin për të kërkuar informacion nga autoritetet australiane për profilin penale të T., dënimet e mëparshme dhe akuzat për korrupsion të ngritura kundër tij. Gjithashtu kërkuesja deklaroi se, nëse do kthehej në Australi, do të ishte e papunë e rrjedhimisht nuk do të kishte të ardhura dhe kritikoi Gjykatën e Distriktit pasi kishte dështuar për të siguruar masat mbrojtjeje në rast të kthimit të saj në Australi.
25. Më 26 janar 2009, pas seancës dëgjimore të zhvilluar në praninë e kërkueses dhe T., Gjykata e Distriktit në Riga (Rīgas Apgabaltiesa) la në fuqi vendimin e shkallës së parë. Ajo u shpreh se kërkesa e T. Ishte në pajtim me Konventën e Hagës, duke vënë në dukje afatet e shkurtra kohore te përcaktuara në të dhe duke vënë re se nuk ishte e nevojshme asnjë formalitet apo analizë për të njohur vendimin e gjykatës australiane. Më tej, ajo binte dakord me konstatimin e gjykatës më e ulët, bazuar në të gjitha dëshmive përkatëse, veçanërisht letrave dhe fotografive që ishin paraqitur, se T. ishte kujdesur për fëmijën. Në lidhje me argumentin e kërkueses dhe përfaqësuesit të Bāriņtiesa lidhur me mungesën e pretenduar të informacionit rreth situatës së fëmijës në rast të kthimit të saj në Australi, ajo vlerësoi se:
“nuk ka arsye për të dyshuar mbi cilësinë e mirëqenies dhe mbrojtjes sociale të fëmijëve në Australi, pasi, në bazë të deklaratës nën betim, legjislacioni australian ofron, inter alia, sigurinë e fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre kundër keq-trajtim në familje”.
26. Në lidhje me pretendimet e kërkueses, vendosi si më poshtë:
“"[Gjykata] ... hedh poshtë pretendimin se T. keqtrajtonte kërkuesen dhe fëmijën, si dhe akuzat se ai rrezikonte të dënohej me burg pasi ndaj tiji kishte akuza penale, pasi nuk janë paraqitur prova të cilat mbështesin, qoftë dhe në mënyrë indirekte, pretendimet.
Gjithashtu konkluzionet e vlerësimit psikologjik të 16 dhjetorit 2008 nuk mund të shërbejnë si prova kundër kthimit të fëmijës në shtetin kërkues. Edhe pse sipas tyre fëmija kishte nevojë për nënën e saj dhe largimi i menjëhershme nga nëna duhej përjashtuar, çështja e ngritur pranë kësaj gjykate nuk ka të bëjë me të drejtat e kujdestarisë ... Në bazë të nenit 19 të Konventa e Hagës, një vendim në bazë të kësaj Konvente lidhur me kthimin e një fëmije, nuk duhet të merret si vendim mbi themelin e një çështjeje kujdestarie.
[Gjykata] konsideron se ... [fëmija] ... nuk ka arritur një moshë apo nivel pjekurie për të formuluar një opinion në lidhje me kthimin në Australi.”
27. Më 5 shkurt 2009 një përmbarues udhëzoi kërkuesen të respektonte vendimin që urdhëron kthimin e fëmijës deri më 19 shkurt 2009 si afat të fundit. Kërkuesja refuzoi të bëjë këtë.
28. Në një datë të paspecifikuar një përmbarues paraqiti një kërkesë në Gjykatën e Distriktit për ekzekutimin e urdhrit për kthimin e fëmijës. Në të njëjtën kohë, kërkuesja i kërkoi Gjykatës së Distriktit pezullimin e urdhrit të kthimit për një periudhë prej gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj. Gjykata vendosi mbajtjen e një seancë gjyqësore më 16 prill 2009.
29. Më 6 mars 2009, me kërkesën e T., Autoriteti Qendror Letonez i kërkoi Bāriņtiesa të verifikonte kushtet e jetës së fëmijës dhe të informonte kërkuesen për kërkesën e T. për të parë fëmijën.
30. Në 14 mars 2009 T. takoi rastësisht kërkuesen dhe E. pranë një qendre tregtare. Duke përfituar nga kjo situatë, ai mori E., e çoi me makinë në Tallin (Estoni) dhe pastaj filloi udhëtimin e kthimit për në Australi. Më 16 mars 2009, Autoriteti Qendror Letonez, në përgjigje të një kërkese nga homologu i tij estonez dhe me synimin për të autorizuar T. për të marrë një fluturim për në Helsinki, dha informacion në lidhje me të drejtën T. për t’u kthyer në Australi me vajzën e tij.
31. Kërkesa e paraqitur më pas nga kërkuesja për rrëmbim u rrëzua, ashtu si apeli disiplinor kundër Autoritetit Qendror Letonez; kërkesa e kërkueses për pezullimin e ekzekutimit të urdhrit të kthimit tashmë i mungonte qëllimi.
C. Situata në Australi që nga kthimi i fëmijës
32. Në shtator 2009, Gjykata Australiane për Çështjet Familjare anuloi të gjitha vendimet e mëparshme që kishin të bënin me të drejtat e prindërve dhe vendosi se vetëm T. kishte përgjegjësi prindërore për fëmijën. Ndërsa ndaloi kërkuesen të bënte deklarata publike në lidhje me çështjet që kishin të bëjnë me fëmijën ose T., e autorizoi atë për të vizituar vajzën e saj nën mbikëqyrjen e një punonjësi social. Gjykata gjithashtu e ndaloi atë që të fliste me fëmijën në letonisht dhe vendosi që, deri sa fëmija të arrinte moshën njëmbëdhjetë vjeçare, ta ndalonte atë të vizitonte apo komunikonte me çdo lloj mjeti, strukturat për përkujdesjen e fëmijëve, institucionet parashkollore apo shkollat e frekuentuara nga vajza e saj, apo të komunikonte me prindin e një fëmije tjetër që ndiqte të njëjtën shkollë apo institucion parashkollor apo ishte në të njëjtin institucion përkujdesjeje për fëmijët.
33. Përpara Dhomës së Madhe, Qeveria, duke iu referuar një artikulli të botuar në shtypin letonez në tetor 2011, i cili përmbante, në mënyrë të veçantë, deklaratat e motrës së kërkueses, tregoi se kërkuesja ishte kthyer për të jetuar në Australi, kishte gjetur strehim dhe ishte duke punuar në një institucion shtetëror i ndihmës sociale. Ata gjithashtu vunë në dukje se ajo e kontaktonte rregullisht vajzën e saj dy herë në javë në një qendër të ndihmës sociale, dhe se kishte pasur mundësi të takohej edhe pa praninë e një punonjësi social i të pranishëm.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME DHE NDËRKOMBËTARE PËRKATËSE
A. Konventën e Hagës të 25 tetorit 1980 mbi aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve
34. Dispozitat përkatëse të Konventës së Hagës të 25 tetorit 1980 mbi aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve parashikojnë si vijon:
“Shtetet nënshkruese të kësaj Konvente,
Të bindur plotësisht se interesat e fëmijëve janë të një rëndësie të veçantë në çështjet që lidhen me kujdestarinë e tyre,
Duke dëshiruar mbrojtjen ndërkombëtare të fëmijëve nga pasojat e dëmshme të largimit ose mbajtjes së tyre të padrejtë dhe për të krijuar procedura që sigurojnë kthimin e tyre të menjëhershëm në shtetin e banesës së tyre të përhershme, si dhe për të siguruar mbrojtje për të drejtat e kontaktit,
Kanë vendosur të lidhin një Konventë për këtë qëllim dhe kanë rënë dakord për dispozitat e mëposhtme -
...
Neni 1
Qëllimet e kësaj Konvente janë -
(a) të sigurojë kthimin e shpejtë të fëmijëve që largohen apo mbahen pa të drejtë në shtetin kontraktues; dhe
(b) të sigurojë që të drejtat e kujdestarisë dhe të kontaktit sipas ligjit të një shteti kontraktues të respektohen efektivisht në shtetet e tjera kontraktuese.
...
Neni 3
Largimi ose mbajtja e një fëmije konsiderohet i padrejtë në rastet kur -
(a) konsiston në shkeljen e të drejtave të kujdestarisë që i janë dhënë një personi, një institucioni apo organi tjetër, qoftë kolektivisht apo individualisht, sipas ligjit të shtetit në të cilin fëmija ka qenë banor i zakonshëm para largimit apo mbajtjes; dhe
(b) në kohën e largimit apo mbajtjes këto të drejta janë ushtruar, qoftë kolektivisht apo individualisht, ose që mund të kenë qenë ushtruar me përjashtim të largimit apo mbajtjes.
Të drejtat e kujdestarisë, të përmendura në nënparagrafin (a) më sipër, mund të lindin veçanërisht nga funksionimi i ligjit ose për shkak të një vendimi gjyqësor apo administrativ, ose për shkak të një marrëveshjeje që ka efekt ligjor sipas ligjit të atij shteti.
Neni 4
Konventa do të zbatohet për çdo fëmijë që ka qenë banor i zakonshëm i shtetit kontraktues menjëherë para rastit të ndonjë shkeljeje kujdestarie apo të të drejtave të kontaktit. Konventa do të pushojë zbatimin kur fëmija arrin moshën 16 vjeç.
Neni 5
Për qëllime të kësaj Konvente -
(a) “të drejtat e kujdestarisë” do të përfshijnë të drejtat që lidhen me kujdesin e fëmijës dhe në veçanti, e drejta për të përcaktuar vendbanimin e fëmijës;
(b) “të drejtat e hyrjes” do të përfshijnë të drejtën për ta marrë një fëmijë për një periudhë të kufizuar në një vend tjetër nga vendbanimi i tij i zakonshëm.
...
Neni 11
Autoritetet gjyqësore apo administrative të shteteve kontraktuese do të shpejtojnë procedurat për kthimin e fëmijëve.
Nëse autoriteti përkatës administrativ apo gjyqësor nuk ka marrë një vendim brenda një periudhe gjashtë javore nga data e fillimit të procedimit, kërkuesi ose autoriteti qendror i shtetit të kërkuar, me iniciativën e vet ose nëse i kërkohet nga autoriteti qendror i shtetit kërkues, do të ketë të drejtën të kërkojë një deklaratë për shkaqet e vonesës. Nëse merret një përgjigje nga autoriteti qendror i shtetit të kërkuar, ky autoritet do t’ia transmetojë, sipas rastit, përgjigjen autoritetit qendror të shtetit kërkues ose kërkuesit.
Neni 12
Në rastin kur fëmija është larguar apo mbahet padrejtësisht, siç është parashikuar në nenin 3, dhe kur në datën e fillimit të procedimit para autoritetit gjyqësor apo administrativ të shtetit kontraktues ku është fëmija ka kaluar më pak se një vit nga data e largimit apo mbajtjes së padrejtë, autoriteti i interesuar do të urdhërojë kthimin e menjëhershëm të fëmijës.
Edhe në rastet kur procedimet kanë filluar pas mbarimit të periudhës së një viti, siç referohet në paragrafin e mësipërm, autoriteti gjyqësor apo administrativ do të urdhërojë kthimin e fëmijës, për sa kohë që nuk është provuar se fëmija tashmë është vendosur në një mjedis të ri të tij.
Nëse autoriteti gjyqësor apo administrativ në shtetin e kërkuar ka arsye të besojë se fëmija është çuar në një shtet tjetër, mund të shtyjë procedimet ose të rrëzojë kërkesën për kthimin e fëmijës.
Neni 13
Pavarësisht nga dispozitat e nenit të mësipërm, autoriteti gjyqësor apo administrativ i shtetit të kërkuar nuk është i detyruar të urdhërojë kthimin e fëmijës, nëse personi, institucioni apo organi tjetër që e kundërshton kthimin ose mbajtjen e tij, vendos që -
(a) personi, institucioni apo organi tjetër që kujdeset për fëmijën nuk po ushtronin të drejtat e kujdestarisë në kohën e largimit apo mbajtjes ose kanë rënë dakord, ose si rrjedhojë të kenë pranuar në heshtje largimin apo mbajtjen; ose
(b) ekziston një rrezik serioz që kthimi i tij ose i saj ta ekspozojë fëmijën ndaj dëmit fizik ose psikologjik, ose ta vërë fëmijën para një situate të pa tolerueshme.
Autoriteti gjyqësor ose administrativ mund të refuzojë të urdhërojë kthimin e fëmijës, nëse zbulon se fëmija kundërshton të kthehet dhe ka arritur një moshë dhe një shkallë pjekurie, sipas së cilës është në gjendje të vendosë vetë për jetën e vet.
Në marrjen parasysh të rrethanave që i referohen këtij neni, autoritetet gjyqësore dhe administrative do të marrin në konsideratë informacionin në lidhje me prejardhjen sociale të fëmijës, të siguruar nga autoriteti qendror ose ndonjë autoritet tjetër kompetent i vendbanimit të zakonshëm të fëmijës.
Neni 14
Në përcaktimin nëse largimi apo mbajtja ka qenë e padrejtë brenda kuptimit të nenit 3, autoritetet gjyqësore ose administrative të shtetit të kërkuar, mund të marrin në konsideratë drejtpërsëdrejti ligjin dhe vendimet gjyqësore ose administrative, që njihen apo nuk njihen formalisht në shtetin e vendbanimit të zakonshëm të fëmijës, pa rekurs ndaj procedurave specifike për provën e këtij ligji ose për njohjen e vendimeve të huaja, që do të zbatoheshin ndryshe.
...
Neni 16
Pas marrjes së njoftimit për një largim apo mbajtje të padrejtë të fëmijës në kuptimin e nenit 3, autoritetet gjyqësore ose administrative të shtetit kontraktues, nga i cili fëmija është larguar apo mbajtur, nuk do të vendosin në themel për të drejtave të kujdestarisë, derisa të vendoset se fëmija nuk do të kthehet sipas kësaj Konvente ose nëse nuk bëhet një kërkesë sipas kësaj Konvente, brenda një kohe të arsyeshme pas marrjes së njoftimit.
Neni 17
Fakti i vetëm që një vendim në lidhje me kujdestarinë është dhënë ose ka të drejtën e njohjes në shtetin e kërkuar, nuk do të përbëjë shkak për refuzimin e kthimit të fëmijës sipas kësaj Konvente, por autoritetet gjyqësore ose administrative të shtetit të kërkuar do të marrin parasysh shkaqet për këtë vendim në zbatimin e kësaj Konvente.
...
Neni 19
Një vendim sipas kësaj Konvente në lidhje me kthimin e fëmijës, nuk do të merret si vendim në themel për një çështje kujdestarie.
Neni 20
Kthimi i fëmijës, sipas dispozitave të nenit 12, mund të refuzohet nëse nuk do lejohej nga parimet themelore të shtetit të kërkuar në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.
...”
35. Raporti shpjegues i Znj. Elisa Perez-Vera mbi hartimin e Konventës së Hagës të vitit 1980 mbi Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijëve, botuar nga Konferenca e Hagës mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private (HCCH) në vitin 1982, kërkon të hedhë dritë mbi parimet bazë të Konventës së vitit 1980 dhe t’u afrojë atyre që duhet të zbatojnë Konventën një komentar të detajuar mbi dispozitat e saj. Nga ky raport del se, me qëllim dekurajimin çdo tentative nga prindi rrëmbyes të njohjes si të ligjshëm të këtij veprimi në Shtetin ku fëmija është dërguar pas rrëmbimit, Konventa njeh, përveç aspektit parandalues, rivendosjen e status quo-së, me një urdhër për kthimin e menjëhershëm të fëmijës, i cili do të mundësojë rivendosjen në gjendjen e cila ishte ndryshuar në mënyrë të njëanshme dhe pa të drejtë. Pajtueshmëria me të drejtat e kujdestarisë është pothuajse tërësisht jashtë objektit të kësaj Konvente, pasi çështje duhet të shqyrtohet nga gjykatat përkatëse në Shtetin e banesës së përhershme të fëmijës para largimit. Filozofia e Konventës së Hagës është lufta kundër shtimit të rasteve të rrëmbimeve ndërkombëtare, bazuar gjithmonë në dëshirë për të mbrojtur fëmijët, duke vepruar si përfaqësues të interesave të tyre të vërteta. Prandaj, qëllimi i parandalimit dhe kthimit të menjëhershëm të fëmijës i përgjigjet një konceptit të veçantë të "interesit më të lartë të fëmijës". Megjithatë, në rastet kur largimi i fëmijës justifikohet nga arsye objektive të cilat kanë të bëjnë me vet fëmijën, ose me mjedisin me të cilin ai është i lidhur më ngushtë (§ 25), Konventa lejon përjashtime të caktuara nga detyrimi i përgjithshëm i Shteteve për të siguruar kthimin e menjëhershëm të fëmijës. Duke qenë se, kthimi i fëmijës është parimi bazë i Konventës, përjashtimi nga ky detyrim përbën një element të rëndësishëm në të kuptuarin e shkallës së shtrirjes së këtij detyrimi. Konventa parashikon përjashtime, arsyetimet justifikuese të të cilave derivojnë nga tre parime të ndryshme (§ 27). Së pari, autoritetet e Shtetit që i kërkohet kthimi i fëmijës, nuk janë të detyruar të urdhërojnë kthimin e fëmijës, nëse personi i cili kërkon kthimin nuk ushtron të drejtat e kujdestarisë ose kur nga sjellja e tij kuptohet që ka pranuar në heshtje largimin apo mbajtjen e fëmijës (§ 28). Së dyti, paragrafët 1b dhe 2 të nenit 13 përmbajnë përjashtime, të cilat në mënyrë të qartë rrjedhin nga një konsideratë për interesat e fëmijës, të cilave Konventa u jep një definicion të caktuar. Kështu, interesi i parësor për mos ekspozimin e fëmijës ndaj rrezikut të dëmit fizik ose psikologjik ose vendosjes para një situate të pa tolerueshme ka përparësi ndaj interesit të fëmijës për të mos u larguar nga vendbanimi i tij i zakonshëm pa garancitë e mjaftueshme të stabilitetit në mjedisin e ri (§ 29). Së fundi, nuk ka asnjë detyrim për të kthyer një fëmijë, kur, në kuptim të nenit 20, kthimin e tij " nuk do lejohej nga parimet themelore të shtetit të kërkuar në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore" (§ 31) . Raporti shpjegues, i cili parashtron këto përjashtime, gjithashtu thekson hapësirën e vlerësimit të gjyqësorit lidhur me këtë.
36. Në vitin 2003 HCCH botoi Pjesën II të "Udhëzues për Zbatimin e Mirë të Konventës së Hagës së 25 tetorit 1980 mbi aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës". Edhe pse si fillim ishte menduar kryesisht për Shtetet e reja Kontraktuese dhe pa efekt detyrues, veçanërisht në lidhje me autoritetin gjyqësore, ky dokument kërkonte të lehtësonte zbatimin e Konventës duke propozuar rekomandime dhe sqarime të shumta. Udhëzuesi, në mënyrë të përsëritur, theksonte rëndësinë e Raportit Shpjegues të Konventës të vitit 1980, i njohur si Raporti Pérez-Vera, si një ndihmë e vlefshme për të interpretuar dhe kuptuar në mënyrë koherente Konventën e 1980 (shih, për shembull, pikat 3.3.2 "Implikimet e qasjes së transformimit" dhe 8.1 "Raporti shpjegues për Konventën: Raporti Pérez-Vera"). Në veçanti, ajo thekson se autoritetet gjyqësore dhe administrative, janë të detyruara, inter alia, për të shqyrtuar në mënyrë ekspeditive kërkesat për kthim, përfshirë edhe në apel (pika 1.5 "Procedurat ekspeditive "). Procedura ekspeditive duhet të shihet si procedura të cilat janë njëkohësisht të shpejta dhe efikase: vendimmarrja e shpejtë në bazë të Konventës i shërben interesit më të lartë të fëmijës (pika 6.4 "Menaxhimi i rasteve"). Udhëzuesi për Zbatimin e Mirë të Konventës ngre shqetësimin serioz të zbatimit me vonesave të urdhrave të kthimit, apo mos zbatimit të tyre në disa Shtete kontraktuese dhe rekomandon që Shtetet palë të sigurojnë ekzistencën në sistemet e tyre të brendshme të mekanizmave të thjeshta dhe efektivë për zbatimin e këtyre urdhrave, duke vënë në dukje se kthimi nuk duhet vetëm të urdhërohet por edhe të ndodhë realisht (pika 6.7 "Zbatimi").
B. Konventa për të drejtat e fëmijës
37. Dispozitat përkatëse të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e fëmijës, e nënshkruar në Nju Jork më 20 nëntor 1989, parashikojnë si më poshtë:
Preambula
“Shtetet palë të kësaj Konvente,
...
Të bindur se familja, si njësi themelore e shoqërisë dhe mjedis natyror për rritjen dhe mirëqenien e të gjithë anëtarëve të saj veçanёrisht të fёmijёve, duhet të ketë mbrojtjen dhe ndihmёn e nevojshme që të mund të marrё pёrsipёr plotёsisht rolin e saj në bashkёsi,
Duke njohur se fëmija, për zhvillimin e plotё dhe të harmonishёm të personalitetit të tij, duhet të rritet në njё mjedis familjar, në njё atmosferё lumturie, dashurie dhe mirёkuptimi, ...
U morёn vesh për sa vijon:
...
Neni 7
1. Fëmija regjistrohet menjëherё posa tё lindë dhe qysh atёherё ka të drejtёn... për të
njohur prindërit e tij dhe për të pasur kujdesin e tyre...
Neni 9
1. Shtetet palë sigurojnё që fëmija të mos ndahet nga prindёrit kundёr dёshirёs sё tyre...
Neni 14
1. Shtetet palë respektojnё të drejtën e fëmijës për lirinë e mendimit, të ndёrgjegjes dhe të fesё.
2. Shtetet palë respektojnё të drejtat dhe detyrimet e prindërve dhe, sipas rastit, të pёrfaqёsuesve ligjorë të fëmijës, për ta drejtuar atё në ushtrimin e të drejtёs sё tij, në përputhje me zhvillimin e aftёsive të tij...
Neni 18
1. Shtetet palë përpiqen me të gjitha mundësitë për të siguruar njohjen e parimit, sipas të cilit të dy prindërit kanë përgjegjësi të përbashkët për edukimin dhe zhvillimin e fëmijës. Pёrgjegjёsinё kryesore për edukimin dhe zhvillimin e fëmijës e kanë prindërit, ose sipas rastit, përfaqësuesit e tij ligjorë. Ata duhet të udhёhiqen, në radhё të parё, nga interesi më i lartё i fëmijës.
...”
38. Koncepti i interesit më të lartë të fëmijës, që derivonte nga parimi i dytë i Deklaratës për të Drejtat e Fëmijëve e 20 nëntorit 1959, u pasqyrua edhe një herë në vitin 1989 në Nenin 3 § 1 të Konventës për të Drejtat e Fëmijës:
“Në të gjitha veprimet që kanë tё bёjnё me fёmijёn, të marra qoftё nga institucionet publike ose private të mirёqenies shoqërore, nga gjykatat, autoritetet administrative apo organet legjislative, interesi mё i lartё i fëmijës duhet të jetё konsideratё parёsore.”
39. Në Komente të përgjithshme nr. 7 (2005) mbi zbatimin e të drejtave të fëmijëve në fëmijërinë e hershme, Komiteti për të Drejtat e Fëmijës dëshironte të inkurajonte njohjen nga ana e Shteteve Palë të faktit se fëmijët e vegjël janë titullar të të gjitha të drejtave të mbrojtura me këtë Konventë dhe se fëmijëria e hershme është një periudhë kritike për realizimin e këtyre të drejtave. Interesi më i lartë i fëmijës është shqyrtuar, veçanërisht, në nenin 13, i cili lexon si më poshtë:
“13. Interesi më i lartë i fëmijës. Neni 3 përcakton parimin se interesi më i lartë i fëmijës është konsiderata parësore në të gjitha veprimet lidhur me fëmijët. Duke u mbështetur në papjekurinë e tyre, e cila është e ndryshueshme, janë autoritetet përgjegjëse për të vlerësuar dhe përfaqësuar të drejtat dhe interesat më të mira të fëmijëve të vegjël në lidhje me vendime dhe veprime që ndikojnë në mirëqenien e tyre, duke marrë gjithashtu parasysh mendimin e tyre dhe kapacitetin e tyre zhvillues. Parimi i interesit më të lartë shfaqet në mënyrë të përsëritur në Konventë (duke përfshirë nenet 9, 18, 20 dhe 21, të cilat janë më të rëndësishme për fëmijërinë e hershme). Parimi i interesit më të lartë të fëmijës duhet mbajtur parasysh në të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me ata. Gjithashtu, ky parim kërkon marrjen e masa për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe promovimin e ekzistencës së tyre, rritjes dhe mirëqenies, si dhe masa për mbështetjen dhe ndihmesën e prindërve dhe personave të tjerët të cilët kanë përgjegjësinë e përditshme për realizimin e të drejtave të fëmijëve:
(a) Interesi më i lartë i fëmijës. Çdo vendim-marrje, përfshirë edhe vendimet e prindërve, profesionistëve dhe personave të tjerë përgjegjës, që ka të bëj me kujdesin, shëndetin, arsim, etj., të fëmijës, duhet të jetë në pajtim me parimin e interesit më të lartë të fëmijës.
Shtetet palë duhet të mundësojnë që fëmijët e vegjël të përfaqësohen në mënyrë të pavarur në të gjitha procedurat ligjore nga dikush i cili vepron për interes të tyre, si dhe tu jepet mundësia që të dëgjohen në të gjitha rastet kur ata janë të aftë për të shprehur mendimet dhe preferencat e tyre;
...”
40. Për një diskutim më të plotë, shih Neulinger dhe Shuruk kundër Zvicrës, ([GC], nr. 41615/07, §§ 49-55, ECHR 2010-...).
C. E drejta e Bashkimit Evropian
41. Dispozitat përkatëse të Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian parashikojnë:
Neni 7
Respekti për jetën private dhe familjare
“Gjithkush ka të drejtën për respektimin e jetës së tij private dhe familjare, shtëpinë dhe komunikimet.
Neni 24
Të drejtat e fëmijës
1. Fëmijët do të kenë të drejtën e një mbrojtjeje dhe kujdesin e nevojshëm për mirëqenien e tyre. Ato mund të shprehin pikëpamjet e tyre lirisht. Pikëpamje të tilla duhet të merren në konsideratë në çështjet që kanë të bëjnë në përputhje me moshën dhe pjekurinë e tyre.
2. Në të gjitha veprimet që lidhen me fëmijët, nëse merren nga autoritetet publike ose institucionet private, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata parësore.
3. Çdo fëmijë duhet të ketë të drejtën të mbajë mbi një bazë të rregullt një marrëdhënie personale dhe kontakte të drejtpërdrejta me të dy prindërit e tij ose të saj, përveçse kur kjo është në kundërshtim me interesat e tij ose të saj.
...”
42. Rregullorja e Këshillit (EC) Nr. 2201/2003 e 27 nëntorit 2003, në lidhje juridiksionin dhe njohjen e zbatimin e vendimeve në çështjet martesore dhe të përgjegjësisë prindërore (i njohur si " Rregullorja Brukseli II ") lexon, në veçanti, si më poshtë
:
“...
(12) Bazat e juridiksionit në çështjet e përgjegjësisë prindërore janë përcaktuar në këtë Rregullore, në dritën e interesit më të lartë të fëmijës, në veçanti mbi kriterin e afërsisë. Kjo do të thotë se në vend të parë juridiksioni i takon Shtetit anëtar ku fëmija ka banesën e përhershme, me përjashtim të rasteve të caktuara të ndryshimit të banesës së fëmijës, ose kur ka një marrëveshje ndryshe ndërmjet mbajtësve të përgjegjësisë prindërore.
(13) Në interes të fëmijës, kjo Rregullore lejon, që përjashtimisht dhe në kushte të caktuara, gjykata që ka juridiksion të mund të transferojë një rast në një gjykatë të një Shteti tjetër anëtar, nëse kjo gjykatë është më e përshtatshme për shqyrtimin e çështjes. Megjithatë, në këtë rast gjykata e dytë nuk duhet të lejohet të transferojë çështjen në një gjykatë të tretë.
...”
D. E drejta letoneze përkatëse
1. Kushtetuta
43. Dispozitat përkatëse të Kushtetutës parashikojnë si vijon:
Neni 89
“Shteti njeh dhe mbron të drejtat themelore të njeriut në pajtim me këtë Kushtetutë, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të detyrueshme për Letoninë.”
Neni 110
“Shteti mbron dhe mbështet martesën - bashkimin mes një burri dhe një gruaje, familjen, të drejtat e prindërve dhe të drejtat e fëmijës. Shteti ofron mbështetje të veçantë për fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët pa kujdes prindëror dhe fëmijët të cilën kanë qenë viktima të dhunës.”
2. Ligji i Procedurës Civile të Letonisë
44. Neni 64419 i Ligjit të Procedurës Civile, në fuqi në atë kohë, rregullon çështjet që kanë të bëjnë me largimin e paligjshëm përtej kufijve të fëmijëve. Ai parashikon se, gjykatat duhet të vendosin për çdo kërkesë të këtij lloji, pas zhvillimit të një seance gjyqësore në të cilën marrin pjesë palët dhe një përfaqësues i ftuar i Bāriņtiesa. Përveç kësaj, gjykatat duhet të marrin parasysh mendimet e fëmijës, nëse ai ose ajo është në gjendje t’i formulojë ato.
45. Gjykata gjate shqyrtimit të këtyre kërkesave mund të marrë prova me iniciativën e saj. Ajo mund të përdorë mjetet më të përshtatshme procedurale dhe metodat më të shpejta të përcaktimit të fakteve, në mënyrë që të marrë një vendim brenda një periudhe prej gjashtë javësh pas dorëzimit të kërkesës.
46. Kur gjykata konstaton se fëmija është larguar ose mbahet në mënyrë të paligjshme në Letoni, urdhëron kthimin e fëmijës në vendin e tij qëndrimit kur plotësohet një nga kushtet e mëposhtme:
(1)Nuk ka kaluar një vit nga koha kur personi ose institucioni përkatës merr informacion për vendndodhjen e fëmijës; ose
(2)Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga koha që fëmija është larguar ose mbahet në mënyrë të paligjshme në Letoni, ai nuk është përshtatur me jetën në Letoni.
47. Kur gjykata konstaton se fëmija është larguar ose mbahet në mënyrë të paligjshme në Letoni mund të vendosë mos kthimin e fëmijës në vendin e tij të qëndrimit kur ekziston një nga rrethanat e mëposhtme:
(1)kur ka kaluar më shumë se një vit nga koha kur personi apo institucioni përkatës merr dijeni ose ka pasur mundësin praktike për të mësuar vendndodhjen e fëmijës, por gjatë kësaj periudhe asnjëri nuk ka nisur procedurat para institucionit përkatës për të kërkuar kthimin e fëmijës në vendin e tij të qëndrimit;
(2)fëmija është përshtatur me jetën në Letoni dhe kthimi i tij nuk është në interesin më të lartë të fëmijës.
48. Paragrafët e mësipërme janë të zbatueshëm për aq sa janë në përputhje me Konventën e Hagës dhe Rregulloren (EC) nr. 2201/2003 të Këshillit të Bashkimit Evropian.
E. Ligji për të drejtën familjare i 1975 i Komonuelthit të Australisë
49. Neni 61B përcakton përgjegjësinë prindërore si "të gjitha detyrat, kompetencat, përgjegjësitë dhe pushtetin që ligji u njeh prindërve në lidhje me fëmijët”.
50. Neni 61C parashikon që përgjegjësia prindërore për fëmijën që nuk ka mbushur moshën 18 vjeçare u takon secilit prej prindërve. Ajo rregullohet në bazë të urdhrave gjyqësorë.
51. Neni 111B parashikon si më poshtë për qëllimet e Konventës së Hagës:
(a) secili nga prindërit konsiderohet që ka të drejtat e kujdestarisë në lidhje me fëmijën përveç nëse atij i është hequr përgjegjësia prindërore me urdhër të gjykatës; dhe
(b) me përjashtim të rastit kur ka një urdhër të ndryshëm gjyqësor, një person: (i) me të cilin fëmija duhet të jetojë sipas urdhrit të gjykatës, ose (ii) i cili ka përgjegjësinë prindërore për fëmijën në bazë të urdhrit të gjykatës, konsiderohet se ushtron të drejtat e kujdestarisë në lidhje me fëmijën; dhe
(c) me përjashtim të rastit kur ka një urdhër të ndryshëm gjyqësor, një person, i cili ka përgjegjësi prindërore të fëmijës sipas këtij ligji ose ndonjë ligji tjetër Australian dhe është përgjegjës për mirëqenien dhe zhvillimin dhe kujdesin e përditshëm ose afatgjatë të fëmijës, konsiderohet se ushtron të drejtat e kujdestarisë në lidhje me fëmijën; dhe
(d) me përjashtim të rastit kur ka një urdhër të ndryshëm gjyqësor, një person: (i) me të cilin fëmija duhet të kalojë kohë në bazë të një urdhri të gjykatës, ose (ii) me të cilin fëmija duhet të komunikojë sipas një urdhri të gjykatës; konsiderohet se ka të drejtën për të mbajtur kontakte me fëmijën.
E DREJTA
I. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 8 TË KONVENTËS
52. Kërkuesja pretendoi, para Dhomës së Madhe, se ishte viktimë e vendimit të gjykatave të Letonisë për kthimin e vajzës së saj në Australi, i cili shkelte të drejtën e saj për respektimin e jetës familjare brenda kuptimit të nenit 8 të Konventës, i cili parashikon:
“1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”
A. Zbatueshmëria e nenit 8
53. Dhoma e Madhe vëren se, Qeveria kishte pohuar shprehimisht se, nuk e kontestonte faktin që vendimet e gjykatave letoneze që urdhëronin kërkuesen për kthimin e E. në Australi përbënin ndërhyrje në të drejtën e saj për respektimin e jetës familjare, të mbrojtur nga neni 8 i Konventës.
54. Ndërhyrja në të drejtën e kërkueses për respektimin e jetës së saj private dhe familjare, e konstatuar më lartë, është në shkelje të nenit 8 nëse nuk plotëson kërkesat e paragrafit 2 të kësaj dispozite. Kështu mbetet për t’u përcaktuar nëse ndërhyrja është e " parashikuar nga ligji ", ndjek një ose disa qëllime legjitime të përcaktuara në këtë paragraf dhe është "e nevojshme në një shoqëri demokratike" për arritjen e tyre.
B. Nëse ndërhyrja është e justifikuar
1. Baza ligjore
a. Vendimi i Dhomës
55. Dhoma vendosi se, dispozitat e të drejtës së brendshme dhe Konventës së Hagës tregonin në mënyrë mjaft të qartë se, për të përcaktuar nëse largimi i fëmijës ishte pa drejtë në kuptim të nenit 3 të Konventës së Hagës, gjykatat letoneze duhet të vërenin nëse ky largim ishte kryer në shkelje të të drejtave të kujdestarisë sipas së drejtës australiane, ku Australia ishte Shtetit në të cilin fëmija kishte banesën e përhershme para largimit të saj. Dhoma vuri në dukje se, autoritet australiane kur kishin shqyrtuar çështjen e përgjegjësisë prindërore të T pas largimit të fëmijës, ata thjesht kishin konfirmuar por nuk kishin vendosur se, kërkuesja dhe T kishin përgjegjësi të përbashkët prindërore që nga lindja e fëmijës sipas Ligjit australian të së Drejtës Familjare. Dhoma, më tej, vërejti se kërkuesja nuk ishte penguar të merrte pjesë në procesin e zhvilluar në Australi, i cili çoi në vendimin e sipërpërmendur, dhe as nuk ishte ndaluar të apelonte. Përveç kësaj, ajo nuk kishte kundërshtuar para gjykatave kombëtare, provat e sjella për të vërtetuar se T. ishte babai i fëmijës. Dhoma vlerësoi se, vendimi i gjykatës letoneze i 19 nëntorit 2008 i cili urdhëronte kthimin e fëmijës në Australi, dhe që ishte bërë i ekzekutueshëm më 26 janar 2009, ishte në përputhje me ligjin në kuptimin e nenit 8 të Konventës.
b. Parashtrimet e palëve
i. Kërkuesja
56. Para Dhomës, kërkuesja deklaroi se gjykatat vendase nuk kishin pasur asnjë bazë për zbatimin e dispozitave të Konventës së Hagës, pasi ajo e kishte rritur vajzën e saj si prind i vetëm në kohën e largimit së saj në Letoni. Ajo nuk bëri asnjë parashtrim në Dhomë të Madhe lidhur me këtë.
ii. Qeveria
57. Qeveria pohoi se ndërhyrja ishte në mënyrë të padiskutueshme "e parashikuar nga ligji" duke qenë se ajo bazohej në Konventën e Hagës mbi aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve.
c. Vlerësimi i Gjykatës
58. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, shprehja "e parashikuar nga ligji", jo vetëm kërkon që masa e kundërshtuar të ketë disa baza në të drejtën e brendshme, por edhe i referohet cilësisë së ligjit në fjalë, duke kërkuar që ai të jetë i aksesueshëm për personin në fjalë dhe i parashikueshëm për sa i përket efekteve të tij (shih, midis shumë vendimesh, Amann kundër Zvicrës [GC], nr. 27798/95, § 50, ECHR 2000-II; Slivenko kundër Letonisë [GC], nr. 48321/99, § 100, ECHR 2003-X, dhe Kurić dhe të tjerët kundër Sllovenisë [GC], nr. 26828/06, § 341, ECHR 2012 - ...)..
59. Gjykata vëren se, vendimi për kthimin e fëmijës në Australi ishte marrë nga Gjykata Rajonale e Rigës në bazë të Konventës së Hagës të 1980, një tekst i nënshkruar dhe i ratifikuar nga Letonia në vitin 1982. Për më tepër, Ligji letonez i Procedurës Civile, neni 644 i të cilit rregullon çështjet e largimit të paligjshëm të fëmijëve jashtë kufijve të Letonisë, e kushtëzon zbatimi i tij me përputhshmërinë me Konventën e Hagës, Rregulloren Brukseli II dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
60. Kërkuesja pretendoi se, në kohën e largimit të saj nga Australia, ajo e ushtronte e vetme përgjegjësinë prindërore ndaj vajzës së saj.
61. Megjithatë, Gjykata vëren se kjo çështje ishte shqyrtuar nga gjykatat letoneze të cilave u ishte paraqitur kërkesa për kthimin e fëmijës. Këto gjykata, duke deklaruar se nuk mund ta interpretonin dhe as ta ndryshonin atë, zbatuan vendimin e Gjykatës australiane për Çështjet Familjare të datës 6 nëntor 2008, i cili konfirmonte atësinë e T. dhe përgjegjësinë e përbashkët prindërore ndaj fëmijës që nga lindja e saj. Për pasojë, si Gjykata e Distriktit ashtu edhe Gjykata Rajonale e Rigës, konstatoi se kërkesa e T. ishte në përputhje me Konventën e Hagës në këtë drejtim.
62. Për më tepër, Gjykata çmon se nuk i takon asaj të vendosë nëse largimi ndërkombëtar i një fëmije është ose jo "i paligjshëm" brenda kuptimit të nenit 3 të Konventës së Hagës. Në të vërtetë, nuk është detyrë e Gjykatës për t’u marrë me gabime të faktit ose të së drejtës, të një gjykate kombëtare, përveç nëse janë cenuar të drejtat dhe liritë e mbrojtura nga Konventa (shih García Ruiz kundër Spanjës [GC], nr. 30544/96, § 28, ECHR 1999-I); u takon gjykatave të brendshme të zgjidhin problemet e interpretimit dhe zbatimit të legjislacionit të brendshëm, rregullave të së drejtës ndërkombëtare dhe traktateve ndërkombëtare (shih Maumousseau dhe Uashingtonin kundër Francës, nr. 39388/05, § 79, 6 dhjetor 2007, dhe Neulinger dhe Shuruk, cituar më lart, §100). Në rastin në fjalë, kërkuesja, jo vetëm kishte dështuar të përdorte mjetet ligjore në dispozicion për të kundërshtuar vendimin e gjykatës australiane që konfirmonte atësinë e T. dhe përgjegjësinë e përbashkët prindërore për fëmijën në kohën e largimit të saj nga Australia, çka ishte një parakusht i drejtpërdrejtë për zbatimin e Konventës së Hagës, por kishte dështuar edhe të tregonte që kishte qenë e pamundur për të kundërshtuar këtë vendim apo se gjykatat e brendshme kishin gabuar në këtë drejtim.
63. Në përfundim, Gjykata vëren se ndërhyrja e kundërshtuar ishte në përputhje me të drejtën e brendshme, sipas nenit 8 të Konventës.
2. Qëllimi legjitim
a. Vendimi i Dhomës
64. Dhoma vlerësoi se ndërhyrja kishte për qëllim mbrojtjen e të drejtave të T. dhe fëmijës, i cili ishte një qëllim legjitim sipas nenit 8 § 2 të Konventës.
b. Parashtrimet e palëve
i. Kërkuesja
65. Kërkuesja nuk shprehur ndonjë qëndrim në lidhje me këtë pikë.
ii. Qeveria
66. Sipas Qeverisë, ndërhyrja ndiqte një qëllim legjitim, pra mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të T. dhe të vajzës së tij.
c. Vlerësimi i Gjykatës
67. Dhoma e Madhe ndan të njëjtin mendim me Dhomën se, vendimi për të urdhëruar kthimin e fëmijës kishte qëllimin legjitim të mbrojtjes së të drejtave dhe liritë e T. dhe e E., i cili, për më tepër, nuk ishte kontestuar nga palët në këtë proces.
3. Nevoja e ndërhyrjes në një shoqëri demokratike
a. Vendimi i Dhomës
68. Në lidhje me faktin nëse ndërhyrja ishte "e nevojshme në një shoqëri demokratike", Dhoma vlerësoi, duke vënë në dukje se nuk ishte detyrë e saj të merrte vendin e autoriteteve vendore në përcaktimin e ekzistencës së një rreziku të madh në kuptim të nenit 13 (b), se duhej të vërtetonte nëse, në zbatimin dhe interpretimin e Konventës së Hagës, gjykata kishin vepruar në pajtim me kërkesat e nenit 8, veçanërisht në dritën e parimeve të përcaktuara nga Gjykata në vendimin e saj në çështjen Neulinger dhe Shuruk (cituar më lart). Duke sjellë në vëmendjen së pari raportin e psikologut, hartuar me kërkesën e nënës pas vendimit të shkallës së parë, Dhoma konkludoi se, Gjykata Rajonale e kishte hedhur poshtë atë, me arsyetimin se ajo lidhje me çështjen e kujdestarisë së fëmijës dhe se ky i fundit do të mbrohej në përputhje me legjislacionin australian. Sipas mendimit të Dhomës, edhe pse mos marrja në pyetje e fëmijës nuk ngrinte ndonjë çështje, për shkak të moshës së saj, Gjykata Rajonale duhet, megjithatë, të kishte shqyrtuar konkluzionet e vlerësimit psikologjik dhe kundërshtimeve nga Bāriņtiesa; për më tepër asgjë nuk e ndalonte gjykatën të urdhëronte ajo vetë hartimin e një raporti psikologjik.
69. Dhoma më tej vërejti se, gjykatat duhet të kishin vlerësuar nëse ekzistonin masa mbrojtëse të mjaftueshme për të siguruar që kthimi të kryhej në kushtet më të mira të mundshme për fëmijën, veçanërisht duke i kushtuar rëndësi mirëqenies së saj materialet në Australi, si dhe mundësinë që kërkuesja të ndiqte vajzën e saj dhe të mbante kontakte me të.
70. Ndërkohë që vëren se vendimi i gjykatave letoneze në këtë rast është i ndryshëm nga vendime të marra në procese të tjera sipas Konventës së Hagës në Letoni (shih Šneersone dhe Kampanella, nr. 14737/09, § 94, 12 korrik 2011), dhe duke hedhur poshtë argumentin e Qeverisë se kërkuesja nuk kishte bashkëpunuar si dhe duke vënë në pah mënyrën traumatike në të cilën vendimi ishte ekzekutuar, Dhoma arriti në përfundimin se, gjykatat letoneze kishin dështuar të bënin një analizë të thellë të të gjithë situatës familjare dhe të një sërë faktorësh, duke e bërë kështu ndërhyrjen jo proporcionale brenda kuptimit të nenit 8.
b. Parashtrimet e palëve
i. Kërkuesja
71. Kërkuesja e konsideroi vendimin e Dhomës si një material shembull i cili ndihmonte autoritetet vendore në konstatimin e interesin më të lartë të fëmijës. Ajo vuri në dukje se, vërtet Qeveria kishte shprehur keqardhje, në kërkesën e tyre për referimin e çështjes në Dhomë të Madhe, pasi Dhoma nuk kishte pasur në dispozicion të gjitha dokumentet e dosjes gjyqësore të shqyrtuar nga gjykatat e brendshme, por kishte qenë përgjegjësi e tyre për t’i paraqitur ato dokumente. Ajo argumentoi se, nuk kishte qenë qëllimi i autoriteteve të brendshme interesi më i lartë i fëmijës dhe vërejti se, në këtë rast, raportet psikologjike kishin qenë e vetmja metodë e përcaktimit të interesit më të lartë të fëmijës e megjithatë gjykatat vendase kishin refuzuar të shqyrtonin vlerësimin psikologjike që u ishte paraqitur, duke shkelur kështu nenin 12 të Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Fëmijës (dëgjimit të fëmijës, direkt ose nëpërmjet një organ përfaqësues dhe të përshtatshëm). Ajo theksoi se, në përcaktimin e " interesit më të lartë ", duhen konsideruar në përgjithësi një numër faktorësh që lidhen me rrethanat e fëmijës, rrethanat dhe kapacitetin e kujdestarëve të mundshëm të fëmijës, me sigurinë e fëmijës dhe mirëqenien e tij si një çështje shumë e rëndësishme.
72. Kërkuesja shtoi se, iu drejtuar Gjykatën me qëllimi kryesor për të kundërshtuar qëndrim e gjykatave të brendshme në raste të ndryshme që kishin të bënin me Konventën e Hagës të vitit 1980 dhe për të treguar nevojën e garantimit të interesit më të lartë të fëmijës.
ii. Qeveria
73. Qeveria vuri në dukje se, Gjykata vendosi një sërë detyrimesh mbi autoritetet vendore, dhe në veçanti: prindërit duhej të përfshiheshin në procesin e vendim-marrjes në një shkallë të mjaftueshme në mënyrë që ata të mund të mbronin interesave të tyre (Iosub Caras, cituar më lart, § 41), parandalimin e dëmit të mëtejshëm ndaj fëmijës ose paragjykimin të palëve të interesuara, siç përcaktohet në nenin 7 të Konventës së Hagës (ibid., § 34, dhe Ignaccolo-Zenide kundër Rumanisë, nr. 31679/96, § 99, 25 janar 2000), kryerjen në mënyrë urgjente të procedurave që kanë të bëjnë me kthimin e një fëmije të rrëmbyer, duke përfshirë zbatimin e vendimeve të marra (Carlson kundër Zvicrës, nr. 49492/06, § 69, 6 nëntor 2008), dhe dëmshpërblimin e prindit kërkues në rast të dështimit për të respektuar afatin gjashtë javor të parashikuar në nenin 11 të Konventës së Hagës (ibid, § 55).
74. Ata vërejtën se këto parime duheshin zbatuar në një mënyrë që do të siguronte maksimalisht një ekuilibër midis të drejtave të çdo prind dhe të fëmijës. Megjithatë, ato theksuan vështirësinë e detyrës së autoriteteve vendase kur përballeshin me rrëmbime ndërkombëtare të fëmijës, çka jo gjithmonë i lejonte atyre të mbronin interesin më të lartë të të gjitha palëve, dhe sidomos ato të fëmijës, kur shpesh herë këto interesa janë të ndryshme për mos thënë kontradiktore. Ata më tej insistuan për të vendosur një vijë të qartë dalluese midis procedurave të kthimit dhe procedurave të kujdestarisë.
75. Qeveria vlerësoi se, autoritetet vendase gëzonin një hapësirë vlerësimi në zbatimin e këtyre parimeve në varësi të rrethanave të secilit rast. Detyra e Gjykatës nuk ishte për të analizuar çdo detaj të procedurave të brendshme, por për të shqyrtuar nëse procesi i vendimmarrjes, i parë si një i tërë, u siguronte individëve në fjalë mbrojtjen e duhur të interesave të tyre (Diamante dhe Pelliccioni kundër San Marinos, nr. 32250/08, § 187, 27 shtator 2011), duke qenë se Gjykata nuk ishte gjykatë e shkallës së katërt. Rrjedhimisht, situata do ishte ndryshe vetëm nëse të metat e vërejtura kishin qenë vendimtare për rezultatin e çështjes (Broka kundër Letonisë, nr. 70926/01, § § 25-26, 28 qershor 2007).
76. Në rastin në fjalë, ata ishin të mendimit se, autoritetet vendase u ishin përmbajtur parimeve të mësipërme dhe kishte kryer një "ekzaminim të plotë të të gjithë situatës së familjes dhe të një sërë faktorësh" (Neulinger dhe Shuruk, cituar më lart, § 139), por shqyrtimi i gjendjes së përgjithshme të familjes ndryshon në varësi të çështjes, në varësi të ekzistencës ose jo prima facie të problemeve, ose të paktën të dyshimeve të arsyeshme. Për më tepër, rreziku i parashikuar në nenin 13 (b) duhet të ishte "i rëndë", përveç faktit se interesi më i lartë i fëmijës kërkonte procedura të shpejta.
77. Qeveria deklaroi se, kërkesa e paraqitur nga autoritetet australiane autoriteteve letoneze më 15 shtator 2008 vërtetonte që T. kishte përgjegjësi të përbashkët prindërore për fëmijën dhe se, në kundërshtim me parashtrimet e kërkueses, vendimi i 6 nëntorit 2008 nuk ia jep T. këtë përgjegjësi, por konfirmonte ekzistencën e saj në kohën e largimit të vajzës së tij nga Australia. Të dyja gjykatat, australiane dhe letoneze, kishin vendosur se: T e ushtronte në mënyrë efektive përgjegjësitë e tij prindërore; kishte baza të mjaftueshme për të menduar që T. ishte babai biologjik i fëmijës; dhe se kërkuesja, nga ana e saj, kishte bërë deklarata të rreme përpara autoritetet, për të marrë përfitime.
78. Ata theksuan se, raporti psikologjik ishte hartuar privatisht me kërkesë e kërkueses dhe se Bāriņtiesa nuk ishte një institucion gjyqësor. Pavarësisht mos pranimit të raportit të psikologut dhe vërejtjeve nga Bāriņtiesa, gjykatat e kishin shqyrtuar situatën e familjes në dritën e provave në dispozicionin e tyre, çka ishte pjesë e pandarë e juridiksionit të tyre dhe se jurisprudenca e Gjykatës nuk e kishte vënë kurrë në dyshim atë pushtet. Gjykatat letoneze kishin konkluduar se, largimi i kërkueses me vajzën e saj nga Australia, ishte motivuar vetëm nga mosmarrëveshjet e saj personale me T. dhe se nuk kishte asnjë rrezik të dukshëm të dëmtimit të fëmijës në rast se ajo kthehej; ato më tej pohuan se autoritetet letoneze nuk e kishin zbatuar Konventën e Hagës as automatikisht dhe as mekanikisht, duke mos përfillur kështu parimet sipas nenit 8 të Konventës.
79. Qeveria theksoi se "mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i të gjithë të interesuarve janë gjithmonë elementët më të rëndësishëm" në vlerësimin e rrethanave individuale të një çështjeje (Maumousseau dhe Washington kundër Francës, cituar më lart, § 83 dhe Neulinger dhe Shuruk, cituar më lart, § 140). Megjithatë ata vërenin se kërkuesja kishte demonstruar mungesë bashkëpunimi me autoritetet australiane dhe letoneze, duke injoruar ftesën për të marrë pjesë në procesin para gjykatës australiane, duke mos lejuar përfaqësuesit e Bāriņtiesa për vlerësimin kushteve të saj të jetesës me vajzën në Letoni, duke penguar kontaktet midis T. dhe vajzës e tij dhe sjellja e saj ishte tejet agresive ndaj T. gjatë procesit.
80. Ata gjithashtu konkluduan se gjykatat kishin vepruar drejt duke mos e shqyrtuar çështjen e integrimit të vajzës në mjedisin e saj të ri, pasi ajo kishte kaluar vetëm disa muaj në Letoni.
81. Ata vunë në dukje se gjykatat nuk kishin urdhëruar kthimin e fëmijës tek babait i saj, por kthimin e fëmijës në Australi, duke treguar një dallim të qartë midis kthimit të fëmijës dhe çështjes së kujdestarisë së saj, një qëndrim ky i pranuar nga Gjykata (M.R dhe L.R kundër Estonisë (vendim), nr. 13420/12, § § 47-48, 15 maj 2012, dhe Tarkhova kundër Ukrainës (vendim), nr. 8984/11, 6 shtator 2011). Në çdo rast, situata financiare T. nuk ishte i tillë si që ta pengonte atë për t’u kujdesur për vajzën e tij.
82. Qeveria theksoi nevojën për të dalluar çështjen e marrëdhënies së kërkueses me fëmijën dhe rreziku që kjo marrëdhënie të dobësohej në rast të kthimit të vajzës, nga çështja e një rreziku të cenimit të interesave themelore të fëmijës brenda kuptimit të nenit 13 (b) të Konventës së Hagës. Si një qytetare australiane, kërkuesja nuk do të përballej me vështirësi të pakapërcyeshme në qoftë se kthehej në Australi, pasi ajo gëzonte spektrin e plotë të të drejtave themelore, në ndryshim nga kërkuesit në rastin e Neulinger dhe Shuruk (cituar më lart). Në rastin në fjalë, si fëmija dhe nëna kishin shtetësi australiane. Për më tepër, nëna kishte pasur akses në tregun e punës, duke qenë se ajo kishte gjetur punë që kur ishte kthyer dhe mund të përfitonte nga ndihmat sociale. Nuk kishte asnjë precedent dhune në familje apo keqpërdorimi të autoritetit nga ana e T., ndërsa kërkuesja kishte demonstruar mungesë bashkëpunimi dhe qëndrim agresiv. Së fundi, Qeveria tërhoqi vëmendjen e Gjykatës për faktin se ata nuk mund të jenë përgjegjës për vendimet e marra nga autoritetet australiane ( ata iu referua M.R dhe L.R, cituar më lart).
c. Ndërhyrjet e palëve të treta
i. Qeveria e Finlandës
83. Qeveria vuri në dukje se Konventa e Hagës e 1980 bazohej në interesin më të lartë të fëmijës dhe kishte për qëllim mbrojtjen e fëmijës nga efektet dëmtuese të rrëmbimit, ndërkohë që parashikonte rastet kur kthimi i fëmijës duhej refuzuar. Ata theksuan se neni 11 i Rregullores të Brukselit II, e zbatueshme në Bashkimin Evropian, i zvogëlonte edhe më shumë përjashtimet nga kthimi i fëmijës dhe reflektonte pikëpamjen e Shteteve Anëtare të BE-së se efektiviteti i Konventës së Hagës i shërbente interesit më të lartë të fëmijës dhe familjes së tij. Ata më tej iu referuan Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës.
84. Në lidhje me rastin në fjalë, ata vërejtën, në veçanti, se detyrimi i gjykatave të brendshme, të cilat vendosnin për kthimin e fëmijës, për të kryer një "ekzaminim të plotë të të gjithë situatës familjare", siç Dhoma kishte kërkuar në vendimin e saj, binte në kundërshtim me Konventës e Hagës, sipas së cilës çështjet që kanë të bëjnë me kujdestarinë apo vendbanimin e fëmijës ishin nën juridiksionin e gjykatave të vendit ku fëmija kishte banesën e përhershme.
85. Për më tepër, ata pohuan se gjykatat e brendshme ishin në pozitën më të mirë për të vlerësuar interesin më të lartë të fëmijës: Gjykata nuk duhet të zërë vendin e tyre, por thjesht të verifikojë nëse ishin plotësuar kërkesat e nenit 8. Kërkesa për një ekzaminim të plotë, në fund të fundit zvogëlonte dallimet ndërmjet procedurës për kthim dhe procedurës së kujdestarisë, çka do ja humbiste kuptimin Konventës së Hagës. Ata theksuan se kjo Konventë parashikonte në nenet 12, 13 dhe 20 përjashtimet nga kthimi i fëmijës.
86. Në lidhje me vlerësimin psikologjik të cilit, sipas gjykimit të Dhomës, gjykatat e brendshme nuk i kishin kushtuar rëndësi mjaftueshëm, Qeveria vuri në dukje se ky raport ishte paraqitur nga nëna për të demonstruar ekzistencën e rrezikut të madh që i kanosej fëmijës në rast kthimi, brenda kuptimit të nenit 13 të Konventës së Hagës. Në konstatimin e këtyre pretendimeve si të pabazuara, gjykata e apelit i kishte rrëzuar ato sipas nenit 13 të Konventës së Hagës, brenda hapësirës së lejuar të diskrecionit nga, dhe në përputhje me objektivin e ndjekur nga Konventa e Hagës. Në dritën e këtyre argumenteve, dhe duke iu referuar edhe mendimit të pakicës së gjyqtarëve Myjer dhe López Guerra, bashkëlidhur vendimit të Dhomës, Qeveria e Finlandës ishte e mendimit se nuk kishte shkelje të nenit 8 të Konventës në këtë rast.
ii. Qeveria e Republikës Çeke
87. Qeveria vlerëson se vendimi i Dhomës së Madhe do të ishte me rëndësi të konsiderueshme jo vetëm për Shtetin e paditur dhe sistemin e Konventës, por edhe për funksionimin e Konventës së Hagës dhe për vendet jashtë kontinentit evropian. Ata pohuan se Konventa e Hagës parashikonte procedurat e duhura, duke pasur parasysh pasojat serioze të rrëmbimit si për fëmijën ashtu edhe për prindin që ankohet për rrëmbimin. Në mënyrë që parandalojë efektet e dëmshme të rrëmbimit, është e nevojshme zhvillimi i procedurave të shpejta dhe një kthim sa më i shpejtë i fëmijës. Konventa e Hagës bazohet në supozimin se rivendosja e status quo që ka ekzistuar para largimit të paligjshëm ishte hapi i parë për tu ndërmarrë për të siguruar mbrojtjen e të drejtat në fjalë. Ata gjithashtu, në një mënyrë të ngjashme, iu referuan Rregullores së Brukselit II, të zbatueshme në Bashkimin Evropian.
88. Më tej, Qeveria theksoi se Konventa e Hagës ja kishte lënë në mënyrë të qartë çështjen e kujdestarisë gjykatave të vendit të banesës së përhershme të fëmijës dhe se refuzimi i kthimit të fëmijës ishte parashikuar në rastet e një rreziku të madh për të. Qeveria e konsideroi zhvillimin e jurisprudencës së Gjykatës në këtë fushë, pikat kryesore të së cilës ata i përmendën, se dëmtonte parimin e subsidiaritetit dhe binte në kundërshtim me qëllimin e ndjekur nga Konventa e Hagës. Një "ekzaminim i plotë i të gjithë situatës familjare" çonte në shqyrtimin e vetë çështjes së kujdestarisë dhe ngadalësonte procesin ndërkohë që kalimi i kohës mund të luante një rol të rëndësishëm, kur fëmija dëgjohej në proces. Përveç kësaj, drejtësia bazë do të thotë se prindi rrëmbyes, të cilit i kërkohet të provojë në një kohë të shkurtër ekzistencën e një kërcënim serioz në rast të kthimit të fëmijës, është privuar nga çdo avantazh procedural përveç aksesit në gjykatat e vendit të zgjedhjes së tij për të përcaktuar themelin e çështjes së kujdestarisë.
89. Qeveria e Republikës Çeke vuri në dukje, në veçanti, një konflikt ndërmjet kërkesës së shpejtësisë të përcaktuar në Konventën e Hagës dhe standardit të lartë të provës të përcaktuar në jurisprudencën e Gjykatës. Vlerësimi i interesit më të lartë të fëmijës ndryshonte në mënyrë të konsiderueshme në varësi të faktit nëse vlerësimi kryhej gjatë procedurave për kthimin e fëmijës para gjykatës së vendit në të cilin fëmija mbahej në mënyrë të pa ligjshme apo gjatë procedurave të kujdestarisë pranë gjykatës së vendin të banesës së përhershme të fëmijës. Duke qenë se Shtetet që ishin Palë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Konventës së Hagës, duhej të përmbushnin detyrimet e tyre në lidhje me të dy këto tekste, kërkohej një interpretim dhe zbatim më konsistent i tyre, në mënyrë që këto tekste të ishin në pajtim me njëri tjetrin. Vlen të vihet në dukje këtu se Rregullorja e Brukseli II ishte edhe më strikte se Konventa e Hagës. Baza e të dhënave, e krijuar nga ana e Zyrës së Përhershme të Konferencës së Hagës mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private (INCADAT), tregonte se gjykatat kombëtare ishin të prirura për të një zbatim të përpiktë të Konventës së Hagës, në përputhje me qëllimin e saj. Qeveria e Republikës Çeke, duke iu referuar parimit të subsidiaritetit, ftoi Dhomën e Madhe të përmbys vendimin e Dhomës dhe të vendosë kufizime mbi ekzaminimin e gjendjes familjare nga gjykata e cila vendos mbi kërkesën për kthimin e fëmijës.
iii. Qendra për Ribashkim në rastet e Rrëmbimin Ndërkombëtar të Fëmijëve (“Ribashkimi”)
90. “Ribashkimi” vuri në dukje se, Konventa e Hagës ishte projektuar për të lehtësuar mbrojtjen e fëmijëve që kishin objekt i një rrëmbimi ndërkufitar, në bazë të supozimit se, me përjashtime të caktuara, kthimi i shpejtë i fëmijës ishte në interesat e tij më të lartë. “Ribashkimi” aprovon krejtësisht përmbledhje e Gjykatës të qëllimet dhe objektivave të Konventës së Hagës në vendimin e saj në rastin e Maumousseau dhe Washington (cituar më lart, § 69). Ajo vuri në dukje në mënyrë të veçantë se Konventa e Hagës, një konventë jashtëzakonisht e suksesshme në luftën kundër rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve, kishte si qëllim të mbronte fëmijët dhe jo të rriturit. Kjo Konventë parashikonte, me disa përjashtime të pakta në numër, kthimin e shpejtë të fëmijës, duke ia lënë çështjet e mirëqenies afatgjatë të fëmijës gjykimit të gjykatave të vendit të banesës së përhershme të fëmijës. Kështu këto të fundit kishte detyrën e kryerjes së një studimi të hollësishëm të situatës, në interes të fëmijës, ndryshe nga gjykatat e shtetit ku mbahej fëmija i rrëmbyer, të cilat, kur shqyrtonin kërkesën për kthim, duheshin të kufizoheshin në një shqyrtim brenda kuadrit të përcaktuar në Konventën e Hagës.
91. Ndërkohë që vuri re se Gjykata, në jurisprudencën e saj, kishte identifikuar një numër faktorësh kryesor për funksionimin e duhur të Konventës së Hagës, “Ribashkimi” theksoi se zhvillimet e fundit sugjeronin që gjykatave u kërkohej të kryenin një ekzaminim më të plotë kur përcaktonin përjashtime nga kthimi i fëmijës. Prandaj ftoi Dhomën e Madhe për të sqaruar çështjen e kërkesës për një ekzaminim më të thellë të të gjithë situatës familjare në kontekstin e Konventës së Hagës dhe për ta bërë të qartë se kjo kishte të bënte vetëm me përputhshmërinë e kthimit të fëmijës me Konventën dhe nuk vinte në dyshim juridiksionin ekskluziv të gjykatave të vendit të banesës së përhershme për të vendosur mbi themelin.
d. Vlerësimi i Gjykatës
i. Parimet e përgjithshme
92. Gjykata çmon të nevojshme për të rikujtuar, qysh në fillim, parime të caktuara të cilat duhet ta udhëheqin atë në shqyrtimin e çështjes në fjalë, dhe të cilat ajo i solli në vëmendje në vendimin e saj të fundit në çështjen Nada kundër Zvicrës ([GC], nr. 10593/08, § 167, 12 shtator 2012 ECHR 2012-...), i cili lexon si më poshtë:
“168. Sipas jurisprudencës, një Palë Kontraktuese është përgjegjëse sipas nenit 1 të Konventës për të gjitha veprimet dhe mosveprimet e organeve të tij, pa marrë parasysh nëse veprimi apo mosveprimi në fjalë ishte pasojë e zbatimi të së drejtës së brendshme apo i nevojës për të përmbushur detyrimet ligjore ndërkombëtare. Neni 1 nuk bën asnjë dallim për sa i përket llojit të rregullit ose masës në fjalë dhe nuk përjashton asnjë pjesë të " juridiksionit " të një Pale Kontraktuese nga shqyrtimi në bazë të Konventës ( shih Bosphorus Hava Yolları Turizm ve Ticaret Anonim Şirketi, cituar më lart, § 153 dhe Partia e Bashkuar Komuniste e Turqisë dhe të Tjerët kundër Turqisë, 30 janar 1998, § 29, Raportet 1998- I). Angazhimet sipas Traktateve, ku një Shtet bëhet palë pas hyrjes në fuqi të Konventës për këtë Shtet, mund të sjellin lindjen e përgjegjësisë së tij për qëllimet e Konventës ( shih El Saadoon dhe Mufdhi kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 61498/08, § 128, ECHR 2010 dhe Bosphorus Hava Yolları Turizm ve Ticaret Anonim Şirketi, cituar më lart, § 154 dhe rastet e cituara aty).
169. Për më tepër, Gjykata përsërit se, Konventa nuk mund të interpretohet në vakum, por duhet të interpretohet në harmoni me parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Duhet të merren në konsideratë, siç tregohet në nenin 31 § 3 (c) të Konventës së Vjenës të 1969 për të Drejtën e Traktateve, "rregullat përkatëse të së drejtës ndërkombëtare të zbatueshme në marrëdhëniet ndërmjet palëve" dhe në veçanti rregullat për mbrojtjen ndërkombëtare e të drejtave të njeriut (shih, për shembull, Neulinger dhe Shuruk kundër Zvicrës [GC], nr. 41615/07, § 131, ECHR 2010; Al Adsani kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 35763/97, § 55, ECHR 2001-XI dhe Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar, 21 shkurt 1975, § 29, Seria A nr. 18).
170. Kur krijojnë detyrime të reja ndërkombëtare, supozohet se Shtetet nuk do t’i shmangen detyrimet e tyre të mëparshme. Kur një numër instrumentesh kontradiktorë janë të zbatueshme në të njëjtën kohë, jurisprudenca ndërkombëtare dhe mendimi akademik duhet të përpiqen t’i interpretojnë ato në një mënyrë të tillë që të koordinojnë efektet e tyre dhe të shmangin çdo konflikt ndërmjet tyre. Kështu, dy angazhimet të kundërta duhet të harmonizohen sa më shumë të jetë e mundur në mënyrë që të prodhojnë efekte që janë plotësisht në përputhje me të drejtën ekzistuese (shih, për këtë qëllim, Al-Saadoon dhe Mufdhi, cituar më lart, § 126; Al-Adsani, cituar më lart, § 55, dhe Banković, cituar më lart, § § 55-57, shih gjithashtu referencat e cituara në raportin e grupit të studimit të Komisionit i së Drejtës Ndërkombëtare me titull "Copëzimi i të drejtës ndërkombëtare: vështirësitë që lindin nga diversifikimi dhe zgjerimi i së drejtës ndërkombëtare" ...) .
93. Sa i përket, në mënyrë më specifike, marrëdhënies ndërmjet Konventës dhe Konventës së Hagës mbi aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve të 25 tetorit 1980, Gjykata rithekson se në fushën e rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve detyrimet e imponuara nga neni 8 mbi Shtetet Kontraktuese, duhet të interpretohet në dritën e kërkesave të Konventës së Hagës (shih Ignaccolo-Zenide, cituar më lart, § 95; Iglesias Gil dhe AUI kundër Spanjës, nr. 56673/00, § 51, ECHR 2003-V dhe Maumousseau dhe Washington, cituar më sipër, § 60) dhe ato të Konventës mbi të Drejtat e Fëmijëve të 20 nëntorit 1989 (shih Maire, cituar më lart, § 72; Maumousseau dhe Washington, cituar më sipër, dhe Neulinger dhe Shuruk, cituar më lart, § 132), dhe e rregullave përkatëse e parimeve të së drejtës ndërkombëtare të zbatueshme në marrëdhëniet ndërmjet Palëve Kontraktuese (shih Demir dhe Baykara kundër Turqisë [GC), nr. 34503/97, § 67, ECHR 2008 - ...).
94. Kjo qasje përfshin një zbatim të kombinuar dhe harmonik të instrumenteve ndërkombëtare dhe në veçanti, në rastin në fjalë, të Konventës dhe të Konventës së Hagës, duke i dhënë rëndësi qëllimit dhe impaktit të saj në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe prindërve. Me qëllim që Gjykata të kryejë detyrën e saj në mënyrë të plotë, pra "të sigurojë respektimin e zotimeve të ndërmarra nga Palët e Larta Kontraktuese" për Konventën (shih, midis vendimesh të tjera, Loizidou kundër Turqisë (Pretendimet paraprake), 23 mars 1995, § 93, Seria A nr. 310), duke e interpretuar dhe aplikuar dispozitat e Konventës në një mënyrë që i bën garancitë e saj praktike dhe efektive (shih, në veçanti, Artico kundër Italisë, 13 maj 1980, § 33, Seria A nr. 37, dhe Nada, cituar më lart, § 182) një qasje e tillë në lidhje me dispozitat ndërkombëtare, nuk duhet të rezultojë në konflikt ose kundërshti ndërmjet traktateve të ndryshme.
95. Çështja vendimtare është nëse, baraspesha e drejtë që duhet të ekzistojë ndërmjet interesave konkurruese në shqyrtim - të fëmijës, të prindërve dhe të rendit publik – është arritur, brenda hapësirës së vlerësimit që gëzojnë Shtete në çështje të tilla (shih Maumousseau dhe Washington, cituar më sipër, § 62), duke marrë parasysh, megjithatë, se interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata parësore dhe se objektivat e parandalimit dhe kthimit të menjëhershëm korrespondojnë me një konceptim të veçantë të "interesit më të lartë të fëmijës" (shih paragrafin 35 më lart).
96. Gjykata përsërit se, ekziston një konsensus i gjerë - përfshirë në të drejtën ndërkombëtare - në mbështetje të idesë se në të gjitha vendimet në lidhje me fëmijët, interesi i tyre më i lartë mirë duhet të jetë konsiderata parësore (shih paragrafët 37-39 më lart).
97. E njëjta filozofi gjendet në Konventën e Hagës, e cila e lidh interesin më të lartë me rivendosjen e status quo me anë të një vendimi që urdhëron kthimin e menjëhershëm të fëmijës në vendin e tij të banesës së përhershme në rast të rrëmbimit të paligjshëm, me përjashtim të rasteve kur ekzistojnë arsye objektive që justifikojnë mos kthimin e fëmijës, që i korrespondojnë interesit të fëmijës. Në këtë rast duhet shpjeguar ekzistenca e rastit përjashtimor, veçanërisht kur jemi në rastin rrezikut të madh të ekspozimit të fëmijës ndaj dëmit fizik ose psikologjik në rast kthimi ose vendosjen e fëmijës në një situatë të patolerueshme ( neni 13, paragrafi i parë, (b)). Më tej Gjykata vëren se, Bashkimi Evropian ka të njëjtën filozofi, në kuadrin e një sistemi që përfshin vetëm Shtetet Anëtare të BE dhe të bazuar në parimin e besimit të ndërsjellë. Rregullorja e Brukselit II, rregullat e së cilës në lidhje me rrëmbimin e fëmijëve plotësojnë ato të përcaktuara tashmë në Konventën e Hagës, po ashtu i referohet në Preambulën e saj interesit më të lartë të fëmijës (shih paragrafin 42 më lart), ndërsa neni 24 § 2 të Kartës së të Drejtave Themelore të Njeriut thekson se në të gjitha veprimet që lidhen me fëmijët interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata primare (shih paragrafin 41 më lart).
98. Kështu, del qartë jo vetëm nga neni 8 i Konventës, por edhe nga vetë Konventa e Hagës, ku parashikohet mundësia e përjashtimit nga parimi i kthimit të shpejtë të fëmijës në vendin e tij të banesës së përhershme, që një kthim i tillë nuk mund të urdhërohet automatikisht ose në mënyrë mekanike (shih Maumousseau dhe Washington, cituar më lart, § 72, dhe Neulinger dhe Shuruk, cituar më lart, § 138).
99. Siç Gjykata përsëriti në vendimin e saj në çështjen Neulinger dhe Shuruk (cituar më lart, § 140), detyrimet që Shtetet kanë në lidhje me këtë janë përcaktuar në rastin e Maumousseau dhe Washington (cituar më lart, § 83).
100. Interesi më i lartë e fëmijës nuk përputhet me atë të babait apo nënës, përveçse në masën që ato domosdoshmërisht kanë të përbashkët kriteret e ndryshme të vlerësimit në lidhje me personalitetin individual të fëmijës, historikun dhe situatën të veçantë. Megjithatë, ato nuk mund të kuptohen në mënyrë identike si në rastin kur gjykata është duke shqyrtuar një kërkesë për kthimin e fëmijës në zbatim të Konventës së Hagës ashtu edhe në rastin kur ajo po shqyrton themelin e kërkesës për kujdestarinë ose përgjegjësinë prindërore, ku këto të fundit, në parim, nuk kanë lidhje me qëllimin e Konventës së Hagës (nenet 16, 17 dhe 19; shih gjithashtu paragrafin 35 më sipër).
101. Kështu, në kontekstin e kërkesës për kthim, të përpiluar në bazë të Konventës së Hagës, e cila dallon nga procedurat e kujdestarisë, koncepti i interesit më të lartë të fëmijës duhet të vlerësohet në dritën e përjashtimeve nga parimi i kthimit, të parashikuara nga Konventa e Hagës, të cilat kanë të bëjnë me kalimin e kohës (neni 12), kushtet e zbatimit të Konventës (neni 13 (a)) dhe ekzistencën e një " rreziku të madh " (neni 13 (b)), dhe përputhshmërisë me parimet themelore të Shtetit që i kërkohet kthimi në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore (neni 20). Kjo detyrë bie në radhë të parë tek autoritetet kombëtare të Shtetit që i kërkohet kthimi, të cilat kanë, ndër të tjera, avantazhin e kontaktit të drejtpërdrejtë me palët e interesuara. Në përmbushjen e detyrave të tyre në bazë të nenit 8, gjykatat vendase gëzojnë një liri vlerësimi, e cila megjithatë mbetet subjekt i mbikëqyrjes evropiane, ku Gjykata shqyrton në bazë të Konventës, vendimet që autoritete kanë marrë në ushtrimin e kësaj kompetence (shih, mutatis mutandis, Hokkanen kundër Finlandës, 23 shtator të vitit 1994, § 55, Seria A nr. 299-A dhe gjithashtu Maumousseau dhe Washington, cituar më lart, § 62 dhe Neulinger dhe Shuruk, cituar më lart, § 141).
102. Në mënyrë të veçantë, në kontekstin e këtij shqyrtimi, Gjykata thekson se, nuk propozon të zëvendësojë vlerësimin e gjykatave të brendshme me vlerësimin e saj (shih, për shembull, Hokkanen kundër Finlandës, të cituar më lart, dhe K. dhe T. kundër Finlandës [GC], nr. 25702/94, § 154, ECHR 2001-VII). Megjithatë, ajo duhet të sigurohet se procesi i vendimmarrjes nga ana e gjykatave të vendit, i cili çoi në miratimin e masave të kundërshtuara, ishte i drejtë, u krijoi mundësinë personave të interesuar të paraqisnin rastin e tyre të plotë dhe ishte mbrojtur interesi më të lartë i fëmijës (shih Eskinazi dhe Chelouche kundër Turqisë (vendim), nr. 14600/05, ECHR 2005-XIII (ekstrakte); Maumousseau dhe Washington, e cituara më lart, dhe Neulinger dhe Shuruk, cituar më lart, § 139).
103. Në lidhje me këtë, Qeveria vërejti, në mënyrë të veçantë, se duhej të shqyrtohej situata e përgjithshme e familjes sipas rrethanave të çdo rasti (shih paragrafin 75 më lart). Nga ana e tyre, palët e treta ndërhyrëse ose ishin të mendimit se kërkesa e një "ekzaminim të plotë të të gjithë situatës familjare" (Neulinger dhe Shuruk, cituar më lart) binte në konflikt me Konventën e Hagës (shih paragrafët 84 dhe 88 më lart), ose i kërkuan Gjykatës për të sqaruar këto pikëpyetje (shih paragrafin 91 më lart) dhe për të vendosur kufizime mbi ekzaminimin e gjendjes familjare nga gjykata që vendos mbi kërkesën për kthimin e fëmijës (shih paragrafin 89 më lart).
104. Në këtë pikë, Gjykata vëren se vendimi i Dhomës në rastin e Neulinger dhe Shuruk (cituar më lart, § 139), të cilit iu referuan një numër vendimesh të mëvonshme (shih, inter alia, Raban kundër Rumaninë, nr. 25437/08, § 28, 26 tetor 2010; Šneersone dhe Kampanella, cituar më lart, § 85, dhe, së fundmi, M.R dhe L.R, cituar më lart, § 37) mund dhe në të vërtetë është lexuar sikur sugjeron se, ishte e nevojshme që gjykatat e brendshme të shqyrtonin në mënyrë të hollësishme të gjithë situatën e familjes dhe të një sërë faktorësh të tjerë. Ky formulim tashmë ishte përdorur nga vendimi i Dhomës në rastin e Maumousseau dhe Washington (cituar më lart, § 74), ku një shqyrtimi i tillë, në fakt, ishte bërë nga gjykatat kombëtare.
105. Në këto kushte Gjykata çmon të përshtatshme për të sqaruar se përfundimi i saj në paragrafin 139 të vendimit në rastin Neulinger dhe Shuruk nuk përcaktonte, në vetvete, ndonjë parim për zbatimin e Konventës së Hagës nga gjykatat e brendshme.
106. Gjykata është e mendimit se një interpretim harmonik i Konventës Evropiane dhe Konventës së Hagës (shih paragrafin 94 më lart) mund të arrihet nëse respektohen dy kushtet e mëposhtme. Së pari, faktorët që çojnë në një përjashtim nga parimi i kthimit të menjëhershëm të fëmijës në zbatim të neneve 12, 13 dhe 20 të kësaj Konvente, veçanërisht kur ato janë ngritur nga njëra prej palëve në proces, duhet të merren vërtet parasysh nga gjykata që shqyrtojnë kërkesën. Kjo gjykatë duhet më pas të marrë një vendim që është i arsyetuar mjaftueshmërisht lidhur me këtë pikë, në mënyrë që t’i mundësojë Gjykatës verifikimin nëse këto faktorë ishin analizuar në mënyrë efektive. Së dyti, këta faktorë duhet të vlerësohen në dritën e nenit 8 të Konventës (shih Neulinger dhe Shuruk, cituar më lart, § 133).
107. Për rrjedhojë, Gjykata çmon se, neni 8 i Konventës vendos mbi autoritetet vendase një detyrim të veçantë procedural në këtë aspekt: kur vlerësohet një kërkesë për kthimin e fëmijës gjykatat duhet të marrin parasysh jo vetëm pretendimet për një " rrezik të madh " që i kanosej fëmijës në rast të kthimit, por duhet gjithashtu të japin një vendim i cili të japë arsyet specifike në bazë të rrethanave të çështjes. Si refuzimi për të marrë parasysh kundërshtimet ndaj kthimit të fëmijës, të cilat bien në fushëveprimin e neneve 12, 13 dhe 20 të Konventës së Hagës, ashtu edhe arsyetimi i pamjaftueshëm në vendimin i cili hedh poshtë këto kundërshtime, do të ishte në kundërshtim me kërkesat e nenit 8 të Konventës dhe gjithashtu me objektin e qëllimin e Konventës së Hagës. Vlerësimi i duhur i këtyre pretendimeve, i pasqyruar në një arsyetim të gjykatave vendase, i cili nuk është automatik dhe stereotip, por mjaft i detajuar në dritën e përjashtimeve të përcaktuara në Konventën e Hagës, e cila duhet interpretuar në mënyrë strikte ( shih Maumousseau dhe Washington, cituar më lart, § 73), është i nevojshëm. Kjo do t’i japë mundësi Gjykatës, detyra e së cilës nuk është të zërë vendin e gjykatave kombëtare, për të kryer detyrën që i është besuar, pra mbikëqyrjen evropiane
108. Për më tepër, duke qenë se Preambula e Konventës së Hagës parashikon për kthimin e fëmijëve "në Shtetin e vendbanimit të tyre të përhershëm", gjykatat duhet të sigurohen bindshëm që në atë vend ofrohet mbrojtja adekuate dhe në rast të një rreziku të njohur nëse janë marrë masa mbrojtëse të qarta.
ii. Zbatimi i këtyre parimeve për rastin në fjalë
109. Gjykata, e cila duhet të bëjë vlerësimin e saj në dritën e situatës ekzistuese në kohën e masës së kundërshtuar (shih, mutatis mutandis, Maslov kundër Austrisë [GC], nr. 1638-1603, § 91, ECHR 2008 - .. .), së pari vëren se, ndryshe nga rasti Neulinger dhe Shuruk (cituar më lart), rrethanat e të cilit ishin veçanërisht të pazakonta, sidomos për shkak të faktit se bëhej fjalë për kalimin e një kohe të konsiderueshme, kishte kaluar një periudhë e shkurtër nga momenti që autoritetet letoneze kishin marrë kërkesën sipas Konventës së Hagës. Fëmija kishte kaluar vitet e para të jetës së saj në Australi dhe kur arriti në Letoni kishte moshën tre vite e pesë muaj. Kërkesa për kthim i ishte dorëzuar autoritetit qendror dy muaj pas largimit nga Australia, dhe vendimet e Gjykatës së Distriktit dhe të Gjykatës Rajonale të Rigës u dhanë pas katër dhe gjashtë muajsh respektivisht, pasi kërkuesja dhe vajza e saj kishin arritur në Letoni. Së fundi, T. ishte takuar rastësisht me E. dhe nisi udhëtimin e tij për tu kthyer bashkë me vajzën në Australi më 14 mars 2009. Ajo që vërehet është se jo vetëm paraqitja e kërkesës tek autoritetet letoneze për kthimin e fëmijës, por edhe procedurat e brendshme dhe kthimi u realizua në një periudhë kohore prej më pak se një viti, afat ky i përmendur në paragrafin e parë të nenit 12 të Konventës së Hagës, i cili parashikon një kthim të menjëhershëm në raste të tilla.
110. Për më tepër, Gjykata vëren se gjykatat e brendshme, në shkallë të parë dhe në apel, ishin të së njëjtit mendim lidhur me kërkesën për kthim të paraqitur nga T. Me një vendim të datës 19 nëntor 2008, Gjykata e Distriktit, i cili vendosi pas një seancë ku morën pjesë të dy prindërit, u shpreh se Konventa e Hagës ishte e zbatueshme dhe pranoi kërkesën T, duke urdhëruar kthimin e menjëhershëm të fëmijës në Australi. Më 26 janar 2009, pas një seancë, e cila gjithashtu u mbajt në praninë e të dy prindërve, Gjykata Rajonale Riga la në fuqi këtë vendim.
111. Në lidhje, në mënyrë specifike, me arsyetimin e dhënë nga gjykatat letoneze, Gjykata vëren se në shkallë të parë gjykata e hodhi poshtë, në mënyrë të arsyetuar, kundërshtimin nga kërkuesja të vendimit për kthimin e fëmijës në bazë të nenit 13 të Konventës së Hagës, pasi kishte shqyrtuar provat e paraqitura nga palët, përfshirë fotografitë dhe kopje të e-maileve të shkëmbyera ndërmjet kërkueses dhe të afërmve të T., si dhe deklaratave të dëshmitarëve të paraqitura nga kërkuesja. Gjykata letoneze, duke refuzuar nga ana tjetër për të kërkuar informacion nga autoritetet australiane mbi dënimet e mëparshme T. dhe akuzat e pretenduara kundër tij, së fundi hodhi poshtë pretendimet e rreziku të dëmit psikologjik të fëmijës në rast të kthimit, duke deklaruar se kërkuesja kishte dështuar ta provonte një gjë të tillë (shih paragrafin 21 më lart).
112. Gjykata vëren se më pas situata mori një formë tjetër para Gjykatës Rajonale të Rigës. Në apel, kërkuesja paraqiti një raport, të përgatitur me kërkesën e saj, nga një psikolog më 16 dhjetor 2008, pas gjykimit në shkallë të parë. Ky raport shprehte se, duke pasur parasysh moshën e re e fëmijës që e bënte atë të pa aftë për të shprehur preferencën e saj në lidhje me vendin e banimit, një ndarje të menjëhershme nga nëna e saj duhej përjashtuar pasi mund të shkaktonte një traumë psikologjike tek ajo (shih paragrafin 22 më lart).
113. Megjithatë, ndërsa Gjykata e Distriktit që shqyrtoi kërkesës për pezullimin e ekzekutimit të urdhrit të kthimit, e mori parasysh këtë vlerësim psikologjik, duke vendosur, në interesin e fëmijës, pezullimin e ekzekutimit të urdhrit të kthimit, në pritje të rezultatit të procesin në apel (shih paragrafin 24 më sipër), Gjykata Rajonale refuzoi ta merrte atë në konsideratë.
114. Gjykata vëren se, gjykata e apelit i konsideroi përfundimet e raportit psikologjik në fjalë si të lidhura me themelin e çështjes së kujdestarisë dhe për këtë arsye nuk mund të përdoreshin si dëshmi për të vendosur mbi çështjen e kthimit të fëmijës. Duke e bërë këtë, dhe në funksion të këtij arsyetimi, Gjykata Rajonale e Rigës, refuzoi të shqyrtonte përfundimet e raportit psikologjik në dritën e dispozitave të nenit 13 (b) të Konventës së Hagës edhe pse ai ishte e lidhur direkt me interesin më të lartë të fëmijës. pasi tërhiqte vëmendjen ndaj rrezikut të traumës psikologjike në rast të ndarjes së menjëhershëm nga nëna e saj (shih, në ndryshim, Maumousseau dhe Washington, cituar më lart, § 63).
115. Neni 8 i Konventës vendoste detyrimin procedural për autoritetet e Letonisë, për të shqyrtuar në mënyrë efektive nga gjykatat vendase të pretendimeve të diskutueshme për "një rrezik serioz" që i kanosej fëmijës në rast se kthehej dhe përfundimet e tyre të pasqyroheshin në një vendim të mirë arsyetuar (shih paragrafin 107 më sipër).
116. Në bazë të nenit 13 (b) të Konventës së Hagës, gjykatat e shqyrtimit të kërkesës për kthim nuk janë të detyruara të vendosin kthimin e fëmijës "nëse personi, institucioni apo organi tjetër që e kundërshton kthimin provon se ... ka një rrezik serioz". Është prindi i cili kundërshton kthimin, ai i cili në radhë të parë duhet të sjell fakte të mjaftueshme për këtë qëllim. Pra, në rastin në fjalë, i takonte kërkueses për të siguruar prova të mjaftueshme që mbështesnin pretendimet e saj, të cilat, për më tepër, kishin të bënin me ekzistencën e një rreziku të përshkruar në mënyrë specifike si "serioz" nga neni 13 (b). Për më tepër, Gjykata vëren se, ndërsa kjo dispozitë nuk është kufizuese lidhur me natyrën e saktë të "rrezikut serioz" - e cila mund të sillte jo vetëm "dëm fizik ose psikologjik", por edhe "një situatë të pa tolerueshme" - ajo nuk mund të lexohet, në dritën e nenit 8 të Konventës, se përfshin të gjitha shqetësimet domosdoshmërisht të lidhura me situatën e kthimit. Përjashtimi i parashikuar në nenin 13 (b) i përket vetëm situatave të cilat shkojnë përtej asaj që një fëmijë në mënyrë të arsyeshme mund të përballojë. Kërkuesja e përmbushi detyrimin e saj duke paraqitur raportin e psikologut që tregonte për ekzistencën e rrezikut të traumës për fëmijën në rast të ndarjes së menjëhershme nga nëna e saj. Për më tepër, ajo kishte parashtruar se T. kishte qenë i dënuar penalisht dhe deklaroi për raste keqtrajtimi nga ana e tij. Prandaj u takonte gjykatave letoneze për të kryer shqyrtime të rëndësishme për të konfirmuar ose jo ekzistencën e një "rreziku serioz" (shih B. kundër Belgjikës, nr. 4320/11, § § 70-72, 10 korrik 2012).
117. Gjykata gjykon se, refuzimi për të marrë në konsideratë një pretendim të tillë, të mbështetur nga kërkuesja nëpërmjet një vlerësimi psikologjik të hartuar nga një profesionist, konkluzionet e të cilit do të mund të zbulonin ekzistencën e mundshme të një rreziku serioz në kuptim të nenit 13 (b) të Konventës së Hagës, ishte në kundërshtim me kërkesat e nenit 8 të Konventës. Natyra e pa krahasueshme e raportit psikologjik nuk mjaftonte për të çliruar gjykatën nga detyrimi për ta shqyrtuar atë në mënyrë efektive, për më tepër që kompetencat gjyqësore të Gjykatës Rajonale do të kishin mundësuar që ky dokument ti vihej në dispozicion palëve për pyetje, apo edhe për të urdhëruar me iniciativën e vet hartimin e një raporti të dytë të ekspertëve, siç edhe lejohet nga e drejta letoneze (shih paragrafin 45 më lart). Gjithashtu duhej trajtuar edhe çështja nëse ishte e mundur për nënën që të ndiqte vajzën e saj në Australi dhe të mbante kontakte me të. Gjykata më tej thekson se, në çdo rast, duke qenë se të drejtat e mbrojtura nga neni 8 i Konventës, i cili është pjesë së drejtës letoneze dhe drejtpërdrejt e zbatueshme, përfaqësojnë " parimet themelore të Shtetit të kërkuar në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore " brenda kuptimit të paragrafit 20 të Konventës së Hagës, Gjykata Rajonale nuk mund ti shmangej një shqyrtimi të tillë në rrethanat rasti konkret.
118. Për sa i përket nevojës për të respektuar periudhën e shkurtër kohore të përcaktuara nga Konventa e Hagës dhe së cilës iu referua Gjykata Rajonale e Rigës në arsyetimin e saj (shih paragrafin 25 më sipër), Gjykata rithekson se pavarësisht që neni 11 i Konventës parashikon se autoritetet gjyqësore duhet të veprojnë me shpejtësi, kjo nuk i shkarkon ata nga detyrimi për të ndërmarrë një shqyrtim efektiv të pretendimeve të bëra nga një palë për ekzistencën e një nga situatave përjashtimore të parashtruar shprehimisht në këtë rast, përkatësisht të nenit 13 (b).
119. Në dritën e sa më sipër, Gjykata çmon se, ndaj kërkueses ka pasur një ndërhyrje disproporcionale me të drejtën e saj për respektimin e jetës familjare, pasi procesi i vendimmarrjes sipas së drejtës së brendshme nuk i përmbushte kërkesat procedurale të nenit 8 të Konventës dhe Gjykata Rajonale e Rigës, nuk kishte shqyrtuar efektivisht pretendimet e kërkueses sipas nenit 13 (b) të Konventës së Hagës.
120. Rrjedhimisht ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.
II. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
121. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
122. Kërkuesja nuk ka bërë asnjë kërkesë në lidhje me dëmin material dhe jo material ndaj rrjedhimisht Gjykata vlerëson se nuk do ketë asnjë dëmshpërblim lidhur me to.
B. Kostot dhe shpenzimet
123. Kërkuesja pretendoi një shumë prej 1 996.91 lati (monedha letoneze) (2 858.84 euro) për kostot dhe shpenzimet para Dhomës së Madhe dhe paraqiti një numër dokumentesh në mbështetje të këtij pretendimi.
124. Qeveria kundërshtoi pretendimet e kërkueses duke i konsideruar të pa justifikuara dhe të pa arsyeshme, me përjashtim të një shume prej 485.19 euro të cilat kishin të bënin me shpenzimet e udhëtimit të përfaqësuesit të kërkueses për të marrë pjesë në seancën dëgjimore para Gjykatës.
125. Gjykata rithekson se paguhen, vetëm kostot dhe shpenzimet të cilat janë të vërteta, të domosdoshme dhe të arsyeshme në masë. Në rastin në fjalë, duke pasur parasysh informacionin që disponon dhe jurisprudencën e saj, Gjykata çmon të arsyeshme t’i akordojë kërkueses shumën prej 2 000 euro në lidhje me kostot dhe shpenzimet e bëra gjatë procedurës para saj.
C. Interesi i munguar
126. Gjykata çmon të nevojshme se interesi i mospagimit, duhet të bazohet në përqindjen ditore të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane, së cilës duhet t’i shtohen tre pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA,
1. Vendos, se ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës me nëntë vota pro dhe tetë kundër;
2. Vendos, me dhjetë vota pro dhe shtatë kundër,
(a) Se Shteti i paditur duhet t’i paguajë kërkueses, brenda tre muajve shumë prej 2 000 euro (dy mijë euro) në lidhje me kostot dhe shpenzimet, e cila duhet konvertuar në lati letoneze, në normën e zbatueshme në datën e shlyerjes, plus çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme mbi këtë shumë;
(b) Se nga mbarimi i afatit tremujor deri në ditën e pagesës, do të zbatohet interesi i thjeshte mbi shumën e mësipërme, në një përqindje të barabarte me përqindjen ditore të kreditimit nga Banka Qendrore Evropiane, gjatë periudhës se mospagimit, plus tre pikë përqindjeje;
3. Hedh poshtë pjesën e mbetur të pretendimeve të kërkueses për shpërblim të drejtë.
Përgatitur në gjuhën angleze dhe franceze dhe njoftuar në seancën publike gjyqësore më 26 nëntor 2013 në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg.
Michael O’BoyleDean Spielmann
Zëvendës KancelarPresident
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenit 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimet e pakicës në vazhdim i bashkëngjiten këtij vendimi:
- mendimi paralel i gjyqtarit Pinto de Albuquerque;
- mendimi i përbashkët i pakicës i gjyqtarëve Bratza, Vajić, Hajiyev, Šikuta, Hirvelä, Nicolaou, Raimondi dhe Nussberger
D.S.
M.O’B
Mendimet e pakicës nuk janë të përkthyera, por gjendjen në gjuhën angleze dhe/ose franceze në versionet në gjuhën zyrtare të vendimeve, të cilat gjenden në bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës, HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën dhe kjo e fundit nuk ka përgjegjësi për cilësinë e përkthimit. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, HUDOC (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash të cilës Gjykata ia përcjell. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo fitimprurëse me kushtin e përdorimit të titullit të plotë të çështjes, të dhënat e së drejtës së autorit dhe referencat përkatëse të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse pjesë të këtij përkthimi do të përdoren për qëllime fitimprurëse, ju lutem kontaktoni: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014.
This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has to share it. It may be reproduced for non-commercial purpose on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for the commercial purpose please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014.
La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée a partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cite en rentier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@
Full & Egal Universal Law Academy