© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ rreth jurisprudencës së Gjykatës Nr. 168
Nëntor 2013
X k. Letonisë [DhM] - 27853/09
Vendim 26.11.2013 [DhM]
Neni 8
Neni 8-1
Respektimi i jetës familjare
Mungesë shqyrtimi të thelluar të të gjitha elementeve që lidheshin me çështjen gjatë vendimit për kthimin e një fëmije në zbatim të Konventës së Hagës: shkelje
Faktet – Më 2005, paditësja që jetonte atëherë në Australi me T., bashkëjetuesin e saj, lindi një vajzë. Certifikata e lindjes së fëmijës nuk e saktësonte emrin e të atit dhe nuk u bë asnjë test atësie. Më 2008, paditësja iku nga Australia me të bijën e u kthye në vendlindjen e saj, në Letoni. T. kërkoi më pas në gjykatat australiane njohjen e të drejtave të tij prindërore ndaj fëmijës, duke thënë se paditësja kishte ikur nga Australia me të bijën pa pëlqimin e tij, në shkelje të Konventës së Hagës për Aspektet Civile të Grabitjes Ndërkombëtare të Fëmijëve. Gjykata australiane gjykoi se T. dhe paditësja e kishin së bashku kujdestarinë e fëmijës dhe se shqyrtimi i çështjes do të vijonte kur fëmija të kthehej në Australi. Sapo u informuan nga autoritetet australiane, autoritetet kompetente letone e pyetën paditësen e cila e kundërshtoi zbatueshmërinë e Konventës së Hagës me arsyetimin se ajo e zotëronte e vetme kujdestarinë e fëmijës. Gjykatat letone i dhanë të drejtë T., me përfundimin se nuk u takonte atyre t’i kundërshtonin konkluzionet e autoriteteve australiane për caktimin e autoritetit prindëror. Prandaj, ato e urdhëruan paditësen që ta kthente fëmijën në Australi brenda një afati gjashtë javësh. Në mars 2009, T. e mori fëmijën që ndodhej me paditësen dhe u nis me të në Australi. Në fund, gjykatat australiane gjykuan se T. ishte kujdestari i vetëm i fëmijës dhe se e ëma mund ta vizitonte të bijën vetëm nën mbikëqyrjen e shërbimeve sociale e nuk mund t’i drejtohej asaj në gjuhë letone.
Në një vendim të dhënë më 13 dhjetor 2011 (shih Shënimin informativ 147), një dhomë e Gjykatës ka dalë, me pesë vota në favor dhe dy kundër, në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës, duke çmuar se mungesa e një shqyrtimi të thelluar të të gjitha elementeve në lidhje me çështjen, kur gjykatat letone kanë vendosur që paditësja duhej ta kthente të bijën në bazë të Konventës së Hagës, e ka bërë këtë ndërhyrje të shpërpjesëtuar.
Ligji – Neni 8 : Gjykatës i kërkohet të shqyrtojë nëse ishte “e nevojshme në një shoqëri demokratike” ajo ndërhyrje në të drejtat që kishte paditësja në bazë të nenit 8, e cila ka ardhur si rrjedhojë e vendimeve të gjykatave kombëtare. Për këtë qëllim, Gjykata rikujton se, teksa përcaktohet nëse vendimet e gjykatave kombëtare kanë ruajtur një baraspeshë të drejtë midis interesave të pranishme konkurruese – ato të fëmijës, të dy prindërve dhe të rendit publik – brenda caqeve të hapësirës për vlerësim që gëzon në këtë fushë shteti i paditur, interesi më i lartë i fëmijës duhet të përbëjë konsideratën kryesore. Për këtë, për të mbërritur në një interpretim të harmonishëm të Konventës Evropiane dhe të Konventës së Hagës, gjyqtari duhet të marrë në radhë të parë parasysh realisht elementet që mund të përbëjnë një prapësim të kthimit të menjëhershëm të fëmijës në zbatim të neneve 12, 13 dhe 20 të Konventës së Hagës, për të dhënë kështu një vendim të arsyetuar në mënyrë të mjaftueshme rreth kësaj pike, dhe pastaj t’i vlerësojë ato në dritën e nenit 8 të Konventës Evropiane. Nga kjo rrjedh se neni 8 i Konventës u dikton autoriteteve kombëtare një detyrim procedural, duke kërkuar që, në suazën e shqyrtimit të kërkesës për kthimin e fëmijës, një pretendim i besueshëm “rreziku të rëndë” për këtë të fundit në rast kthimi të bëhet objekt i një shqyrtimi efektiv dhe i një vendimi të arsyetuar. Për sa i përket natyrës së saktë të “rrezikut të rëndë”, prapësimi i parashikuar për këtë nga neni 13 b) i Konventës së Hagës kishte të bënte vetëm me ato situata që shkojnë përtej asaj çka mund të durojë një fëmijë në mënyrë të arsyeshme.
Në rastin e çështjes në fjalë, Gjykata vë në dukje se, para gjykatave letone, paditësja i është referuar disa elementeve për të vërtetuar që kthimi në Australi do të ishte me “rrezik të rëndë” për fëmijën e saj, duke përmendur edhe ekzistencën e dënimeve penale ndaj T. e veprime keqtrajtimi nga ana e tij. Në veçanti, paditësja ka paraqitur në apel një vërtetim të lëshuar nga një psikolog me konkluzionin që fëmija rrezikon të pësojë traumë nëse ndahet menjëherë nga e ëma. Ndonëse u takonte gjykatave kombëtare që ta verifikonin ekzistencën e një “rreziku të rëndë” për fëmijën dhe një ekzaminim psikologjik qe i lidhur drejtpërdrejt me interesin më të lartë të fëmijës, gjykata rajonale nuk ka pranuar t’i shqyrtojë konkluzionet e kësaj ekspertize në dritën e dispozitave të nenit 13 b) të Konventës së Hagës. Njëkohësisht, gjykatat kombëtare nuk e kanë shqyrtuar as pikën nëse nëna mund të shkonte apo jo pas së bijës në Australi e ta ruante kontaktin me të. Ngaqë gjykatat kombëtare nuk i kanë shqyrtuar në mënyrën e duhur pretendimet e paditëses, procesi vendimmarrës në të drejtën e brendshme nuk i ka plotësuar kërkesat procedurale të lidhura ngushtë me nenin 8 të Konventës dhe paditësja është bërë kështu objekt i një ndërhyrjeje të shpërpjesëtuar në të drejtën e saj për respektimin e jetës së vet familjare.
Përfundimi: shkelje (nëntë vota në favor dhe tetë kundër).
Neni 41 : asnjë kërkesë e formuluar për dëm.
(Shih gjithashtu Maumousseau e Washington k. Francës, 39388/05, 6 dhjetor 2007, Shënimi informativ 103, dhe Neulinger e Shuruk k. Zvicrës [DhM], 41615/07, 6 korrik 2010, Shënimi informativ 132)
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy