PARTIA DEMOKRATIKE E BASHKUAR RUSE YABLOKO kundër RUSISË
(kërkesa nr. 18860/07)
8 nëntor 2016
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesi, Partia Demokratike e Bashkuar Ruse Yablokoështë një parti politike ruse e regjistruar, e cila e ka selinë e saj edhe në rajonin e Karelias. Në 26 prill të 2006, Këshilli Rajonal i Partisë lajmëroi organizimin e dy konferencave partiake që do të mbaheshin në 26 maj dhe 12 gusht në Karelia.
2. Partia kishte 3 800 anëtarë, prej të cilëve 474 ishin “të regjistuar”. “Anëtarë të regjistruar” ishin të gjithë anëtarët e partisë që kishin kërkuar shprehimisht të regjistroheshin si anëtarë të organeve rajonale të partisë. Nga 474 antarë, 36 shprehën dëshirën për të marrë pjesë në zgjedhet e ardhshme që do të zhvilloheshin në rajonin e Karelias.
3. Në 10 dhe 11 qershor, partia Yabloko mbajti Kongresin e 13-të, gjatë të cilit u bënë disa ndryshime të Statutit të Qeverisë. Në bazë të ndryshimeve, u vendos se të drejtën për të zgjedhur dhe për të qenë të zgjedhur në organet qeverisëse dhe kontrolluese të partisë, e kanë vetëm anëtarët e regjistuar.
4. Në 4 qershor të 2006 u vendos se zgjedhjet e Karelias do të mbaheshin më 8 tetor 2006.
5. Në 12 gusht 2006 u mbajt sërisht Konferenca e Partisë. Gjatë konferencës u caktuan emrat e kandidatëve në listat zgjedhore.Në konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (tani e tutje KQZ) të Karelias.Këta të fundit nuk raportuan asnjë parregullësi gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidaturave.
6. Në 31 gusht 2006, Shërbimi Federal i Regjistrimit (tani e tutje SH.F.R.) të Karelias i shkruajti KQZ-së, se Konferenca e datës 12 gusht 2006 është bazuar në pjesëmarrjen e anëtarëve të regjistruar në parti, dhe jo tek të gjithë antëtarët në përgjithësi, duke mos u garantuar të drejta të barabarta të gjithë pjesmarrësve dhe duke shkelur ligjin kombëtar.
7. Në 8 shtator 2006, KQZ-ja kërkoi pranë Gjykatës së Lartë të Karelias të anulohej vendimi i regjistrimit të listës së kandidatëve të partisë Yabloko. KQZ-ja e bazoi kërkesën e saj tek Akti i Garantimit të Barazisë ku thuhet shprehimisht se mund të anulohej regjistrimi i listave të kandidaturave zgjedhore të regjistruara në rast se zbulohen “fakte të reja”, të cilat nuk ishin zbuluar më përpara.
8. Gjykata e Lartë pranoi kërkesën e KQZ-së, duke u shprehur se procedura e hartimit të listave të kandidaturave ka patur shkelje dhe se nuk ishin respektuar standardet demokratike pasi në lista ishte përfshirë vetëm kategoria e anëtarëve të regjistruar dhe jo të gjithë anëtarët.
9. Kërkuesi pretendoi se vendimi i KQZ-së përbënte shkelje të së drejtës për zgjedhje të lira. Sipas kërkuesit, KQZ-ja ishte në dijeni të të gjitha procedurave të hartimit të listave zgjedhore të partisë, dhe asnjëherë nuk i kishte kontestuar ato. Kërkesa për anulimin e listave pranë Gjykatës së Lartë nuk vinte si pasojë e zbulimit të “fakteve ose rrethanave të reja” nga ana e KQZ-së, por ishte një tentativë për të ndërhyrë në rregullat dhe organizimin e brendshëm të partisë.
10. Së dyti, kërkuesi sqaroi se statuti i partisë dhe procedurat e emërimit të listave zgjedhore nuk shkelnin ligjin, pasi e drejta për t’u regjistuar në parti iu ishte dhënë të gjithë anëtarëve pavarësisht gjinisë, fesë, përkatësisë etnike etj. Së fundmi, kërkuesi theksoi se asnjë nga antëtarët e partisë nuk ishte ankuar për procedurën e harimit të listave pasi procedura ishte transparente, e pranuar nga të gjithë dhe në respektim të statutit të partisë dhe ligjit kombëtar.
11. Shteti theksoi se partia Yabloko nuk ishte bazuar tek ligji relevant kombëtar i Partive Politike gjatë hartimit të listave zgjedhore. Gjithashtu, gjatë hetimeve të kryera ishin zbuluar fakte dhe rrethana të reja, të cilat çonin në konkluzion se procedura e hartimit të listave nuk ishte e bazuar në ligj. Bazuar tek rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, masa e marrë nga Gjykata e Lartë për anulimin e listave është proporcionale, pasi nuk ka si pasojë prishjen e partisë por thjesht ribërjen e listave.
II. Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me nenin 3 të Protokollit 1
12. Gjykata u shpreh se të drejtat e garantuara nga neni 3 i Protokollit 1 të KEDNJ-së janë parime bazë për demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës. Për të përcaktuar përputhshmërinë e një mase të marrë nga shteti anëtar me nenin 3 të Protokollit 1 kriteret e përdordura nga Gjykata janë: së pari, nëse ka patur mungesë të proporcionalitetit ose ka patur arbitraritet, së dyti nëse masa ka ndikuar në shprehjen e lirë të opinionit të njerëzve.[1]Gjithashtu, duhet patur parasysh që të gjitha masat e marra nuk duhet të jenë në kundërshtim me shprehjen e lirë të elektoratit, duke respektuar integritetin dhe efektivitetin e procesit të rregullt ligjor.
13. Gjykata theksoi rëndësinë që luajnë autoritetet kombëtare kompetente në garantimin e standardeve të të gjithë procesit zgjedhor. Këto të fundit nuk duhet të marrin masa arbitrare dhe joproporcionale.
14. Gjatë analizës së saj, Gjykata u ndal tek arsyet kryesore në bazë të të cilave u dha vendimi i Gjykatës së Lartë që janë: procedura e zgjedhjes së kandidatëve për Asamblenë Rajonale të Partisë Yabloko cenonte parimin e përfaqësimit demokratik dhe statuti i partisë nuk është në përputhje me ligjet kombëtare.
15. Në lidhje me arsyen e parë, Gjykata si fillim theksoi se KQZ-ja ka të drejtë të shqyrtojë respektimin e ligjit nga ana e partive, por ajo nuk duhet të tejkalojë tagrat e saj duke marrë vendime arbitrare dhe joproporcionale.[2]Në rastin konkret, KQZ-ja ka ndërhyrë në çështje të brendshme të organizimit të partisë, duke tejkaluar kompetencat dhe limitet që i janë dhënë nga ligji.
16. Duke u bazuar tek Komisioni i Venecias, partitë janë të lejuara të bëjnë ndërhyrje direkte dhe jodirekte për çështje që kanë të bëjnë me organizimin e brendshëm të partisë dhe në caktimin e kandidaturave.[3]Në lidhje me argumentin e dytë të Gjykatës së Lartë, Gjykata theksoi se procedura e përzgjedhjes së kandidatëve i ishte bërë e ditur KQZ-së dhe Ministrisë së Drejtësisë që në vitin 2004 dhe nuk ishte kontestuar asnjëherë prej tyre.Kërkesa për anulimin e listave nuk ishte bërë në kushtet e paraqitjes së fakteve ose rrethanave të reja.Për këtë arsye vendimi i dhënë nga gjykata ndikon në autonominë e partive politike dhe parashikueshmërinë e interpretimit të ligjit.
17. Gjykata konstatoi shkelje të nenit 3 të Protokollit 1 të Konventës.
[1]Shiko Yumak dhe Sadak, § 109 (iii), dhe Sitaropoulos dhe Giakoumopoulos k. Greqisë
[2]Shiko Mathieu-Mohin dhe Clerfay
[3]Shiko dokumentin e Komisionit të Venecias CDL-AD (2004) 007 rev dhe CDL-AD(2006) 025
Full & Egal Universal Law Academy