© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA YUMAK DHE SADAK KUNDËR TURQISË
(Kërkesë nr. 10226/03)
VENDIM
STRASBURG
8 Korrik 2008
Ky vendim është përfundimtar, por ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen Yumak dhe Sadak kundër Turqisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Dhoma e Madhe me trup gjykues të përbërë prej:
Boštjan M. Zupančič, President,
Peer Lorenzen,
Françoise Tulkens,
Josep Casadevall,
Rıza Türmen,
Corneliu Bîrsan,
Volodymyr Butkevych,
Nina Vajić,
Anatoly Kovler,
Vladimiro Zagrebelsky,
Elisabeth Steiner,
Javier Borrego Borrego,
Khanlar Hajiyev,
Renate Jaeger,
Ján Šikuta,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Päivi Hirvelä, gjyqtarë,
dhe Vincent Berger, Juriskonsult,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 21 nëntor 2007 dhe 4 qershor 2008,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e fundit të lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në bazë të kërkesës (nr. 10226/03) kundër Republikës së Turqisë drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga dy shtetas turq, Z. Mehmet Yumak dhe Z. Resul Sadak (“kërkuesit”), më 1 mars 2003.
2. Kërkuesit, të cilëve iu dha ndihmë ligjore, u përfaqësuan nga Z. T. Elçi, avokat që ushtronte aktivitetin në Diyarbakır. Qeveria Turke (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjenti i saj.
3. Kërkuesit pretenduan se pragu zgjedhor prej 10% i vendosur në shkallë kombëtare për zgjedhjet parlamentare cenon shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e organit ligjvënës. Ata u bazuan në nenin 3 të Protokollit nr 1.
4. Kërkesa ju la për gjykim Seksionit të dytë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 9 maj 2006 kërkesa u deklarua pjesërisht e pranueshme nga një Dhomë e atij Seksioni e përberë nga gjyqtarët: Jean-Paul Costa, Ireneu Cabral Barreto, Rıza Türmen, Mindia Ugrekhelidze, Antonella Mularoni, Elisabet Fura-Sandström, Dragoljub Popović, dhe Kancelarja e Seksionit Sally Dollé.
5. Seanca gjyqësore për shqyrtimin e themelit të kërkesës u zhvillua në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg më 5 shtator 2006 (neni 54 § 3 i Rregullores së Gjykatës).
6. Në vendimin e saj të datës 30 janar 2007 (vendim i Dhomës), Dhoma vendosi me pesë vota pro dhe dy kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 3 të Protokollit nr. 1. Mendimi i përbashkët i gjyqtarëve në pakicës Ireneu Cabral Barreto dhe Antonella Mularoni iu bashkëngjit vendimit.
7. Më 21 prill 2007 kërkuesi kërkoi referim të çështjes Dhomës së Madhe në përputhje me nenin 43 të Konventës. Më 9 korrik 2007 një panel i Dhomës së Madhe e pranoi kërkesën.
8. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në përputhje me dispozitat e nenit 27 §§ 2 dhe 3 të Konventës dhe nenit 24 të Rregullores së Gjykatës.
9. Kërkuesit dhe Qeveria paraqitën pretendimet përkatëse me shkrim mbi themelin e kërkesës. Me autorizimin e Presidentit për të ndërhyrë në procedurën me shkrim (neni 36 § 2 të Konventës dhe neni 24 i Rregullores së Gjykatës), u paraqitën vëzhgime nga Grupi Ndërkombëtar për të Drejtat e Minoriteteve, një organizatë jo qeveritare me seli në Londër.
10. Seanca publike gjyqësore u zhvillua në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg më 21 nëntor 2007 (neni 59 § 3 i Rregullores së Gjykatës).
U paraqitën përpara Gjykatës:
(a) për Qeverinë
Z.M. Özmen,Bashkë-Agjenti,
Z.H. Hünler,Përfaqësues ligjor,
Znj.A. Özdemir,
Znj.V. Sirmen,
Znj.Y. Renda,
Znj.Ö. Gazialem,Këshilltar;
(b) për kërkuesit
MrT. Elçi,Përfaqësues,
MrT. Fisher,
MrsE. Frank,Këshilltar,
MrR. Sadak,Kërkues.
Gjykata dëgjoi parashtresat nga Z. Elçi dhe Z. Özmen si dhe përgjigjet e Z. Fisher dhe Z. Özmen lidhur me pyetjet e ngritura nga gjyqtarë të ndryshëm.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
11. Kërkuesit kanë lindur respektivisht më 1962 dhe 1959 dhe jetojnë në Şırnak. Ata ishin kandidatë të Partisë Popullore Demokratike (DEHAP) në rajonin e Sirnak në zgjedhjet parlamentare të 3 nëntor 2002, por asnjëri prej tyre nuk u zgjodh.
A. Zgjedhjet parlamentare të 3 nëntorit 2002
12. Pas tërmeteve të vitit 1999 Turqia kaloi dy kriza të rënda ekonomike në nëntor 2000 dhe shkurt 2001. Këto kriza më pas u pasuan nga një krizë politike, për shkak, së pari, të gjendjes shëndetësore të Kryeministrit të atëhershëm dhe, së dyti, për shkak të ndarjeve e shumta brenda koalicionit qeverisës, një grupim prej tre partish politike.
13. Në këtë kontekst, më 31 korrik 2002 Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë ("Asambleja Kombëtare") vendosi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 3 nëntor 2002.
14. Në fillim të shtatorit tre parti të krahut të majtë, Partia e Demokracisë së Popullit (HADEP), Partia e Punës (EMEP) dhe Partia Demokratike Socialiste (SDP), vendosën të formojnë "Bllokun e Punës, Paqes dhe Demokracisë" dhe të formojnë një parti të re politike, DEHAP. Kërkuesin filluan fushatën e tyre zgjedhore si kandidatët kryesorë të partisë së re në rajonin Sirnak.
15. Të tilla aleanca para-zgjedhore ishin formuar edhe më parë, në vitin 1991, kur Partia Nacionaliste e Punës (MCP - pasardhëse dhe paraardhëse e MHP) dhe Partia Reformiste e Demokracisë (IDP) kishin siguruar vende për kandidatët e tyre duke u bashkuar me listën e paraqitur nga Partia e Mirëqenies (RP), dhe Partia Popullore e Punës (HEP - paraardhëse e DEHAP) kishte fituar 18 vende në parlament, duke i futur kandidatët në listën e Partisë Popullore Social Demokratike (SHP). Në këtë mënyrë disa parti të cilat nuk kanë mundësi të arrijnë të marrin 10% të votave në nivel kombëtar, nganjëherë arrijnë të kenë përfaqësues në parlament: ata iu bashkohen listës së një partie të madhe dhe pasi zgjidhen e lënë atë dhe shkojnë në rrugën e tyre, qoftë si deputetë të pavarur apo nën flamurin e një partie tjetër.
16. Rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit 2002 në rajonin Sirnak i dhanë DEHAP 47 449 nga 103 111 vota të hedhura, një rezultat prej rreth 45,95%. Megjithatë, duke qenë se partia nuk kishte mundur të arrinte pragun zgjedhor kombëtar prej 10%, kërkuesit nuk mund të zgjidheshin. Të tre vendet që iu dhanë krahinës Sirnak u ndanë si më poshtë: dy vende për AKP (Drejtësi dhe Zhvillim - Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, një parti e djathtë konservatore), e cila kishte marrë 14,05% (14.460 vota), dhe një vend për Z. Tatar, një kandidat i pavarur i cili kishte marrë 9,69% (9914 vota).
17. Nga tetëmbëdhjetë parti që kishin marrë pjesë në zgjedhje vetëm AKP dhe CHP (Cumhuriyet Halk Partisi - Partia Popullore Republikane, një parti e krahut të majtë) arriti të kalonte pragun zgjedhor 10%. Me 34,26% të votave të mbledhura, AKP fitoi 363 vende, 66% të vendeve në Asamblenë Kombëtare. CHP, a cila arriti 19,4%, fitoi 178 vende, ose 33% të totalit. Gjithashtu, u zgjodhën dhe nëntë kandidatë të pavarur
18. Megjithatë, jo vetëm DEHAP, e cila arriti 6,22%, por edhe shumë parti të tjera politike nuk arritën të siguronin vende në parlament. Kështu Partia e Udhës së Vërtetë (DYP, e qendrës së djathtë), Partia Kombëtare për Veprim (MHP, nacionaliste), Partia e Re (GP, e qendrës) dhe Partia e Mëmëdheut (ANAP, e qendrës së djathtë), arritën respektivisht 9,54%, 8,36%, 7.25% dhe 5.13% të votave të hedhura.
19. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve u interpretuan në përgjithësi si një përmbysjeje e madhe politike. Jo vetëm që përqindja e elektoratit që nuk përfaqësohej në parlament arrinte një nivel rekord në Turqi (rreth 45%), por për më tepër niveli i abstenimit (22% e votuesve të regjistruar) tejkalonte 20%, për herë të parë që nga viti 1980. Si rezultat i kësaj, Asambleja Kombëtare e dalë nga ato zgjedhje ishte më papërfaqësuesja qysh prej vitit 1946, vit në të cilin u vu në jetë për herë të parë sistemi multi-partiak. Për më tepër, për herë të parë që nga viti 1954, vetëm dy parti përfaqësoheshin në parlament.
20. Për të shpjeguar mungesën e përfaqësimit në Asamblenë Kombëtare, disa analistë iu referuan efektit akumulues të një numri faktorësh që i shtoheshin pragut të lartë zgjedhor kombëtar. Për shembull, për shkak të fenomenit të “votave të bardha” që lidhej me krizën ekonomike dhe politike, pesë partitë të cilat kishin marrë mandate në zgjedhjet parlamentare të vitit 1999, përfshirë këtu edhe ato tre të cilat kishin formuar koalicionin qeverisës në vitet 1999 dhe 2002, nuk kishin qenë në gjendje të arrinin pragun 10% në vitin 2002 dhe u privuar rrjedhimisht nga përfaqësimi në parlament. Në mënyrë të ngjashme, fragmentimi zgjedhor pati efekte mbi rezultatet në atë që përpjekjet e shumta për të formuar koalicione parazgjedhore nuk arritën asgjë.
21. Pas këtyre zgjedhjeve AKP, e cila kishte një shumicë absolute në parlament, formoi qeverinë.
B. Zgjedhjet parlamentare të 22 korrikut 2007 (pas gjykimit të Dhomës)
22. Në fillim të majit 2007 Parlamenti Turk vendosi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke zgjedhur si datë 22 korrik 2007. Vendimi u pasua nga një krizë politike që rezultoi nga paaftësia e parlamentit për të zgjedhur një president e ri të Republikës që do të pasonte Ahmet Nexhdet Sezer para përfundimit të mandatit të tij të vetëm shtatë-vjeçar, më 16 maj 2007. Në rrjedhën normale të ngjarjeve, këto zgjedhje duhet të mbaheshin më 4 nëntor 2007.
23. Katërmbëdhjetë parti politike morën pjesë në zgjedhje, të cilat u karakterizuan nga dy veçanti. Së pari, u vu re një mobilizim i fortë i elektoratit pas krizës presidenciale, pasi shkalla e pjesëmarrjes u rrit në 84%. Së dyti, partitë politike përdorën dy strategji para-zgjedhore për të shmangur pragun kombëtare zgjedhor 10%. Partia e së Majtës Demokratike (DSP) mori pjesë në zgjedhje nën flamurin e CHP, një parti rivale, dhe nga kjo arriti të fitonte 13 vende. Partia për Shoqëri Demokratike (DTP, pro-kurde, me prirje të majtë) prezantoi kandidatët e saj si të pavarur nën emërtimin "një mijë shpresat"; ajo gjithashtu mbështeti disa kandidatë të krahut të majtë turk. Kjo lëvizje u mbështet nga grupe të tjera të vogla të krahut të majtë të tilla si EMEP, SDP dhe ODP (Partia e Lirisë dhe Demokracisë, socialiste). Më shumë se gjashtëdhjetë kandidatët të pavarur konkurronin në zgjedhje në rreth dyzet zona zgjedhore në nivel rajonal.
24. Në zgjedhjet e zhvilluara AKP, CHP dhe MHP arritën të kapërcejnë pragun 10%. Me 46,58% të votave të hedhura, AKP fitoi 341 vende, 62% të totalit. CHP, me 20,88% të votave, fitoi 112 vende, 20,36% të totalit; megjithatë 13 deputetët e përmendur në paragrafin 23 më sipër dhanë dorëheqjen nga CHP dhe shkuan përsëri tek DSP, partia e tyre e origjinës. MHP, e cila mblodhi 14,27% të votave, fitoi 71 vende, ose 12.9% të totalit.
25. Paraqitja e fortë e kandidatëve të pavarur ishte një nga karakteristikat kryesore të zgjedhjeve të 22 korrik 2007. Të pavarurit ishin zhdukur nga Asambleja Kombëtare në vitin 1980, por u rishfaqën në vitin 1999 ku tre prej tyre ishin pjesë e Asamblesë. Në vitin 2002 nëntë deputetë të pavarur u zgjodhën nga një total kombëtar prej 260 kandidatësh të pavarur. Në zgjedhjet e 22 korrikut 2007, u zgjodhën 27 deputetë të pavarur. Në veçanti, më shumë se njëzet kandidatë nga "një mijë shpresat" u zgjodhën pas marrjes rreth 2.23% të votave të hedhura dhe u bashkuan me DTP pas zgjedhjeve. DTP, e cila kishte 20 deputetë, ishte e aftë për të formuar një grup parlamentar, duke qenë se kishte numrin minimal të nevojshëm të deputeteve. Tek deputetët e pavarur përfshiheshin edhe një deputet socialist (ish-kryetar i ÖDP), një deputet nacionalist (ish-kryetar i Partisë së Bashkimit të Madh - BBP, nacionalist) dhe një deputet i qendrës (ish-presidenti i ANAP).
26. Qeveria u formua nga AKP, e cila përsëri siguroi një shumicë absolute në parlament.
II. .LEGJISLACIONI DHE PRAKTIKA PËRKATËSE E BRENDSHME DHE NDËRKOMBËTARE
A. Konteksti ligjor dhe kushtetues
1. Kushtetuta
27. Neni 67 i Kushtetutës, i ndryshuar më 23 korrik1995, parashikon:
“Qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen, të angazhohen në aktivitete politike në mënyrë të pavarur ose si anëtarë të një partie politike dhe të marrin pjesë në referendume në përputhje me rregullat e përcaktuara me ligj.
Zgjedhjet dhe referendumet zhvillohen nën administrimin dhe mbikëqyrjen e gjykatave dhe në përputhje me parimet e votës së lirë, të barabartë, të fshehtë dhe universale, në një raund të vetëm votimi, dhe votat e hedhura numërohen dhe regjistrohen në mënyrë publike. Megjithatë, ligji parashikon dispozita të përshtatshme për qytetarët turq rezidentë jashtë vendit, që të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar .
Çdo shtetas turk që ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeçare ka të drejtë të votojë dhe të marrë pjesë në referendume.
Ushtrimi i këtyre të drejtave rregullohet me ligj.
Anëtarët e forcave të armatosura në shërbim, studentët e shkollave ushtarake,dhe personat që vuajnë dënime me burg, përveç atyre të dënuar për një vepër penale të kryer jo me dashje, privohen nga e drejta për të votuar.
Komisioni Kombëtar Zgjedhor përcakton masat që do të ndërmerren për të garantuar sigurinë e operacioneve të numërimit dhe regjistrimit të votave në burgjet dhe qendrat e paraburgimit, si dhe ato operacione të kryhen në prani të gjyqtarit kompetent, i cili merr përgjegjësinë dhe mbikëqyr ato.
Ligjet zgjedhore duhet balancojnë përfaqësimin e drejtë dhe stabilitetin qeveritar.
Ndryshimet në ligjet zgjedhore nuk janë të zbatueshme për zgjedhjet që zhvillohen gjatë viti pas hyrjes së tyre në fuqi të tyre.”
28. Neni 80 i Kushtetutës parashikon:
“Anëtarët e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, përfaqësojnë të gjithë kombit dhe jo zonat apo personat që i kanë zgjedhur ata.”
29. Sipas nenit 95 të Kushtetutës dhe nenit 22 të ligjit nr. 2820 mbi partitë politike, një parti politike e cila ka së paku njëzet deputetë mund të formojë një grup parlamentar.
2. Sistemi zgjedhor
30. Ligji nr. 2839 për zgjedhjen e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, botuar në Fletoren Zyrtare më 13 qershor 1983, përcakton rregullat e sistemit për zgjedhjet parlamentare.
31. Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë është parlament me një dhomë të vetme e cila aktualisht ka 550 anëtarë të zgjedhur për pesë vjet. Zgjedhjet mbahen në zona zgjedhore të formuara nga 81 rajone në një raund të vetëm votimi. Ato zhvillohen në të gjithë territorin kombëtar, në të njëjtën ditë me votim të lirë, të barabartë, universal dhe të fshehtë. Numërimi i votave dhe regjistrimi i rezultateve bëhet publikisht. Secili rajon përfaqësohej në parlament nga të paktën një deputet. Vendet e tjera ndahen në përpjesëtim me popullsinë lokale. Rajonet me nga një deri në 18 deputetë formojnë një zonë zgjedhore, ato me 19 deri 35 deputetë ndahen në dy zona zgjedhore; Stambolli i cili ka më shumë se 35 vende në Asamble, ndahet në tre zona.
32. Neni 16 i Ligjit nr. 2839 parashikon:
“... Partitë politike mund të mos paraqesin lista të përbashkëta...”
33. Neni 33 i Ligjit nr. 2839 (i ndryshuar më 23 maj 1987) parashikon:
“Në zgjedhjet e përgjithshme një parti për të fituar vende në parlament duhet të marr, në nivel kombëtar, më shumë se 10% e votave të hedhura të vlefshme ... Një kandidat i pavarur që garon në zgjedhje, i përfshirë në listën e një partie politike mund të zgjidhet vetëm nëse lista e partisë në fjalë merr vota të mjaftueshme për të kaluar pragun zgjedhor kombëtare prej 10%....”
34. Në caktimin e vendeve është përdorur sistemi i D’Hondt i përfaqësimit proporcional. Kjo metodë - sipas së cilës votat e hedhura për çdo listë pjesëtohen së pari me një seri numrash (1, 2, 3, 4, 5, etj) dhe mandatet në parlament i fitojnë listat të cilave nga ky proces pjesëtimi u rezultojnë numrat më të mëdhenj - tenton të favorizojë partitë e mëdha.
35. Neni 21(2) dhe 41(1) i Ligjit nr. 2839 lexon si vijon:
Neni 21(2)
“Personat që garojnë si kandidatë të pavarur në zgjedhje duhet të depozitojnë në autoritetet kompetente të Thesarit, si garanci, një shumë të barabartë me pagën bruto mujore të një nëpunësi civil të rangut më të lartë, si dhe duhet të përfshijnë faturën e derdhjes së kësaj garancie në dosjen me të cilën do paraqesë kandidaturën e tij në zgjedhjet parlamentare.”
Neni 41(1)
“...në qoftë se, në zgjedhjet parlamentare, një kandidat i pavarur nuk arrin të marrë vota të mjaftueshme për të fituar një vend, shuma e depozituar si garanci do të konfiskohet nga Thesari.”
36. Neni 36 i Ligjit nr. 2820 mbi partitë politike (botuar në Fletoren Zyrtare të 24 prill 1983) parashikon:
“Në mënyrë që të jetë në gjendje të marrë pjesë në zgjedhje, një parti politike duhet të ketë një seli në të paktën gjysmën e rajoneve dhe të ketë mbajtur mbledhjen e saj të përgjithshëm të paktën gjashtë muaj para ditës së votimit, ose duhet të ketë një grup brenda Asamblesë së Madhe Kombëtare.”
37. Neni 81 i Ligjit nr. 2820 parashikon:
“Partitë politike nuk kanë të drejtë të pohojnë se ekzistojnë brenda territorit të Republikës së Turqisë pakica bazuar në kritere race, feje, kulture, sekti apo gjuhe.”
38. Sipas legjislacionit përkatës emri i kandidatëve të pavarur nuk vihet në letrat e votimit që shpërndahen pranë kufirit Turk. Kjo do të thotë se zgjedhësit turq rezidentë jashtë vendit mund të votojnë vetëm për një parti politike duke përdorur kutitë e votimit të vendosura në pikat e kalimit kufitar ose në aeroporte të mëdha. Në mënyrë të ngjashme, ndërsa partitë politike kanë kohë të përcaktuar në televizione dhe radio për transmetimet zgjedhore, kandidatët e pavarur nuk kanë.
3. Jurisprudenca kushtetuese
39. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese lidhur me pajtueshmërinë e pragjeve zgjedhore me parimin e Shtetit demokratik ka qenë kontradiktore.
40. Në fillim, në një vendim të dhënë më 6 maj 1968 (E. 1968/15, K. 1968/13), Gjykata Kushtetuese vendosi se "pragu i thjeshtë" i prezantuar nga parlamenti në mënyrë që të korrigjojë efektet e sistemit të përfaqësimit proporcional binte në kundërshtim me parimin e Shtetit demokratik. Ky ishte një prag i cili ndryshonte në përputhje me numrin e vendeve në parlament që duheshin plotësuar në secilën zonë zgjedhore. Pragu i aplikuar në një zonë llogaritej duke pjesëtuar numrin e votave të hedhura me numrin e vendeve që duheshin plotësuar, dhe vendet fitoheshin nga kandidatët të cilët arrijnë ta kalojnë atë. Gjykata Kushtetuese deklaroi në veçanti se një prag i tillë, i cili u krijonte mundësi përfaqësuesve të një pakice të zgjedhësve për të formuar një qeveri, mund të pengonte përfaqësimin e të gjitha rrymave të mendimit.
41. Më vonë, pas miratimit të Kushtetutës të 1982, Gjykata Kushtetuese dha këndvështrimet e saj mbi çështjen e sistemeve zgjedhore në një vendim të shpallur më 1 mars 1984 (E. 1984/1, 1984/2), si më poshtë:
“Paragrafi i parë i nenit 67 të Kushtetutës parashikon se qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen në përputhje me rregullat e përcaktuara me ligj. Megjithatë, kjo nuk përkthehet në një hapësirë vlerësimi të pakufizuar të legjislaturës. Duke u mbështetur në nenin 67 zgjedhjet zhvillohen nën administrimin dhe mbikëqyrjen e gjykatave dhe në përputhje me parimet e votës së lirë, të barabartë, të fshehtë dhe universale, në një raund të vetëm të votimit dhe votat e hedhura numërohen dhe regjistrohen në mënyrë publike. Me kushtin e respektimit të parimeve e mësipërme, ligjvënësi mund të miratojë çfarëdo sistemi zgjedhor që gjykon si më të përshtatshëm. Nëse grupi draftues i kushtetutës kishte pasur një sistem të veçantë në mendje, ai do të kishte miratuar një rregull detyrues. Duke qene se një gjë e tillë nuk është bërë, legjislatura është e lirë të miratojë sistemin të cilin ajo e konsideron më të përshtatshëm në kushtet politike dhe sociale të vendit...
Me kusht që të mos miratojë masa të cilat kufizojnë shprehjen e lirë të njerëzve, apo që ia nënshtrojnë jetën politike hegjemonisë së një partie të vetme politike, apo që shkatërrojnë sistemin multi-partiak, parlamenti mund të adoptojë një nga sistemet ekzistuese zgjedhore.”
42. Në vendimin e 18 nëntorit 1995 (E. 1995/54, K. 1995/59) Gjykata Kushtetuese pati mundësi për të gjykuar mbi kushtetutshmërinë e nenit 34/A të ligjit nr. 2839. Ky nen, i cili i referohej edhe nenit 33 të të njëjtit ligj, gjithashtu vendosi pragun zgjedhor prej 10% për shpërndarjen e mandateve për anëtarët e zgjedhur të Asamblesë në "zonën kombëtare". Gjykata Kushtetuese i shpalli dispozitat që përcaktonin "zonën kombëtare" absolutisht të pavlefshme, por u shpreh se pragu kombëtar 10% mund të konsiderohet në përputhje me nenin 67 të Kushtetutës
Pjesët përkatëse të vendimit lexojnë si vijon:
“...Kushtetuta e përcakton shtetin Turk si një Republikë ... Struktura kushtetuese e shtetit, e cila është e bazuar në sovranitetin kombëtar, është produkt i vullnetit të kombit i shprehur nëpërmjet zgjedhjeve të lira. Kjo zgjedhje, theksuar në nene të ndryshme të Kushtetutës, është përcaktuar qartë dhe saktë në nenin 67, me titull "E drejta për të votuar, për t’u zgjedhur dhe për t’u angazhuar në aktivitete politike". Paragrafi 6 i nenit 67, i ndryshuar, parashikon se ligjet zgjedhore duhet të konceptohen në mënyrë të tillë që të arrijnë një ekuilibër mes të parimeve të ‘përfaqësimit të drejtë’ dhe ‘stabilitetit qeveritar’. Qëllimi është për të siguruar që vullneti i zgjedhësve të reflektohet sa më shumë të jetë e mundur në legjislaturë. ... Në mënyrë që të zgjidhet sistemi, metodat e të cilit janë më të favorshme për shprehjen sa më të plotë të vullnetit të komunitetit dhe marrjen e vendimeve kolektive nga ligjvënësi, ... miratimin e legjislacionit përkatës në dritën e rrethanave të veçanta të vendit dhe kërkesave të Kushtetutës, është e nevojshme që të zgjidhet sistemi i cili është më në përputhje me Kushtetutën dhe të refuzojnë çdo sistem të papajtueshëm me të
Ndikimi i një demokracie përfaqësuese është i dukshëm në fusha të ndryshme. Sistemet e padrejta të miratuara me synimin e sigurimit të stabilitetit kanë për pasojë pengimin e zhvillimeve sociale. ... Kur flasin për përfaqësim, rëndësia që i jepet barazisë është kushti kryesor për stabilitetin qeveritar. Barazia siguron stabilitet. Megjithatë, ideja e stabilitetit, në mungesë të barazisë, krijon paqëndrueshmëri. Parimi i "përfaqësimit të drejtë", për të cilin Kushtetuta kërkon pajtueshmëri me të konsiston në votim të lirë, të barabartë, të fshehtë dhe universal, me një raund votimi dhe aksesin e publikut në rezultatet e numërimit dhe regjistrimit të votave, si dhe prodhon një numër përfaqësuesish në proporcion me numrin e votave të fituara. Parimi i ‘stabilitetit qeveritar’ është perceptuar si një referencë ndaj metodave të ideuara për të reflektuar votat brenda legjislaturës në mënyrë që të garantojnë fuqinë e pushtetit ekzekutiv. ‘Stabiliteti qeveritar’ i cili kërkohet të sigurohet me anë të pragut zgjedhor (i konceptuar si një ‘pengesë’), ashtu edhe ‘përfaqësimi i drejtë’..., mbrohen nga Kushtetuta. Në zgjedhje ... rëndësi i duhet kushtuar kombinimit të këtyre dy parimeve, të cilët duken të kundërt në situata të caktuara, në mënyrë të tillë [që të sigurojnë] që kundërpeshimin dhe plotësimin e njëri-tjetrit...
Në mënyrë që të arrihej qëllimi i ‘stabilitetit qeveritar’ i përcaktuar në Kushtetutë, u vendos pragu zgjedhor...
Qartësisht, [pragu] 10% i votave të hedhura në shkallë kombëtare i përcaktuar në nenin 33 të ligjit nr. 2839 ... hyri në fuqi me miratimin nga ana e ligjvënësit. Sistemet zgjedhore duhet të jenë në përputhje me parimet kushtetuese ..., dhe është e pashmangshme që disa prej këtyre sistemeve të përmbajnë rregulla strikte. Pragjet të cilat rezultojnë nga natyra e sistemeve dhe janë të shprehura në përqindje, dhe të cilat në nivel kombëtar kufizojë të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, janë të zbatueshme dhe të pranueshme ... me kusht që ato të mos tejkalojë limitet normale ...Pragu prej 10% është në përputhje me parimet e stabilitetit qeveritar dhe përfaqësimit të drejtë...”
Tre gjyqtarë nga njëmbëdhjetë të Gjykatës Kushtetuese nuk u pajtuan me argumentet e shumicës, duke konsideruar se pragu kombëtare 10% ishte i papajtueshëm me nenin 67 të Kushtetutës.
43. Në të njëjtin vendim, megjithatë, Gjykata Kushtetuese shpalli absolutisht të pavlefshëm pragun zgjedhor prej 25% për shpërndarjen e mandateve brenda rajoneve (pragu rajonal). Duke pohuar se një prag i tillë ishte në kundërshtim me parimin e përfaqësimit të drejtë, ajo vërejti:
“Edhe pse një prag kombëtar është vendosur në zgjedhjet parlamentare në përputhje me parimin e ‘stabilitetit qeveritar’, vendosja e një pragu për çdo zonë zgjedhore është e papajtueshme me parimin e ‘përfaqësimit të drejtë’.”
4. Pasqyrë e shkurtër e zgjedhjeve të mëparshme parlamentare
44. Zgjedhjet e 1950, 1954 dhe 1957 - në të cilat ishte përdorur sistemi mazhoritar - nuk arritën të siguronin një ekuilibër institucional ndërmjet shumicës në parlament dhe opozitës. Ky çekuilibër ishte një nga arsyet kryesore për grushtin e shtetit më 1960. Pas ndërhyrjes së forcave të armatosura, parlamenti miratoi përfaqësimin proporcional, duke përdorur metodën e D’hondt, për të forcuar pluralizmin dhe sistemin politik. Si rezultat, zgjedhjet në 1965 dhe 1969 prodhuan një shumicë të qëndrueshme në Asamblenë Kombëtare duke u bërë të mundur edhe partive të vogla të përfaqësoheshin. Megjithatë, në zgjedhjet e 1973 dhe 1977 forcat kryesore politike nuk ishin në gjendje që të krijonin qeveri të qëndrueshme, edhe pse kishin një mbështetje të gjerë zgjedhore. Ajo periudhe e mungesës së stabilitetit të qeverisë u karakterizua nga koalicione të formuara njëri pas tjetrit, ku të gjithë dobësoheshin nga ndikimi jo proporcional i partive të vogla në politikën e qeverisë.
45. Pas regjimin ushtarak të viteve 1980-1983, ligji nr. 2839 për zgjedhjen e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, i cili hyri në fuqi më 13 qershor 1983, ri-vendosi sistemin e përfaqësimit proporcional, me dy pragje zgjedhore. Pragut 10% kombëtar iu shtua një prag rajonal (numri i zgjedhësve pjesëtuar me numrin e mandateve të përcaktuara në çdo zonë zgjedhore); në vitin 1995 Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm pragun rajonal. Në zgjedhjet parlamentare të 1983 Partia Mëmëdheu (ANAP) mori shumicën absolute në parlament.
46. Zgjedhjet parlamentare të 29 nëntor 1987 i mundësuan kështu ANAP, e cila kishte marrë 36,31% të votave, për të formuar një shumicë të qëndrueshme parlamentare. Dy partitë e tjera fituan gjithashtu mandate. Në zgjedhjet e 20 tetor 1991 pesë parti fituan mandate në parlament. Ky rezultat ishte veçanërisht për faktin se tri parti të vogla politike (MÇP, IDP dhe HEP) kishin marrë pjesë në zgjedhje nën flamurin e partive të tjera politike me qëllim për të anashkaluar nenin 16 të ligjit nr. 2839, i cili e deklaronte të paligjshëm formimin e listave të përbashkëta para zgjedhjeve. Qeveria u krijua nga koalicioni i dy partive. Në ato zgjedhje tetëmbëdhjetë kandidatë të HEP (Partia Popullore e Punës - pro-kurde) të cilët fituan mandate në parlament në listën e partisë SHP (social-demokrate), më vonë dhanë dorëheqjen nga SHP për t’iu bashkuar partisë së tyre, HEP.
47. Në zgjedhjet e përgjithshme të 24 dhjetor 1995 pesë parti fituan mandate në parlament. Megjithatë, duke qenë se asnjëri prej tyre nuk kishte një shumicë parlamentare, u formua një koalicion.
48. Zgjedhjet parlamentare të vitit 1999 sërish nuk nxorën asnjë parti që të kishte shumicën parlamentare. Pesë partitë politike fituan mandate për në Asamblenë Kombëtare. Koalicion qeveris u formua prej tri partive.
49. Para zgjedhjeve të 3 nëntor 2002, viti i cili kishte parë përqindjen më të lartë të votave për partitë jo të përfaqësuara së fundi në parlament, ishte 1987-ta, me 19.4% të votave të hedhura. Në vitin 1991, si rezultat i krijimin të dy koalicioneve parazgjedhore, njëri ndërmjet PR, MÇP dhe IDP-së dhe tjetri ndërmjet SHP dhe HEP, kjo përqindje ishte ulur deri në 0.5%. Pas zgjedhjeve të 22 korrikut 2007 kjo ishte 13.1%.
50. Siç tregohet më lart (shih paragrafët 12-21), zgjedhjet e 2 nëntorit 2002 i mundësuan AKP të formonte një qeveri të qëndrueshme e cila zgjati deri më 22 korrik 2007, pavarësisht faktit se 45.3% e rreth 14.5 milion vota nuk u pasqyruan në përbërjen e parlamentit.
B. Materiale përkatëse të Këshillit të Evropës
51. Këshilli i Evropës nuk ka përcaktuar rregulla të detyrueshme për çështjen e pragjeve zgjedhore.
1. Dokumentet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës
52. Pjesa përkatëse e Rezolutës 1547 (2007) me titull Shteti i të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Evropë, të miratuar nga Asambleja më 18 prill 2007, parashikon si më poshtë:
“58. Në demokracitë e konsoliduara, nuk duhet të ketë prag më e lartë se 3% gjatë zgjedhjeve parlamentare. Kjo bën të mundur në këtë mënyrë për t’u shprehur një numër maksimal i mendimeve. Përjashtimi i një serë grupe individësh nga e drejta për t’u përfaqësuar dëmton një sistem demokratik. Në demokracitë e konsoliduara , duhet të gjendet një ekuilibër ndërmjet përfaqësimit të drejtë të pikëpamjeve të komunitetit dhe efektivitetit në parlament dhe qeveri.”
53. Në Rekomandimin e tij 1791 (2007) të titulluar Shteti i të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Evropë, të miratuar më 18 prill 2007, Asambleja rekomandoi që Këshilli i Ministrave të marrë masa për të korrigjuar mangësitë që vihen re në Rezolutën e lartpërmendur. Në lidhje me pragjet zgjedhore, ai rekomandoi që Komiteti i Ministrave të nxisë shtetet anëtare që të:
“17.10 konsiderojnë uljen e pragut zgjedhor në 3% për zgjedhjet parlamentare dhe...konsiderojnë balancën ndërmjet përfaqësimit të drejtë dhe efektivitetit në parlament dhe qeveri”.
2. Dokumentet e Komisionit Evropian për Demokraci nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecias)
54. "Kodi i praktikës së mirë në çështjet zgjedhore", i miratuar nga Komisioni i Venecias në 2002, thotë në mënyrë të prerë: "Pesë parimet e trashëgimisë zgjedhore evropiane janë votimi universal, i barabartë, i lirë, i fshehtë dhe i drejtpërdrejtë" "Në respektim të" këtyre parimeve, "mund të zgjidhet çdo sistem zgjedhor".
55. Pjesa përkatëse e raportit të Komisionit të Venecias titulluar Raporti mbi ligjin zgjedhor dhe administrimin zgjedhor në Evropë, i datës 12 qershor 2006, vijon si më poshtë:
“Efektet e një sistemi të caktuar zgjedhor mund të jenë të ndryshme nga vendi në vend, dhe ne duhet të kuptojmë se sistemet zgjedhore mund të ndjekin qëllimi politike të ndryshme, ndonjëherë edhe antagoniste. Një sistem zgjedhor mund të përqendrohet më shumë në përfaqësimin e drejtë të partive në parlament, ndërsa një tjetër mund të synojë shmangien e fragmentimit të sistemit partiak dhe nxitjen e krijimit të shumicës qeverisëse të një partie në Parlament. Një sistem zgjedhor përkrah një marrëdhënie të ngushtë ndërmjet votuesve dhe përfaqësuesve "të tyre" të zonave zgjedhore, ndërsa një tjetër e bën të lehtë për partitë në mënyrë specifike për të futur gratë, minoritetet ose specialistë në parlament me anë të listave të mbyllura partiake. Në disa vende, sistemet e komplikuara zgjedhore janë pranuar në mënyrë për të kombinuar disa qëllime politike. Në vende të tjera, është parë si një prioritet thjeshtësia e sistemit zgjedhor në mënyrë që të mos jetë shumë i vështirë për elektoratin dhe administratën për të kuptuar dhe zbatuar. Përshtatshmëria e një sistemi zgjedhor është përcaktuar në bazë të asaj nëse ai është i drejtë, duke pasur parasysh kushtet dhe probleme lokale. Në veçanti, transparenca e hartimit të listës është e rëndësishme të garantohet. Kështu, sistemi zgjedhor që do zbatohet dhe propozimet për reformën duhet të vlerësohen në çdo rast individual.”
56. Në Raportin e tij për rregullat zgjedhore dhe masat aktive për pjesëmarrjen e pakicave kombëtare në procesin e vendimmarrjes në vendet evropiane, të datës 15 mars 2005, Komisioni i Venecias, duke analizuar praktikat e disa shteteve anëtare, rekomandoi pesë masa specifike për të nxitur përfaqësimin e pakicave. Dy nga masat në fjalë kanë një ndikim në çështjen e pragjeve zgjedhore:
“...
d. Pragjet zgjedhore nuk duhet të ndikojnë mundësinë e pakicave kombëtare për t’u përfaqësuar.
e. Zonat zgjedhore (numri i tyre, shtrirja dhe forma, madhësia) mund të konceptohen me qëllim për të rritur pjesëmarrjen e pakicave në proceset vendim-marrëse.”
3. Dokumentet që lidhen në mënyrë specifike me zgjedhjet në Turqi
(a) Raport i Komitetit Ad Hoc të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës
57. Qeveria iu referua raportit të Komisionit Ad hoc për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Turqi (3 nëntor 2002), publikuar më 20 dhjetor 2002. Pjesët përkatëse të raportit lexojnë si më poshtë:
“Siç është raportuar gjerësisht nga mediat, vetëm dy parti nga 18 gjetën rrugën e tyre në TBMM-në e re; AKP (Drejtësi dhe Zhvillim) dhe CHP (Partia Republikane e Popullit), duke lënë jashtë të gjitha partitë e tjera, të cilat deri më tani kishin qenë të përfaqësuara në parlament, pasi ato nuk kishin mundur të kalonin pragun e 10%. Partia që ishte në pushtet deri para këtyre zgjedhjeve mori vetëm 1% të votave. Problemet ekonomike dhe korrupsioni ishin përcaktues në zgjedhjet e mbajtura.
Rezultati ishte një shumicë e qartë dhe absolute ku AKP fitoi 362 mandate, 179 mandate u fituan për opozitën dhe 9 mandate për kandidatët e pavarur. (Këta deputetë të pavarur u zgjodhën në qytetet e vogla, ku ata kanë një reputacion të mirë.) Duhet të kujtojmë se AKP kishte 59 mandate në parlamentin e mëparshëm, dhe CHP tre (zgjedhjet e 1999).
Kjo situatë mund të krijojë stabilitet ndoshta më të madh në vend duke shmangur koalicionet e komplikuara dhe të paqëndrueshme. Të hënën më 4 nëntor 2002 bursa Turke u rrit me 6.1%.
Megjithatë, ajo gjithashtu do të thotë se rreth 44% e votuesve nuk kanë përfaqësim në Parlament.
Kështu, rezultatet duhet të konsiderohen si një votë proteste kundër gjithë sistemit si një i tërë, pasi asnjë nga tri partitë në koalicionin e vjetër qeverisës nuk arritën të merrnin votat e mjaftueshme qoftë edhe për një vend të vetëm!”
(b) Rezoluta 1380 (2004) e Asamblesë Parlamentare
58. Paragrafët 6 dhe 23 të Rezolutës 1380 (2004) "Respektimi i detyrimeve dhe angazhimeve nga Turqia", e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës më 22 qershor 2004, lexojnë si më poshtë:
“6. Përsa i përket demokracisë pluraliste, Asambleja pranon se Turqia është një demokraci funksionuese me një sistem shumë partiak, zgjedhje të lira dhe ndarje të pushteteve. Frekuenca me të cilën partitë politike janë shpërbërë është megjithatë një burim i vërtetë shqetësimi dhe Asambleja shpreson se në të ardhmen ndryshimet kushtetuese të tetorit 2001 dhe ato të paraqitur nga legjislacioni i marsit 2002 për partitë politike do të kufizojnë përdorimin e një mase të tillë ekstreme si shpërbërja. Asambleja gjithashtu konsideron se kushti i marrjes së të paktën 10% të votave të hedhura në nivel kombëtar nga partitë politike, që të mund të përfaqësohen në parlament është i tepruar dhe se rregullat për votimin e qytetarët turq që jetojnë jashtë shtetit duhet të ndryshohen.
...
23. Për këtë arsye Asambleja fton Turqinë, si pjesë e procesit aktual të reformave të saj, që të:
...
ii. ndryshojë kodin zgjedhor për të ulur pragun e 10% dhe për t’u mundësuar shtetasve turq që jetojnë jashtë vendit të votojnë pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në pikat kufitare;
...”
(c) "Raport mbi "Vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Turqi (22 Korrik 2007)”
59. Pjesët përkatëse të raportit të titulluar Vëzhgimi i zgjedhjeve parlamentare në Turqi, publikuar nga Komiteti ad hoc i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, lexon si vijon:
“XII. Përfundime dhe rekomandime
55. Zgjedhjet parlamentare në Turqi, më 22 korrik 2007, ishin përgjithësisht në përputhje me angazhimet e Turqisë ndaj Këshillin të Evropës dhe standardeve evropiane për zgjedhje të lira.
56. Përgjithësisht, votimi ishte i mirë - organizuar dhe kryer në mënyrë të rregullt dhe profesionale, që dëshmon për një traditë të gjatë të zgjedhjeve demokratike në Turqi.
57. Pjesëmarrja e lartë e votuesve tregon se besimi në procesin demokratik ekziston në Turqi.
58. Administratorët zgjedhorë në të gjitha nivelet i kryen detyrat e tyre në mënyrë efektive dhe në mirëbesim.
59. Megjithatë, Raportuesi beson se Turqia mund të bëjë më shumë në aspektin e organizimin e zgjedhjeve që do të garantojnë një parlament të vërtetë përfaqësues. Pragu 10% mund të ulet, në përputhje me Rezolutat 1380 (2004) dhe 1547 (2007). Fakti që Parlamenti i ri i zgjedhur më 22 korrik 2007 është shumë më tepër përfaqësues se Parlamentet e mëparshme pasi përfaqëson rreth 90 për qind të opinioneve të elektoratit, është për shkak të faktit se tre, në vend të dy partive janë të përfaqësuar dhe gjithashtu si pasojë e manovrës së partive opozitare për të prezantuar kandidatë të pavarur të mbështetur nga partia dhe jo si rezultat i hapave të marra nga autoritetet turke.
60. Autoritetet turke mund të dëshirojnë t’i drejtohen Komisionit të Venecias lidhur me këtë çështje, si dhe në lidhje me thjeshtimin e legjislacionit zgjedhor.”
60. Për më tepër, në përgjigje të një pyetjeje nga një parlamentar pas fjalimit të tij në Asamblenë Parlamentare në 3 tetor 2007, Presidenti i Republikës së Turqisë, tha se pragu 10% është i nevojshëm, por në kohën e duhur mund të hiqet (shih proces-verbalin e sesionit të 3 tetorit 2007). Pjesët përkatëse të përgjigjes së tij lexojnë si më poshtë (Përkthim i Regjistrit të përmbledhjeve në frëngjisht të proces-verbalit të sesionit të 3 tetorit 2007):
“Z. Gül sqaroi se pragu 10% ishte vendosur për të korrigjuar paqëndrueshmërinë e viteve të mëparshme, në të cilat kishte pasur një numër të madh të qeverive të koalicionit në frekuenca të shkurtra. Pragu nuk i ka penguar kandidatët e pavarur nga konkurrimi. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, në korrik të vitit 2007, pjesëmarrja e votuesve ka qenë 85%, e cila tregoi se sa përfaqësues ishte parlamenti. Tani që stabiliteti politik ishte rivendosur pragun 10% mund të ri konsiderohet.”
C. Ligji krahasues
61. Edhe pse nuk ka klasifikim uniform të llojeve të votimit dhe sistemeve zgjedhore, zakonisht dallohen tre lloje kryesore: sistemet mazhoritare, sistemet proporcionale dhe sistemet e përziera. Në sistemet mazhoritare fituesi është kandidati ose lista e kandidatëve i cili arrin të marrë shumicën e votave në raundin vendimtar të votimit. Ky lloj votimi bën të mundur për të votuar në qeveri me shumicë të qartë parlamentare, por në të njëjtën kohë ajo nuk ndihmon përfaqësimin e partive politike të pakicave. Kështu, për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar përdorimi gjatë shumë dekadave të një raundi të vetëm të votimit në një sistem mazhoritar një emëror ("first past the post"[1]), i kombinuar me ekzistencën e dy partive politike dominuese, ka pasur efektin e dhënies së disa mandateve partive të tjera në lidhje me numrin e votave që ato marrin. Ka raste të tjera të ngjashme, në Francë për shembull, ku ka një sistem mazhoritar me dy raunde votimi. Në ekstremin e kundërt, qëllimi i sistemit proporcional është për të siguruar që votat të pasqyrohen në një numër proporcional të vendeve. Përfaqësimi proporcional në përgjithësi konsiderohet të jetë sistemi më i drejtë, sepse tenton të reflektojë më mirë forcat e ndryshme politike. Megjithatë, disavantazhi i përfaqësimit proporcional është rreziku i fragmentimit në mesin e atyre që kërkojnë mbështetje zgjedhore dhe kështu e bën më të vështirë krijimin e shumicës parlamentare të qëndrueshme.
62. Aktualisht, sistemet proporcionale janë të përdorura më gjerësisht në Evropë. Për shembull, Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Irlanda, Luksemburgu, Malta, Moldavia, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Rusia, Spanja, Suedia dhe Turqia kanë zgjedhur variante të përfaqësimit proporcional. Ka edhe sisteme të përziera që konsistojnë në kombinime të ndryshme të dy llojeve të votimit (për shembull, në Gjermani, Itali dhe Lituani).
63. Në disa sisteme proporcionale pragjet ligjore janë përdorur për të korrigjuar efektet negative të votimit proporcional, dhe në veçanti për të siguruar stabilitet më të madh parlamentar. Këto pragje, të shprehura në përgjithësi si një përqindje e votave, janë "kufij, fiks ose të ndryshueshëm, të vendosur përcaktuar në lidhje me rezultatin zgjedhor, të cilat përcaktojnë çfarë i takon një kandidati ose liste në shpërndarjen e mandateve". Megjithatë, roli i një pragu ndryshon në përputhje me nivelin e përcaktuar të tij dhe sistemit partiak në secilin vend. Një prag i ulët përjashton grupimet vetëm shumë të vogla, që e bën më të vështirë për të formuar shumicën e qëndrueshme, ndërsa në rastet kur sistemi partiak është shumë i fragmentuar një prag i lartë privon shumë votues nga përfaqësimi.
64. Nëse analizohen pragjet zgjedhore të adaptuara nga Shtetet anëtare që kanë përfaqësim proporcional vihet re se vetëm katër shtete kanë zgjedhur pragje të larta: Turqia ka pragun më të lartë, 10%; Lihtenshtejni ka një prag 8%; Federata Ruse dhe Gjeorgjia përdorin pragun prej 7%. Një e treta e Shteteve kanë një prag 5% dhe 13 prej tyre kanë zgjedhur një shifër më të ulët. Shtetet e tjera anëtare (shtatë në numër) nuk përdorin pragje. Për më tepër, në disa sisteme pragjet janë zbatuar vetëm për një numër të kufizuar të mandateve (për shembull, në Norvegji dhe Islandë). Pragu për partitë dhe pragu për koalicione mund të vendoset në nivele të ndryshme. Në Republikën Çeke, për shembull, pragu për një parti është 5%, ndërsa në rastin e një koalicioni ky rritet në nivelin 5% për secilën prej partive përbërëse. Në Poloni, pragu për koalicionet është 8% pavarësisht numrit të partive që e përbëjnë. Gjithashtu, pragjet variojnë edhe për kandidatët e pavarur: në Moldavi, për shembull, pragu përkatës është 3%.
E DREJTA
I. SHTRIRJA E JURIDIKSIONIT TË DHOMËS SË MADHE
65. Gjykata vëren se në gjykimin e Dhomës (paragrafi 40) kërkesa ishte formuluar si më poshtë:
“Kërkuesit pretenduan se vendosja e një pragu zgjedhor prej 10% në zgjedhjet parlamentare ndërhyn në shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e legjislaturës.”
66. Gjatë procedurës para Dhomës, kërkuesit, duke u mbështetur kryesisht në rezultatet e zgjedhjeve më 3 nëntor 2002, u ankuan për pragun 10%. Për këtë qëllim, ata paraqitën një pasqyrim të plotë të zgjedhjeve në Turqi që nga viti 1946, vit në të cilin u prezantua sistemi multi-partiak në Republikë. Më vonë, në kërkesën e tyre për referim, dorëzuar më 20 prill 2007, duke kritikuar në veçanti analizën e sistemit zgjedhor turk të bërë nga Dhoma në gjykimin e saj, ata parashtruan se vendimi i dha Palës Kontraktuese një hapësirë jashtëzakonisht të gjerë vlerësimi përsa i përket përzgjedhjes dhe funksionimit të sistemit zgjedhor.
67. Pas 9 korrikut 2007, datë në të cilën një panel prej pesë gjyqtarësh pranuan kërkesën e ankuesve që çështja t’i referohet Dhomës së Madhe, u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Turqi.
68. Pavarësisht faktit se kishin komentuar në një farë mase mbi zgjedhjet e 22 korrikut 2007 në vëzhgimet e paraqitura në Dhomën e Madhe më 7 shtator 2007, përfaqësuesit e kërkuesve bënë të qartë në seancën e 21 nëntorit 2007 se kërkesa ishte paraqitur për të siguruar një vendim se ka pasur shkelje në zgjedhjet e 3 nëntorit 2002, jo ato në ato të 22 korrikut 2007.
69. Në seancë, Qeveria argumentoi se, për aq sa kërkesat e ankuesve lidhen me strukturën kushtetuese të Turqisë, ato duhet të konsiderohen si një actio popularis, dhe pohoi se rezultatet e përgjithshme të 22 korrikut 2007 kishin konfirmuar përfundimet e Dhomës në gjykimin e saj të datës 30 janar 2007.
70. Gjykata duhet të përcaktojë pra, shtrirjen e shqyrtimit që ajo duhet t’i bëjë çështjes, duke vendosur në mënyrë të veçantë nëse ajo mund të kufizohet vetëm në shqyrtimin e rezultateve të zgjedhjeve të 3 nëntorit 2002, pa marrë në konsideratë ngjarjet pas gjykimit të Dhomës.
71. Gjykata rithekson se, në bazë të jurisprudencës së saj, "çështja" e referuar Dhomës së Madhe domosdoshmërisht përfshin të gjitha aspektet e kërkesës së shqyrtuar më parë nga Dhoma në vendimin e saj, pasi nuk ka asnjë bazë për një referim të pjesshëm të çështjes (shih Cumpǎnǎ dhe Mazǎre kundër Rumanisë [GC], nr. 33348/96, § 66, ECHR 2004-XI, dhe K. dhe T. kundër Finlandës [GC], nr. 25702/94, §§ 140 dhe 141, ECHR 2001-VII)
72. "Çështja" e referuar Dhomës së Madhe është kërkesa e deklaruar e pranueshme. Kjo nuk do të thotë, megjithatë, se Dhoma e Madhe nuk mund të shqyrtojë, aty ku është e përshtatshme, çështjet lidhur me pranueshmërinë e kërkesës, ashtu siç është e mundur në procedurën normale të Dhomës, për shembull, sipas nenit 35 in fine të Konventës (i cili i jep të drejtën Gjykatës për të "refuzuar çdo kërkesë që e çmon si të papranueshme ... në çdo fazë të procedimit"), ose kur çështje të tilla kanë qenë të bashkuara me themelin apo ndryshe kur kanë lidhje me fazën e shqyrtimit të themelit (shih K. dhe T. kundër Finlandës, cituar më lart, § 141).
73. Gjykata vëren që në fillim se, nuk ka juridiksion për të shqyrtuar një ligj të brendshëm zgjedhor në mënyrë abstrakte, dhe se u takon kryesisht autoriteteve kombëtare, dhe në veçanti gjykatave, të cilat janë të kualifikuar posaçërisht për të interpretuar dhe zbatuar të drejtën e brendshme (shih, për shembull, Gitonas dhe të Tjerët kundër Greqisë, gjykim i datës 1 korrik 1997, Raporte të Gjykimeve dhe Vendimeve 1997-IV, § 44, dhe Briķe kundër Letonisë (dec.), nr. 47135/99, 29 qershor 2000). Megjithatë, në rastin në fjalë, çështja e kërkuesve nuk përbën një actio popularis. Në zgjedhjet e 3 nëntorit 2002 ata ishin cenuar drejtpërdrejt dhe menjëherë nga pragu i kundërshtuar (shih, mutatis mutandis, Serge Moureaux dhe të Tjerët kundër Belgjikës, nr. 9267/81, vendim i Komisionit i 12 korrik 1983, Vendimet dhe Raportet (DR) 33, p. 127). Duke qenë se Dhoma e dha vendimin para zgjedhjeve të 22 korrikut 2007, ajo kryesisht mori parasysh rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit 2002 dhe kontekstin në Turqi në atë kohë. Gjykata tani do të shqyrtojë çështjen në dritën e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 3 nëntorit 2002, por pa neglizhuar edhe zgjedhjet e 22 korrikut 2007, në të cilat kërkuesit nuk ishin kandidatë, por që gjithsesi kanë një ndikim në vlerësimin e efekteve të pragut zgjedhor të kundërshtuar nga kërkuesit.
II. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 3 TË PROTOKOLLIT Nr. 1
74. Ankuesit pretenduan se vendosja e një pragu zgjedhor prej 10% në zgjedhjet parlamentare ndërhynte në shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e organit ligjvënës. Ata u bazuan në nenin 3 të Protokollit nr. 1, i cili parashikon:
“Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të organizojnë në intervale të arsyeshme kohore, zgjedhje të lira me votim të fshehtë, në kushte që sigurojnë shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e organit ligjvënës.”
A. Vendimi i Dhomës
75. Dhoma vërejti se qëllimi i pragut zgjedhor prej 10% të vendosur në zgjedhjet parlamentare ishte për të forcuar stabilitetin qeveritar duke parandaluar fragmentimin e tepërt dhe të dëmshëm parlamentar. Gjithashtu mund të konsiderohet e nevojshme dhe proporcionale arritja e këtij qëllimi. Ajo, rrjedhimisht, arriti në përfundimin se "Turqia nuk kishte dalë jashtë hapësirës së saj të gjerë të vlerësimit në lidhje me nenin 3 të Protokollit 1, pavarësisht nivelit të lartë të pragut të ankimuar (shih paragrafët 66-79 të gjykimit të Dhomës).
B. Argumentet e palëve
1. Kërkuesit
76. Kërkuesit kundërshtuan vlerësimet e Dhomës, duke pohuar se ajo kishte bërë një interpretim të kufizuar dhe të përciptë e të drejtës për zgjedhje të lira.
77. Në radhë të parë, kërkuesit parashtruan se duke qenë se pragu 10% pengon një pjesë të madhe të popullsisë për të shprehur zgjedhjet në lidhje me përfaqësimin e saj parlamentar, në mënyrë mjaft evidente përbën një ndërhyrje serioze në të drejtën e pjesëmarrjes dhe nuk i shërben asnjë qëllimi legjitim për qëllimet e nenit 3 të Protokollit nr. 1.
78. Në lidhje me këtë, kërkuesit kundërshtuan argumentin se pragu i kundërshtuar kishte për qëllim forcimin e stabilitetin parlamentar. Ata pohuan se autoritetet ushtarake, të cilat kishin marrë pushtetin në 1980 me grusht shteti, fajësuan sistemin zgjedhor në atë kohë në fuqi për trazirat sociale dhe politike në Turqi mes viteve 1970 dhe 1980, si dhe për paqëndrueshmërinë qeveritare që këto trazira kishin sjellë. Sipas mendimit të tyre ishte anormale për të krijuar një lidhje shkakësore midis pragut dhe situatës politike në Turqi në vitet 1970, siç vlerësohet në vendimin e Dhomës.
79. Kërkuesit vunë theksin në faktin se dy nga katër zgjedhjet në të cilat përfaqësimi proporcional ishte përdorur pa miratuar pragun zgjedhor (ato të 1965 dhe 1969), kishin prodhuar qeveri të krijuara nga një parti e vetme, dy të tjera (ato të 1973 dhe 1977) kishin çuar në qeveri koalicioni.
80. Për më tepër, edhe pse nuk është përjashtuar që ulja ose heqja e pragut zgjedhor kombëtar do të çojë në një qeveri koalicioni, një rezultat i tillë nuk ishte domosdoshmërisht sinonim me paqëndrueshmëri qeveritare. Qeveritë e koalicionit kanë qenë ndonjëherë më të qëndrueshme se qeveritë me parti të vetme.
81. Ankuesit pretendonin se ishte e vështirë për të mbrojtur pikëpamjen se masat e jashtëzakonshme në fjalë forconin demokracinë përfaqësuese. Këshilli i Evropës ishte krijuar për të forcuar demokracinë dhe vlerat demokratike. Edhe pse sigurisht Shtetet Kontraktuese kishin një hapësirë të gjerë vlerësimi në këtë çështje, ata nuk mund të pretendonin shtrirjen e kësaj hapësire - pa marrë parasysh të drejtën e përfaqësimit të drejtë - në një masë të pakufizuar dhe joproporcionale, duke përjashtuar nga jeta politike e vendit një segment të veçuar të popullsisë.
82. Një prag i tillë i lartë kombëtar solli një përfaqësimin shumë të padrejtë dhe çoi në një krizë legjitimiteti për qeverinë, pasi parlamenti duhet të jetë tribuna e lirë e çdo demokracie. Është e qartë se një parlament në përbërjen e së cilit pasqyrohen vetëm rreth 55% të votave nuk mund të pretendohet se përbën një përfaqësim legjitimitetin, baza e çdo demokracie. Në lidhje me këtë, kërkuesit vunë në dukje se në zgjedhjet parlamentare të 1987, 1991, 1995 dhe 1999 përqindja e votave të hedhura në favor të partive jo të përfaqësuara në parlament kishte qenë, përkatësisht, 19.4% (rreth 4.5 milionë vota), 0.5 % (rreth 140 000 vota), 14% (rreth 4 milionë vota) dhe 18.3% (rreth 6 milionë vota). Rezultatet e zgjedhjeve të 2002 sollën një "krizë përfaqësimi", pasi 45.3% të votave - që ishin rreth 14 500 000 vota - nuk ishin marrë parasysh dhe nuk ishin pasqyruar në përbërjen e parlamentit.
83. Kërkuesit parashtruan se Gjykata duhet të marrë parasysh faktorët në vijim: së pari, rolin vendimtar të pluralizmit si shtyllë e demokracisë dhe në mënyrë konsekuente rëndësinë e partive politike, veçanërisht ato të cilat veprojnë për të siguruar që zëri i një rajoni të veçantë të një vendi të mund të dëgjohet në parlament; së dyti, faktin që pragu zgjedhor i përdorur në Turqi ishte më i larti krahasuar me shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe pasi nuk ka pasur masa korrigjuese, faktin se ai ka penguar shprehjen e grupeve të caktuara shoqërore; së treti dhe së fundi, situatën e veçantë në Turqi dhe efektet e pragut në praktikë, domethënë pamundësinë e çdo partie të përqendruar në një rajon të caktuar të përfaqësohet në Asamblenë Kombëtare. Nëse këta faktorë nuk merren parasysh, e drejta për zgjedhje të lira do të lihet në interpretimin arbitrar të shteteve individuale, të cilat mund të përdorin për të justifikuar një prag më të lartë se 10%.
84. Kërkuesit gjithashtu pretenduan se pragu 10% nuk ishte në përputhje me standardin e përbashkët evropian. Pragu kombëtar i miratuar në Turqi ishte më i larti në Evropë, ndoshta edhe në botë. Në qoftë se ai prag do ishte zbatuar në vende të tjera, një numër partish të njohura nuk do të kishin marrë pjesë në qeveri; për shembull, Demokratët e Lirë në Gjermani, partitë e qendrës dhe të Krishterë në Skandinavi, të Gjelbërit në Holandë dhe majta e qendrës dhe e djathta në Itali. Në shumicën e vendeve të cilat kishin futur pragun zgjedhor, niveli i zgjedhur ishte 5% (në vitin 2001 mesatarja ishte 4,25% në Evropën Qendrore dhe Lindore). Edhe vende të cilat ishin duke përjetuar probleme serioze lidhur me integrimin dhe e kishin të nevojshëm stabilizimin e përfaqësimit partiak, në funksion të ekzistencës së partive të pavarura ose shumë të vogla, nuk e kishin parë të arsyeshme që të vendosnin kufij dy herë më të lartë. Kërkuesit supozuan se nëse në zgjedhjet e vitit 2002 do ishte përdorur pragu zgjedhor prej 5%, tetë parti (nga 18 që paraqiten kandidatët), duke përfshirë DEHAP, do të kishin fituar mandate në parlamentin turk, në vend të vetëm dy partive kryesore kombëtare.
85. Argumenti se kërkuesit ose anëtarët e tjerë të partisë së tyre mund të kishin marrë pjesë në zgjedhje si kandidatë të pavarur - një nga argumentet kryesore të Qeverisë dhe një nga arsyet në të cilat Dhoma e kishte bazuar vendimin e saj - shpërfillte rolin e partive në kontekstin e sistemit politik. As kandidaturat e pavarura dhe as formimi i aleancave nuk mund të zënë vendin e partive të pavarura politike, pasi ato luajnë një rol thelbësor si elemente themelore të demokracisë. Ishte e qartë se kandidatët të cilët kandiduar si të pavarur dhe u bazuan vetëm në burimet e tyre të kufizuara personale dhe financiare, nuk mund të konkurronin me partitë që kishin burime të konsiderueshme logjistike dhe financiare.
86. Për më tepër, në Turqi kandidatët e pavarur kanë qenë subjekt i një numri kufizimesh dhe kushtesh të pafavorshme. Për shembull, emrat e kandidatëve të pavarur nuk ishin të shtypur në fletën e votimit që shërbenin për votimin në zonat kufitare, që do të thoshte se personat që hyjnë në territorin turk për qëllimin e qartë të pjesëmarrjes në zgjedhje në një vend votim kufitar, nuk mund të votojnë për kandidatët e pavarur, fakt ky që në mënyrë të konsiderueshme zvogëlon shanset e kandidatëve të tillë për t’u zgjedhur. Pamundësia për kandidatët e pavarur për të bërë transmetime zgjedhore në media, edhe pse të gjitha partitë politike kishin të drejtën e një kohe të caktuar në televizion dhe radio, ishte gjithashtu një disavantazh i rëndë (shih paragrafin 39 më lart). Së fundi, e drejta e zgjedhësve për të zgjedhur, lirisht dhe në mënyrë të barabartë, për t’u përfaqësuar nga partitë - në vend të kandidatëve të pavarur, për shembull - dhe e drejta e të gjitha palëve për të konkurruar në mënyrë të barabartë, janë parimet thelbësore për qëllime të nenit 3 të Protokollit nr. 1.
87. Sa i përket mundësisë së formimit të një koalicioni me partitë e tjera politike me qëllim të kalimit të pragut 10%, kërkuesit theksuan se neni 16 i ligjit nr. 2839, i pengonte partitë të paraqisnin lista të përbashkëta dhe të merrnin pjesë në zgjedhjet parlamentare duke formuar koalicione në përputhje të plotë me ligjin. Më tej, ata parashtruan se klima politike, që karakterizohej nga forca në rritje e nacionalizmit, e bëri të pamundur për të formuar aleanca të tilla.
88. Kërkuesit shpjeguan më tej se në bazë të nenit 36 të ligjit për partitë politike, një parti politike nuk mund të propozojë kandidatë për zgjedhje nëse ajo nuk kishte një seli në vend (shih paragrafin 36 më lart). Për më tepër, sipas të njëjtit ligj, ishte e ndaluar për të krijuar një parti të bazuar në një grup të caktuar etnik apo në një rajon (shih paragrafin 37 më lart). Ky rregull pasqyronte ideologjinë mbizotëruese zyrtare në Turqi. Refuzimi absolut i partive rajonale përbënte haptazi një shkelje të rëndë të parimit të deklaruar më parë nga ana e Gjykatës se "nuk ka demokraci pa pluralizëm". Rëndësi i duhet dhënë natyrës së gjerë shumë-kulturore të shoqërisë turke, dhe kërkuesit e partia e tyre ishin të destinuar të penalizoheshin, sepse, edhe në qoftë se ata kërkonin mbështetje në të gjithë vendin duke mbrojtur politikat kombëtare, ishte kryesisht një segment i veçantë i popullsisë që i mbështeste ata.
89. Në parashtrimet e kërkuesve, një nga synimet kryesore të një demokracie të bazuar mbi një sistem të partive të zgjedhura, ishte për të siguruar që partitë politike, elektorati i të cilave ishte përqendruar tërësisht ose kryesisht në një rajon të caktuar, të mund të funksionojnë dhe të zgjidhen lirisht, pa kufizime, dhe se zgjedhësit që kanë votuar për ta, të përfaqësohen në mënyrë të barabartë. Nëse ky parim do ishte zbatuar, ishte e qartë se pamundësia për të hyrë në parlament e DEHAP kur ajo kishte fituar më shumë se 45% (rreth dy milionë) të votave të hedhura në jug-lindje të Turqisë e kishte deformuar ndjeshëm përfaqësimin. Përveç kësaj, detyrimi për të vepruar në nivel kombëtar ishte i detyrueshëm të shihej në kontekstin e një kulture politike e cila sistematikisht injoronte debatin rreth "çështjes kurde", duke bllokuar haptazi shprehjen e lirë të vullnetit të një pjese të madhe të popullit të jug-lindjes së Turqisë, në shkelje të jurisprudencës së Gjykatës. Prandaj, shprehja e lirë e vullnetit të shumicës së elektoratit në rajonin në fjalë ishte penguar qëllimisht.
90. Më konkretisht, kërkuesit parashtruan se për shkak të zbatimit të pragut zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 2002 DEHAP, i cili ishte i njohur për interesin e tij dhe përkushtimin ndaj çështjes kurde, nuk kishte marrë as edhe një mandat në parlament edhe pse kishte arritur shumë rezultate të larta në një numër zonash. Sipas mendimit të tyre nuk mund të konsiderohej se zgjedhjet parlamentare të 22 korrikut 2007 e kishin zgjidhur problemin, edhe pse DTP, pasardhëse e DEHAP, kishte paraqitur kandidatë të pavarur. Fakti se partitë politike të mbështetura nga kurdët kishin paraqitur kandidatë të pavarur ishte në vetvete një handikap.
91. Si pasojë, në parashtrimet e kërkuesve, fakti se ata nuk ishin zgjedhur në Asamblenë Kombëtare për shkak të pragut kombëtar 10%, kur në zgjedhjet parlamentare të 3 nëntorit 2002 lista e DEHAP - së cilës ata i përkisnin - kishte fituar 45,95% të votat e hedhura në zonën e Sirnak, ishte i papajtueshëm me nenin 3 të Protokollit nr. 1. Ata argumentuan se pragu tepër i lartë ishte në konflikt me objektin dhe qëllimin e dispozitës në fjalë, e cila ishte për të garantuar të drejtën e shprehjes së lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e organit ligjvënës. Duke privuar një pjese të tërë të popullsisë nga mundësia për të qenë e përfaqësuar në parlament nga një parti e cila përfaqëson zërin e tyre, pragu kombëtar i heq thelbin kësaj të drejte. Një ndërhyrje e tillë serioze dhe sistematike në të drejtat e një grupi të tërë, unike në mesin e të gjitha sistemeve zgjedhore evropiane, nuk mund të arsyetohet me hapësirën e vlerësimit që i është lënë Shtetit dhe për këtë arsye përbënte haptazi një shkelje të Konventës.
2. Qeveria
92. Qeveria i kërkoi Dhomës së Madhe të konfirmojë përfundimet e Dhomës se nuk ka pasur shkelje të nenit 3 të Protokollit Nr 1.
93. Ata parashtruan se, pragu 10% është llogaritur për të siguruar stabilitetin politik të vendit duke parandaluar fragmentimin e tepërt të përbërjes së parlamentit dhe për të forcuar demokracinë dhe partitë politike duke nxitur këto të fundit për të propozuar politika të pranuara pak a shumë në përgjithësi në të gjithë vendin. Pragu nuk cenon parimet themelore të demokracisë, si pluralizmi. Madje ndodh e kundërta, duke lehtësuar zgjedhjen e kandidatëve të pavarur nëpërmjet përjashtimit të tyre nga pragu 10%, bën të mundur rrënjosjen thellë të pluralizmit në shoqëri. Në lidhje me këtë, Qeveria ka theksuar se ndërmjet vitit 1961 dhe 1980, kur Turqia nuk ka aplikuar asnjë prag, ka pasur njëzet ndryshime të qeverisë në nëntëmbëdhjetë vjet, ndërsa ndërmjet viteve 1983 dhe 2007, periudhë kur pragu 10% ishte në fuqi, shtatë zgjedhjet kishin sjellë tri qeveri koalicioni dhe tri qeveri një-partiake. Këto shifra tregojnë se pragu kishte efekte pozitive në stabilitetin qeveritar.
94. Qeveria parashtroi më tej se, refuzimi për të propozuar politika pak a shumë të pranuara përgjithësisht në të gjithë vendin dhe shkëputja nga pjesa tjetër e vendit, duke përfaqësuar vetëm një rajon apo një elektorat të veçantë, nuk mund të konsiderohet në përputhje me strukturën unitare të shtetit. Në atë pikë, Turqia nuk ishte e vetmja. Vendimi në çështjen e Mathieu-Mohin dhe Clerfayt kundër Belgjikës, tregoi se edhe në Belgjikë, ku ka pasur grupe gjuhësore, deputetët dhe senatorët përfaqësonin kombin belg. Në mënyrë të ngjashme, neni 80 i Kushtetutës turke parashikonte se deputetët përfaqësonin shoqërinë si një e tërë.
95. Qeveria konsideron se pragu ishte një masë proporcionale e cila binte kryesisht në hapësirën e saj të vlerësimit. Ata argumentuan në veçanti se, siç ishte konfirmuar nga zgjedhjet më 22 korrikut 2007, kërkuesit mund të ishin zgjedhur më 3 nëntor 2002 në qoftë se ata do kishin kandiduar si të pavarur ose nëse DEHAP do kishte formuar një koalicion zgjedhor me një ose më shumë prej partive të mëdha.
96. Në lidhje me këtë, ata parashtruan se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 22 korrikut 2007 vërtetonin përfundimet e Dhomës në vendimin e saj të datës 30 janar 2007. Anëtarët e DTP – parti e cila, sipas kërkuesve kishte zënë vendin e partisë anëtarë të së cilës kishin qenë - kishin kandiduar si të pavarur në zgjedhjet e vitit 2007 dhe ishin zgjedhur lehtësisht, duke qene se kandidatët e pavarur nuk ishin subjekt i pragut kombëtar. Disa ditë pas zgjedhjes së tyre ata i ishin ribashkuar DTP dhe kishin formuar një grup parlamentar (shih paragrafin 25 më lart). Duke e parë se nuk mund të kalonte pragun në zgjedhjet e vitit 2007, DTP u kishte kërkuar anëtarëve të saj të dilnin si kandidatë të pavarur dhe kështu kishte arritur të fitonte njëzet mandate në parlament. Ishte e rëndësishme të theksohej se numri i përgjithshëm i votave të fituara nga kandidatët e pavarur të DTP-së përfaqësonte vetëm 2.04% të votave kombëtare, që do të thotë se DTP nuk do të kishte qenë në gjendje të arrinte pragun e 5%, që, sipas kërkuesve, ishte shprehje e një "tradite të përbashkët politike demokratike" midis vendeve evropiane. Nëse pragu do kishte qenë më i ulët – të themi 2% - DTP me 2,04% të votave, do të kishte fituar vetëm një mandat, ose më së shumti dy. Duke fituar njëzet mandate, ose 3.6% të numrit të përgjithshëm të vendeve në Asamblenë e Madhe Kombëtare, DTP kishte arritur të rriste në maksimum përfaqësimin e saj në parlament.
97. Për më tepër, partitë politike mund të bashkëpunonin nën flamurin e një partie të madhe, edhe pse formimi i listave të përbashkëta ndalohej nga neni 16 i ligjit nr. 2839 për zgjedhjen e anëtarëve të parlamentit. DSP, për shembull, një parti e cila kishte qenë pjesë e koalicionit qeverisës 1999-2002, nuk kishte mundur të kalonte pragun 10% në zgjedhjet e vitit 2002. Para zgjedhjeve të vitit 2007, ajo kishte bashkëpunuar me CHP, rivalin e saj, duke arritur në atë mënyrë të fitonte trembëdhjetë mandate në listat e asaj partie. Si pasojë, deputetët e zgjedhur, më pas u larguan nga CHP dhe iu bashkuan partisë e tyre të parë, DSP. Në zgjedhjet e 1991 HEP, shndërrimi i parë i grupit, i cili së fundmi ishte edhe partia e kërkuesve, kishte arritur gjithashtu që disa nga kandidatët e saj të zgjidheshin nga listat e një partie tjetër
98. Të dy mundësitë të cilat ishin vënë në praktikë në zgjedhjet e vitit 2007 – qëndrimi si kandidat i pavarur ose bashkëpunimi me një parti tjetër me qëllim që të zgjidhej nga listat e saj - ishin shembuj konkrete të korrigjimeve ekzistuese. Mbështetja në këto korrigjime në zgjedhjet e fundit kishte bërë të mundur që 85% e të gjithë votuesve të përfaqësoheshin në parlament. Qeveria parashtroi se nëse këto opsione do të ishin përdorur në vitin 2002, rezultatet do të kishin qenë të ngjashme.
99. Në kërkesën e tyre të referimit, kërkuesit kishin pohuar se pragu 10% ishte mbajtur me synimin për të përjashtuar nga parlamenti partinë e tyre politike dhe pasuesin e saj, DTP, respektivisht më 2002 dhe 2007. Por rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2007 provuan se ky pretendim ishte pa baza. DTP kishte një grup parlamentar prej njëzet deputetësh, dhe pjesëmarrja e saj në zgjedhjet e ardhshme ishte garantuar në bazë të nenit 36 të ligjit nr. 2820 mbi partitë politike, edhe në qoftë se ajo nuk plotësonte kushtin e shtrirjes kombëtare. Neni 36 parashikonte se partitë politike të cilat kishin një grup parlamentar mund të merrnin pjesë në zgjedhjet e ardhshme edhe në qoftë se ata nuk e plotësonin kushtin e shtrirjes kombëtare.
100. Qeveria hodhi poshtë argumentin e kërkuesve se vendimi i dhënë nga Dhoma më 30 janar 2007 lejonte Shtetet që këtej e tutje të rrisnin pragun e pjesëmarrjes në përputhje me rezultatet e sondazheve zgjedhore. Arsyetimi i Dhomës tregoi qartësisht se kishte marrë siç duhet parasysh alternativat ekzistuese të pragun dhe rishikimin e kryer nga Gjykata Kushtetuese mbi bazën e parimeve të "përfaqësimit të drejtë" dhe "stabilitetit qeveritar", të cilat duhet të plotësonin njëra-tjetrën. Në dritën e alternativave të mundshme, Dhoma kishte pranuar gjithashtu se shprehja e lirë e mendimit të njerëzve nuk ishte penguar dhe se Qeveria nuk e kishte tejkaluar hapësirën e saj të vlerësimit. Rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2007 në mënyrë të qartë kishte konfirmuar gjykimin e Dhomës.
101. Sa i përket rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2007, duke pasur parasysh se 85% e të gjithë votuesve në vend ishin të përfaqësuar në parlament, Qeveria konsideron se parimi i përfaqësimit të drejtë ishte respektuar në mënyrë të kënaqshme. Për më tepër, në krahinat më të vogla, veçanërisht në ato ku shumica e kandidatëve të pavarur të DTP kandidonin në 22 korrik 2007, shanset për të fituar ishin më të larta se në krahinat apo zonat më të mëdha. Për shembull, për t’u zgjedhur në zonën e parë të Stambollit një kandidat duhej të merrte rreth 111.750 vota, ndërsa në rajonin Hakkari (jug-lindje e Turqisë) ishin të nevojshme 34.000 vota. Shpërndarja e mandateve midis krahinave ishte qartësisht më e favorshme për krahinat më të vogla, çka bënte të mundur të sigurohej respektimi i parimit të përfaqësimit të drejtë.
102. Në përfundim, Qeveria parashtroi se, kur shprehja e lirë e mendimit të popullit për zgjedhjen e legjislaturës nuk ishte penguar, rregullimi i sistemit zgjedhor dhe sistemit të përfaqësimit politik të një Shteti palë të Konventës, binte jashtë fushëveprimit të nenit 3 të Protokollit nr 1. Pragu 10% i cili zbatohej për partitë politike në zgjedhjet parlamentare nuk pengonte njerëzit për të shprehur mendimin e tyre lirisht në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në parlament. Kjo u provua nga zgjedhjet e mbajtura më 22 korrik 2007. Përfundimet e vendimit të Dhomës së 30 janar 2007, ishin të sakta. Dhoma nuk kishte devijuar nga jurisprudenca e Gjykatës dhe as kishte dhënë një interpretim të ri të nenit 3 të Protokollit Nr 1
C. Parashtrimet e palëve të treta
103. Organizata jo-qeveritare Ndërkombëtare e Të Drejtave të Grupeve Minoritare pajtohej me pretendimet e kërkuesve. Ata pranuan se pragu 10% ishte pragu kombëtar më i lartë në Evropë. Ai ishte vendosur pa u shoqëruar nga asnjë masë korrigjuese që mund të evitonte problemet që shkaktoheshin prej vendosjes së tij. Për shkak të pragut ishte absolutisht e pamundur për një parti që vepron mbi baza rajonale të përfaqësohej në parlament. Kjo në Turqi do të thoshte më saktësisht se, asnjë nga partitë kurde nuk mund të hynin në parlament, edhe pse në rajonet e tyre këto parti arrinin vazhdimisht rezultate të krahasueshme me atë që ishin arritur nga kërkuesit në vitin 2002 (45% e votave të hedhura). Ishte e qartë se të gjitha masat e marra nga qeveria, duke u përqendruar tek pragu 10%, ishin rezultat i një politike të qëllimshme të përjashtimit. Për më tepër, edhe në qoftë se politika nuk kishte qenë e qëllimshme, efektet do të kishin qenë të njëjta.
104. Përveç kësaj, pragu tepër i lartë binte ndesh me objektin dhe qëllimin e nenit 3 të Protokollit nr. 1, i cili garantonte të drejtën e shprehjes së lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e organit ligjvënës. Duke i privuar një segmenti të tërë të popullsisë mundësinë për të qenë një ditë e përfaqësuar në parlament nga një parti e cila përfaqëson zërin e tyre, pragu kombëtar cenonte thelbin e kësaj të drejte. Një ndërhyrje e tillë serioze dhe sistematike në të drejtat e një grupi të tërë, unik siç ishte ndërmjet të gjitha sistemeve zgjedhore Evropiane, nuk mund të justifikohej me hapësirën e vlerësimit që i ishte lënë Shtetit dhe për këtë arsye përbënte haptazi shkelje të Konventës.
D. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parime të përgjithshme të vendosura nga jurisprudenca e institucioneve të Konventës.
(a) Kriteret e zbatuara nga Gjykata në lidhje me nenin 3 të Protokollit nr 1
105. Gjykata thekson pikë së pari se, neni 3 i Protokollit nr. 1 mbron një parim karakteristik të një demokracie efektive dhe është rrjedhimisht i një rëndësisë primare në sistemin e Konventës (shih Mathieu-Mohin dhe Clerfayt kundër Belgjikës, vendimi i 2 mars 1987, Seria A, nr. 113, § 47). Demokracia përbën një element themelor të "rendit publik evropian", dhe të drejtat e garantuara në bazë të nenit 3 të Protokollit nr. 1 janë vendimtare për krijimin dhe ruajtjen e themeleve të një demokracie efektive dhe kuptimplote të qeverisur nga shteti i së drejtës (shih, më së fundi dhe ndërmjet shumë vendimesh të tjera, Ždanoka kundër Letonisë [GC], nr. 58278/00, §§ 98 dhe 103, ECHR 2006-IV).
106. Gjykata ka theksuar shpesh rolin e Shtetit si garantues themelor i pluralizmit dhe pohon se në kryerjen e këtij roli i Shteti është i detyruar të miratojë masa pozitive për të "organizuar" zgjedhje demokratike "në kushte që garantojnë shprehjen e lirë të mendimit të njerëzve në zgjedhjen e legjislaturës" (shih Mathieu-Mohin dhe Clerfayt, cituar më lart, § 54; shih gjithashtu, mutatis mutandis, Informationsverein Lentia dhe të Tjerët kundër Austrisë, vendim i datës 24 nëntor 1993, Seria A nr. 276, § 38).
107. Zgjedhjet e lira dhe liria e shprehjes, dhe veçanërisht liria e debatit politik, përbëjnë themelin e çdo demokracie (shih Mathieu-Mohin dhe Clerfayt, cituar më lart, f. 22, § 47, dhe Lingens kundër Austrisë, vendim i datës 8 korrik 1986 , Seria A nr. 103, §§ 41 dhe 42). "Shprehja e lirë e mendimit të popullit për zgjedhjen e legjislaturës" është një çështje në të cilën neni 11 i Konventës gjithashtu ka një ndikim, pasi ky nen garanton lirinë e organizimit, dhe kështu në mënyrë indirekte lirinë e partive politike, të cilat paraqesin një formë të organizimit që është thelbësor për funksionimin e duhur të demokracisë. Shprehja e mendimit të njerëzve është e pa konceptueshme pa ndihmën e pluralizmit të partive politike që përfaqësojnë rryma të mendimit të popullit të një vendi. Duke reflektuar ato rryma, jo vetëm brenda institucioneve politike, por në sajë të medias, edhe në të gjitha nivelet e jetës në shoqëri, ato japin një kontribut të pazëvendësueshëm në debatin politik që është në thelb të konceptit të një shoqërie demokratike (shih Lingens, cituar më lart, f. 26, § 42;. Castells kundër Spanjës, vendim i 23 prill 1992, Seria A nr. 236, f. 23, § 43; dhe Partia e Bashkuar Komuniste e Turqisë dhe të Tjerët kundër Turqisë, vendimi i 30 janar 1998, Raportet 1998-I, § 44).
108. Siç ka vërejtur Komisioni në një numër rastesh, formulimi "shprehjen e lirë të mendimit të popullit", nënkupton se zgjedhjet nuk mund të kryhen në asnjë formë presioni për zgjedhjen e një ose më shumë kandidatësh, dhe se në këtë zgjedhje votuesi nuk duhet të jetë i detyruar padrejtësisht të votojë për një parti apo një tjetër (shih X. kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 7140/75, vendim i Komisionit i 8 tetor 1976, DR 7, f. 96). Prandaj votuesit nuk duhet të detyrohen në asnjë formë përsa i përket zgjedhjes së tyre të kandidatëve ose partive .Fjala "zgjedhje" do të thotë se partive të ndryshme politike u duhet siguruar një mundësi e arsyeshme për të paraqitur kandidatët e tyre në zgjedhje (po aty, shih gjithashtu X. kundër Islandës, nr. 8941/80, vendim i Komisionit i 8 dhjetor 1981, DR 27, f. 156).
109. Për sa i përket interpretimit të përgjithshëm të nenit 3 të Protokollit nr. 1, Gjykata ka vendosur në jurisprudencën e saj parimet e mëposhtme kryesore (shih, midis vendimesh të tjera, Mathieu-Mohin dhe Clerfayt, cituar më sipër, f. 22 dhe 23, §§ 46-51; Ždanoka, cituar më sipër, § 115; Podkolzina kundër Letonisë, nr. 46726/99, § 33, ECHR 2002-II; dhe Hirst kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 2) [GC], nr. 74.025/01, § 61, ECHR 2005-IX):
(i) Neni 3 i Protokollit nr. 1 duket në shikim të parë i ndryshëm nga dispozitat e tjera të Konventës dhe protokolleve të saj, të cilat garantojnë të drejtat, pasi është formuluar më tepër në terma të detyrimit të Palëve të Larta Kontraktuese për të mbajtur zgjedhje, të cilat garantojnë shprehjen e lirë të mendimit të njerëzve, se sa në terma të një të drejte ose lirie të veçantë. Megjithatë, duke pasur parasysh travaux préparatoires të nenit 3 të Protokollit dhe interpretimin e dispozitës në kontekstin e Konventës si një e tërë, Gjykata ka vendosur se neni 3 i Protokollit nr. 1 garanton të drejtat individuale, duke përfshirë të drejtën për të votuar dhe të drejtën për të kandiduar në zgjedhje (shih Mathieu-Mohin dhe Clerfayt, cituar më lart).
(ii) Të drejtat e mishëruara në nenin 3 të Protokollit nr. 1 nuk janë absolute. Ka vend për "kufizimeve të nënkuptuara", dhe Shteteve Kontraktuese duhet t’u jepet një hapësirë e gjerë vlerësimi në këtë fushë. (shih, midis vendimesh të tjera, Matthews kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 24833/94, § 63, ECHR 1999-I dhe Labita kundër Italisë [GC], nr. 26772/95, § 201, ECHR 2000-IV).
(iii) Koncepti i "kufizimeve të nënkuptuara" sipas nenit 3 të Protokollit Nr 1 është i një rëndësie të madhe për përcaktimin e lidhjes së qëllimeve të ndjekura me kufizimet mbi të drejtat e garantuara nga kjo dispozitë. Duke pasur parasysh se neni 3 nuk është i kufizuar nga një listë e veçantë e "qëllimeve legjitime" të tilla si ato të renditura në nenet 8-11, Shtetet Kontraktuese për këtë arsye janë të lira të mbështeten në një qëllim që nuk përfshihet në këtë listë për të justifikuar një kufizim, me kusht që të provohet në rrethanat specifike të çështjes pajtueshmëria e atij qëllimi me parimin e shtetit të së drejtës dhe objektivat e përgjithshme të Konventës. Kjo gjithashtu do të thotë se Gjykata nuk zbaton testet tradicionale të "domosdoshmërisë" apo "nevojës së ngutshme sociale" të cilat janë përdorur në kontekstin e neneve 8-11. Në shqyrtimin e pajtueshmërisë me nenin 3 të Protokollit nr. 1, Gjykata është përqendruar kryesisht në dy kritere: nëse ka pasur arbitraritet apo mungesë proporcionaliteti, dhe nëse kufizimi ka ndërhyrë në shprehjen e lirë të mendimit të popullit.
(iv) Megjithatë, i takon Gjykatës fjala e fundit për të përcaktuar nëse kërkesat e nenit 3 të Protokollit Nr 1 janë përmbushur. Ajo duhet të gjykojë nëse kufizimet e të drejtave në fjalë nuk janë në një masë të tillë që të cenojnë thelbin dhe dëmtojnë efektivitetin e tyre; se këto kufizime janë vendosur në ndjekje të një qëllimi legjitim dhe se mjetet e përdorura nuk janë në disproporcion (shih Mathieu-Mohin dhe Clerfayt, cituar më lart, § 52). Në veçanti, kufizime të tilla nuk duhet të pengojnë shprehjen e lirë të njerëzve në zgjedhjen e legjislaturës - me fjalë të tjera, ato duhet të pasqyrojnë, apo të mos bien ndesh me shqetësimin për të ruajtur integritetin dhe efektivitetin e një procedure zgjedhore që synon identifikimin e vullnetit të popullit përmes votimit të përgjithshëm (shih Hirst (nr. 2), cituar më lart, § 62; Hilbe kundër Lihtenshtejnit (dec.), nr. 31981/96, ECHR 1999-VI, dhe Melnychenko kundër Ukrainës, nr. 17707/02, § 56, ECHR 2004-X). Çdo devijim nga parimi i universalitetit të votimit, rrezikon vlefshmërinë demokratike të legjislaturës së zgjedhur në këtë mënyrë dhe ligjeve të cilat ajo miraton (shih Hirst (nr. 2), cituar më lart, § 62).
(v) Lidhur me të drejtën për të dalë si kandidat në zgjedhje, me fjalë të tjera i ashtuquajturi aspekti "pasiv" i të drejtave të garantuara me nenin 3 të protokollit nr. 1, Gjykata ka qenë edhe më e kujdesshme në vlerësimin e kufizimeve në këtë kontekst, se sa kur ka shqyrtuar kufizimet mbi të drejtën për të votuar, pra i ashtuquajturi elementi "aktiv" i të drejtave sipas nenit 3 të Protokollit nr. 1. Në vendimin Melnychenko cituar më lart (§ 57), Gjykata vërejti se mund të imponohen kërkesa më strikte mbi pranueshmërinë për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare, se sa mbi të drejtën për të votuar. Lidhur me këtë, ajo pohoi se, edhe pse në parim është e vërtetë se Shtetet kanë një hapësirë të gjerë vlerësimi në vendosjen e kushteve për të kandiduar, parimi i efektivitet të të drejtave kërkon që procedura e kualifikimit të përmbajnë garanci të mjaftueshme për të parandaluar vendimet arbitrare (ibid § 59; shih gjithashtu mutatis mutandis, Podkolzina, cituar më lart, § 35).
(vi) Në mënyrë të ngjashme, Gjykata është shprehur se, nëse dëshirat e njerëzve shprehen lirisht dhe në mënyrë demokratike, asnjë ndryshim i mëvonshëm i organizimit të sistemit zgjedhor nuk është i nevojshëm, përveç arsyeve të forta lidhur me rendin demokratik (shikoni Lykourezos kundër Greqisë, nr. 33554/03, § 52, ECHR 2006-VIII).
(b) Sistemet zgjedhore dhe pragjet zgjedhore
110. Gjykata rithekson se Shtetet Kontraktuese gëzojnë një hapësirë të gjerë vlerësimi, kur është fjala për përcaktimin e llojit të votimit përmes të cilit behet shprehja e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e legjislaturës. Në këtë drejtim, neni 3 i Protokollit nr. 1 nuk shkon më tej se përcaktimi i zgjedhjeve “të lira” të mbajtura në “intervale të arsyeshme” “me votim të fshehtë” dhe "nën kushte që sigurojnë shprehjen e lirë të mendimit të popullit". Përveç plotësimi të kushteve të mësipërme, ai nuk krijon asnjë detyrim "për të vendosur një sistem të veçantë" të tillë si përfaqësimi proporcional ose mazhoritar me një ose dy raunde votimi (shih Mathieu-Mohin dhe Clerfayt, cituar më lart, § 54).
111. Rregullat në këtë fushë ndryshojnë në përputhje me faktorët e veçantë historikë dhe politikë për secilin Shtet; larmia e madhe e situatave të parashikuara në legjislacionin zgjedhor të shumë Shteteve anëtare të Këshillit të Evropës tregon diversitetin e opsioneve të mundshme. Për qëllimet e zbatimit të nenit 3 të Protokollit, çdo legjislacion zgjedhor duhet të vlerësohet në dritën e evolucionit politik të vendit në fjalë, pasi karakteristikat që mund të jenë të papranueshme në kontekstin e një sistemi mund të justifikohen në kontekstin e një tjetri (shih Py kundër Francës, nr. 66289/01, § 46, ECHR 2005-I (ekstrakte)), për aq kohë sa sistemi i zgjedhur siguron kushte që garantojnë shprehjen "e lirë të mendimit të popullit në zgjedhjen e legjislaturës ".
112. Për më tepër, nuk duhet të harrohet se sistemet zgjedhore kërkojnë të përmbushin objektivat të cilat nganjëherë janë të vështira për t’u përputhur me njëri-tjetrin: nga njëra anë për të pasqyruar sa më me tepër besnikëri mendimet e njerëzve, dhe nga ana tjetër, për të kanalizuar rrymat e mendimit në mënyrë që të nxisin shfaqjen e një vullneti mjaftueshmërisht të qartë dhe koherent politik. Neni 3 i Protokollit nr. 1 nuk do të thotë se të gjitha votat duhet medoemos të kenë peshë të barabartë për sa i përket rezultatit të zgjedhjeve apo që të gjithë kandidatët duhet të kenë shanse të barabarta të fitore. Kështu që asnjë sistem zgjedhor nuk mund të eliminojë "votat e çuara dëm" (shih Mathieu-Mohin dhe Clerfayt, cituar më lart, § 54).
113. Në lidhje me nivelin e caktuar nga pragu zgjedhor, duhet theksuar se në rastin e Silvius Magnago dhe Südtiroler Volkspartei kundër Italisë (nr. 25035/94, vendim i Komisionit i datës 15 prill 1996, DR 85-a, f. 116), faktet e të cilit ngjajnë më shumë me rrethanat e çështjes në fjalë, Komisioni shprehu mendimin se "pragu 4% i vendosur për zgjedhjen e 25% të anëtarëve të mbetur të Dhomës së Deputetëve" dhe madje edhe "sistemi i cili vendoste një prag relativisht të lartë" binte brenda hapësirës së gjerë të vlerësimit që iu është lënë Shteteve lidhur me këtë çështje. Komisioni vazhdoi duke thënë se pragjet e ngjashme kanë ekzistuar në sisteme të tjera ligjore evropiane (shih Etienne Tête kundër Francës, nr. 11123/84, vendimi i Komisionit të 9 dhjetorit 1987, DR 54, p. 68, lidhur me një prag 5% të vendosur për ndarjen e vendeve në zgjedhjet për Parlamentin Evropian). Së fundi, Komisioni konsideron se pragjet zgjedhore kanë për qëllim të nxisin shfaqjen e rrymave mjaftueshmërisht përfaqësuese të mendimit.
114. Në rastin e Federación nacionalista Canaria kundër Spanjës ((dec.), nr. 56618/00, ECHR 2001-VI) Gjykata shqyrtoi pragjet të cila ishin pjesë e një sistemi të përfaqësimit proporcional të përdorur në Komunitet Autonome në Ishujt Kanarie. Kishte pasur dy kushte të përcaktuara si alternativa: kandidatët ose duhej të merrnin së paku 30% të votave të vlefshme të hedhura në një zonë ishullore individuale ose së paku 6% të gjithë votave të vlefshme të hedhura në Komunitetin Autonom. Gjykata vërejti se një sistem i tillë, "jo vetëm që nuk pengonte kandidatët si ata që ishin prezantuar nga federata e kërkuesve, por u jepte grupeve të vogla politike një shkallë të caktuar mbrojtjeje".
115. Së fundmi, në vendimin e saj më të fundit lidhur inter alia me pragun zgjedhor 5 % të zbatuar në zgjedhjet parlamentare (Partija “Jaunie Demokrāti” dhe Partija “Mūsu Zeme” kundër Letonisë (dec.), nr. 10547/07 dhe 34049/07, 29 nëntor 2007), Gjykata vlerësoi se pragu në fjalë nuk ishte në kundërshtim me kërkesat e nenit 3 të Protokollit nr. 1, në atë që bënte të mundur përfaqësim të mjaftueshëm të rrymave të mendimit dhe shmangte fragmentimin e tepërt në parlament.
2. Zbatimi i parimeve të mësipërme në çështjen konkrete
116. Në rastin konkret, Gjykata vëren se kërkuesit pretendonin shkelje të nenit 3 të Protokollit nr. 1 për shkak të faktit se ata nuk ishin zgjedhur në Asamblenë Kombëtare në zgjedhjet parlamentare të 3 nëntorit 2002, pavarësisht rezultatit prej 45,95% të votave të hedhura në zonën e Şırnak, të arritur nga DEHAP, partia në listën e së cilës ata kishin kandiduar për zgjedhje. Ata shpjeguan se partia e tyre, e cila kishte fituar 6,22% të votave kombëtare, kishte dështuar të arrinte pragun zgjedhor prej 10% dhe rrjedhimisht ishte privuar nga përfaqësimi në parlament.
117. Gjykata vëren se pragu kombëtar në fjalë është përcaktuar me ligj, përkatësisht në nenin 33 të ligjit nr. 2839, dhe përcakton se si vendet në parlament ndahen në nivel kombëtar midis listave të ndryshme dhe kandidatëve të ndryshëm. Në mënyrë të qartë ai përbën ndërhyrje në të drejtat zgjedhore të kërkuesve, siç parashikohet në nenin 3 të Protokollit nr. 1, dhe për këtë nuk ka mosmarrëveshje ndërmjet palëve.
118. Në dritën e parimeve të parashtruara më lart, Gjykata së pari duhet të verifikojë nëse masa e kundërshtuar – parashikueshmëria e së cilës nuk është në diskutimin ndërmjet palëve - i shërben një qëllimi legjitim. Së dyti, ajo duhet të konstatojë nëse është vepruar arbitrarisht dhe nëse ka pasur një lidhje të arsyeshme proporcionaliteti midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit që ndiqet. Duke zbatuar këto dy kritere, ajo do të përcaktojë nëse kufizimi në fjalë cenon thelbin e të drejtës për shprehjen e lirë të popullit, brenda kuptimit të nenit 3 të Protokollit nr. 1.
(a) Qëllimi legjitim
119. Gjykata vëren se, ndryshe nga dispozitat e tjera të Konventës, neni 3 i Protokollit nr. 1 nuk specifikon ose kufizon synimet të cilat synon të përmbushë një masë kufizuese. Një shumëllojshmëri e madhe e qëllimeve mund të jetë në përputhje me të, me kusht pajtueshmërinë e çdo qëllimi të veçantë me parimin e shtetit të së drejtës dhe me objektivat e përgjithshme të Konventës, në rrethanat specifike të një çështje të caktuar.
120. Sipas parashtrimeve të kërkuesve, pragu nuk i shërbente asnjë qëllimi ligjor, duke qenë se ai pengonte një pjesë të madhe të popullsisë për të shprehur mendimin e saj lidhur me përfaqësimin në parlament. Qeveria e kundërshtoi këtë argument, duke sqaruar se qëllimi i pragut ishte që të eliminonte fragmentimet e tepërta parlamentare dhe rrjedhimisht të forconte stabilitetin qeveritar.
121. Përsa i përket sistemeve zgjedhore, detyra e Gjykatës është të përcaktojë nëse efekti i rregullave zgjedhore parlamentare është përjashtimi i disa personave ose grupeve të personave nga pjesëmarrja në jetën politike të vendit (shih Aziz kundër Qipros, nr. 69949/01, § 28, ECHR 2004-V) dhe nëse mospërputhjet e krijuara nga një sistem zgjedhor i veçantë mund të konsiderohen arbitrare apo abuzive ose nëse sistemi tenton të favorizojë një parti politike apo kandidat duke u dhënë atyre një avantazh zgjedhor në kurriz të të tjerëve (shih X. kundër Islandës, cituar më lart).
122. Gjykata pranon se pragjet e larta mund të privojmë një pjesë të elektoratit nga përfaqësimi. Megjithatë, kjo rrethanë e vetme nuk është vendimtare. Pragjet e tilla mund të shërbejnë si një rregullim i nevojshëm korrigjues në sistemin proporcional, i cili gjithmonë është pranuar se lejon shprehjen e lirë të mendimit të popullit, edhe pse mund të veprojë në dëm të partive të vogla kur shoqërohet me një prag të lartë (shih, mutatis mutandis, Partia Liberale, Znj. R. dhe Z. P. kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 8765/79, vendim i Komisionit i datës 18 dhjetor 1980, DR 21, f. 225).
123. Në Turqi pragu 10% është një rregull i përgjithshëm që zbatohet pa asnjë dallim për të gjithë kandidatët e partive politike pavarësisht zonës zgjedhore ku ata kandidojnë. Që nga viti 1983, kur pragu u parashikua, parti të shumta me linja shumë të ndryshme politike nuk arritën të merrnin mandate në parlament, duke dështuar për të arritur atë. Zgjedhjet e 3 nëntorit 2002 e ilustruan këtë gjë; jo vetëm DEHAP, partia e kërkuesve, por edhe disa parti të tjera, në veçanti DYP, MHP, GP dhe ANAP (të cilat morën respektivisht 9,54%, 8,36%, 7,25% dhe 5,13 % e votave të hedhura), nuk arritën të fitonin asnjë mandat për në parlament (shih paragrafin 18 më lart). Në vitin 1991 dhe 2007 disa kandidatëve që ndiqnin të njëjtën linjë politike si DEHAP arritën të fitonin vende, qoftë nën emrin e një partie tjetër politike qoftë duke qëndruar si të pavarur (shih paragrafët 15 dhe 25 më lart).
124. Përveç kësaj, sistemi zgjedhor turk, si në shumë Shtete anëtare, analizohet në kontekstin e një shteti unitar. Në përputhje me nenin 80 të Kushtetutës, deputetët përfaqësojnë kombin si "i tërë" dhe jo "rajonet ose personat që i kanë zgjedhur ata" (shih paragrafin 29 më sipër); kjo është kështu pikërisht për shkak të natyrës unitare të shtetit turk. Secila krahinë është përfaqësuar në parlament nga të paktën një anëtar i parlamentit. Vendet e mbetura janë shpërndarë në përputhje me numrin e banorëve, duke siguruar përfaqësimin e të gjithë territorit kombëtar (shih paragrafin 32 më lart). Kjo është rezultat i një zgjidhje të bërë nga legjislatori që reflekton strukturën kushtetuese të vendit dhe është i bazuar në kritere politike dhe institucionale. Për sa më sipër nuk mund të konsiderohet si i papajtueshëm me nenin 3 të Protokollit nr. 1, i cili në parim nuk mund t’u imponojë Shteteve Kontraktuese detyrimin për të miratuar një sistem zgjedhor që garanton përfaqësim parlamentar të partive me bazë në thelb rajonale pavarësisht votave të hedhura në pjesë të tjera të vendit. Nga ana tjetër, një problem mund të lindë nëse legjislacioni përkatës priret të privojë parti të tilla nga përfaqësimi parlamentar (shih paragrafin 121 më lart).
125. Së fundi, institucionet e Konventës e kanë pranuar në përgjithësi se pragjet zgjedhore janë kryesisht të destinuara për të nxitur lindjen e rrymave mjaftueshmërisht përfaqësuese të mendimit brenda vendit (shih Silvius Magnago dhe Südtiroler Volkspartei, cituar më sipër dhe Etienne Tête, cituar më lart; shih gjithashtu, për efekt të njëjtë, Partija "Jaunie Demokrāti" dhe Partija "Mūsu Zeme", cituar më sipër). Rrjedhimisht, Gjykata pajtohet me gjetjen e Dhomës se ndërhyrja në fjalë kishte qëllimin legjitim për të shmangur fragmentimin e tepërt dhe dëmtues parlamentar dhe rrjedhimisht forcimin e stabilitetit qeveritar.
(b) Proporcionaliteti
126. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 18 nëntor 1995, Dhoma vlerësoi se megjithëse pragu ishte i lartë nuk mund të konsiderohej se kalonte përtej hapësirës së vlerësimit të autoriteteve kombëtare lidhur me këtë çështje, pasi ai nuk mund të pengonte shfaqjen e alternativave politike brenda shoqërisë. Kërkuesit kundërshtuan konkluzionin e Dhomës, ndërsa Qeveria i kërkoi Gjykatës që të mbante të njëjtin qëndrim me të.
127. Gjykata vëren se pragu kombëtar 10% i zbatuar në Turqi është më i larti ndër pragjet e zbatuara në Evropë (shih paragrafin 64 më lart). Në mënyrë që të verifikojë nëse ky prag është në disproporcion, Gjykata do të vlerësojë nivelin e këtij pragu në krahasim me pragjet e aplikuara në vendet tjera evropiane. Më pas do të shqyrtojë masat korrigjuese dhe garanci të tjera të cilat e pasojnë.
i. Elementë të ligjit krahasues
128. Kërkuesit parashtruan se pragu i zbatuar në çështjen në fjalë nuk ishte në përputhje me "traditën e përbashkët politike demokratike" të vendeve evropiane.
129. Gjykata vëren se pragjet zgjedhore nuk janë të panjohura në mesin e sistemeve zgjedhore evropiane dhe se ka lloje të ndryshme të cilat ndryshojnë sipas llojit të zgjedhjeve dhe kontekstit në të cilin ato janë përdorur. Analiza e pragjeve zgjedhore të miratuara në Shtetet anëtare tregojnë se, përveç Turqisë, vetëm tre shtete kanë zgjedhur pragje të larta. Lihtenshtejni ka vendosur një nivel 8%, dhe Federata Ruse dhe Gjeorgjia një prag 7%. Një e treta e Shteteve ka vendosur një prag 5% dhe 13 prej tyre kanë zgjedhur një shifër më të ulët. Shtetet e tjera që kanë një sistem të përfaqësimit proporcional nuk përdorin pragje. Pragjet gjithashtu ndryshojnë nëse ato zbatohen ndaj një partie apo një koalicioni, dhe disa vende kanë miratuar pragje për kandidatët e pavarur (shih paragrafët 60-63 më sipër).
130. Gjykata gjithashtu i kushton rëndësi pikëpamjeve të shprehura nga ana e organeve të Këshillit të Evropës, të cilat bien dakord për sa i përket nivelit jashtëzakonisht të lartë të pragut kombëtar turk dhe kanë bërë thirrje që të ulet. Në Rezolutën e saj të 18 prillit 2007, në të cilën theksoi lidhjen e pazgjidhshme midis përfaqësimit të demokracisë dhe pragjeve, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vuri në dukje se "në demokracitë e konsoliduara, nuk duhet të ketë kufij më të lartë se 3% gjatë zgjedhjeve parlamentare". Ky vlerësim u përsërit në Rekomandimin e Asamblesë Parlamentare 1791 (2007) (shih paragrafët 52 dhe 53 më lart). Përveç kësaj, në tekstet lidhur me Turqinë, përkatësisht në Rezolutat e Asamblesë Parlamentare 1380 (2004) dhe 1547 (2007) dhe në raportin mbi "Vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Turqi (22 korrik 2007)", të hartuar nga Komiteti ad hoc i Asamblesë Parlamentare, organet e Këshillit të Evropës i kërkuan Turqisë, ndërmjet rekomandimeve të tjera, që të ndryshojë kodin e saj zgjedhor për të ulur pragun 10% (shih paragrafët 58 dhe 59 më lart).
131. Megjithatë, efektet e një pragu zgjedhor mund të ndryshojnë nga një vend në një tjetër dhe sisteme të ndryshme mund të ndjekin synimet politike të ndryshme, ndonjëherë edhe antagoniste. Një sistem zgjedhor mund të përqendrohet më shumë në përfaqësimin e drejtë të partive në parlament, ndërsa një tjetër mund të synojë shmangien e fragmentimit të sistemit partiak dhe nxitjen e formimit të shumicës qeverisëse të një partie në Parlament (shih paragrafin 55 më lart). Asnjë prej këtyre qëllimeve nuk mund të konsiderohet i paarsyeshëm në vetvete. Për më tepër, roli i pragut ndryshon në përputhje me nivelin e përcaktuar të tij dhe sistemin partiak në secilin vend. Një prag i ulët përjashton vetëm grupime shumë të vogla, që e bëjnë më të vështirë formimin e shumicës të qëndrueshme, ndërsa në rastet kur sistemi partiak është shumë i fragmentuar një prag të lartë privon shumë votues nga përfaqësimit (shih paragrafët 58 dhe 59 më sipër)
132. Shumëllojshmëria e madhe e situatave të parashikuara në legjislacionin zgjedhor të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës tregon diversitetin e opsioneve të mundshme. Ajo gjithashtu tregon se Gjykata nuk mund të vlerësojë ndonjë prag të veçantë pa marrë parasysh sistemin zgjedhor në të cilin ky prag bën pjesë, edhe pse Gjykata bie dakord me pretendimin e kërkuesve se pragu zgjedhor prej rreth 5% i korrespondon më shumë “praktikës së zakonshme” të Shteteve anëtare. Megjithatë, tashmë është vënë në dukje se çdo legjislacion zgjedhor duhet të vlerësohet në dritën e evolucionit politik të vendit në fjalë, në mënyrë që karakteristikat që mund të jenë të papranueshme në kontekstin e një sistemi mund të justifikohen në një kontekst tjetër, për aq kohë sa sistemi i zgjedhur garanton kushte të cilat do të sigurojnë "shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e legjislaturës" (shih, midis vendimesh të tjera, Mathieu-Mohin dhe Clerfayt, cituar më lart, § 54). Për këtë arsye Gjykata tani duhet të vlerësojë efektet e masave korrigjuese dhe garancive të cilat i bashkëngjiten sistemi të kontestuar.
ii. Masat korrigjuese dhe garancitë
133. Qeveria parashtroi se sistemi zgjedhor turk kishte masa korrigjuese të cilat kishin tendencën të kundërpeshonin efektet negative të pragut. Në lidhje me këtë, ata argumentuan se, siç e kishin konfirmuar zgjedhjet e 22 korrikut 2007, kërkuesit mund të ishin zgjedhur në zgjedhjet e 3 nëntorit 2002 në qoftë se ata do kishin qëndruar si kandidatë të pavarur ose në qoftë se partia e tyre, DEHAP, do kishte hyrë në një koalicion zgjedhor me një prej partive mëdha.
134. Gjykata vëren se kërkuesit nuk e kishin kundërshtuar argumentin e Qeverisë që zgjedhja e një prej strategjive zgjedhore të mësipërme mund t’u kishin dhënë atyre një mundësi të vërtetë për t’u zgjedhur në parlament. Megjithatë, ata theksuan rëndësinë e partive politike në demokracitë përfaqësuese, duke argumentuar se as kandidaturat e pavarura as formimi i aleancave nuk mund të zinte vendin e partive të pavarura politike, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm si elemente themelore të demokracisë.
135. Prandaj, Gjykata duhet të përcaktojë nëse alternativat e përmendura nga ana e Qeverisë mund të konsiderohet si mjete për të zbutur efektet negative të pragut.
136. Përsa i përket mundësisë së pjesëmarrjes në zgjedhje si kandidat i pavarur, Gjykata, ashtu si Dhoma në paragrafin 71 të vendimit të saj, thekson kontributin e pazëvendësueshëm të partive në debatin politik. Ato veprojnë si një instrument të cilin qytetarët mund ta përdorin për të marrë pjesë në debatin zgjedhor dhe një tribunë përmes të cilave ata mund të shprehin mbështetjen e tyre për programe të ndryshme politike (shih, mutatis mutandis, Partia e Bashkuar Komuniste e Turqisë dhe të Tjerë, të cituar më lart, f. 17, § 25). Në këtë mënyrë, ato mund të dallohen nga aktorë të tjerë politikë siç janë kandidatët e pavarur, të cilët në përgjithësi janë të bazuar në nivel lokal. Në mënyrë të ngjashme, Gjykata vëren se në Turqi kandidatët e pavarur janë subjekt i një numri të kufizimesh dhe kushtesh të pafavorshme të cilat nuk zbatohen për partitë politike. Ata duhet të depozitojnë një garanci, emrat e tyre nuk janë të shkruara në fletët e votimit që shpërndahen në pikat kufitare dhe aeroportet e mëdha dhe ato nuk kanë të drejtën për të transmetuar mesazhe zgjedhore, ndërkohë që të gjitha partitë politike kanë të drejtën e një kohe të caktuar në televizione dhe radio (shih paragrafët 36 dhe 39 lart).
137. Gjykata vëren megjithatë se, kjo metodë nuk mund të konsiderohet të jetë e paefektshme në praktikë. Në zgjedhjet e 22 korrikut 2007, në veçanti partitë e vogla mund të shmangnin ndikimin e pragut duke prezantuar kandidatë të pavarur, nëpërmjet të cilëve të arrinin të merrnin mandate. DTP, për shembull, pasardhësi DEHAP, mundi të formonte një grup parlamentar pas fitores së njëzet mandateve në parlament (shih paragrafin 25 më lart).
138. Është e vërtetë se ky rezultat në thelb vinte për shkak të faktit se, në vend që të konkurronin me kandidatët e tyre në emrin e tyre, partitë e opozitës zgjodhën një strategji e cila mund të quhet "të pavarur të mbështetur nga një parti" (shih paragrafin 23 më sipër). Fakti se të pavarurit nuk e kanë detyrimin të arrijnë ndonjë prag e lehtëson në masë të madhe miratimin e kësaj strategjie zgjedhore, pavarësisht nga kufizimet e renditura më sipër (shih paragrafët 36 dhe 39). Megjithatë, kjo ishte një zgjidhje kompromisi në krahasim me pozitën e një kandidati të sponsorizuar zyrtarisht nga partia e tij politike.
139. E njëjta gjë vlen edhe për mundësinë e formimit të një koalicioni zgjedhor me grupet e tjera politike. Gjykata vëren në këtë drejtim se neni 16 i ligjit nr. 2839 ndalon partitë politike nga paraqitjen e listave të përbashkëta dhe nga pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare duke formuar koalicione në përputhje të plotë me ligjin. Siç vuri në dukje Qeveria, partitë politike kanë zhvilluar një strategji zgjedhore ku ato mund ta shmangnin këtë pengesë. Përdorimi i kësaj strategjie ka prodhuar rezultate të prekshme, sidomos në zgjedhjet e 1991 dhe 2007. Para zgjedhjeve të 20 tetorit 1991 dy aleanca u formuan nën flamurin e dy partive të mëdha politike. Në këtë mënyrë disa parti të vogla, duke përfshirë HEP - paraardhësit e DEHAP - arritën të merrnin tetëmbëdhjetë vende në parlament (shih paragrafin 15 më lart). E njëjta strategji zgjedhore prodhoi fryte në zgjedhjet e 22 korrik 2007 (shih paragrafin 24 më lart).
140. Duhet pranuar se, fakti që 45.3% të votave në zgjedhjet e 3 nëntorit 2002 (rreth 14.5 milion) janë hedhur për kandidatë të cilët nuk arritën të fitonin, tregon se këto strategji zgjedhore mund të kenë një efekt të kufizuar. Siç e vuri në dukje Dhoma në paragrafin 73 të vendimit të saj, fakti që një pjesë e madhe e elektoratit nuk u përfaqësua në parlament, nuk pajtohej me rolin vendimtar të luajtur në një demokraci përfaqësuese nga parlamenti, i cili ishte instrumenti kryesor i kontrollit demokratik dhe përgjegjësisë politike, dhe duhet të pasqyrojnë me besnikëri, sa të jetë e mundur dëshirën për një regjim të vërtetë politik demokratik.
141. Megjithatë, duhet të theksohet se, siç edhe analistë të shumtë kanë vënë në dukje, zgjedhjet e nëntorit 2002 u zhvilluan në një klimë krize për shkaqe të ndryshme (krizat ekonomike dhe politike, tërmetet, etj - shih paragrafët 12 dhe 20 më lart). Në këtë kontekst ishte më se i kuptueshëm fakti se tre partitë të cilat kishin formuar koalicionin qeverisës pas zgjedhjeve të vitit 1999 nuk kishin qenë në gjendje të arrinin pragun 10%, duke u privuar kështu nga përfaqësimi parlamentar (shih paragrafin 20 më sipër).
142. Përveç kësaj, një analizë e përgjithshme e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura që nga viti 1983 tregon se deficiti i përfaqësimit i vërejtur pas zgjedhjeve të nëntorit 2002 mund të jetë pjesërisht kontekstual dhe jo vetëm për shkak të pragut të lartë kombëtar. Në këtë pikë, duhet theksuar se, me përjashtim të atyre zgjedhjeve, përqindja e votave të hedhura për kandidatët të cilët nuk patën sukses, nuk e kalonte 19,4% (19.4% në vitin 1987, 0.5% në vitin 1991, 14% në 1995 dhe 18% në 1999). Përqindja e votave për kandidatët të cilët nuk arritën të siguronin një mandat madje ra në 13.1% në zgjedhjet e 22 korrikut 2007 (shih paragrafin 49 më lart).
143. Rrjedhimisht, Gjykata vëren se partitë politike të prekura nga pragu i lartë 10% kanë arritur në praktikë për të zhvilluar strategji ku ato mund të zbusnin disa nga efektet e tij, edhe pse strategji të tilla binin ndesh gjithashtu me një prej qëllimeve të deklaruara të pragut, shmangien e fragmentimit parlamentar (shih paragrafët 60 dhe 125 më lart).
144. Gjykata i kushton gjithashtu rëndësi rolit të Gjykatës Kushtetuese në këtë çështje. Në kohën kur Kushtetuta e 1961 ishte në fuqi, Gjykata Kushtetuese duke e mbështetur arsyetimin e vendimit të saj mbi parimet e shtetit demokratik dhe pluralizmit, hodhi poshtë idenë e aplikimit të një "pragu dytësor" brenda secilës zonë zgjedhore (shih paragrafin 40 më lart). Më vonë, pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1982, Gjykata Kushtetuese lidhur me sistemin zgjedhor, vlerësoi se ligjvënësi nuk ka një hapësirë të pakufizuar vlerësimi në këtë çështje dhe nuk mund të miratonte "masa të cilat kufizonin shprehjen e lirë të opinionit të njerëzve, apo që mbështesnin hegjemoninë e një partie politike, apo të cilat shkatërronin sistemin shumë-partiak "(shih paragrafin 41 më lart).
145. Në vendimin e saj të 18 nëntorit 1995 Gjykata Kushtetuese e ndryshoi jurisprudencën e saj të 1968 (shih paragrafin 40 më lart), duke shqyrtuar bazën për ekzistencën e pragut të kundërshtuar si një korrigjues i parimit të përgjithshëm të proporcionalitetit, i cili lejonte të shmangej fragmentimi i tepruar dhe dëmtues parlamentar. Duke pranuar se pragjet kufizonin "të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur", Gjykata Kushtetuese vlerësoi se ato ishin të pranueshëm me kusht që të mos tejkalonin limitet normale dhe vendosi në përputhje me rrethanat që pragu 10% ishte në pajtim me parimet kushtetuese. Nga ana tjetër, duke cituar parimin e "përfaqësimit të drejtë", ajo deklaroi të pavlefshëm pragun zgjedhor prej 25% për shpërndarjen e mandateve brenda krahinave. Ajo pohoi se, parimet kushtetuese të përfaqësimit të drejtë dhe stabilitetit qeveritar duhet domosdoshmërisht të kombinohen në mënyrë të tillë që ata të balancojnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin (shih paragrafin 43 më lart).
146. Mund të shihet nga konsideratat e mësipërme se, Gjykata Kushtetuese, në ushtrimin e mbikëqyrjes së saj për të parandaluar çdo efekt të tepruar të pragut zgjedhor të kundërshtuar, duke kërkuar pikën e ekuilibrit midis parimeve të përfaqësimit të drejtë dhe stabilitetit qeveritar, ofron një garanci për të ndaluar që pragu i kundërshtuar të dëmtojë thelbin e së drejtës të parashikuar në nenin 3 të Protokollit nr. 1.
iii. Përfundime
147. Në përfundim, Gjykata vlerëson se në përgjithësi një prag zgjedhor prej 10% duket i tepruar. Lidhur me këtë, ajo pajtohet me organet e Këshillit të Evropës, të cilat kanë theksuar se pragu ishte në nivel jashtëzakonisht të lartë dhe rekomandoi që ai të ulet (shih paragrafët 57 dhe 130 më lart). Kjo detyron partitë politike të përdorin dredhi që nuk kontribuojnë në transparencën e procesit zgjedhor. Në rastin në fjalë, megjithatë, Gjykata nuk është e bindur se, e vlerësuar në dritën e kontekstit specifik politik të zgjedhjeve në fjalë, dhe duke mbajtur parasysh masat korrigjuese dhe garancitë të tjera bashkëngjitur pragut të cilat kanë kufizuar efektet e tij në praktikë, pragu ka penguar në thelb të drejtat e kërkuesve të garantuara nga neni 3 i Protokollit nr. 1.
148. Për sa më sipër, nuk ka pasur shkelje të këtij neni.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA:
Vendos se nuk ka pasur shkelje të nenit 3 të Protokollit nr. 1, me trembëdhjetë vota pro dhe katër kundër.
Përgatitur në gjuhën angleze dhe franceze dhe shpallur në seancën publike gjyqësore më 8 korrik 2008 në Pallatin e të Drejtave të Njeriut.
Vincent BergerBoštjan M. Zupančič
JuriskonsultPresident
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Tout personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1] Sipas këtij sistemi kandidati që ka marrë më shumë vota në raundin e vetëm zgjedhor, pavarësisht se mund të mos ketë arritur shumicën e votave të shprehura, konsiderohet si i zgjedhur. (shën. i përkth.)
Full & Egal Universal Law Academy