© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
ISH-SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA Y.Y. k. TURQISË
(Kërkesëpadia nr. 14793/08)
VENDIM
[Pjesë të zgjedhura]
STRASBURG
10 mars 2015
Ky vendim do të marrë formë të prerë sipas kushteve të përcaktuara në nenin 44 § 2 të Konventës. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Y.Y. k. Turqisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), e mbledhur në një Dhomë të përbërë nga:
Guido Raimondi, kryetar,
Işıl Karakaş,
Nebojša Vučinić,
Helen Keller,
Paul Lemmens,
Egidijus Kūris,
Robert Spano, gjyqtarë,
e nga Abel Campos, zëvendëssekretar seksioni,
Pasi e diskutoi çështjen në dhomë këshillimi më 3 shkurt 2015,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 14793/08) e drejtuar kundër Republikës së Turqisë dhe me anë të së cilës Y.Y. ka ngritur padi pranë Gjykatës më 6 mars 2008 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”). Y.Y. është një person transgjinor, shtetas i këtij shteti i cili, në datën e paraqitjes së kërkesëpadisë, njihej nga pikëpamja civile si i gjinisë femërore. Megjithatë, Gjykata do të përdorë për të mashkulloren dhe emërtimin “paditësi”, në përputhje me gjininë e kërkuar prej tij.
2. Paditësi është përfaqësuar nga Z. A. Bozlu, avokat në Mersin. Qeveria turke (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjenti i saj.
3. Paditësi denoncon një cenim të së drejtës për respektimin e jetës së tij private (neni 8 i Konventës), kryesisht me arsyetimin se ai nuk ishte lejuar të përdorte një ndërhyrje kirurgjikale ndërrimi gjinie. Ai ankohet gjithashtu për mungesën e çdolloj shqyrtimi të themelit të çështjes së tij nga Gjykata e Kasacionit e për mungesë arsyetimi të vendimeve të këtij juridiksioni (neni 6 i Konventës).
4. Më 24 mars 2010, kërkesëpadia i është njoftuar Qeverisë. Kryetarja në detyrë e Seksionit në çastin e njoftimit ka vendosur madje që identiteti i paditësit nuk do të zbulohej (neni 47 § 3 i Rregullores).
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Paditësi ka lindur më 1981.
6. Paditësi është një person transgjinor i regjistruar në regjistrin e gjendjes civile si i gjinisë femërore. Sipas thënieve të tij, ai është bërë i vetëdijshëm që në moshë të re se ndihej që i përkiste gjinisë mashkullore, çka ishte në kontradiktë me gjininë e tij anatomike.
A. Veprimi gjyqësor fillestar me synim për ndryshimin e gjinisë
7. Më 30 shtator 2005, paditësi, duke u bazuar te neni 40 i Kodit Civil, iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë (GjShP-së) të Mersinit që të merrte lejen për t’iu drejtuar një operacioni për ndryshim gjinie. Në kërkesëpadinë e tij për nisjen e çështjes, avokati i paditësit vinte në dukje se klienti i tij e konsideronte veten që në moshë të re jo si femër por si mashkull, se ai kishte qenë për këtë arsye objekt i një ndjekjeje psikologjike që prej fëmijërisë dhe, rreth moshës 19-20 vjeç, kishte bërë ndër mend të vriste veten. Ai vinte në dukje gjithashtu se identiteti i tij i tanishëm biologjik ishte në konflikt me atë gjini së cilës ai çmonte se i përkiste. Ai jepte argumente rreth nevojës së një ndërrimi gjinie që do t’i jepte mundësi për të realizuar një harmoni ndërmjet perceptimit të brendshëm që ai kishte për vetveten dhe karakteristikave të tij fizike. Ai saktësonte se shumë mjekë me të cilët kishte pasur rastin të këshillohej që prej fëmijërisë kishin rekomanduar një ndërrim gjinie. Ai saktësonte gjithashtu se klienti i tij ishte në moshën njëzet e katër vjeç, se ai bënte një jetë si burrë, se ai jetonte në çift që prej katër vjetësh me një grua dhe se rrethi i tij familjar e shoqëror e kishte pranuar si burrë. Ai shtonte se klienti i tij ndiqte prej një viti një trajtim pranë shërbimit psikiatrik të spitalit universitar İnönü për operacionin e shndërrimit të kërkuar. Së fundi, ai kërkonte mbajtjen sekret të procedurës duke pasur parasysh gjendjen psikologjike të klientit të tij.
8. Më 16 dhjetor 2005, GjShP-ja e pranoi kërkesën lidhur me sekretin e procedurës.
9. Më 6 shkurt 2006, ajo dëgjoi të afërmit e paditësit. E ëma e të interesuarit deklaroi se, fëmijë, e bija luante kryesisht me djem dhe se, adoleshente, ajo i kishte thënë që e perceptonte veten sikur ishte djalë e që dëshironte të ishte një i tillë. Ajo vuri në dukje që ishte këshilluar atëherë me psikologë dhe që këta të fundit kishin çmuar se e bija do të ishte më e lumtur sikur të mund ta jetonte jetën e vet si mashkull, çka ajo tha të jetë gjithashtu edhe mendimi i saj. Edhe vëllai i madh i të interesuarit deklaroi se e motra luante me djem kur ishte fëmijë, se ajo kishte filluar të sillej si djalë gjatë adoleshencës, se ajo kishte pasur disa të dashura, se ajo ishte e vendosur të ndërronte gjini përmes një ndërhyrjeje kirurgjikale, se ajo ishte orvatur disa herë të vriste veten, se ajo vazhdonte të ishte nën terapi dhe se, me sa dinte ai, mjekët kishin vendosur që ta kryenin atë operacion.
Në përfundim të asaj seance, GjShP-ja i drejtoi një kërkesë për informacion kryemjekut të qendrës spitalore ku ishte mjekuar paditësi me qëllim për të marrë vesh nëse ky i fundit ishte transgjinor, nëse ndërrimi i gjinisë bëhej i detyrueshëm për ruajtjen e shëndetit të tij mendor dhe nëse ai ishte me paaftësi të përhershme për të lindur fëmijë.
10. Më 23 shkurt 2006, një komision mjekësor i qendrës mjekësore të Universitetit İnönü hartoi një raport psikiatrik duke nxjerrë përfundimin se paditësi ishte transgjinor. Ai çmonte përveç kësaj se ishte më e udhës, nga një pikëpamje psikologjike, që ai ta bënte tanimë jetën e vet me një identitet mashkulli.
11. Më 28 shkurt 2006, një komision mjekësor i degës së gjinekologjisë dhe obstetrikës të po së njëjtës qendër hartoi një raport që nxirrte përfundimin se Y.Y. ishte me fenotip femëror dhe transgjinor.
12. Më 7 prill 2006, GjShP-ja konstatoi se asaj i ishin përcjellë dy raporte mjekësore të mbërritura nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit İnönü. Ajo vuri re se në një raport të datës 23 shkurt 2006 ishte vënë një diagnozë transgjinorësie dhe se ishte dalë në përfundimin që qe më e udhës, nga një pikëpamje psikologjike, që i interesuari ta bënte tani e tutje jetën e vet me një identitet mashkulli. Ajo vuri re gjithashtu se në një raport të datës 28 shkurt 2006 u nxor përfundimi se Y.Y. ishte me fenotip femëror. Ajo çmoi megjithatë se këto dy raporte nuk u përgjigjeshin pyetjeve që ajo kishte bërë, konkretisht nëse ndërrimi i gjinisë bëhej i detyrueshëm për ruajtjen e shëndetit mendor të palës paditëse dhe nëse kjo e fundit ishte me paaftësi të përhershme për të lindur fëmijë. Kështu që ajo e përsëriti prapë kërkesën e saj për informacion.
13. Më 20 prill 2006, drejtoresha e shërbimit të gjinekologjisë dhe obstetrikës pranë shërbimeve të kirurgjisë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit İnönü e informoi me shkrim kryemjekun e qendrës mjekësore se paditësi ishte ekzaminuar pas një kërkese për vizitë në kirurgji plastike me qëllim ndërrimi gjinie. Ajo vinte në dukje se, pas ekzaminimit, ishte vërtetuar që Y.Y. ishte i pajisur me organe gjinore të jashtme e të brendshme femërore dhe nuk ishte me paaftësi të përhershme për të lindur fëmijë.
14. Më 21 prill 2006, një komision mjekësor i shërbimit të psikiatrisë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit İnönü e informoi me shkrim kryemjekun e qendrës mjekësore se paditësi ishte ekzaminuar më 20 prill 2006. Pas këtij ekzaminimi, ishte dalë në përfundimin se ishte e nevojshme, nga një pikëpamje psikike, që ai të mund ta bënte tani e tutje jetën e vet nën një identitet mashkulli.
15. Gjatë seancës së 5 majit 2006 përpara GjShP-së, avokati i paditësit e kundërshtoi raportin e datës 20 prill 2006 me arsyetimin se ky i fundit nuk ishte miratuar nga një organ kolegjial. GjShP-ja kërkoi për rrjedhojë paraqitjen e një ekspertize të re rreth aftësisë së paditësit për të lindur fëmijë. Për përgatitjen e tij u ngarkua një komision mjekësor i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Çukurovas.
16. Më 11 maj 2006, dy mjekë pranë shërbimit të gjinekologjisë dhe të obstetrikës të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Çukurovas kryen një ekspertizë ligjore dhe, pasi e ekzaminuan paditësin, dolën në përfundimin se ky i fundit e kishte aftësinë për të lindur fëmijë.
17. Më 27 qershor 2006, GjShP-ja, duke u mbështetur në përfundimet e ekspertizave të ndryshme, refuzoi të jepte lejen e kërkuar nga paditësi për ndërrim gjinie me arsyetimin se ky i fundit nuk ishte, në mënyrë të përhershme, me paaftësinë për të lindur fëmijë dhe se ai nuk i përgjigjej për rrjedhojë njërës nga kërkesat e nenit 40 të Kodit Civil.
18. Më 18 korrik 2006, paditësi bëri rekurs në kasacion kundër këtij vendimi. Në përkujtesën e vet, avokati i tij nënvizonte se klienti i tij e konsideronte veten që prej fëmijërisë jo si femër, por si mashkull dhe se bindja e tij në lidhje me këtë nuk ishte thjesht një trill, se ai kishte ndjekur një terapi të gjatë psikologjike, se në përfundim të kësaj të fundit ai ishte diagnostikuar që ishte transgjinor dhe se ishte më e udhës, nga një pikëpamje psikologjike, që ai të jetonte si mashkull. Ai mbronte përveç kësaj mendimin se aftësia e vet për të lindur fëmijë nuk e pengonte aspak klientin e tij që ta perceptonte veten si mashkull dhe se aty ishte fjala për një gjendje faktike të lidhur me natyrën e tij, të cilën ai nuk e kishte në dorë. Ai theksonte gjithashtu se, në Turqi ashtu si edhe në vendet e tjera të botës, të gjithë personat që, ashtu si paditësi, nuk arrinin ta pajtonin gjendjen e tyre biologjike me gjendjen e tyre psikologjike nuk ishin vetëm persona të pamartuar e pa aftësi për të lindur fëmijë. Në lidhje me këtë, ai shtonte se kishte shembuj të shumtë personash me një predispozitë për transgjinorizëm të cilët ishin martuar dhe ishin bërë me fëmijë përpara se t’i drejtoheshin një operacioni për ndërrim gjinie. Ai mbronte mendimin se nuk ishte e drejtë të përdorej si argument aftësia për të lindur fëmijë e një personi transgjinor, qoftë kur ky e konsideronte veten si grua, qoftë kur e konsideronte si burrë. Ai mendonte për rrjedhojë se, duke mos pranuar që ta lejonin paditësin që t’i drejtohej kirurgjisë për ndërrim gjinie mbi bazën e nenit 40 të Kodit Civil – i cili, sipas tij, nuk u ishte përshtatur realiteteve shoqërore –, gjykatat i kishin kufizuar të drejtat dhe liritë e klientit të tij. Ai pretendonte gjithashtu se rrëzimi i kërkesës së paditësit duke u bazuar mbi aftësinë e këtij të fundit për të lindur fëmijë nuk ishte në përputhje me ligjet dhe ai shprehte mendimin se duhej të hiqej shprehja “në mënyrë të përhershme i paaftë për të lindur fëmijë” e shënuar në dispozitën në fjalë.
19. Më 17 maj 2007, Gjykata e Kasacionit, duke çmuar se juridiksioni i shkallës së parë nuk kishte bërë asnjë gabim në vlerësimin e elementeve të provës nga ana e saj, e la në fuqi vendimin e dhënë.
20. Më 18 qershor 2007, avokati i paditësit bëri një ankim për ndreqje të këtij vendimi. Në përkujtesën e tij, ai mbronte mendimin se nuk ishte marrë parasysh asnjë nga arsyet e paraqitura në mbështetje të rekursit të paditësit dhe se nuk ishte formuluar asnjë vërejtje për sa u përkiste dokumenteve zyrtare dhe raporteve që ishin përfshirë në dosje. Ai kundërshtonte gjithashtu përdorimin e raportit të datës 11 maj 2006 të hartuar nga shërbimi i gjinekologjisë dhe i obstetrikës i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Çukurovas si bazë të vendimit për rrëzim kërkese i cili kundërshtohej. Ai pretendonte në lidhje me këtë se raporti në fjalë nuk ishte një ekspertizë, se ai ishte hartuar pas një ekzaminimi që kishte qenë vetëm një këqyrje sipërfaqësore e organeve gjinore të klientit të tij e që kishte qenë për rrjedhojë i pamjaftueshëm për të përcaktuar aftësinë e tij për të lindur fëmijë. Ai mbronte gjithashtu mendimin se, edhe sikur të hamendësohej që raportet e ndryshme mjekësore të kishin qenë të mjaftueshme për ta përcaktuar aftësinë e klientit të tij për të lindur fëmijë, prapëseprapë i vetmi identitet gjinor që i interesuari ishte në gjendje të merrte përsipër në një rrafsh qoftë fizik, qoftë psikologjik, ishte një identitet mashkullor. Ai solli si argument se kjo rrethanë ishte përcaktuar nga ana tjetër më 2 mars 2005 prej raportit të komisionit të shëndetësisë së Universitetit İnönü ku klienti i tij po ndiqte madje prej shumë kohësh një terapi psikologjike. Në lidhje me këtë, ai e qortonte mungesën e marrjes parasysh së kësaj përçapjeje të klientit të tij. Së fundi, ai mbronte mendimin se refuzimi që i ishte bërë kërkesës me anë të së cilës paditësi lypte të merrte lejen për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale që do t’i jepte atij atë gjini të cilën natyra e vet e paskësh shtyrë për të pasur, i cenonte të drejtat e të interesuarit.
21. Më 18 tetor 2007, Gjykata e Kasacionit e rrëzoi kërkesën për ndreqje vendimi të paraqitur nga paditësi pasi vuri në dukje se në çështjen në fjalë nuk kishte asnjë nga arsyet për prishje vendimi të përmendura në nenin 440 të Kodit të Procedurës Civile.
B. Procedura përpara instancave kombëtare pas njoftimit të Qeverisë për kërkesëpadinë
22. Më 5 mars 2013, paditësi, duke u bazuar te neni 40 i Kodit Civil, iu drejtua përsëri GjShP-së së Mersinit me një kërkesë lejimi kirurgjie për ndërrim gjinie. Në kërkesëpadinë e vet për fillimin e çështjes, avokati i tij vinte në dukje se klienti i tij e konsideronte veten që në moshë të re jo si femër por si mashkull, se për këtë arsye ai kishte qenë objekt i një ndjekjeje psikologjike që prej fëmijërisë dhe se ishte përcaktuar prej disa raportesh mjekësore që ishte më e udhës, nga një pikëpamje psikologjike, që ai ta bënte tani e tutje jetën e vet me një identitet mashkullor. Ai vinte gjithashtu në dukje që identiteti i tij i tanishëm biologjik ishte në konflikt me gjininë së cilës ai çmonte se i përkiste. Ai sillte argumente për nevojën e një ndërrimi gjinie për të ruajtur tërësinë e tij psikologjike dhe fizike. Ai përmendte përveç kësaj se, më 27 mars 2012, Y.Y. i ishte nënshtruar një mastektomie të të dy gjinjve dhe përdorte hormone të ndryshme me qëllim të rritjes së përqindjes së tij të testosteronit. Ai vinte në dukje se ai punonte pranë të vëllait si dekorator, se shkonte rregullisht në palestër dhe se kishte pamjen fizike të një burri. Ai sillte si argument se klienti i tij, tashmë në moshën 32 vjeç, e kishte konsideruar gjithmonë veten si mashkull, se miqtë që kishte takuar pas njëfarë moshe nuk e njihnin përveçse si burrë dhe se ai nuk e përdorte fare emrin që figuronte në dokumentin e tij të identitetit. Ai shtonte se, për ta përshtatur pamjen e vet fizike me perceptimin që ai kishte për veten, klienti i tij kishte përdorur gjithfarë metodash me pasoja të dëmshme. Në jetën e përditshme, sidomos kur i duhej t’ia paraqiste dokumentet e tij të identitetit institucioneve publike, ai qenkësh viktimë veprimesh denigruese e poshtëruese dhe ndeshej me vështirësi të shumta për arsye të dallimit që ekzistonte midis pamjes së tij të jashtme dhe identitetit të përmendur në dokumentet e tij. Avokati i paditësit përfundonte duke kërkuar që ai të lejohej për të nisur formalitetet e nevojshme për ndryshimin e identitetit të tij në regjistrin civil, që të pranohej kërkesa për ndërrim gjinie, që t’i jepej leja për t’iu drejtuar kirurgjisë për ndërrim gjinie dhe që të mbetej sekrete procedura përpara GjShP-së.
23. Më 11 prill 2013, pas një anamneze dhe një ekzaminimi të paditësit, një komision i përbërë nga psikiatër të qendrës mjekësore të Universitetit İnönü hartoi një raport mjekësor nga i cili dilte se paditësi ishte transgjinor dhe se ruajtja e shëndetit të tij mendor kalonte përmes ndërrimit të gjinisë së tij. Ky raport përmendte përveç kësaj se pika nëse i interesuari ishte në mënyrë të përhershme pa aftësinë për të lindur fëmijë duhet të bëhej objekt i një ekspertize.
24. Më 6 maj 2013, u hartua një raport mjekoligjor nga një komision i shërbimit të mjekësisë ligjore të qendrës mjekësore të Universitetit İnönü. Ky raport përmendte se, gjatë ekzaminimit të tij më 11 prill 2013 në shërbimin e mjekësisë ligjore, paditësi kishte deklaruar që dëshironte të operohej për të ndërruar gjini, që ai kishte bërë tashmë në të kaluarën disa përçapje në këtë drejtim por se i ishte rrëzuar kërkesa nga drejtësia, që ai i ishte drejtuar atëherë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut e që padia e tij ishte rinisur përsëri që prej asaj kohe. Raporti përmendte përveç kësaj se, në ekzaminimin mjekësor, paditësi ishte me fenotip mashkullor (tërësi karakteristikash të jashtme), se ai kishte mjekër e mustaqe, se indet e tij të gjinjve ishin hequr në rrugë kirurgjikale dhe se ai vazhdonte një trajtim si pasojë e atij operacioni, se ai paraqiste një leshtorësi mashkullore në krahë e në këmbë, se ai ndiqte një trajtim hormonal, se ai kishte turp nga ngjyra e dokumentit të tij të identitetit[1] aq sa e kishte mbështjellë përpara se ta fuste në portofol dhe, së fundi, se ai kishte deklaruar se për të duhej të bëhej medoemos një ndryshim.
Raporti përmendte përveç kësaj se ekzaminimet e tij të gjakut zbulonin një përqindje të përgjithshme testosteroni mbi 16 000 ngr/dl, përqindje që mendohej se kishte lidhje me trajtimin hormonal që ai merrte. U çmua se ai nuk ishte me paaftësi të përhershme për të lindur fëmijë.
Raporti përfundonte si vijon:
“1. Është me konstitucion transgjinor,
2. ndërrimi i gjinisë është i nevojshëm për shëndetin e tij mendor,
3. nuk është me paaftësi të përhershme për të lindur fëmijë (në natyrën e vet femërore) (...)”
25. Më 21 maj 2013, GjShP-ja e Mersinit e pranoi kërkesën e paditësit dhe e lejoi operacionin e lypur kirurgjikal për ndërrim gjinie. Në arsyetimin e saj, GjShP-ja e çmonte si të vërtetuar se paditësi ishte transgjinor, se ruajtja e shëndetit të tij mendor e bënte të nevojshëm ndërrimin e gjinisë së tij, se nga dëgjimi i dëshmitarëve të palës kërkuese dilte që, në çdo këndvështrim, ai jetonte si burrë e që ai e vuante situatën e tij, kështu që, duke marrë parasysh elementet e provës dhe raportet e paraqitura, përmbusheshin kushtet e parashikuara në nenin 40 § 2 të Kodit Civil dhe kërkesës së tij duhej t’i jepej përgjigje e favorshme. Vendimi sanksionon se shpallet në formë të prerë.
(...)
LIGJI
I. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 8 TË KONVENTËS
44. Paditësi ankohet për një cenim të së drejtës për respektimin e jetës së tij private. Ai mbron mendimin se kontradikta e cila ekziston ndërmjet perceptimit që ai ka për veten si burrë dhe konstitucionit të tij fiziologjik është e përcaktuar me raporte mjekësore. Në formularin e kërkesëpadisë së tij, ai shtonte se, kur kishte kërkuar lejen për t’i dhënë fund kësaj kontradikte, ai ishte ndeshur me refuzimin e autoriteteve të brendshme, të cilat e paskan mbështetur vendimin e tyre tek aftësia e tij për të lindur fëmijë.
Paditësi kërkonte përveç kësaj që të lejohej t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale për ndërrim gjinie. Ai qortonte në lidhje me këtë edhe përmbajtjen e nenit 40 të Kodit Civil, edhe mënyrën e interpretimit të tij, të cilat nuk u qenkan përgjigjur nevojave që mendohet se duhet të zgjidhë dispozita në fjalë, përderisa kërkesa biologjike që ajo vë si kusht nuk u plotësuaka dot përveçse nëpërmjet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Mirëpo pamundësia për të pasur qasje te një ndërhyrje e tillë kirurgjikale ua heq përfundimisht personave, sipas paditësit, çdolloj mundësie për ta zgjidhur kontradiktën me të cilën ndeshen ndërmjet perceptimit të identitetit të tyre gjinor dhe realitetit biologjik.
Paditësi i referohet nenit 8 të Konventës, të formuluar kështu:
“1. Çdo person ka të drejtë për respektimin e jetës së tij private (...)
2. Autoriteti publik mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte vetëm në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur kjo masë është e domosdoshme, në një shoqëri demokratike, për sigurimin kombëtar, për sigurinë publike, për mirëqenien ekonomike të vendit, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e veprave penale, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve”
45. Qeveria i hedh poshtë këto pretendime.
A. Rreth pranueshmërisë
46. Në vërejtjet e saj plotësuese të cilat mbajnë datën 30 gusht 2013, Qeveria sjell si argument se, sipas analizës që ajo i bën jurisprudencës së mirëpërcaktuar të Gjykatës, paditësi duhet të mundë ta përligjë cilësinë e tij si viktimë përgjatë të gjithë kohëzgjatjes së procedurës. Ajo citon në mbështetje të këtij argumenti çështjen Bourdov k. Rusisë (nr. 59498/00, § 30, GjEDNj 2002-III). Ajo vë në dukje se, në këtë çështje, gjykata ka dhënë një vendim në favor të paditësit i cili i qortonte autoritetet se nuk i kishin dhënë lejen për të ndërruar gjini. Prandaj, sipas saj, paditësi nuk e ka më cilësinë e viktimës në kuptimin e nenit 34 të Konventës.
47. Paditësi i kundërshton argumentet e Qeverisë. Duke iu referuar vendimeve Chevrol k. Francës (nr. 49636/99, § 43, GjEDNj 2003‑III), Guerrera e Fusco k. Italisë (nr. 40601/98, §§ 51-53, 3 prill 2003) dhe Timofeiev k. Rusisë (nr. 58263/00, § 36, 23 tetor 2003), ai mbron mendimin se një vendim a një masë në favor të një paditësi nuk mjafton parimisht për t’ia hequr atij cilësinë e viktimës për sa kohë që autoritetet e brendshme nuk e kanë pranuar, shprehimisht ose në thelb, as zhdëmtuar tërësisht shkeljen e pretenduar. Në lidhje me këtë, avokati i tij shton se rrëzimi i padisë e ka detyruar klientin e vet – dhe kjo, sipas tij, nën shembullin e të gjithë personave që dëshirojnë të ndërrojnë gjini – për të përdorur hormone jashtë çdolloj kontrolli gjyqësor e mjekësor. Ai mbron mendimin se klienti i tij është një viktimë dhe autoritetet e brendshme nuk e kanë pranuar asnjëherë këtë gjendje faktike. Ai saktëson së fundi se ka qenë paditësi ai që, me nismën e vet, ka nisur një padi të re për ta fituar çështjen dhe se autoritetet e brendshme nuk kanë bërë nga ana e tyre asnjë përçapje aktive në këtë drejtim.
48. Gjykata rikujton se u takon në radhë të parë autoriteteve kombëtare që ta ndreqin një shkelje të pretenduar të Konventës. Në lidhje me këtë, pika nëse një paditës mund të mëtojë apo jo që është viktimë e shkeljes së pretenduar shtrohet në të gjitha stadet e procedurës në vështrim të Konventës (Bourdov, i cituar më lart, § 30). Për të përcaktuar nëse një paditës mund të mëtojë se është realisht viktimë e një shkeljeje të pretenduar, është e udhës të merren parasysh jo vetëm situata zyrtare në momentin e paraqitjes së kërkesëpadisë pranë Gjykatës, por edhe tërësia e rrethanave të çështjes në fjalë, sidomos çdo fakt i ri i ndodhur përpara datës së shqyrtimit të çështjes nga Gjykata (Tănase k. Moldavisë [DhM], nr. 7/08, § 105, GjEDNj 2010).
49. Gjykata rikujton gjithashtu se, duke i pasur parasysh këto konsiderata, pika nëse një paditës e ka apo jo cilësinë e viktimës duhet të përcaktohet në momentin kur ajo e shqyrton çështjen, atëherë kur rrethanat e përligjin këtë qasje (po aty, § 106). Ajo rikujton përveç kësaj se një vendim ose një masë në favor të paditësit nuk mjafton në parim për t’ia hequr atij cilësinë si “viktimë” në lidhje me nenin 34 të Konventës, përveçse kur autoritetet kombëtare e pranojnë, shprehimisht ose në thelb, pastaj e zhdëmtojnë shkeljen e Konventës (shih, për shembull, Eckle k. Gjermanisë, 15 korrik 1982, § 66, seria A nr. 51, Dalban k. Rumanisë [DhM], nr. 28114/95, § 44, GjEDNj 1999‑VI, Scordino k. Italisë (nr. 1) [DhM], nr. 36813/97, §§ 179-180, GjEDNj 2006‑V, dhe Gäfgen k. Gjermanisë [DhM], nr. 22978/05, § 115, GjEDNj 2010).
50. Natyra ndihmëse e mekanizmit mbrojtës të Konventës i kundërvihet një shqyrtimi të kërkesëpadisë vetëm atëherë kur plotësohen këto dy kushte (Eckle, i cituar më lart, §§ 69 e pasues).
51. Për sa i përket zhdëmtimit “të përshtatshëm” e “të mjaftueshëm” për ta ndrequr në rrafshin e brendshëm shkeljen e një të drejte të garantuar nga Konventa, Gjykata është në përgjithësi e mendimit se ai varet nga tërësia e rrethanave të çështjes, duke pasur parasysh veçanërisht natyrën e shkeljes së Konventës për të cilën bëhet fjalë (shih, për shembull, Gäfgen, të cituar më lart, § 116).
52. Në çështjen në fjalë, Gjykata vëren se paditësi u ishte drejtuar instancave kombëtare në vitin 2005 me një kërkesë që synonte ndërrimin e gjinisë dhe se ai kishte ndeshur një refuzim të lejes për kirurgji ndërrimi gjinie pas një procedure gjyqësore që kishte përfunduar në vitin 2007 (paragrafët 7-21 të mësipërm). Pas njoftimit të Qeverisë për këtë kërkesëpadi, Y.Y. ka ndjekur një trajtim hormonal dhe i është nënshtruar një mastektomie të të dy gjinjve përpara se të paraqiste një kërkesë të dytë për ndërrim gjinie pranë GjShP-së së Mersinit, në mars 2013 (paragrafi 22 i mësipërm). Më 21 maj 2013, në përfundim të një procedure të re gjyqësore gjatë së cilës ai është bërë objekt ekzaminimesh të tjera mjekësore, paditësi e ka fituar çështjen (paragrafi 25 i mësipërm).
53. Sigurisht, siç e nënvizon Qeveria, instancat kombëtare, pas njoftimit të kërkesëpadisë, kanë marrë një vendim në favor të paditësit duke ia dhënë atij lejen e kërkuar për ndërrim gjinie. Megjithatë, Gjykata nuk ka sesi të mos e marrë parasysh se situata objekt konflikti në zanafillë të kësaj kërkesëpadie, konkretisht pamundësia për paditësin për të pasur qasje te kirurgjia për ndërrim gjinie për arsye të refuzimit të instancave gjyqësore, ka vazhduar për më shumë se pesë vjet e shtatë muaj. Mirëpo për Gjykatën nuk ka asnjë dyshim që paditësi i ka pësuar drejtpërdrejt pasojat e këtij refuzimi në jetën e tij private gjatë kësaj periudhe (paragrafët 22 et 24 të mësipërm). Teksa lexon arsyetimin e GjShP-së që ka marrë vendim në favor të paditësit, Gjykata vëren madje se ai nuk përmban asnjë pranim të shprehur të ndonjë shkeljeje të drejtash të mbrojtura nga Konventa. As leja që i është dhënë paditësit nuk mund të interpretohet si një pranim, në thelb, i ndonjë shkeljeje të së drejtës së tij për respektimin e jetës private.
54. Prandaj është e udhës që të rrëzohet kërkesa e Qeverisë për prapësim paraprak e nxjerrë nga humbja e cilësisë së paditësit si viktimë.
55. Duke konstatuar nga ana tjetër se ankimi i paditësit nuk është haptazi i pabazuar në kuptimin e nenit 35 § 3 a) të Konventës dhe se ai nuk ndesh asnjë arsye tjetër për papranueshmëri, Gjykata e deklaron atë të pranueshëm.
B. Rreth themelit
1. Parime të përgjithshme
56. Gjykata rikujton se e ka theksuar tashmë shumë herë që nocioni “jetë private” është një nocion i gjerë, të cilit nuk i jepet dot një përkufizim shterues. Ky nocion përmbledh tërësinë fizike dhe morale të personit (X e Y k. Vendeve të Ulëta, 26 mars 1985, § 22, seria A nr. 91), por ai përfshin nganjëherë edhe disa aspekte të identitetit fizik e shoqëror të një individi (Mikulić k. Kroacisë, nr. 53176/99, § 53, GjEDNj 2002‑I). Disa elemente si, për shembull, identiteti gjinor, emri, orientimi seksual dhe jeta seksuale i përkasin sferës personale të mbrojtur nga neni 8 i Konventës (Dudgeon k. Mbretërisë së Bashkuar, 22 tetor 1981, § 41, seria A nr. 45, B. k. Francës, 25 mars 1992, § 63, seria A nr. 232-C, Burghartz k. Zvicrës, 22 shkurt 1994, § 24, seria A nr. 280‑B, Laskey, Jaggard e Brown k. Mbretërisë së Bashkuar, 19 shkurt 1997, § 71, Përmbledhje e vendimeve 1997‑I, dhe Smith e Grady k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 33985/96 e nr. 33986/96, 71, GjEDNj 1999‑VI).
57. Kjo dispozitë mbron gjithashtu edhe të drejtën për zhvillimin personal dhe të drejtën për të vendosur e mbajtur marrëdhënie me qenie të tjera njerëzore dhe me botën e jashtme (Schlumpf k. Zvicrës, nr. 29002/06, § 77, 8 janar 2009). Në lidhje me këtë, Gjykata ka mendimin se nocioni i autonomisë personale pasqyron një parim të rëndësishëm që qëndron në themel të interpretimit të garancive të nenit 8 (Pretty k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 2346/02, § 61, GjEDNj 2002‑III).
58. Gjykata rikujton përveç kësaj që ajo e ka pohuar sa e sa herë në jurisprudencën e saj se, përderisa dinjiteti dhe liria e njeriut janë vetë thelbi i Konventës, e drejta për zhvillimin e plotë personal dhe për tërësinë fizike e morale të transgjinorëve është e garantuar (Christine Goodwin k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 28957/95, § 90, GjEDNj 2002‑VI, Van Kück k. Gjermanisë, nr. 35968/97, § 69, GjEDNj 2003‑VII, dhe Schlumpf, i cituar më lart, § 101). Po ashtu ajo ka pranuar se, në qoftë se e drejta e brendshme është e papajtueshme me një aspekt të rëndësishëm të identitetit personal, atëherë mund të ketë një cenim të rëndë të jetës private (Christine Goodwin, i cituar më lart, § 77).
59. Gjykata rikujton nga ana tjetër se kufiri midis detyrimeve pozitive dhe detyrimeve negative të shtetit në bazë të nenit 8 nuk lë vend për një përcaktim të përpiktë, por se parimet e zbatueshme në rastin e të parave janë të krahasueshme me ato që vlejnë për të dytat. Për ta përcaktuar nëse ekziston një detyrim – pozitiv ose negativ –, duhet të mbahet parasysh baraspesha e drejtë që duhet ruajtur ndërmjet interesit të përgjithshëm dhe interesave të individit; në të dyja hipotezat, shteti gëzon njëfarë hapësire për vlerësim (shih, për shembull, B. k. Francës, të cituar më lart, § 44 dhe Hämäläinen k. Finlandës [DhM], nr. 37359/09, § 67, GjEDNj 2014).
60. Për sa i përket vënies në baraspeshë të interesave konkurruese, Gjykata e ka nënvizuar rëndësinë e veçantë që marrin pikat që kanë të bëjnë me njërin nga aspektet më të brendshme të jetës private, pra përcaktimin gjinor të një personi (Schlumpf, i cituar më lart, § 104). Në lidhje me këtë, Gjykata ka shqyrtuar tashmë, në dritën e kushteve të tanishme të jetesës, disa çështje që kishin të bënin me probleme të ndeshura nga transgjinorët dhe ajo e ka miratuar përmirësimin e vazhdueshëm të masave të marra nga shtetet në bazë të nenit 8 të Konventës për t’i mbrojtur këta persona dhe për ta njohur situatën e tyre (L. k. Lituanisë, nr. 27527/03, § 56, GjEDNj 2007-IV).
2. Zbatimi i këtyre parimeve në këtë çështje
a. Vërejtje paraprake
61. Paraprakisht, Gjykata nënvizon se në çështjet e sipërpërmendura asaj i ishin drejtuar ankesa të paraqitura nga persona transgjinorë të operuar ose të cilët u ishin nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale me qëllim ndërrimi gjinie, ndërsa në këtë çështje, në datën e paraqitjes së kërkesëpadisë, paditësit, transgjinor jo i operuar, i ishte refuzuar leja gjyqësore për t’iu drejtuar një operacioni për ndërrim gjinie, me arsyetimin se ai nuk ishte me paaftësi të përhershme për të lindur fëmijë.
62. Kjo çështje ka kështu si objekt një aspekt të problemeve që mund të ndeshin personat transgjinorë, i cili është i ndryshëm nga ato që Gjykata ka pasur rastin të shqyrtojë deri tani. Ajo shtron në fakt pikën e atyre kërkesave paraprake të procesit të ndërrimit të gjinisë të cilat mund t’u paraqiten me detyrim transgjinorëve, si edhe se sa përputhen ato me nenin 8 të Konventës. Prandaj, kriteret dhe parimet e shtjelluara nga jurisprudenca e sipërpërmendur, të cilat ishin formuluar në një kontekst dukshëm të ndryshëm nga rasti i kësaj çështjeje, nuk mund të merren shabllon e të përdoren për çështjen në fjalë. Megjithatë, ato mund ta udhëheqin Gjykatën në vlerësimin e rrethanave të çështjes.
b. Rreth këndit të analizës së pikës objekt konflikti
i. Argumentet e palëve
63. Paditësi mbron mendimin se ka qenë viktimë e një ndërhyrjeje në ushtrimin e së drejtës për respektimin e jetës së tij private.
64. Qeveria e kundërshton nga ana e saj këtë pretendim dhe nxjerr si argument se refuzimi për të lejuar një ndërhyrje kirurgjikale për ndërrim gjinie me arsyetimin që nuk plotësohen kushtet e kërkuara nga ligji nuk mund të paraqitet si një ndërhyrje në të drejtën për respektimin e jetës private në kuptimin e nenit 8 të Konventës. Përveç kësaj, sipas Qeverisë, pika nëse respektimi efektiv i jetës private të transgjinorit krijon për shtetin një detyrim pozitiv në këtë fushë duhet të zgjidhet përmes marrjes parasysh të “baraspeshës së drejtë që duhet të ruhet ndërmjet interesit të përgjithshëm dhe interesave të individit”. Në lidhje me këtë, ajo vëren se, te vendimet Rees k. Mbretërisë së Bashkuar (17 tetor 1986, seria A nr. 106) dhe Cossey k. Mbretërisë së Bashkuar (27 shtator 1990, seria A nr. 184), Gjykata ka marrë parasysh, ndër të tjera, faktin se “ekzistenca e një baraspeshe të drejtë nuk mund ta detyronte shtetin e paditur që ta ndryshonte fund e krye sistemin e vet ekzistues” për të dalë në konkluzionin e mungesës së një detyrimi të këtij lloji në ngarkim të shtetit të paditur.
ii. Vlerësimi i Gjykatës
65. Gjykata vëren se paditësi ankohet, kryesisht, për refuzimin që i kanë bërë fillimisht instancat gjyqësore kombëtare kur ai kërkoi që t’i drejtohej kirurgjisë për ndërrim gjinie. Në lidhje me këtë, ai e përsërit që parimi i autonomisë personale mund të merret në kuptimin e së drejtës së individit për të bërë zgjedhje lidhur me trupin e vet (Pretty, i cituar më lart, § 66, dhe K.A. e A.D. k. Belgjikës, nr. 42758/98 e nr. 45558/99, § 83, 17 shkurt 2005). Ndonëse neni 8 i Konventës nuk mund të interpretohet sikur garanton një të drejtë të pakushtëzuar për një kirurgji ndërrimi gjinie, Gjykata rikujton megjithatë se ajo ka vënë re tashmë që në rrafshin ndërkombëtar pranohet gjerësisht që transgjinorizmi është një gjendje mjekësore e cila e përligj një trajtim për t’i ndihmuar personat e prekur prej saj (Christine Goodwin, i cituar më lart, § 81). Shërbimet shëndetësore të shumicës së shteteve kontraktuese e njohin këtë gjendje mjekësore dhe garantojnë ose lejojnë disa trajtime, duke përfshirë edhe ndërhyrjet e pakthyeshme kirurgjikale për ndërrim gjinie (paragrafët 35-43 të mësipërm).
66. Gjykata çmon se refuzimi që i është bërë fillimisht kërkesës së paditësit ka qenë në mënyrë të pamohueshme me pasoja mbi të drejtën e tij për identitetin gjinor e për zhvillimin e plotë personal, aspekt ky themelor i së drejtës së tij për respektimin e jetës së vet private. Ky refuzim ka përbërë kështu një ndërhyrje në të drejtën e të interesuarit për respektimin e jetës së tij private, në kuptimin e nenit 8 § 1 të Konventës.
c. Rreth përligjjes së ndërhyrjes në fjalë
67. Për të përcaktuar nëse ndërhyrja e konstatuar kështu përbën ose jo shkelje të nenit 8, Gjykata duhet të shohë nëse ajo përligjej në vështrim të paragrafit 2 të këtij neni, me fjalë të tjera nëse ajo ishte “e parashikuar nga ligji” dhe “e domosdoshme, në një shoqëri demokratike” për të arritur njërin apo tjetrin nga “qëllimet e drejta” të numëruara në këtë tekst.
i. Rreth bazës ligjore të ndërhyrjes
68. Sipas jurisprudencës së përhershme të Gjykatës, shprehja “e parashikuar nga ligji” kërkon që masa e fajësuar të ketë një bazë në të drejtën e brendshme, por ka gjithashtu parasysh edhe cilësinë e ligjit në fjalë, duke kërkuar që ky i fundit të jetë i arritshëm për personin në fjalë dhe i parashikueshëm për sa u përket pasojave të tij (shih, ndër shumë të tjera, Amann k. Zvicrës [DhM], nr. 27798/95, § 50, GjEDNj 2000‑II, Slivenko k. Letonisë [DhM], nr. 48321/99, § 100, GjEDNj 2003‑X, dhe Fernández Martínez k. Spanjës [DhM], nr. 56030/07, § 117, GjEDNj 2014 (pjesë të zgjedhura)).
69. Në çështjen në fjalë, Gjykata shënon pikësëpari se pika e ekzistencës së një baze ligjore nuk lë vend për kundërshti ndërmjet palëve. Paditësi parashtron kështu se ndërhyrja objekt i së cilës u bë ai mbështetej te neni 40 i Kodit Civil. Qeveria pohon nga ana e saj se kërkesat e nenit 40 të Kodit Civil janë të qarta dhe se në çështjen në fjalë GjShP-ja e Mersinit nuk i është futur një interpretimi sipas jurisprudencës për sa u përket kushteve të kërkuara nga ligji. Duke u mbështetur te konkluzionet e ekspertizave të ndryshme të realizuara, GjShP-ja e Mersinit e ka rrëzuar kështu, sipas Qeverisë, kërkesën e paditësit me arsyetimi se nuk ishin mbledhur të gjitha kushtet e kërkuara prej ligjit për ndërrimin e gjinisë për faktin se paditësi nuk ishte me paaftësi për të lindur fëmijë.
70. Në lidhje me këtë, Gjykata vë re se vendimi i GjShP-së i datës 27 qershor 2006, i cili ia refuzonte paditësit lejen që ky kërkonte për ndërrim gjinie, mbështetej te neni 40 i Kodit Civil. Duke e lexuar këtë dispozitë, Gjykata vëren se e drejta turke u njeh personave transgjinorë që i përmbushin kërkesat e ligjit jo vetëm të drejtën për të ndërruar gjini, por edhe atë për të fituar një njohje juridike të gjinisë së tyre të re përmes ndryshimit të gjendjes së tyre civile (...) Neni 40 i Kodit Civil e kushtëzon megjithatë këtë mundësi, ndër të tjera, me paaftësinë e përhershme për të lindur fëmijë, kusht ky mbi bazën e të cilit kërkesa e paditësit është refuzuar fillimisht.
71. Për këtë arsye, Gjykata çmon se ndërhyrja objekt konflikti e kishte një bazë ligjore në të drejtën e brendshme. Megjithatë, duke pasur parasysh përfundimin ku ajo del për sa i përket nevojës së kësaj ndërhyrjeje (paragrafët 121-122 e mëposhtëm), ajo nuk e çmon të nevojshme të shprehet rreth parashikueshmërisë së kësaj dispozite për sa u takon pasojave të saj.
ii. Rreth qëllimit të drejtë të ndërhyrjes
α) Argumentet e palëve
72. Paditësi mbron mendimin se kërkesës së tij për ndërhyrje kirurgjikale ose mjekësore për një ndërrim gjinie nuk i kundërvihej asnjë arsye interesi publik. Në lidhje me këtë, ai mbron mendimin se argumentet e përgjithshme të paraqitura nga Qeveria (si parandalimi i banalizimit të këtij lloji ndërhyrjesh, pakthyeshmëria e këtyre të fundit, devijimet jashtë kontrolli të prostitucionit, paragrafët 74-75 të mëposhtëm) për të përligjur interesin e rendit publik që e ka udhëhequr ndërhyrjen në fjalë nuk mund të konsiderohen si konsekuente nga një pikëpamje shkencore, shoqërore dhe juridike.
73. Sipas Qeverisë, nga jurisprudenca e Gjykatës del se shtetet e kanë të drejtën për t’i kontrolluar veprimtaritë që mund ta dëmtojnë jetën dhe sigurinë e të tjerëve (Pretty, i cituar më lart, dhe Laskey, Jaggard e Brown, i cituar më lart). Nga vendimi Pretty, ajo dedukton se, sa më i rëndë të jetë dëmi që kanoset, aq më e madhe është pesha e konsideratave lidhur me shëndetin e me siguritë publike përballë parimit konkurrues të autonomisë personale.
74. Për këtë qëllim, Qeveria sjell si argument se fusha e ndërhyrjes kirurgjikale për ndërrim gjinie ka të bëjë jo vetëm me mbrojtjen e interesit të përgjithshëm për shmangien e banalizimit të ndërhyrjeve kirurgjikale për ndërrim gjinie dhe të operacioneve të panevojshme, por edhe me mbrojtjen e interesave të individit që dëshiron të ketë mundësi për t’iu drejtuar një operacioni të pakthyeshëm e që paraqet një rrezik për tërësinë e tij fizike dhe morale. Sipas Qeverisë, pas ndërhyrjes kirurgjikale transgjinori i humbet vërtet disa karakteristika të gjinisë së tij të zanafillës, por prapëseprapë nuk i fiton të gjitha ato të gjinisë së re. Për më tepër, i interesuari u bëka me paaftësi të përhershme për të lindur fëmijë. Gjithmonë sipas Qeverisë, duhet të merren gjithashtu parasysh edhe pendimet e mundshme të përjetuara më pas nga personat që kanë përdorur kirurgjinë për ndërrim gjinie, me pasoja të pakthyeshme.
75. Për sa i përket rrezikut të banalizimit të ndërhyrjeve kirurgjikale për ndërrim gjinie, Qeveria parashtron se një banalizim i tillë qenka i rrezikshëm duke pasur parasysh qoftë karakterin e tyre të pakthyeshëm, qoftë një përvetësim të mundshëm të mundësive mjekësore në këtë drejtim nga ana e disa qarqeve (qarku i prostitucionit, për shembull).
β) Vlerësimi i Gjykatës
76. Gjykata rikujton se përmendja një për një e arsyeve që mund ta përligjin një ndërhyrje në të drejtën për respektimin e jetës private, e cila figuron në paragrafin e dytë të nenit 8, është shteruese dhe se përcaktimi i këtyre arsyeve është kufizues (S.A.S. k. Francës [DhM], nr. 43835/11, § 113, GjEDNj 2014 (pjesë të zgjedhura)). Për të qenë e pajtueshme me Konventën, një ndërhyrje në të drejtën për respektimin e jetës private të një paditësi duhet të frymëzohet kështu nga një qëllim që mund të lidhet me njërin prej atyre që numëron kjo dispozitë. Në lidhje me këtë, praktika e Gjykatës është që të tregohet më fort e përmbledhur sa herë që ajo verifikon ekzistencën e një qëllimi të drejtë, në kuptimin e paragrafëve të dytë të neneve 8 deri 11 të Konventës (po aty).
77. Megjithatë, në çështjen në fjalë, meqenëse paditësi e kundërshton që të jenë me vend qëllimet e përmendura nga Qeveria (paragrafi 72 i mësipërm), Gjykata çmon se është e udhës që ajo të shprehet në mënyrë më të hollësishme. Në lidhje me këtë, ajo vëren se Qeveria mbron mendimin se mbajtja nën kontroll e ndërhyrjeve kirurgjikale për ndërrime gjinie i përket fushës së mbrojtjes së interesit të përgjithshëm dhe synon disa qëllime: të shmangë banalizimin e këtyre ndërhyrjeve e të përjashtojë mundësinë që përdorimi i ndërhyrjeve të tilla të përvetësohet nga disa qarqe si ai i prostitucionit. Qeveria i referohet përveç kësaj mbrojtjes së interesave të individit për të cilin bëhet fjalë duke pasur parasysh rreziqet që përfaqësojnë këto ndërhyrje për tërësinë e tij fizike dhe morale.
78. Argumentet e Qeverisë për sa i përket rrezikut të banalizimit të ndërhyrjeve kirurgjikale për ndërrim gjinie si edhe argumenti lidhur me një përvetësim të mundshëm të këtij lloji ndërhyrjesh nga disa qarqe nuk kanë sesi, duke pasur parasysh formulimin e tyre, ta bindin Gjykatën për sa i përket mundësisë për t’i takuar kategorisë së qëllimeve të drejta të parashtruara në paragrafin e dytë të nenit 8.
79. Gjykata vë re megjithatë se Qeveria u referohet gjithashtu pakthyeshmërisë së ndërhyrjeve kirurgjikale për ndërrim gjinie si edhe rreziqeve që paraqet ky lloj ndërhyrjeje për shëndetin. Në lidhje me këtë, ajo nuk ka arsye për ta vënë në dyshim se, teksa e ka miratuar legjislacionin objekt konflikti, Qeveria e paditur synonte një qëllim të drejtë në kuptimin e paragrafit të dytë të nenit 8 dhe ajo e pranon që ky lloj ndërhyrjesh të mund t’i nënshtrohet një rregullimi e një kontrolli nga ana e shtetit për arsye që kanë të bëjnë me mbrojtjen e shëndetit.
80. Megjithatë, duke lexuar vërejtjet e Qeverisë, Gjykata vëren se kjo e fundit nuk shprehet në mënyrë specifike për sa i përket kërkesës për shterpësi/sterilitet të përmendur në ligj e mbi bazën e së cilës u rrëzua fillimisht kërkesa e paditësit. Sidoqoftë, duke pasur parasysh konkluzionet e saj për sa i takon nevojës për ndërhyrjen në fjalë (paragrafët 121-122 të mëposhtëm), Gjykata nuk e çmon të dobishme që të shprehet në mënyrë më të thelluar rreth kësaj pike.
iii. Rreth nevojës së ndërhyrjes
α) Argumentet e paditësit
81. Paditësi vë në dukje se shumë pak persona u drejtohen gjykatave në bazë të nenit 40 të Kodit Civil për të kërkuar që të mund të jetojnë në harmoni fizike dhe psikologjike, dhe se, nga ana tjetër, qenkan të shumtë personat që operohen në mënyrë të paligjshme ose jashtë shtetit, sepse nuk i plotësuakan kushtet e përcaktuara në ligj.
82. Gjithmonë nga këndvështrimi i paditësit, trajtimet për heqjen e aftësisë për të lindur fëmijë (sterilizim ose trajtim hormonal) perceptohen si të rëndomta në rastin e burrave ose të grave që nuk dëshirojnë të bëhen me fëmijë. Ai e kundërshton që një mundësi e tillë të mos u njihet personave transgjinorë e, për rrjedhojë, atij vetë.
83. Paditësi mbron përveç kësaj tezën se neni 40 i Kodit Civil nuk u dashka të interpretohet sikur qenka me natyrë të tillë që i pengon trajtimet hormonale dhe procedurat mjekësore për sterilizim të personave që kërkojnë të ndërrojnë gjini. Ndonëse ekziston në Turqi, ky lloj trajtimesh nuk paska qenë prapëseprapë i arritshëm për të. Ai sjell si argument se, përderisa burrat e gratë që nuk dëshirojnë të bëhen me fëmijë kanë qasje në këtë lloj trajtimesh të zakonshme e të pakthyeshme, qenka dashur gjithashtu që edhe ai vetë, transgjinor, të kishte qasje në to. Ai mbron mendimin se nuk paska përse të jetë i detyruar të jetojë me një kontradiktë midis anës fizike, ashtu siç e ka, dhe gjinisë së cilës ai ndihet se i përket. Ai çmon se, në dritën e të dhënave shkencore dhe shoqërore (që figurojnë në raportet mjekësore të përfshira në dosje), e drejta u dashka t’i ofrojë atij një zgjidhje.
84. Duke iu referuar qëndrimit të mbajtur nga Gjykata në çështjen Tavlı k. Turqisë (nr. 11449/02, §§ 35-37, 9 nëntor 2006), ai është i mendimit se ligji i tanishëm u dashka të interpretohet me kutin e realitetit shkencor, biologjik e shoqëror.
85. Sipas paditësit, një numër i madh transgjinorësh nuk janë me paaftësi të përhershme për të lindur fëmijë. Përballë kësaj situate, neni 40 i Kodit Civil nuk i përgjigjet sipas tij “asnjë nevoje”, sepse ai nuk përmbajtka asnjë dispozitë që të mbështetet mbi nevoja konkrete. Për shembull, ai nuk përmbajtka asnjë fjalë për ndonjë “periudhë prove” apo për ndonjë “trajtim hormonal” a për çfarëdo trajtimi tjetër. Neni 40 iu referuaka vetëm një “operacioni” për ndërrim gjinie e kurrfarë procedure tjetër mjekësore. Sipas të interesuarit, në këtë fushë ekziston kështu një zbrazëti e vërtetë juridike. Dispozita rreth kësaj pike nuk përmbajtkan gjithashtu as informacionet për procedurë mjekësore të botuara nga arka e sigurimeve shoqërore.
86. Paditësi citon madje një artikull të hartuar nga dy profesorë universiteti, specialistë të së drejtës civile, lidhur me një vendim të dhënë nga juridiksionet civile[2], i cili ka rrëzuar një kërkesë për leje ndërrimi gjinie me arsyetimin se personi që e kishte bërë atë kërkesë kishte organe riprodhuese. Autorët paskan vënë në dukje se pika e pajtueshmërisë së një refuzimi të tillë me Kushtetutën nuk ishte shqyrtuar dhe se juridiksionet nuk kishin hulumtuar as se si do të ishte dashur të shqyrtohej kjo situatë në vështrim të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
87. Si përfundim, paditësi çmon se procedura për ndërrim gjinie për transgjinorët që nuk janë pa aftësinë për të lindur fëmijë – ose, sipas tij, shumicën e transgjinorëve – është e pazbatueshme për shkak se neni 40 i Kodit Civil nuk i tregon metodat e trajtimit që duhet të ndiqet si edhe për mungesë dispozitash të tjera legjislative në këtë fushë. Sipas paditësit, kjo situatë i detyron personat transgjinorë që të dalin jashtë kornizës ligjore dhe t’u drejtohen trajtimeve me medikamente ose ndërhyrjeve kirurgjikale duke i shpëtuar kontrollit sistematik të gjyqtarit e të mjekut.
β) Argumentet e Qeverisë
88. Duke iu referuar çështjeve Christine Goodwin dhe Van Kück (të cituara më lart) si edhe Grant k. Mbretërisë së Bashkuar (nr. 32570/03, GjEDNj 2006‑VII), Qeveria nënvizon se Gjykata ka shqyrtuar tashmë, në dritën e kushteve të tanishme të jetesës, disa çështje që kanë të bëjnë me problemet që ndeshin transgjinorët dhe se ajo e ka përshëndetur përmirësimin e vazhdueshëm të masave të marra nga shtetet në bazë të nenit 8 të Konventës për t’i mbrojtur këta persona dhe për ta njohur situatën e tyre. Sipas analizës së Qeverisë, ndonëse duke u dhënë atyre një hapësirë për vlerësim në këtë fushë, Gjykata ka gjykuar se, në bazë të detyrimeve pozitive që u ngarkonte atyre neni 8, shtetet ishin të detyruara që ta garantonin njohjen e identitetit të ri gjinor të transgjinorëve të operuar, konkretisht përmes ndryshimit të gjendjes së tyre civile, bashkë me pasojat që rrjedhin andej (ajo përmend vendimet Christine Goodwin, të cituar më lart, §§ 71-93, dhe Grant, të cituar më lart, §§ 39-44).
89. Qeveria mbron mendimin se sistemi juridik turk e plotëson këtë kërkesë: një person transgjinor i operuar e përfituaka kështu ndreqjen e gjendjes së vet civile në regjistër dhe, pas këtij ndryshimi, ai e bëka jetën e tij në përputhje me identitetin e vet të ri zyrtar.
90. Mirëpo, sipas Qeverisë, në çështjet e sipërpërmendura, Gjykatës i ishin drejtuar ankesa të paraqitura nga persona transgjinorë të cilët i ishin nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale për ndërrim gjinie, kurse kjo çështje paska të bëjë me refuzimin e juridiksioneve të brendshme për ta lejuar paditësin që t’i drejtohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për ndërrim gjinie. Në lidhje me këtë, ajo saktëson se, që prej vitit 1988, e drejta turke e parashikon mundësinë për të ndërruar gjini si edhe njohjen e plotë juridike të identitetit të ri gjinor të personave transgjinorë që janë operuar.
91. Për sa u përket kushteve të kërkuara për ndërrimin e gjinisë, Qeveria i referohet nenit 40 të Kodit Civil. Sipas saj, legjislacioni i brendshëm dhe modalitetet e zbatimit të tij nuk nënkuptojnë që kërkuesi të duhet t’i nënshtrohet disa procedurave mjekësore paraprake për sterilizim ose për terapi hormonale për të arritur pastaj te kirurgjia për ndërrim gjinie. Në çështjen në fjalë, kërkesa e paditësit qenka shqyrtuar nga GjShP-ja e Mersinit në kuadrin e kërkesave të parashikuara nga ligji.
92. Ndonëse duke e pranuar se nocioni i autonomisë personale pasqyron një parim të rëndësishëm i cili qëndron në themel të interpretimit të garancive të nenit 8, Qeveria mbron mendimin se Gjykata nuk e ka parashtruar asnjëherë më parë që ky nen përmbante një të drejtë për vetëvendosje të mirëfilltë (ajo mbështetet te vendimet Schlumpf, Van Kück e Pretty, të cituara më lart). Sipas Qeverisë, nga neni 8 i Konventës dhe nga jurisprudenca e Gjykatës në këtë fushë nuk mund të deduktohet ekzistenca e ndonjë të drejte të pakushtëzuar për ndërrim gjinie përmes përdorimit të një ndërhyrjeje kirurgjikale, sepse një e drejtë e tillë do të përbënte, sipas saj, mohim të asaj mbrojtjeje që synon të ofrojë Konventa.
93. Sipas Qeverisë, duke pasur parasysh seriozitetin e pakthyeshmërinë e një operacioni për ndërrim gjinie, pasigurinë që gjithsesi ekziston për sa i përket nevojës së një ndërhyrjeje të tillë për trajtimin e çrregullimeve të identitetit gjinor, mundësinë e banalizimit të ndërhyrjeve të tilla kirurgjikale dhe rreziqet që lidhen me një banalizim të tillë, shtetit duhet t’i njihet një hapësirë e gjerë vlerësimi për të vendosur rregulla për ndërrimet e gjinisë dhe për të përcaktuar kërkesat që duhet të plotësohen përpara çdo ndërhyrjeje kirurgjikale për ndërrim gjinie.
94. Ajo vë në dukje se, për të përcaktuar nëse ishin respektuar ose jo të gjitha kërkesat e parashikuara nga ligji për ndërrimin e gjinisë, GjShP-ja e Mersinit është mbështetur te njëri nga kushtet që duhet të përmbushen për marrjen e lejes për të ndërruar gjini, konkretisht paaftësia e përhershme për të lindur fëmijë, si edhe te njohuritë e konstatimet e specialistëve.
95. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh pasigurinë që gjithsesi ekzistuaka për sa i përket natyrës së thellë të transgjinorizmit dhe situatave tejet të koklavitura që rezultuakan prej tij, Qeveria çmon se dispozita ligjore e fajësuar në çështjen në fjalë parashikon masa juridike të përshtatshme në këtë fushë. Sipas analizës së saj, vetë Gjykata ka vënë re se jo çdo paqartësi është zhdukur për sa i përket natyrës së thellë të transgjinorizmit dhe se nganjëherë shtrohej pyetja se sa e lejueshme mund të jetë një ndërhyrje kirurgjikale në një rast të tillë (ajo i referohet vendimit B. k. Francës, të cituar më lart).
96. Qeveria thotë që është e bindur se askush nuk mund ta mbrojë mendimin që një ndërhyrje e tillë kirurgjikale është e domosdoshme për trajtimin e çrregullimeve të identitetit gjinor. Ajo vazhdon më tej duke mbrojtur mendimin se siguria e diagnozës së transgjinorizmit luan një rol të rëndësisë më të madhe dhe se një diagnozë e tillë u dashka të përcaktohet me shumë kujdes për të mënjanuar çdo ngatërrim me çrregullime të tjera psikologjike analoge. Ajo mbron mendimin se operacioni për ndërrim gjinie u dashka të bëhet i nevojshëm jo vetëm për arsye të ngutshme psikologjike, por edhe për arsye të ngutshme mjekësore.
97. Nga ana tjetër, situatat juridike që rezultojnë nga transgjinorizmi dalkan se janë shumë të koklavitura. Ato paskan të bëjnë veçanërisht me disa pikëpyetje me natyrë anatomike, biologjike, psikologjike dhe morale të lidhura me transgjinorizmin e përkufizimin e tij, me dhënien e pëlqimit e me kushtet e tjera që duhet të plotësohen përpara çdolloj operacioni, me kushtet në të cilat mund të lejohet një ndërrim identiteti gjinor, me disa aspekte ndërkombëtare, me pasojat juridike, prapavepruese ose jo, të ndryshimeve të tilla, me mundësinë për të zgjedhur një emër tjetër, me ruajtjen e fshehtësisë së dokumenteve dhe të dhënave që e raportojnë ndryshimin si edhe me pasoja të rendit familjar. Rreth këtyre pikave të ndryshme, konsensusi ndërmjet shteteve anëtare të Këshillit të Evropës nuk qenka ende aq i gjerë saqë Gjykata të parashtrojë konkluzione përcaktuese që e ngushtojnë hapësirën për vlerësim që u lihet shteteve dhe, për këtë arsye, u bëka fjalë gjithmonë për një fushë ku shtetet kontraktuese, për arsye të puqjes së dobët të pikëpamjeve të tyre në këtë lëmë, gëzojnë një hapësirë të gjerë për vlerësim.
98. Duke pasur parasysh rreziqet shumë të rënda që përmbajnë sipas saj ndërhyrjet kirurgjikale për ndërrim gjinie, Qeveria mbron mendimin se kushtet e kërkuara nga e drejta e brendshme nuk kanë sesi të kritikohen, as nga ndonjë pikëpamje juridike, as nga ndonjë pikëpamje mjekësore. Ajo druhet se qëndrimi i kundërt mund të çojë në operacione që kryhen në mungesë të çdolloj verifikimi paraprak të nevojës së tyre mjekësore ose në mungesë të garancive mjekësore për sukses.
99. Duke pasur parasysh të gjitha elementet e mësipërme, Qeveria mbron mendimin se refuzimi i juridiksioneve të brendshme për ta lejuar paditësin që t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për ndërrim gjinie nuk mund të cilësohet si cenim i të drejtës për respektim të jetës private të të interesuarit, në kuptimi e nenit 8 të Konventës, dhe se autoritetet kombëtare nuk e kanë tejkaluar hapësirën për vlerësim që duhet t’u njihet atyre në një çështje si kjo në fjalë. Pra, sipas saj, nuk ka pasur shkelje të nenit 8.
γ) Vlerësimi i Gjykatës
100. Sipas jurisprudencës së vazhdueshme të Gjykatës, një ndërhyrje konsiderohet si “e domosdoshme, në një shoqëri demokratike” për të arritur një qëllim të drejtë atëherë kur ajo i përgjigjet një “nevoje të ngutshme shoqërore” dhe kur është e përpjesëtuar me qëllimin e drejtë të ndjekur. Për këtë, duhet që arsyet e përmendura nga autoritetet kombëtare për ta përligjur atë të duken “rëndësore dhe të mjaftueshme” (shih, ndër të tjera, Nada k. Zvicrës [DhM], nr. 10593/08, § 88, GjEDNj 2012, dhe Animal Defenders International k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 48876/08, § 105, GjEDNj 2013 (pjesë të zgjedhura)).
101. Ndonëse u përket autoriteteve kombëtare që ta vlerësojnë të parat nëse gjenden të plotësuara të gjitha këto kushte, është Gjykata ajo së cilës i takon të vendosë më e fundit në mënyrë të prerë rreth pikës së domosdoshmërisë së ndërhyrjes në vështrim të kërkesave të Konventës. Autoriteteve kombëtare kompetente duhet t’u njihet për këtë njëfarë hapësire për vlerësim. Shtrirja e kësaj hapësire mund të jetë e ndryshme dhe varet nga një numër i caktuar faktorësh, mes të cilëve natyra e së drejtës në fjalë të garantuar nga Konventa e rëndësia e saj për personin për të cilin bëhet fjalë, si edhe natyra e ndërhyrjes e qëllimi i kësaj të fundit. Sa më e rëndësishme të jetë e drejta në fjalë për t’i garantuar individit gëzimin efektiv të të drejtave themelore apo të rendit “intim” që i njihen atij, aq më e ngushtë është kjo hapësirë. Prandaj, kur vihet në pikëpyetje një aspekt veçanërisht i rëndësishëm i jetës ose i identitetit të një individi, hapësira për vlerësim që i lihet shtetit është më e ngushtë. Por, nga ana tjetër, ajo është më e gjerë kur nuk ka konsensus në gjirin e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, qoftë rreth rëndësisë relative të interesit të vënë në pikëpyetje, qoftë rreth mjeteve më të mira për ta mbrojtur atë (S. e Marper k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 30562/04 e nr. 30566/04, §§ 101-102, GjEDNj 2008, dhe Fernández Martínez, i cituar më lart, § 125).
102. Në çështjen në fjalë, Gjykata vëren se procedura që është zhvilluar përpara juridiksioneve kombëtare e vinte drejtpërdrejt në pikëpyetje lirinë e paditësit për ta përcaktuar përkatësinë e vet gjinore, liri e cila përbën një nga elementet më thelbësore të së drejtës për vetëvendosje (Van Kück, i cituar më lart, § 73). Në lidhje me këtë, ajo rikujton se ka deklaruar shumë herë që është e vetëdijshme për seriozitetin e problemeve që ndeshnin transgjinorët dhe se e ka nënvizuar rëndësinë e shqyrtimit të përhershëm të nevojës së masave juridike të përshtatshme (Christine Goodwin, i cituar më lart, § 74).
103. Ajo e përsërit në këtë drejtim se ka një rëndësi kyçe që Konventa të interpretohet e zbatohet në mënyrë të tillë që garancitë e saj të mos bëhen teorike ose të rreme, por konkrete dhe efektive. Në qoftë se Gjykata dështon në përpjekjen për të ruajtur një qasje dinamike dhe në zhvillim të vazhdueshëm, atëherë një qëndrim i tillë do të kishte rrezik që të bëhet pengesë për çdo reformë apo përmirësim (shih, ndër të tjera, Stafford k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 46295/99, § 68, GjEDNj 2002‑IV).
104. Në kontekstin e çështjes në fjalë, Gjykata e çmon pra me vend të marrë parasysh evoluimin e së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane, si edhe të së drejtës e të praktikës në fuqi në shtetet e ndryshme anëtare të Këshillit të Evropës, në mënyrë që t’i vlerësojë rrethanat e kësaj çështjeje “në dritën e kushteve të tanishme të jetesës” (për një përçapje të ngjashme, shih, ndër të tjera, Tyrer k. Mbretërisë së Bashkuar, 25 prill 1978, § 31, seria A nr. 26).
105. Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se në shumë vende evropiane për transgjinorët ekziston mundësia për t’i hyrë një trajtimi për ndërrim gjinie, si edhe njohja juridike e identitetit të tyre të ri gjinor. Gjykata vë re përveç kësaj se rregullat ose praktika në fuqi në shumë vende që e njohin ndërrimin e gjinisë e kushtëzojnë, në mënyrë të nënkuptuar ose shprehimisht, njohjen ligjore të gjinisë së re të parapëlqyer me një ndërhyrje kirurgjikale për ndërrim gjinie dhe/ose me paaftësinë për të lindur fëmijë (...)
106. Në vendimin Christine Goodwin (të cituar më lart, § 85), Gjykata ka çmuar se, në përputhje me parimin e subsidiaritetit, u takonte para së gjithash shteteve kontraktuese që të vendosnin për masat e nevojshme për t’ia siguruar njohjen e të drejtave të garantuara nga Konventa çdo personi që i përket juridiksionit të tyre dhe se, për t’i zgjidhur brenda rendeve të tyre të brendshme juridike problemet konkrete të shtruara nga njohja juridike e situatës gjinore të transgjinorëve të operuar, shtetet kontraktuese duhej të gëzonin një hapësirë të gjerë vlerësimi.
107. Ajo çmon se e njëjta gjë duhet të thuhet në mënyrë të pamohueshme edhe kur është fjala për kërkesat ligjore rreth qasjes ndaj mjeteve mjekësore ose kirurgjikale për personat transgjinorë që dëshirojnë t’u nënshtrohen disa modifikimeve trupore të lidhura me një ricaktim gjinie.
108. Megjithatë, Gjykata rikujton se ajo e ka shprehur tashmë edhe më parë mendimin se është më e udhës që t’i kushtohet më pak rëndësi mungesës së elementeve që tregojnë një konsensus evropian lidhur me mënyrën e zgjidhjes së problemeve juridike dhe praktike sesa ekzistencës së elementeve të qarta e të pakundërshtuara të cilat tregojnë një prirje të vazhdueshme ndërkombëtare jo vetëm drejt një pranimi shoqëror në rritje të transgjinorëve, por edhe drejt njohjes juridike të identitetit të ri gjinor të transgjinorëve të operuar (Christine Goodwin, i cituar më lart, § 85).
109. Ajo e përsërit në këtë drejtim se dhënia e mundësisë për transgjinorët që ta gëzojnë plotësisht, ashtu si edhe bashkëqytetarët e tyre, të drejtën për zhvillimin personal e për tërësinë fizike dhe morale nuk mund të konsiderohet si një çështje e diskutueshme ku kërkohet kohë për të arritur që të kuptohen më qartë problemet për të cilat bëhet fjalë (Christine Goodwin, i cituar më lart, § 90).
110. Në lidhje me këtë, ajo thekson se, në aneksin e Rekomandimit CM/Rec(2010)5 për masat që synojnë të luftojnë diskriminimin mbi bazë të orientimit seksual apo të identitetit gjinor, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës ka pohuar se kushtet paraprake për njohjen juridike të një ndryshimi gjinie, duke përfshirë edhe modifikimet me natyrë fizike, duhet të rivlerësohen rregullisht me qëllim që të hiqen ato që mund të jenë abuzive (...) Nga ana tjetër, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, në Rezolutën e saj 1728 (2010) lidhur me diskriminimin mbi bazë të orientimit seksual dhe të identitetit gjinor, u ka bërë thirrje shteteve anëtare për t’i trajtuar diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj personave transgjinorë e, në veçanti, për t’i garantuar në legjislacion dhe në praktikë të drejtat e këtyre personave për dokumente zyrtare që e pasqyrojnë identitetin e zgjedhur gjinor, pa detyrim paraprak për t’iu nënshtruar një sterilizimi apo procedurave të tjera mjekësore si ndonjë operacion për ndërrim gjinie a ndonjë terapi hormonale (...)
111. Gjykata vëren gjithashtu se disa shtete anëtare i kanë ndryshuar kohët e fundit legjislacionet e tyre ose praktikat e tyre në lidhje me qasjen te trajtimet për ndërrimin e gjinisë dhe me njohjen ligjore të këtij të fundit duke e shfuqizuar kërkesën për shterpësi/sterilitet (...)
112. Në lidhje me këtë, Gjykata e çmon të dobishme të vërë në dukje anën specifike të së drejtës turke në këtë fushë. Në fakt, në pjesën më të madhe të shteteve që diktojnë një trajtim hormonal ose një kirurgji për ndërrim gjinie si kusht paraprak për një njohje juridike të gjinisë së re të zgjedhur, steriliteti/shterpësia vlerësohet pas procesit mjekësor ose kirurgjikal për ndërrim gjinie (paragrafët 42-43 të mësipërm). Mirëpo, ndonëse e drejta turke e vë ndryshimin e gjendjes civile në vartësi të një transformimi fizik të përftuar me anë të një operacioni për ndërrim gjinie “të realizuar në përputhje me objektivin e përcaktuar nga leja gjyqësore dhe me teknikat mjekësore”, paaftësia për të lindur fëmijë është një kërkesë që, në bazë të vendimit të kundërshtuar të GjShP-së së Mersinit, ka dalë se duhet të plotësohet përpara procesit të ndërrimit të gjinisë, duke e kushtëzuar kështu qasjen e paditësit te kirurgjia për ndërrim gjinie.
113. Duke pasur parasysh elementet e dosjes, e sidomos dëshmitë e të afërmve të paditësit para instancave kombëtare (paragrafi 9 i mësipërm), Gjykata vëren se ky i fundit e bën që prej shumë vitesh jetën e tij shoqërore si burrë. I interesuari duket gjithashtu se ka qenë objekt i një ndjekjeje psikologjike qysh prej adoleshencës, se është diagnostikuar si transgjinor nga një komision ekspertësh në psikologji, të cilët kanë dalë madje në përfundimin se për të është e nevojshme që ta vazhdojë jetën e vet me një identitet mashkulli (paragrafët 7, 10 e 14 të mësipërm). Në shtator 2005, në momentin kur ai e ka kërkuar për herë të parë lejen gjyqësore për t’iu drejtuar një operacioni për ndërrim gjinie, paditësi ishte përfshirë tashmë, që prej disa vitesh, në një proces ndërrimi gjinie: ai ndiqej në rrafshin psikologjik dhe kishte përqafuar prej shumë kohësh një sjellje shoqërore prej mashkulli.
114. Pavarësisht këtyre fakteve, juridiksionet e brendshme ia refuzuan atij fillimisht lejen e duhur për ndryshimin fizik të dëshiruar. Në lidhje me këtë, Gjykata e përsërit se mund të ketë një cenim të rëndë të së drejtës për respektimin e jetës private kur e drejta e brendshme është e papajtueshme me një aspekt të rëndësishëm të identitetit personal (Christine Goodwin, i cituar më lart, § 77).
115. Ajo rikujton gjithashtu se e ka pohuar tashmë që është e paimagjinueshme të besohet që të ketë ndonjë gjë të pamenduar në vendimin e një personi për t’iu nënshtruar një operacioni për ndërrim gjinie, duke pasur parasysh ndërhyrjet e shumta e të mundimshme që sjell si pasojë një përçapje e tillë si edhe shkallën e vendosmërisë e të bindjes që kërkohen për ta ndryshuar rolin e vet seksual në shoqëri (Christine Goodwin, i cituar më lart, § 81, dhe Schlumpf, i cituar më lart, § 110).
116. Në çështjen në fjalë, ajo konstaton se juridiksionet e brendshme e kanë përligjur refuzimin e tyre fillestar për ta pranuar kërkesën e të interesuarit vetëm me rrethanën se ai nuk ishte me paaftësi për të lindur fëmijë. Mirëpo, Gjykata nuk gjen dot shpjegim se përse u dashka të vërtetohet paaftësia për të lindur fëmijë e një personi që dëshiron t’i nënshtrohet një operacioni për ndërrim gjinie, madje përpara se të jetë filluar procesi fizik i ndërrimit të gjinisë.
117. Gjykata vëren lidhur me këtë, duke pasur parasysh informacionet e paraqitura prej palëve, se e drejta e brendshme parashikon procedura mjekësore sterilizimi të vullnetshëm (paragrafët 23-24 të mësipërm). Në vërejtjet e tij të datës 25 tetor 2010, paditësi mbronte nga ana e vet mendimin se nuk kishte pasur dot qasje te ky lloj trajtimesh, përveçse po të dilte jashtë kornizës ligjore ekzistuese (paragrafët 83 e 87 të mësipërm). Ai shtonte se asnjë dispozitë legjislative nuk e parashikonte udhën që duhej të ndiqej ose trajtimet të cilave ai mund t’u nënshtrohej dhe se në këtë fushë ekzistonte kështu një zbrazëtirë juridike (paragrafët 85-87 të mësipërm). Në disa vërejtje plotësuese të datës 23 tetor 2013, avokati i tij sillte si argument se klienti i tij, pasi e kishte paraqitur këtë kërkesëpadi pranë Gjykatës, kishte përdorur hormone jashtë çdolloj kontrolli gjyqësor e mjekësor (paragrafi 47 i mësipërm).
118. Ndonëse duke e mbrojtur ligjshmërinë e refuzimit që juridiksionet e brendshme i kanë bërë kërkesës së paditësit për arsye të aftësisë së tij për të lindur fëmijë, Qeveria mbështet tezën se as legjislacioni i kundërshtuar, as modalitetet e vënies së tij në zbatim nuk kërkonin që paditësi t’u nënshtrohej disa procedurave mjekësore paraprake sterilizimi apo terapie hormonale (paragrafi 91 i mësipërm). Mirëpo, pa iu nënshtruar një operacioni për sterilizim, Gjykata nuk e gjen dot se si do të mund ta plotësonte paditësi kërkesën për shterpësi të përhershme përderisa, në rrafshin biologjik, ai e ka aftësinë për të lindur fëmijë.
119. Sidoqoftë, Gjykata nuk e çmon të nevojshme që të shprehet rreth pikës se sa qasje kishte eventualisht paditësi te disa trajtime mjekësore që do ta kishin lejuar atë për ta plotësuar këtë kërkesë. Në fakt, gjithsesi, ajo është e mendimit se respekti që duhet të tregohet për tërësinë fizike të të interesuarit do të binte ndesh me faktin që ai të jetë i detyruar t’i nënshtrohet këtij lloji trajtimesh.
120. Në fund të fundit, në rrethanat e çështjes në fjalë e duke pasur parasysh formulimin e ankesës së paditësit, Gjykatës i mjafton të konstatojë që i interesuari e ka kundërshtuar, si përpara juridiksioneve të brendshme ashtu edhe përpara Gjykatës, përmendjen në ligj të paaftësisë së përhershme për të lindur fëmijë si kërkesë paraprake për një leje ndërrimi gjinie.
121. Gjykata çmon në fakt se kjo kërkesë nuk duket aspak e domosdoshme në vështrim të argumenteve të paraqitura nga Qeveria për të përligjur mbajtjen nën kontroll të operacioneve për ndërrim gjinie (paragrafët 74 et 75). Për rrjedhojë, edhe sikur rrëzimi i kërkesës fillestare të paditësit për t’iu dhënë qasje te kirurgjia për ndërrim gjinie të ishte i mbështetur në një arsye me rëndësi, Gjykata çmon se ai nuk mund të konsiderohet si i mbështetur në një arsye të mjaftueshme. Ndërhyrja që rezultoi prej tij në të drejtën e paditësit për respektimin e jetës së tij private nuk mund të paraqitet pra sikur të ketë qenë “e domosdoshme” në një shoqëri demokratike.
Ndryshimi i qëndrimit të GjShP-së së Mersinit që, në maj 2013, ia ka dhënë paditësit lejen për t’iu drejtuar kirurgjisë për ndërrim gjinie duke mos i marrë parasysh konkluzionet mjekësore sipas të cilave i interesuari nuk ishte me paaftësi të përhershme për të lindur fëmijë (paragrafët 24 e 25 të mësipërm), e përforcon me siguri edhe më shumë këtë konstatim.
122. Kështu, Gjykata çmon se, duke ia mohuar paditësit për shumë vite mundësinë për të pasur qasje te një operacion i tillë, shteti e ka shpërfillur të drejtën e të interesuarit për respektimin e jetës së tij private. Ajo del për rrjedhojë në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.
(...)
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI,
(...)
2. Thotë se ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës;
(...)
I hartuar në frëngjisht, pastaj i shpallur me shkrim më 10 mars 2015, në zbatim të nenit 77 §§ 2 e 3 të Rregullores.
Abel CamposGuido Raimondi
Zëvendëssekretar Kryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimeve më vete të mëposhtme:
– mendim pajtues i gjyqtarëve Keller dhe Spano;
– mendim pajtues i gjyqtarëve Lemmens dhe Kūris.
G.R.A.
A.C.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1]. Në Turqi, letërnjoftimet e grave janë me ngjyrë të trëndafiltë, kurse ato të burrave në ngjyrë të kaltër.
[2]. Vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë të Izmirit i datës 17 dhjetor 2003 (E. 2002/979 e K. 2003/102) dhe vendim i Gjykatës së Kasacionit i datës 18 qershor 2003 (E. 2003/7323 e K. 2003/906).
Full & Egal Universal Law Academy