© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I PARË
ÇËSHTJA ZOLOTAS k. GREQISË (Nr. 2)
(Kërkesëpadia nr. 66610/09)
VENDIM
STRASBURG
29 janar 2013
I FORMËS SË PRERË
29/04/2013
Ky vendim është bërë i formës së prerë sipas nenit 44 § 2 të Konventës. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Zolotas k. Greqisë (nr. 2),
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Parë), e mbledhur në një dhomë të përbërë nga:
Isabelle Berro-Lefèvre, kryetare,
Elisabeth Steiner,
Khanlar Hajiyev,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Julia Laffranque,
Linos-Alexandre Sicilianos,
Erik Møse, gjyqtarë,
e nga André Wampach, zëvendëssekretar seksioni,
Pasi e shqyrtoi çështjen në seancë të mbyllur më 8 janar 2013,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 66610/09) e drejtuar kundër Republikës Helenike dhe me anë të së cilës një qytetar i këtij shteti, Z. Anastasios Zolotas (“paditësi”), i është drejtuar Gjykatës më 7 dhjetor 2009 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Qeveria greke (“Qeveria”) është përfaqësuar nga të deleguarat e agjentit të saj, konkretisht Znja F. Dedoussi, anëtare pranë Këshillit Juridik të Shtetit, dhe Znja Z. Hadjipavlou, audituese pranë Këshillit Juridik të Shtetit.
3. Paditësi pretendonte në veçanti për një shkelje të së drejtës të garantuar nga neni 1 i Protokollit nr. 1 të Konventës.
4. Më 31 gusht 2011, kërkesëpadia i është njoftuar Qeverisë. Sikurse e lejon neni 29 § 1 i Konventës, përveç kësaj është vendosur që dhoma do të shprehej njëkohësisht për pranueshmërinë e për themelin.
FAKTET
5. Paditësi, i lindur më 1924, ka vdekur më 27 shkurt 2011 ndërkohë që kërkesëpadia ishte ende e pashqyrtuar pranë Gjykatës. I biri i tij, Z. Panayotis Zolotas, ka shprehur dëshirën për ta vazhduar procedurën.
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
6. Më 11 korrik 1974, paditësi, i cili ushtronte asokohe profesionin e avokatit, çeli një llogari bankare pranë Bankës së Përgjithshme të Greqisë, ku derdhi shumën prej 660 000 dhrahmish (1 936,90 euro (EUR)). Duke nisur nga gjashtëmujori i dytë i vitit 1981 dhe deri më 2003, ai nuk kreu asnjë veprim në llogarinë e tij (tërheqje ose depozitim parash apo regjistrim të interesave në librezën e parashikuar për këtë qëllim). Për arsye problemesh të rënda shëndetësore që kishin shkaktuar invaliditet për atë vetë dhe për të shoqen, atij iu desh të qëndronte për vite të tëra jashtë shtetit. Më 6 shkurt 2003, ai i kërkoi bankës që ta informonte për gjendjen e llogarisë së tij. Banka iu përgjigj që, meqenëse në llogari nuk kishte pasur asnjë lëvizje që prej gjashtëmujorit të dytë të vitit 1981, të gjitha pretendimet e tij lidhur me llogarinë e lartpërmendur ishin bërë objekt parashkrimi. Megjithatë, ajo i bëri të ditur se e mbante të përditësuar në regjistrin e saj të llogarive skedën personale të paditësit, ku ajo regjistronte interesat e prodhuara nga kjo llogari.
7. Më 3 qershor 2003, paditësi iu drejtua juridiksioneve civile me një padi kundër bankës. Ai kërkonte shumën që kishte depozituar në bankë, të shtuar me interesat përkatëse, ose një shumë të përgjithshme prej 30 550,74 EUR. Në vendimin e saj nr. 1481/2005 të 21 prillit 2005, Gjykata e Shkallës së Parë e Athinës e rrëzoi kërkesën duke qenë e mendimit se pretendimet e paditësit ishin bërë objekt i parashkrimit njëzetvjeçar të parashikuar për pretendimet që rrjedhin nga një marrëveshje depozitimi të parregullt (anomali parakatathiki), në kuptimin e nenit 830 të Kodit Civil (paragrafët 18-19 të mësipërm). Më në veçanti, Gjykata saktësoi:
“(...) [Paditësi] i referohet nenit 1 të Protokollit nr. 1 (...) si edhe Protokollit të Parisit të 20 marsit 1952 lidhur me respektimin e pronës, të cilët nuk gjejnë vend për zbatim në rastin e çështjes në fjalë, sepse parashkrimi, si një institucion i së drejtës kombëtare, ka epërsi mbi këta të fundit. Ky parashkrim [i parashikuar në nenin 247 të Kodit Civil] është i pavarur nga fakti që, në përputhje me nenin 3 të Dekretligjit nr. 1195/1942, depozitimet në të holla pranë bankave kombëtare dhe interesat që lidhen me to i kalojnë përfundimisht shtetit në qoftë se nuk janë kërkuar nga zotëruesit e tyre për një periudhë njëzetvjeçare, për depozitimet, dhe për një periudhë pesëvjeçare, për interesat (...).”
8. Paditësi e apeloi këtë vendim. Ai mbështetej në dispozitat e së drejtës së brendshme përkatëse dhe në nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës. Ai mbronte mendimin se afati i parashkrimit ishte pezulluar për shkak force madhore ose ndërprerë në bazë të nenit 260 të Kodit Civil, sepse banka e përditësonte dosjen e tij çdo gjashtë muaj duke regjistruar aty interesat e prodhuar.
9. Në vendimin e saj nr. 2452/2006 të 6 prillit 2006, Gjykata e Apelit e Athinës e rrëzoi kërkesën për apelim, duke qenë e mendimit se zbatimi i parashkrimit njëzetvjeçar për kontratat për depozitim të parregullt ishte i përligjur nga një qëllim me interes publik: likuidimin, në interes të shoqërisë (koinoniki oikonomia), të marrëdhënieve juridike që ishin krijuar në një të kaluar aq të largët saqë ekzistenca e tyre ishte bërë e pasigurt. Fakti që banka vazhdonte t’i derdhte interesat në llogarinë e paditësit nuk përbënte, sipas bankës, një akt njohjeje të pretendimeve të paditësit, të tillë që të mund ta ndërpriste afatin njëzetvjeçar të parashkrimit. Në rastin e depozitave bankare, rrjedhja e këtij afati nuk mund të ndërpritej përveçse përmes një veprimi të ri depozitimi a tërheqjeje, një transferimi parash ose një depozitimi interesash. Gjykata e Apelit u bazua, përveç kësaj, te Dekretligji nr. 1195/1942, i cili parashikon se shumat e parave të vendosura nëpër llogari bankare të mbetura pa veprime për një periudhë njëzetvjeçare i kalojnë shtetit në përfundim të këtij afati.
10. Gjykata e Apelit e hodhi poshtë edhe vërejtjen e paditësit sipas së cilës afati i parashkrimit qenkësh pezulluar për shkak force madhore (sëmundjet e së shoqes dhe të tijat). Ajo qe e mendimit se në çështjen në fjalë nuk kishte pasur raste force madhore, sepse këto sëmundje nuk kishin qenë të vazhdueshme gjatë tërë afatit të parashkrimit e sidomos gjatë gjashtë muajve të fundit të këtij afati, kështu që paditësi nuk gjendej në pamundësi për ta tërhequr vetë ose me ndërmjetësinë e një përfaqësuesi shumën e depozituar dhe interesat që lidheshin me të.
11. Paditësi bëri rekurs në kasacion. Ai mbështetej në nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës.
12. Më 12 janar 2009, Gjykata e Kasacionit e rrëzoi kërkesën e rekursit si të pabazuar, me arsyetimin se zbatimi i legjislacionit në fjalë nuk e cenonte të drejtën e paditësit për respektimin e pasurisë së tij ashtu siç përcaktohej nga neni 1 i Protokollit nr. 1 (vendimi nr. 50/2009). Më saktësisht, Gjykata e Kasacionit qe e mendimit që:
“(...) për shkak se parashkrimin e përmendur më lart, si çdo parashkrim, e lyp interesi i përgjithshëm, i cili kërkon përcaktimin e rregullave për marrëdhëniet që i përkasin të kaluarës e që janë bërë të pasigurta për këtë arsye, dhe e dikton gjithashtu interesi i shoqërisë, dispozitat e debatuara nuk bien në kundërshtim [me Protokollin nr. 1].”
13. Ky vendim u zbardh dhe u vërtetua i njëjtë me origjinalin më 9 qershor 2009.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
14. Neni 3 i Dekretligjit nr. 1195/1942 “lidhur me parashkrimin në të mirë të shtetit të depozitave bankare dhe të vlerave e pretendimeve të tjera” shprehet si vijon:
Parashkrimi i depozitave dhe i interesave në favor të shtetit
“Depozitat në të holla pranë bankave kombëtare dhe interesat e tyre (...) i kalojnë përfundimisht shtetit kur ato nuk janë kërkuar nga zotëruesi i llogarisë ose nuk janë bërë objekt i asnjë lëvizjeje në llogari për një periudhë njëzetvjeçare duke nisur nga çasti kur ato ishin të disponueshme dhe, për interesat, për një periudhë pesëvjeçare duke nisur nga çasti kur ata janë bërë të kërkueshëm.”
15. Dekretligji nr. 1195/1942 është ratifikuar me aktin nr. 315 të Këshillit të Ministrave të datës 30 maj 1946; ai ka mbetur në fuqi pas miratimit të Kodit Civil.
16. Sipas këtij dekretligji, parashkrimi i disa kreditimeve e pretendimeve, në vend që të jetë në përfitim të debitorit siç është rasti në bazë të së drejtës së zakonshme, shkon në favor të shtetit. Përveç depozitave pranë bankave dhe institucioneve të kreditit, këto kreditime e pretendime përfshijnë edhe ato të dala nga kapitalet e rentat e titujve dhe vlerave të tundshme që gjenden pranë bankave dhe shoqërive anonime.
17. Neni 16 § 2 i Dekretligjit parashikon se, në disa raste, kreditori ka të drejtën që, pas kalimit të pretendimeve të tij në favor të shtetit, të drejtojë pranë juridiksioneve civile një padi kundër shtetit, e cila duhet të paraqitet brenda afatit të parashkrimit të pretendimit.
18. Dispozitat përkatëse të Kodit Civil janë të formuluara kështu:
Neni 247
Parashkrimi i pretendimeve
“E drejta për t’i kërkuar dikujt një veprim ose abstenim (pretendim) mund të parashkruhet.”
Neni 249
Parashkrimi njëzetvjeçar
“Me përjashtim të ndonjë dispozite të kundërt, afati i parashkrimit të pretendimeve është njëzet vjet.”
Neni 250
Parashkrimi pesëvjeçar
“Parashkruhen pas një afati pesëvjeçar pretendimet: (...) 15. e lindura nga interesat (...)”.
Neni 251
Fillimi i parashkrimit
“Parashkrimi fillon sapo ka lindur pretendimi dhe është e mundur që të ndiqet në rrugë juridike realizimi i tij.”
Neni 255
Pezullimi i parashkrimit
“Parashkrimi pezullohet për aq kohë sa zotëruesi i së drejtës është i penguar që ta kërkojë pretendimin e tij për arsye të (...) apo të një rasti tjetër force madhore gjatë gjashtë muajve të fundit të afatit të parashkrimit. (...)”
Neni 260
Ndërprerja - Njohja
“Parashkrimi ndërpritet përmes njohjes së pretendimit, në çfarëdo mënyre qoftë, nga ana e personit të cilit i kërkohet detyrimi (të detyruarit).”
Neni 272
Pasojat e parashkrimit të plotësuar
“Kur parashkrimit i është plotësuar afati, i detyruari ka të drejtë që ta refuzojë detyrimin.
(...)”
Neni 274
Parashkrimi i detyrimeve anësore
“Kur parashkruhet pretendimi kryesor, parashkruhen gjithashtu edhe pretendimet anësore që rrjedhin prej tij, edhe sikur parashkrimit të zbatueshëm për to të mos i jetë plotësuar ende afati.”
Neni 827
Koha e kthimit
“Në qoftë se depozituesi e kërkon sendin, ruajtësi i sendit të depozituar duhet ta kthejë atë edhe sikur afati i caktuar për ruajtjen e tij të mos ketë përfunduar.”
Neni 830
Depozitimi i parregullt
“Depozitimi i një shume parash ose i sendeve të tjera të këmbyeshme, në rast dyshimi, konsiderohet si një hua në qoftë se mbajtësi i depozitës ka fuqinë për t’i përdorur ato. Megjithatë, për sa i përket kohës dhe vendit të kthimit, zbatohen, në rast dyshimi, dispozitat lidhur me depozitimin. (...)”
19. Me shprehjen “depozitim i parregullt” emërtohet depozitimi, në marrëveshje midis palëve, i parave ose i sendeve të tjera të këmbyeshme për qëllime ruajtjeje nga pala tjetër kur kjo e fundit ka fuqinë për t’i përdorur për vete ato. Sipas doktrinës dhe një jurisprudence të mirëvendosur, depozitimi i parave në një bankë me përqindje të zakonshme interesi e me mundësi tërheqjeje të menjëhershme të shumës së depozituar ka karakterin e një marrëveshjeje depozitimi të parregullt.
20. Sipas nenit 260 të Kodit Civil, parashkrimi ndërpritet atëherë kur i detyruari e njeh pretendimin në çfarëdo mënyre qoftë. Në përgjithësi pranohet se, për të pasur një njohje të tillë, mjafton një veprim ose një sjellje që tregon qartë se debitori e njeh detyrimin e tij si edhe pretendimin e kreditorit. Një njohje e tillë mund të marrë trajtën e një shlyerjeje të pjesshme të borxhit, të derdhjes së interesave, të krijimit të një garancie, të një kërkese për dhënie të një afati ose të një kërkese për shlyerje të borxhit (Georgiadis-Stathopoulos, Code civil. Interprétation article par article, f. 461).
21. Që akti i njohjes nga debitori të sjellë ndërprerjen e parashkrimit (neni 260 i Kodit Civil), ai duhet t’i drejtohet kreditorit dhe t’i mbërrijë atij (vendimi nr. 1178/1976 i Gjykatës së Kasacionit, Nomiko Vima 25/710). Thjesht fakti që debitori e regjistron borxhin në librat e tij të llogarive nuk përbën një njohje të pretendimit në kuptimin e nenit 260 dhe nuk mund ta ndërpresë pra parashkrimin (vendimi nr. 924/1977 i Gjykatës së Kasacionit, Nomiko Vima 26/726).
22. Për sa i përket parashkrimit të pretendimeve të zotëruesve të një llogarie ndaj kësaj llogarie, pranohet se ai ndërpritet nga çdo depozitim i ri a tërheqje e re ose nga çdo veprim që sjell një ndryshim të llogarisë. Parashkrimi nuk ndërpritet nga interesat që prodhon llogaria, edhe në qoftë se ato shndërrohen në kapital, as nga përditësimi i dosjes së zotëruesit të llogarisë, që bëhet çdo gjashtë muaj (vendimet nr. 739/2004 e nr. 50/2009 të Gjykatës së Kasacionit).
23. Me një akt nr. 2501 të 31 tetorit 2002, guvernatori i Bankës së Greqisë ka saktësuar:
“Institucionet e kreditit duhet t’u japin kontraktuesve një minimum informacionesh në mënyrën e mëposhtme:
1. Kushtet e përgjithshme
(...)
c) t’i informojnë kontraktuesit, para hartimit të kontratës, për të gjitha kushtet që rregullojnë marrëdhënien midis tyre dhe t’u japin atyre një kopje të plotë të saj pasi të jetë hartuar.
(...)
e) Në rast ndryshimi të njëanshëm të kushteve të kontratave, në fushat ku ky ndryshim lejohet, [institucionet e kreditit] i informojnë kontraktuesit për ndryshimet e kushteve fillestare, në mënyrë ose kolektive, ose individuale, dhe njoftojnë në të dyja rastet datën e hyrjes në fuqi të kushteve të reja.
(...)
2. Informimi periodik
a) Depozitimet: një informacion jepet të paktën çdo tre muaj për elementet a) dhe f) të kapitullit B, paragrafi 1, si edhe për mbetjen në llogari, me përjashtim të rastit kur nuk ka lëvizje në llogari; në këtë rast, informacioni jepet çdo gjashtë muaj.
Për sa u përket llogarive të kursimit për të cilat lëshohet një librezë, përditësimi bëhet me paraqitjen e librezës.
(...)”
24. Sipas së njëjtës renditje idesh, Gjykata e Kasacionit ka gjykuar se një bankë nuk e ka detyrimin që ta paralajmërojë të interesuarin përpara përfundimit të afatit të parashkrimit. Përderisa atij i është dorëzuar një librezë nga banka, i takon atij që ta kërkojë përditësimin e saj, meqenëse provën e shumës së depozituar në llogarinë e tij dhe të ekzistencës së lëvizjeve në këtë të fundit e përbën kjo librezë (vendimet e Gjykatës së Kasacionit nr. 432/1990 e nr. 1623/1995).
LIGJI
I. VËREJTJE E PËRGJITHSHME
25. Gjykata duhet të marrë vendim pikësëpari lidhur me pikën nëse Z. Panayotis Zolotas e ka të drejtën për ta mbajtur kërkesëpadinë e paraqitur në zanafillë nga paditësi i vdekur në shkurt 2011.
26. Gjykata rikujton se, në disa çështje ku një paditës kishte vdekur gjatë procedurës, ajo e ka marrë parasysh vullnetin e shprehur nga trashëgimtarë e të afërm për ta vazhduar atë (shih, për shembull, Deweer k. Belgjikës, 27 shkurt 1980, §§ 37-38, seria A nr. 35; X k. Mbretërisë së Bashkuar, 5 nëntor 1981, § 32, seria A nr. 46; Vocaturo k. Italisë, 24 maj 1991, § 2, seria A nr. 206-C; G. k. Italisë, 27 shkurt 1992, § 2, seria A nr. 228-F; Pandolfelli e Palumbo k. Italisë, 27 shkurt 1992, § 2, seria A nr. 231-B; X k. Francës, 31 mars 1992, § 26, seria A nr. 234‑C; Raimondo k. Italisë, 22 shkurt 1994, § 2, seria A nr. 281‑A; Malhous k. Republikës Çeke (vend. pran.) [DhM], nr. 33071/96, GjEDNj 2000‑XII, dhe, a contrario, Scherer k. Zvicrës, 25 mars 1994, §§ 31-32, seria A nr. 287).
27. Në çështjen në fjalë, Gjykata shënon se Z. Panayotis Zolotas është i biri i paditësit dhe trashëgimtari i tij ab intestat e par indivis, dhe se e drejta e garantuar nga neni 1 i Protokollit nr. 1 është veçanërisht e transferueshme. Z. Panayotis Zolotas ka pra një interes të drejtë që ia jep atij cilësinë për t’u ankuar në emër të të atit të vdekur.
II. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 1 TË PROTOKOLLIT NR. 1 TË KONVENTËS
28. Paditësi ankohet se juridiksionet e brendshme civile, duke u bazuar mbi afatin njëzetvjeçar të parashkrimit të parashikuar nga Kodi Civil si edhe mbi Dekretligjin nr. 1195/1942, kanë qenë të mendimit që pretendimet e tij ndaj bankës ku kishte një llogari ishin parashkruar dhe q Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën që t’i respektohet pasuria e tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e Shteteve për të nxjerrë ligje, që ato i gjykojnë të domosdoshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve të tjera, ose të gjobave. mbetja në llogarinë e tij i takonte shtetit, i cili është përfituesi i fundit i llogarive bankare jo aktive. Ai pretendon për një shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1, i cili shprehet kështu:
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën që t’i respektohet pasuria e tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e shteteve për të nxjerrë ligje që ato i gjykojnë të domosdoshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve të tjera ose të gjobave.”
A. Rreth pranueshmërisë
29. Duke vënë re se kjo kërkesë nuk është haptazi e pabazuar në kuptimin e nenit 35 § 3 a) të Konventës dhe se ajo nuk bie ndesh me asnjë arsye tjetër papranueshmërie, Gjykata e shpall atë të pranueshme.
B. Rreth themelit
1. Argumentet e palëve
a) Qeveria
30. Qeveria thekson se objektivi thelbësor i Dekretligjit nr. 1195/1942 është që t’i shërbejë interesit të përgjithshëm duke shmangur përvetësimin nga bankat, shoqëritë anonime ose personat e tjerë juridikë të shumave të parave që u përgjigjen kapitaleve dhe rentave të dala nga tituj e vlera të tundshme, dhe kjo si pasojë e mosveprimit të zotëruesve të tyre, i cili vjen më së shumti si pasojë e faktit që këta të fundit vdesin pa lënë trashëgimtarë ose e vullnetit të tyre për të hequr dorë nga pretendimet e veta.
31. Pretendimi i paditësit qenka bërë objekt i parashkrimit të parashikuar nga dispozitat e përgjithshme të Kodit Civil, të cilat qenkan në fuqi paralelisht me ato të Dekretligjit e pavarësisht prej tyre. Dekretligji ndryshuaka nga nenet 247 e vijues të Kodit Civil në atë që kredia e parashkruar i kaluaka shtetit dhe jo bankës ku është e hapur llogaria jo aktive. Zbatimi i dispozitave të Dekretligjit në rastin e paditësit nuk paska pasur asnjë ndikim të veçantë mbi parashkrimin, sepse, sipas Qeverisë, pretendimi i tij paska qenë gjithsesi i parashkruar edhe vetëm mbi bazën e Kodit Civil, me të vetmin ndryshim që përfituesi do të kishte qenë atëherë banka dhe jo shteti.
32. Banka nuk e paska pasur detyrimin për ta paralajmëruar paditësin përpara përfundimit të afatit të parashkrimit. Meqenëse nga banka atij i ishte dorëzuar një librezë llogarie, i paska takuar atij që ta kërkonte përditësimin e saj, përderisa kjo librezë përbënte provën e shumës së depozituar në llogarinë e tij si edhe të ekzistencës së lëvizjeve në të (vendimet e Gjykatës së Kasacionit nr. 432/1990 dhe nr. 1623/1995 – paragrafi 24 i mësipërm).
33. Nga kjo dalka se përditësimi çdo gjashtë muaj i gjendjes së llogarisë së paditësit prej bankës, me anë të regjistrimit të interesave të prodhuara nga llogaria, nuk sjellka ndërprerje të afatit të parashkrimit, sepse ky akt nuk i qenka dërguar paditësit e nuk i paska mbërritur atij, por paska pasur të bënte vetëm me aktualizimin e të dhënave të bankës, çka përbëka një procedurë të brendshme të bankës. Ky akt nuk i qenka bërë i ditur paditësit, ngaqë ky i fundit nuk është paraqitur për të kryer ndonjë veprim ose për të kërkuar që t’i regjistrohen në librezë ndryshimet e bëra në llogarinë e tij.
34. Nga ana tjetër, Qeveria e qorton paditësin se nuk ka treguar asnjë minimum kujdesi. Së fundi, juridiksionet e brendshme i paskan hedhur poshtë arsyet e forcës madhore të cilave u është referuar paditësi në mbështetje të argumentit të tij sipas të cilit afati i parashkrimit ishte pezulluar për arsye të sëmundjeve të atij vetë dhe të së shoqes.
b) Paditësi
35. Paditësi mbron mendimin se, në momentin e çeljes së llogarisë së vet dhe në frymën e lirisë kontraktuese, qëllimi i tij ishte që të lidhte një kontrate rente jetike. Loja e parashkrimit, ndërkohë që dukej sheshit se nuk kërcënohej rendi publik, nuk përputhej sipas tij me parimet e mirëbesimit, të zakoneve të mira dhe të praktikave dypalëshe. Përveç kësaj, kapitalizimi i depozitës përmes grumbullimit të interesave nuk mund të ishte sipas mendimit të tij objekt parashkrimi përderisa, me anë të këtij mjeti, banka e njihte, në mënyrë të tërthortë por të sigurt, pretendimin e tij. Madje, kapitalizimi i interesave përbëka një shkak pezullimi të parashkrimit.
36. Paditësi thekson se banka qenkësh dashur ta informonte atë për rrezikun që i kanosej për t’i humbur paratë e tij dhe se shteti qenkësh dashur t’i ruante fondet për një afat minimal të arsyeshëm përtej datës së parashkrimit për ta mbrojtur pronën e tij dhe atë të trashëgimtarit të tij. Paditësi vë në dukje shembullin e legjislacionit francez, italian e gjerman, i cili e parashikon një informacion të tillë.
37. Paditësi pohon se fakti që nuk ka pasur asnjë lëvizje në llogarinë e tij gjatë afatit të parashkrimit ka ndodhur për një shkak force madhore, veçanërisht ndërmjet gjashtëmujorit të dytë të afatit (1994) dhe datës (6 shkurt 2003) në të cilën ai i ka kërkuar bankës që ta informojë për gjendjen e llogarisë së tij.
38. Së fundi, paditësi mbron mendimin se Dekretligji nr. 1195/1942 nuk është ratifikuar asnjëherë dhe nuk e ka fuqinë e një akti të vlefshëm juridik. Ai çmon se është e padurueshme që një vend demokratik si Greqia zbaton një tekst që i takon periudhës së pushtimit të saj nga Gjermania naziste dhe kryen në mënyrë të heshtur konfiskimin e fondeve të një individi. Sipas tij, interesi publik nuk mund të përmendet si argument në dëm të interesit privat në çështjen në fjalë, në mungesë të një ligji që të parashikonte zhdëmtimin e personave të prekur për humbjen e pasurive të tyre.
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Kujtesë e parimeve të zbatueshme
39. Gjykata rikujton se neni 1 i Protokollit nr. 1, i cili synon në thelb që ta mbrojë paraprakisht individin kundër çdo cenimi nga shteti të respektimit të pasurive të tij, mund të nënkuptojë gjithashtu detyrime pozitive që sjellin si pasojë për shtetin disa masa të nevojshme për të mbrojtur të drejtën për pronën, sidomos aty ku ka një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet masave që një paditës mund të presë me të drejtë nga ana e autoriteteve dhe gëzimit efektiv prej këtij të fundit të pasurive të veta (Öneryıldız k. Turqisë [DhM], nr. 48939/99, § 134, GjEDNj 2004-XII, Păduraru k. Rumanisë, nr. 63252/00, § 88, GjEDNj 2005-XII, Broniowski k. Polonisë [DhM], nr. 31443/96, § 143, GjEDNj 2004-V, dhe Sovtransavto Holding k. Ukrainës, nr. 48553/99, § 96, GjEDNj 2002-VII). Edhe në kuadrin e marrëdhënieve horizontale mund të ketë konsiderata interesi publik të tilla që mund t’i diktojnë shtetit disa detyrime. Kështu, në vendimin Broniowski (të cituar më lart, § 143), Gjykata ka thënë se detyrimet pozitive që rrjedhin prej nenit 1 të Protokollit nr. 1 mund të sjellin për shtetin disa masa të nevojshme për të mbrojtur të drejtën për pronën. Për këtë arsye, edhe në kuadrin e marrëdhënieve horizontale mund të hyjnë në lojë konsiderata interesi të përgjithshëm të tilla që të mund t’i diktojnë shtetit disa detyrime (Kotov k. Rusisë [DhM], nr. 54522/00, § 109, 3 prill 2012).
40. Kufirit midis detyrimeve pozitive dhe detyrimeve negative të shtetit sipas nenit 1 të Protokollit nr. 1 është e vështirë t’i jepet një përkufizim i saktë, por parimet e zbatueshme janë megjithatë të krahasueshme. Sido që të analizohet çështja, qoftë si detyrim pozitiv i shtetit, qoftë si ndërhyrje e autoritetit publik e cila duhet përligjur, kriteret që duhet të zbatohen nuk janë të ndryshme në thelb. Si një cenim i respektimit të pasurive, ashtu edhe një mosveprim duhet të ruajnë një baraspeshë të drejtë midis kërkesave të interesit të përgjithshëm të shoqërisë dhe domosdoshmërive të mbrojtjes së të drejtave themelore të individit (shih, ndër të tjera, Sporrong e Lönnroth k. Suedisë, 23 shtator 1982, § 69, seria A nr. 52, dhe Kotov, i cituar më lart, § 110).
41. Gjykata ka pohuar gjithashtu se, në disa rrethana, neni 1 i Protokollit nr. 1 mund të diktojë “disa masa të nevojshme për të mbrojtur të drejtën e pronës (...), edhe në rastet kur është fjala për një mosmarrëveshje ndërmjet personash fizikë ose juridikë” (Sovtransavto Holding, i cituar më lart, § 96). Ky parim është zbatuar gjerësisht në kontekstin e procedurave për ekzekutim vendimesh drejtuar kundër debitorëve privatë (Fouklev k. Ukrainës, nr. 71186/01, §§ 89-91, 7 qershor 2005; Kesyan k. Rusisë, nr. 36496/02, §§ 79-80, 19 tetor 2006; shih gjithashtu Kin-Stib e Majkić k. Serbisë, nr. 12312/05, § 84, 20 prill 2010, Marčić me të tjerë k. Serbisë, nr. 17556/05, § 56, 30 tetor 2007, dhe, mutatis mutandis, Matheus k. Francës, nr. 62740/00, §§ 68 e vijues, 31 mars 2005).
42. Për të vlerësuar përputhshmërinë e sjelljes së shtetit me nenin 1 të Protokollit nr. 1, Gjykata duhet të bëjë një shqyrtim të përgjithshëm të interesave të ndryshëm të pranishëm, duke mos harruar se Konventa ka për qëllim të mbrojë të drejta “konkrete dhe efektive”. Ajo duhet të shkojë përtej dukjeve të jashtme dhe të kërkojë realitetin e situatës objekt mosmarrëveshjeje. Ky vlerësim mund të ketë të bëjë jo vetëm me modalitetet e zbatueshme të zhdëmtimit – në qoftë se situata ngjason me një heqje të pronës –, por edhe me sjelljen e palëve, duke përfshirë edhe mjetet e përdorura nga shteti dhe vënien e tyre në zbatim. Lidhur me këtë, duhet të theksohet se paqartësia – qoftë ajo legjislative apo administrative, qoftë e lidhur me praktikat e zbatuara nga autoritetet – është një faktor që duhet të merret parasysh për të vlerësuar sjelljen e shtetit. Në fakt, kur në lojë është një pikë me interes të përgjithshëm, autoriteteve publike u duhet të kundërveprojnë pa vonesë, në mënyrë korrekte dhe me koherencën më të madhe (Tunnel Report Limited k. Francës, nr. 27940/07, § 39, 18 nëntor 2010).
43. Gjykata rikujton përveç kësaj jurisprudencën e saj sipas së cilës fakti i vetëm që pretendimet e një paditësi i nënshtrohen një afati parashkrimi nuk përbën asnjë problem në këndvështrimin e Konventës. Vendosja e afateve për parashkrim është një tipar i përbashkët i sistemeve juridike të shteteve kontraktuese, i cili synon që ta garantojë sigurinë juridike duke përcaktuar një cak fundor për veprimet dhe që ta pengojë padrejtësinë që mund të bëhet në rast se gjykatat ftohen për t’u shprehur rreth ngjarjeve të ndodhura në një të kaluar të largët (J.A. Pye (Oxford) Ltd e J.A. Pye (Oxford) Land Ltd k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 44302/02, § 68, GjEDNj 2007-III; Stubbings me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, 22 tetor 1996, § 51, Recueil des arrêts et décisions 1996-IV).
44. Së fundi, Gjykata nënvizon se nocioni “interes publik” i përmendur në fjalinë e dytë të pikës së parë të nenit 1 të Protokollit nr. 1 është i gjerë për vetë natyrën e tij. Autoritetet kombëtare ndodhen si parim në një pozicion më të mirë sesa gjyqtari ndërkombëtar për ta përcaktuar atë çka është “me interes publik”. Duke e çmuar normale që ligjvënësi të ketë një hapësirë të gjerë për të ndjekur një politikë ekonomike dhe shoqërore, Gjykata e respekton mënyrën se si ai i koncepton nevojat e “interesit publik”, me përjashtim të atyre rasteve kur gjykimi i tij del se është haptazi i pabazuar. Për sa u përket zgjidhjeve të tjera rezervë, ekzistenca e tyre eventuale nuk mjafton e vetme për ta bërë të papërligjur legjislacionin në fjalë. Për sa kohë që ligjvënësi nuk i kapërcen caqet e hapësirës së tij për vlerësim, Gjykatës nuk i takon të thotë nëse ai ka zgjedhur mënyrën më të mirë për ta trajtuar problemin apo nëse ishte dashur që ai ta ushtronte ndryshe pushtetin e tij (J.A. Pye (Oxford) Ltd k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 44302/02, §§ 43-45, 15 nëntor 2005).
b) Zbatimi në rastin e çështjes në fjalë
45. Në këtë çështje, Gjykata vëren fillimisht se, kur paditësi ka shkuar më 6 shkurt 2003 në bankën e tij për t’u interesuar për gjendjen e llogarisë së vet, ai ka mësuar se, në mungesë të çfarëdo lëvizjeje në këtë të fundit që prej gjashtëmujorit të dytë të vitit 1981, të gjitha pretendimet që kishin të bënin me të ishin prekur nga parashkrimi. Nga vendimet e juridiksioneve të brendshme del se, duke çelur llogarinë e tij, paditësi ka lidhur me bankën një marrëveshje që, sipas një jurisprudence dhe një doktrine të vazhdueshme në Greqi, përbënte një marrëveshje depozitimi të parregullt (neni 830 i Kodit Civil). Pretendimet e paditësit të lindura nga kjo marrëveshje i nënshtroheshin parashkrimit njëzetvjeçar të parashikuar nga Kodi Civil (nenet 247 e 249).
46. Gjykata vëren gjithashtu se juridiksionet e brendshme të cilave u është drejtuar paditësi kanë bërë zbatim të nenit 3 të Dekretligjit nr. 1195/1942, sipas të cilit depozitimet në të holla dhe interesat e tyre pranë bankave i kalojnë përfundimisht shtetit kur ato nuk janë kërkuar nga zotëruesi i llogarisë ose kur nuk ka pasur asnjë lëvizje në llogari për një periudhë njëzetvjeçare. Gjykata e Apelit ka gjykuar për më tepër se afati i parashkrimit as nuk ishte ndërprerë – meqenëse regjistrimi i interesave të prodhuara nga llogaria e paditësit në librat e llogarive të bankës nuk përbënte një rast për ndërprerje të afatit (paragrafi 9 i mësipërm) –, as nuk ishte pezulluar për shkak force madhore të përmendur nga paditësi (paragrafi 10 i mësipërm).
47. Për mendimin e Gjykatës, parashkrimi i pretendimeve të paditësit rreth llogarisë së tij ka përbërë një cenim të së drejtës së pronës së këtij të fundit, çka nuk përkonte as me ndonjë shpronësim, as me ndonjë masë për rregullimin e përdorimit të pasurive dhe çka duhet të shqyrtohet pra në këndvështrimin e fjalisë së parë të pikës së parë të nenit 1 (shih, mutatis mutandis, Optim e Industerre k. Belgjikës (vend. pran.), nr. 23819/06, § 35, 11 shtator 2012). Prandaj është e udhës që të përcaktohet nëse është ruajtur një baraspeshë e drejtë midis kërkesave lidhur me interesin e përgjithshëm të shoqërisë dhe nevojave të domosdoshme lidhur me mbrojtjen e të drejtave themelore të individit.
48. Gjykata nuk e vë në dyshim që parashkrimi i vendosur nga nenet 247 e 249 të Kodit Civil dhe nga neni 3 i Dekretligjit nr. 1195/1942 ndjek një qëllim të drejtë. Ashtu siç e ka nënvizuar Gjykata e Apelit në vendimin e saj të 6 prillit 2006, parashkrimi njëzetvjeçar për kontratat e depozitimit të parregullt është i përligjur nga një qëllim interesi publik: likuidimi, në interes të shoqërisë, i marrëdhënieve juridike të krijuara në një të kaluar aq të largët saqë ekzistenca e tyre bëhet e pasigurt.
49. Duke pasur parasysh ndër të tjera jurisprudencën e vet në fushën e parashkrimit (paragrafi 43 i mësipërm), Gjykata çmon se sistemi i sipërpërmendur grek i parashkrimit është i arsyeshëm: afati njëzetvjeçar është i bollshëm dhe për të interesuarit nuk është as e vështirë, as e pamundur që ta ndalin parashkrimin.
50. Duke u shprehur në çështjen e paditësit, juridiksionet greke kanë ndjekur e zbatuar legjislacionin dhe jurisprudencën përkatëse në fuqi: në njërën anë, nenin 3 të Dekretligjit, i cili parashikon se parashkrimi i pretendimeve të zotëruesit të një llogarie ndërpritet vetëm kur zotëruesi e kërkon depozitën e tij ose kryen një veprim në atë llogari dhe, në anën tjetër, nenin 260 të Kodit Civil, i cili parashikon se afati i parashkrimit ndërpritet nga njohja e pretendimit nga ana e të detyruarit, në këtë rast banka. Lidhur me këtë, Gjykata e Apelit ka gjykuar se kjo njohje duhet t’i jetë dërguar kreditorit e t’i ketë mbërritur atij, dhe se vetëm regjistrimi i borxhit në librat e llogarive të bankës nuk përbën ndonjë njohje të pretendimit në kuptimin e nenit 260 dhe nuk mund ta ndërpresë pra afatin e parashkrimit (paragrafët 18 e 21 të mësipërm).
51. Megjithatë, Gjykata çmon se një masë kaq rrënjësore sa parashkrimi i pretendimeve lidhur me një llogari bankare me arsyetimin që në atë llogari nuk ka pasur asnjë lëvizje për njëfarë periudhe, e çiftëzuar me jurisprudencën sipas së cilës regjistrimi i interesave nuk përbën një lëvizje në llogari, është e tillë që i vë zotëruesit e llogarive, sidomos kur këta janë thjesht individë të parrahur me të drejtën civile apo bankare, në një situatë të pavolitshme në raport me bankën ose edhe me vetë shtetin për rastin kur zbatohet neni 3 i Dekretligjit.
52. Gjykata shënon se, sipas nenit 830 të Kodit Civil, në qoftë se personi që depoziton një shumë parash në bankë ia transferon kësaj të fundit të drejtën për përdorim të saj, banka duhet ta ruajë atë e, në rast se e përdor për llogari të vet, duhet t’i kthejë depozituesit një shumë të barasvlershme në përfundim të marrëveshjes. Zotëruesi i një llogarie mund të presë atëherë në mirëbesim që depozita e tij pranë bankës të jetë në siguri, sidomos kur vë re se në llogari i shënohen interesa. Ai mund të shpresojë me plot të drejtë që t’i sinjalizohet një situatë e cila u kanoset baraspeshës së marrëveshjes që ai ka lidhur me bankën si edhe interesave të tij financiarë, në mënyrë që të marrë paraprakisht masat e veta për t’iu përshtatur ligjit e për ta mbrojtur të drejtën e tij për pronën. Një marrëdhënie e tillë besimi është e pandashme nga operacionet bankare dhe nga e drejta që lidhet me to.
53. Gjykata rikujton nga ana tjetër se parimi i sigurisë juridike është i nënkuptuar në tërë nenet e Konventës dhe se ai përbën një nga elementet themelore të shtetit të së drejtës (Nejdet Şahin e Perihan Şahin k. Turqisë, [DhM], nr. 13279/05, § 56, 20 tetor 2011). Mirëpo, sipas mendimit të Gjykatës, shteti ka detyrimin pozitiv që ta mbrojë qytetarin e të parashikojë kështu për bankat, duke pasur parasysh pasojat e rënda që mund të ketë parashkrimi, detyrimin për ta informuar zotëruesin e një llogarie jo aktive rreth afrimit të fundit të afatit të parashkrimit e për t’i dhënë atij kështu mundësinë që ta ndërpresë parashkrimin duke kryer për shembull një veprim në llogari. Nëse nuk kërkohet asnjë informim i këtij lloji, ka rrezik që të prishet baraspesha e drejtë ndërmjet kërkesave të interesit të përgjithshëm të shoqërisë dhe nevojave të domosdoshme të mbrojtjes së të drejtave themelore të individit.
54. Në mungesë të një informimi të tillë, Gjykata çmon se paditësi është detyruar të mbajë një barrë të tepruar e të shpërpjesëtuar, e cila nuk mund të përligjet as me nevojën për të likuiduar marrëdhënie juridike ekzistenca e të cilave qenka e pasigurt – siç e ka pohuar në çështjen në fjalë Gjykata e Apelit –, as me funksionimin e mirë të sistemit bankar.
55. Prandaj, ka pasur shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1 në të drejtat e paditësit.
III. RRETH SHKELJEVE TË TJERA TË PRETENDUARA
56. Duke iu referuar nenit 6 § 1 të Konventës, paditësi ankohet për zbatimin e rregullit të parashkrimit të bërë nga juridiksionet civile, i cili ka çuar në rrëzimin e pretendimeve të tij.
57. Gjykata rikujton se ajo nuk ka për detyrë që t’u zërë vendin juridiksioneve të brendshme. U takon si detyrë në radhë të parë autoriteteve kombëtare, dhe kryesisht gjykatave, që ta interpretojnë legjislacionin e brendshëm (shih, mutatis mutandis, vendimet Brualla Gómez de la Torre k. Spanjës, 19 dhjetor 1997, § 31, Recueil 1997‑VIII, dhe Edificaciones March Gallego S.A. k. Spanjës, 19 shkurt 1998, § 33, Recueil 1998‑I), dhe Gjykata nuk do ta zëvendësojë me vlerësimin e vet të së drejtës atë të tyrin në mungesë arbitrariteti (shih, ndër të tjera, Tejedor García k. Spanjës, 16 dhjetor 1997, § 31, Recueil 1997‑VIII). Në çështjen në fjalë, Gjykata vë re se juridiksionet e brendshme kanë zbatuar në rastin e paditësit legjislacionin dhe jurisprudencën përkatëse në këtë fushë.
58. Për rrjedhojë, kjo kërkesë është haptazi e pabazuar dhe prandaj duhet të rrëzohet, në zbatim të nenit 35 §§ 3 e 4 të Konventës.
IV. RRETH ZBATIMIT TË NENIT 41 TË KONVENTËS
59. Sipas nenit 41 të Konventës,
“Kur Gjykata konstaton shkelje të Konventës ose të Protokolleve të saj, dhe e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese mundëson vetëm ndreqjen e pjesshme të pasojave të shkaktuara nga shkelja, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
60. I biri i paditësit kërkon fillimisht zhdëmtimin e dëmit material të pësuar nga i ati. Ai i referohet për këtë qëllim kërkesëpadisë që ky i fundit i ka paraqitur Gjykatës, ku ai kërkonte kthimin e shumës prej 660 000 dhrahmish të cilën e kishte depozituar në bankë, të shtuar me interesat, dhe ashtu siç ishte treguar ajo në padinë e tij të 3 qershorit 2003 pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Athinës, për dijeni 30 550,74 EUR. Për dëm moral, ai kërkon shumën prej 100 000 EUR.
61. Për sa i përket dëmit material, Qeveria mbron mendimin se i biri i paditësit nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë specifike, të shprehur në monedhën e shtetit të paditur dhe brenda afatit kohor të caktuar, siç e kërkon neni 60 § 2 i Rregullores së Gjykatës. Ajo i referohet vetëm formularit të kërkesëpadisë, i cili nuk përmbante ndonjë kërkesë të qartë e i cili i referohej edhe ai vetë padisë së paraqitur nga paditësi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Athinës. Për sa i përket dëmit moral, Qeveria është e mendimit se jo vetëm që shuma e kërkuar është e pabazuar dhe e tepruar, por edhe se i biri i paditësit nuk mund të pretendojë për një zhdëmtim për këtë arsye, sepse personi i prekur nga masa objekt konflikti ishte vetë paditësi e kurrsesi trashëgimtarët e tij.
62. Gjykata çmon se i biri i paditësit nuk ka munguar t’i paraqesë ashtu siç duhej pretendimet e tij lidhur me dëmin material. Ai kërkon në fakt shumën që vetë paditësi kërkonte në padinë e tij të 3 qershorit 2003 pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Athinës dhe e cila ishte e shprehur qartë në euro në atë padi, pra 30 550,74 EUR.
63. Gjykata, nga njëra anë, rikujton se ka dalë në përfundimin që në çështjen në fjalë ka pasur shkelje të fjalisë së parë të pikës së parë të nenit 1 të Protokollit nr. 1 dhe, nga ana tjetër, çmon se ajo nuk mund të spekulojë rreth shumës që juridiksionet helenike do t’i kishin dhënë paditësit në qoftë se ky do ta kishte fituar gjyqin. Ajo ka megjithatë mendimin se është e udhës që të birit të paditësit t’i jepet shuma prej 15 000 EUR, duke përfshirë të gjitha dëmet.
B. Kosto dhe shpenzime
64. I biri i paditësit kërkon gjithashtu 5 000 EUR për kosto e shpenzime, por pa e saktësuar nëse kjo shumë ka të bëjë me shpenzime të kryera pranë juridiksioneve të brendshme a pranë Gjykatës ose me të dyja rastet bashkë.
65. Qeveria nënvizon se i biri i paditësit nuk paraqet asnjë provë në mbështetje të pretendimeve të tij.
66. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, një paditës nuk mund ta fitojë kompensimin e kostove dhe shpenzimeve të tij përveçse për aq sa vërtetohen realiteti i tyre, nevoja e tyre dhe karakteri i arsyeshëm i shumës së tyre. Në rastin e çështjes në fjalë, Gjykata vë re se paditësi nuk ka paraqitur asnjë faturë lidhur me shpenzimet e kryera pranë juridiksioneve përkatëse dhe Gjykatës. Kështu që duhet të rrëzohen pretendimet e tij për sa u takon kostove dhe shpenzimeve.
C. Kamatëvonesat
67. Gjykata e gjykon si të përshtatshme që ta bazojë përqindjen e kamatëvonesave te përqindja e interesit të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane, të rritur me tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI,
1. E shpall kërkesëpadinë të pranueshme për sa i përket ankimit të bërë në bazë të nenit 1 të të Protokollit nr. 1 dhe të papranueshme për pretendimet e tjera;
2. Thotë se ka pasur shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1;
3. Thotë
a) se shteti i paditur duhet t’i paguajë të birit të paditësit, brenda tre muajsh duke nisur nga dita kur vendimi do të jetë bërë i formës së prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, shumën prej 15 000 EUR (pesëmbëdhjetë mijë euro) për të gjitha dëmet pa dallim, plus çdo shumë që mund të duhet si vlerë tatimi;
b) se, duke nisur nga përfundimi i afatit të lartpërmendur e deri në derdhjen e saj, kjo shumë do të shtohet me një interes të thjeshtë në përqindje të barabartë me atë të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane të zbatueshme gjatë kësaj periudhe, të shtuar me tri pikë përqindjeje;
4. Rrëzon kërkesën për çdo shtesë si shpërblim të drejtë.
I hartuar në frëngjisht, pastaj i njoftuar me shkrim më 29 janar 2013, në zbatim të nenit 77 §§ 2 e 3 të Rregullores.
André WampachIsabelle Berro-Lefèvre
Zëvendëssekretar seksioniKryetare
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy