© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I PESTË
VENDIM
RRETH PRANUESHMËRISË
së kërkesëpadisë nr. 13113/03
të paraqitur nga Ely OULD DAH
kundër Francës
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Pestë), e mbledhur më 17 mars 2009 në një dhomë të përbërë nga:
Rait Maruste, kryetar,
Jean-Paul Costa,
Karel Jungwiert,
Renate Jaeger,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Zdravka Kalaydjieva, gjyqtarë,
e nga Claudia Westerdiek, sekretare seksioni,
Duke parë kërkesëpadinë e lartpërmendur të paraqitur më 22 prill 2003,
Duke parë vërejtjet e parashtruara nga qeveria e paditur dhe ato të paraqitura si përgjigje nga paditësi,
Pasi e diskutoi çështjen, jep vendimin e mëposhtëm:
FAKTET
Paditësi, Z. Ely Ould Dah, është një shtetas mauritanian, i lindur më 1962. Ai është përfaqësuar përpara Gjykatës nga Znja C. Waquet, avokate në Këshillin e Shtetit dhe në Gjykatën e Kasacionit.
A. Rrethanat e çështjes
Faktet e çështjes, siç janë parashtruar prej palëve, mund të përmblidhen si vijon.
Ndërmjet muajve nëntor 1990 dhe mars 1991, ndodhën përleshje midis mauritanianëve me prejardhje arabo-berbere dhe disa të tjerëve të cilët u përkasin etnive nga Afrika e Zezë. Ushtarakë të këtyre etnive, të akuzuar se kishin kurdisur një grusht shteti, u mbajtën në burg. Disa prej tyre u bënë viktima torturash ose mizorish nga ana e gardianëve të tyre, mes të cilëve paditësi, oficer zbulimi në shtabin e Nuakshotit, në Mauritani, me gradën toger.
Më 14 qershor 1993, u miratua një ligj amnistie në favor të pjesëtarëve të forcave të armatosura dhe të sigurimit, autorë të veprave penale të kryera midis 1 janarit 1989 dhe 18 prillit 1992, dhe të lidhura me ngjarjet që sollën veprime me armë e akte dhune. Për arsye të këtij ligji, paditësi nuk u shqetësua për veprimet e kryera ndaj disa të burgosurve.
Në gusht 1998, paditësi, asokohe kapiten i ushtrisë mauritaniane, mbërriti në Francë për të kryer një kurs trajnimi në Akademinë e Këmbësorisë të Monpeljesë.
Më 8 qershor 1999, Federata Ndërkombëtare e Lidhjeve për të Drejtat e Njeriut (Fédération internationale des ligues des droits de l’homme, FIDH) dhe Lidhja për të Drejtat e Njeriut (Ligue des droits de l’homme, LDH) paraqitën një ankim ndaj paditësit bashkë me një kërkesë për të qenë palë civile, për arsye të torturave që ai paskësh kryer në Mauritani më 1990 dhe 1991. Këto ndjekje penale mbështeteshin në Konventën kundër Torturës dhe Dënimeve ose Trajtimeve të Tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1984, të ratifikuar nga Franca dhe të hyrë në fuqi më 26 qershor 1987.
Më 1 korrik 1999, paditësi u ndalua.
Më 2 korrik 1999 u çel një hetim dhe paditësi u akuzua për tortura ose akte mizorie. Ai u vendos në paraburgim deri më 28 shtator 1999, para se të lihej përsëri i lirë nën kontroll gjyqësor. Paditësi mori arratinë në një datë të papërcaktuar. Ndaj tij u lëshua një urdhërarrest në muajin prill 2000.
Më 25 maj 2001, gjyqtari hetues dha një vendim për marrje nën akuzë për arsye torturash e aktesh mizorie dhe bashkëpunimi në krim. Ai u mbështet veçanërisht në dëshmitë e nëntë ish-ushtarakëve dhe të së vesë së një të dhjeti. Dy nga këta persona, të strehuar në Francë, ishin ballafaquar me paditësin gjatë hetimit, ndërsa të tjerët kishin dhënë dëshmi me shkrim. Paditësi e apeloi këtë vendim.
Me një vendim të 8 nëntorit 2001, dhoma e hetimit e Gjykatës së Apelit të Monpeljesë e shpalli apelin e paditësit të papranueshëm si të vonuar. Paditësi bëri rekurs për prishje vendimi.
Më 6 mars 2002, Gjykata e Kasacionit e prishi vendimin e dhomës së hetimit dhe i kaloi palët në Gjykatën e Apelit të Nimës.
Me një vendim të 8 korrikut 2002, dhoma e hetimit e Gjykatës së Apelit të Nimës e la në fuqi vendimin e gjyqtarit hetues dhe urdhëroi vënien e tij nën akuzë përpara Gjykatës Penale të Gardit. Ajo gjykoi se ishte plotësuar kushti i parashikuar nga neni 1 i Konventës kundër Torturës, meqenëse faktet e marra parasysh përfshiheshin në kuadrin e “një spastrimi etnik” dhe të një fushate të gjerë shtypjeje të vënë në zbatim nga qeveria mauritaniane që kishte qenë atëherë në pushtet, dhe meqenëse paditësi e kishte pranuar se kishte vepruar zyrtarisht në kuptimin e dispozitave të Konventës, në cilësinë e tij si oficer zbulimi dhe si pjesëtar i komisionit për marrje në pyetje. Dhoma e hetimit çmoi përveç kësaj se dispozitat e neneve 689, 689-1 dhe 689-2 të Kodit të Procedurës Penale, si edhe neni 7, pika 2, i Konventës së 10 dhjetorit 1984 u jepnin kompetencë juridiksioneve franceze për të gjykuar rreth këtyre fakteve, për të zbatuar rreth tyre ligjin francez dhe për të mënjanuar një ligj amnistie të dalë nga një shtet i huaj, zbatimi i të cilit do të sillte një shkelje të detyrimeve ndërkombëtare të Francës dhe do t’i hiqte çdo rreze veprimi parimit të kompetencës së përgjithshme. Duke qenë e mendimit se parimi i ligjshmërisë nuk e kundërshtonte që një vepër penale të përkufizohej në një traktat ose marrëveshje ndërkombëtare që ishte me fuqi më të madhe sesa ligji, ajo shprehu mendimin se, sado që “torturat” ishin klasifikuar që prej Kodit të ri Penal si “krim më vete” i parashikuar e i ndëshkuar nga nenet 222-1 e vijuese të Kodit Penal, ato përbënin megjithatë edhe më parë një rrethanë rënduese për disa vepra penale, dhe sidomos për krimin e dhunimit të cilësuar të parashikuar nga nenet 303 dhe 309 të Kodit Penal të shfuqizuar, krim që ndëshkohej me një dënim me “5 deri në 10 vjet heqje lirie”: ajo nxori nga kjo si përfundim se faktet për të cilat fajësohej paditësi, të cilët përbënin një krim, nuk ishin parashkruar dhe se i vetmi kufizim për ndëshkimin e tyre ishte që të zbatoheshin vetëm dënimet që kishin qenë në fuqi në kohën e ngjarjeve, me përjashtim të rastit kur kishte ndonjë ligj penal më të butë.
Me një vendim të 23 tetorit 2002, Gjykata e Kasacionit e rrëzoi kërkesën e paditësit për rekurs, duke çmuar se dhoma e hetimit e kishte përligjur vendimin e saj për të gjitha pikat e ngritura nga paditësi.
Meqenëse paditësi ishte në arrati, një urdhër për paraqitje në Gjykatën Penale u njoftua në prokurori më 13 maj 2005.
Më 30 qershor 2005, Gjykata Penale e Gardit e mbajti seancën e saj ku, në mungesë të të akuzuarit, u dëgjuan të dy avokatët e tij.
Më 1 korrik 2005, Gjykata Penale dha dy vendime. Në të parin, ajo e dënoi paditësin me dhjetë vjet heqje lirie për arsye se, nga njëra anë, kishte ushtruar me dashje veprime torture dhe mizorie ndaj disa personave, kurse, nga ana tjetër, kishte shkaktuar veprime të tilla ndaj disa të burgosurve të tjerë me anë të shpërdorimit të autoritetit ose duke u dhënë udhëzime ushtarakëve që i kishin kryer ato. Gjykata Penale pati parasysh sidomos nenet 303 e 309 të ish-Kodit Penal dhe 222-1 të Kodit Penal, si edhe Konventën e Nju Jorkut të 10 dhjetorit 1984. Në të dytin, ajo u caktoi dëmshpërblime dhe interesa palëve të ndryshme civile.
B. E drejta përkatëse
1. Ish-Kodi Penal
Neni 303
“Do të dënohen si fajtorë për vrasje të gjithë ata keqbërës, cilido qoftë emërtimi i tyre, të cilët, për ekzekutimin e krimeve të tyre, përdorin tortura ose kryejnë veprime mizorie.
Ata që, për ekzekutimin e veprave të tyre penale, përdorin tortura ose kryejnë veprime mizorie, do të dënohen me pesë deri në dhjetë vjet heqje lirie.”
Neni 309
“Cilido që, me dashje, do të ketë dhënë goditje ose kryer dhunime apo veprime dhune të cilat kanë sjellë si pasojë një sëmundje ose një paaftësi të plotë personale për punë për më shumë se tetë ditë, do të dënohet me burgim nga dy muaj deri në dy vjet dhe me gjobë nga 500 F deri në 20 000 F ose vetëm me njërin nga këto dy dënime. (...)”
2. Neni 222-1 i Kodit të ri Penal (të vendosur me Ligjin nr. 92-684 të 22 korrikut 1992 dhe të hyrë në fuqi më 1 mars 1994)
Neni 222-1
“Nënshtrimi i një personi ndaj torturave ose ndaj akteve të mizorisë dënohet me pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie.
Për veprën penale të parashikuar nga ky nen janë të zbatueshme dy pikat e para të nenit 132-23 lidhur me periudhën e sigurimit.”
Qarkorja e 14 majit 1993, e cila përmban komentet e Kodit të ri Penal dhe dispozitat e Ligjit të 16 dhjetorit 1992, saktëson si më poshtë:
“Shprehja “tortura dhe akte mizorie” e ruan kuptimin që i jepet asaj sot nga jurisprudenca kur këto akte parashikohen si rrethanë rënduese.”
Qoftë krimi i vendosur me ligj, qoftë ish-rrethana rënduese e torturave ose e akteve të mizorisë nënkuptojnë vërtetimin e një elementi material që ka të bëjë me kryerjen e një a disa veprimeve tejet të rënda të cilat i tejkalojnë veprimet e thjeshta të dhunës dhe i shkaktojnë viktimës dhimbje ose vuajtje të fortë, si edhe të një elementi moral që ka të bëjë me vullnetin për ta mohuar dinjitetin e personit njerëzor (dhoma e akuzës e Gjykatës së Apelit të Lionit, vendimi i 19 janarit 1996, i komentuar në revistën Dalloz 1996, f. 258, dhe i cituar nën nenin 222-1 të Kodit Penal, botimi Litec).
Sipas jurisprudencës së Gjykatës së Kasacionit, akuzat e reja lidhur me torturën e me aktet e mizorisë sigurojnë vazhdimësinë e akuzave që parashikoheshin prej ish-Kodit Penal (Bull. crim. 11 maj 2005, Bul. Nr. 146, rekursi nr. 05-81331: një zbatim i saktë i ligjit penal në vijimësi bëhet nga vendimi për kalim në një gjykatë apeli, i cili parashtron se neni 222-3, pika 2, i Kodit të ri Penal, i cili dënon krimin e torturës ose të akteve të mizorisë të kryera bashkë me një sulm seksual, siguron vazhdimësinë e akuzës së parashikuar nga ish-neni 333-1, i dalë nga Ligji i 23 dhjetorit 1980 dhe i cili dënon çdo cenim nderi të shoqëruar me torturë ose me akte mizorie).
Qarkorja e 14 majit 1993 saktëson më tej se dispozitat e Kodit të ri Penal kanë rreze veprimi shumë më të gjerë sesa ato të Konventës së Nju Jorkut të vitit 1984 kundër Torturës, sepse kjo e fundit ka parasysh vetëm veprimet e kryera nga një agjent publik për disa shkaqe. Ajo vë në dukje gjithashtu se akuza e re lejon të plotësohen mangësi të mëdha në ndëshkimin e krimeve, duke mundësuar marrjen parasysh jo vetëm të përmasave të dëmit të pësuar nga viktima, por edhe të seriozitetit të cenimeve pavarësisht nga rezultati i tyre: ajo u jep zgjidhje sidomos pengesave që dilnin si pasojë e pamundësisë për ta ndëshkuar tentativën për goditje e plagosje me dashje nën regjimin e mëparshëm.
3. Kodi i Procedurës Penale
Neni 379-2
“I akuzuari që mungon pa arsye të vlefshme në çeljen e seancës gjykohet në mungesë në përputhje me dispozitat e këtij kapitulli. Po ashtu veprohet edhe kur mungesa e të akuzuarit konstatohet gjatë debateve e kur nuk është e mundur që ato të pezullohen deri në kthimin e tij. (...)”
Neni 379-5
“Personi i dënuar në mungesë nuk ka mundësi apelimi.”
Neni 689
“Autorët ose bashkëpunëtorët e veprave penale të kryera jashtë territorit të Republikës mund të procedohen e të gjykohen nga juridiksionet franceze ose kur, në përputhje me dispozitat e Librit I të Kodit Penal apo të një teksti tjetër legjislativ, është i zbatueshëm ligji francez, ose kur juridiksioneve franceze u jepet kompetencë nga një konventë ndërkombëtare për ta shqyrtuar veprën penale.”
Neni 689-1
“Në zbatim të konventave ndërkombëtare të marra parasysh në nenet e mëposhtme, nga juridiksionet franceze mund të procedohet e të gjykohet, në qoftë se ndodhet në Francë, cilido që është bërë fajtor jashtë territorit të Republikës për një nga veprat penale të përmendura prej këtyre neneve. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe për këto vepra penale të mbetura në tentativë, sa herë që kjo e fundit është e dënueshme.”
Neni 689-2
“Për zbatimin e Konventës kundër Torturës dhe Dënimeve ose Trajtimeve të Tjera Mizore , Çnjerëzore ose Poshtëruese, të miratuar në Nju Jork më 10 dhjetor 1984, mund të procedohet e të gjykohet në kushtet e parashikuara në nenin 689-1 cilido që është fajtor për tortura në kuptimin e nenit 1 të Konventës.”
4. Tekste ndërkombëtare që e ndalojnë torturën
a) Konventa kundër Torturës dhe Dënimeve ose Trajtimeve të Tjera Mizore , Çnjerëzore ose Poshtëruese, e miratuar dhe e çelur për nënshkrim, për ratifikim e për anëtarësim nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1984, dhe e hyrë në fuqi më 26 qershor 1987
Neni 1
“Për qëllimet e kësaj Konvente, termi “torturë” shënon çdo veprim me anë të të cilit një personi i shkaktohen me qëllim një dhimbje ose vuajtje të forta, fizike ose mendore, me synime sidomos për të marrë prej tij a prej një personi të tretë të dhëna ose pohime, për ta dënuar për një veprim që ka kryer apo dyshohet se ka kryer ai a një person i tretë, për ta trembur ose për të ushtruar trysni mbi të apo për të trembur ose për të ushtruar trysni mbi një person të tretë, ose për çdolloj arsyeje tjetër të mbështetur mbi një formë të çfarëdoshme diskriminimi, kur një dhimbje e tillë ose vuajtje të tilla shkaktohen prej një agjenti të administratës publike a çdo personi tjetër që vepron në mënyrë zyrtare ose me nxitjen e tij apo me pëlqimin e tij të shprehur a të heshtur. Ky term nuk i përfshin dhimbjen ose vuajtjet e ardhura vetëm si pasojë e sanksioneve të ligjshme, të lidhura ngushtë me këto sanksione apo të shkaktuara prej tyre.
2. Ky nen është pa ndikim ndaj çdo instrumenti ndërkombëtar ose çdo ligji kombëtar që përmban apo mund të përmbajë dispozita me rreze më të gjerë veprimi.”
Neni 2
“Çdo Shtet Palë merr masa legjislative, administrativen gjyqësore dhe masa të tjera të efektshme për të mos lejuar që të kryhen akte torture në të gjithë territorin nën juridiksionin e tij.
2. Për të përligjur torturën nuk mund të përmendet asnjë rrethanë e jashtëzakonshme, cilado qoftë ajo, qoftë fjala për gjendje lufte a kërcënim lufte, për pasiguri të brendshme politike apo për çfarëdolloj gjendjeje tjetër të jashtëzakonshme.
3. Për të përligjur torturën nuk mund të përmendet urdhri i një eprori apo i një autoriteti publik.”
Neni 4
“Çdo Shtet Palë kujdeset që të gjitha aktet e torturës të përbëjnë vepra penale në vështrim të së drejtës së tij penale. E njëjta gjë vlen edhe për tentativën për të praktikuar torturën ose për çdo veprim tjetër të kryer nga cilido e që përbën bashkëpunim apo pjesëmarrje në aktin e torturës.
2. Çdo Shtet Palë i bën këto vepra penale të ndëshkueshme me dënime të përshtatshme të cilat marrin parasysh seriozitetin e tyre.”
Neni 5
“Çdo Shtet Palë merr masat e nevojshme për të vendosur kompetencën e tij për shqyrtimin e veprave penale të parashikuara në nenin 4 në rastet e mëposhtme:
a) Kur vepra penale është kryer në çdo territor që ndodhet nën juridiksionin e atij shteti ose në bordin e avionëve ose të anijeve që janë të regjistruar në atë shtet;
b) Kur autori i pandehur i veprës penale është një shtetas i atij shteti;
c) Kur viktima është një shtetas i atij shteti dhe kur ky i fundit e gjykon si të përshtatshme.
2. Çdo Shtet Palë merr gjithashtu masat e nevojshme për të vendosur kompetencën e tij për shqyrtimin e veprave të lartpërmendura penale në rastet kur autori i pandehur i tyre ndodhet në çdo territor që gjendet nën juridiksionin e tij dhe kur ai shtet nuk e ekstradon atë në përputhje me nenin 8 në drejtim të njërit prej shteteve të parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni.
3. Kjo Konventë nuk mënjanon asnjë kompetencë penale të ushtruar në përputhje me ligjet kombëtare.”
Neni 6
“Në qoftë se çmon që rrethanat e përligjin, pasi të ketë shqyrtuar të dhënat që disponon, çdo Shtet Palë në territorin e të cilit ndodhet një person i dyshuar se ka kryer një vepër penale të parashikuar në nenin 4 siguron paraburgimin e këtij personi ose merr të gjitha masat e tjera juridike të nevojshme për të siguruar praninë e tij. Ky paraburgim e këto masa duhet të jenë në përputhje me legjislacionin e atij shteti; ato nuk mund të mbahen përveçse gjatë afatit të nevojshëm për nisjen e procedimeve penale ose të një procedure ekstradimi.
2. Shteti në fjalë kryen menjëherë një hetim paraprak për të vërtetuar faktet.
3. Çdo person që mbahet në paraburgim në zbatim të paragrafit 1 të këtij neni mund të komunikojë menjëherë me përfaqësuesin e kualifikuar më të afërt të shtetit shtetësinë e të cilit ka ose, kur bëhet fjalë për një person pa atdhe, me përfaqësuesin e shtetit ku ai është me vendbanim të zakonshëm.
4. Kur një shtet e ka vënë një person në paraburgim, në përputhje me dispozitat e këtij neni, ai njofton menjëherë për këtë paraburgim dhe për rrethanat që e përligjin atë shtetet e parashikuara në paragrafin 1 të nenit 5. Shteti që kryen hetimin paraprak të parashikuar në paragrafin 2 të këtij neni ia bën të ditura me shpejtësi përfundimet e tij shteteve të lartpërmendura dhe u tregon atyre nëse ka ndër mend që ta ushtrojë kompetencën e vet.”
Neni 7
“Shteti Palë në territorin nën juridiksionin e të cilit është zbuluar autori i pandehur i një vepre penale të parashikuar në nenin 4, në qoftë se nuk e ekstradon këtë të fundit, ia paraqet çështjen, në rastet e parashikuara në nenin 5, autoriteteve të tij kompetente për ushtrimin e ndjekjes penale.
2. Këto autoritete i marrin vendimet e tyre në të njëjtat kushte si për çdo vepër penale ordinere me karakter të rëndë sipas së drejtës së atij shteti. Në rastet e parashikuara në paragrafin 2 të nenit 5, rregullat e provës që zbatohen për procedimet dhe për dënimin nuk janë në asnjë mënyrë më pak të rrepta sesa ato që zbatohen në rastet e parashikuara në paragrafin 1 të nenit 5.
3. Çdo person që ndiqet për cilëndo nga veprat penale të parashikuara në nenin 4 përfiton garancinë e një trajtimi të drejtë në të gjitha stadet e procedurës.”
b) Tekstet e tjera ndërkombëtare
i. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e 10 dhjetorit 1948
Neni 5
“Askush nuk duhet t’i nënshtrohet torturës, dënimeve ose trajtimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese.”
ii. Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949
Neni 3 i përbashkët për të katër Konventat
“Në rast konflikti të armatosur që nuk paraqet një karakter ndërkombëtar e që ndodh në territorin e njërës nga Palët e Larta kontraktuese, secila nga Palët në konflikt do të jetë e detyruar të zbatojë së paku dispozitat e mëposhtme:
1) Personat që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në luftime, duke përfshirë edhe pjesëtarët e forcave të armatosura që i kanë lëshuar armët si edhe personat që janë nxjerrë jashtë luftimi për shkak sëmundjeje, plagosjeje, zënieje rob ose për çdo shkak tjetër, do të trajtohen, në të gjitha rrethanat, me njerëzi, pa asnjë dallim me karakter të pafavorshëm mbi bazë race, ngjyre, feje ose besimi, gjinie, prejardhjeje ose pasurie, ose çdo kriteri tjetër të ngjashëm.
Për këtë qëllim, ndaj personave të lartpërmendur janë dhe mbeten të ndaluara, në çdo kohë e në çdo vend:
(a) cenimet ndaj jetës e ndaj integritetit trupor, sidomos vrasja në të gjitha format e saj, gjymtimet, trajtimet mizore, torturat e mundimet; (...)
(c) cenimet ndaj dinjitetit të personave, sidomos trajtimet fyese dhe poshtëruese; (...)”
iii. Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore e 4 nëntorit 1950
Neni 3
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës as dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
iv. Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike i 16 dhjetorit 1966
Neni 7
“Askush nuk do t’i nënshtrohet torturës as dënimeve ose trajtimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese. Në veçanti, është e ndaluar që një person t’i nënshtrohet pa pëlqimin e vet me vullnet të lirë një eksperimenti mjekësor ose shkencor.”
Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara ka deklaruar më 1994, në komentin e tij të përgjithshëm nr. 20 rreth nenit 7 të Paktit Ndërkombëtar, se kishte vënë re që disa shtete kishin dhënë amnisti për akte torture, duke saktësuar se “amnistia është përgjithësisht e papajtueshme me detyrën që kanë shtetet për të hetuar rreth akteve të tilla; për të garantuar mbrojtjen kundër akteve të tilla në juridiksionin e tyre; dhe për t’u kujdesur që ato të mos përsëriten më në të ardhmen. Shtetet nuk mund t’ua heqin individëve të drejtën për ankim efektiv, duke përfshirë edhe të drejtën për zhdëmtim dhe për rehabilitim sa më të plotë” (Compilation of General Comments and General Recommendations Adopted by Human Rights Treaty Bodies, Dok. O.K.B. HRI/GEN/1/Rev.1, f. 30, 1994).
v. Konventa Amerikane për të Drejtat e Njeriut e 22 nëntorit 1969
Neni 5
“1. Cilido ka të drejtë për respektimin e integritetit të tij fizik, psikik e moral.
2. Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës as dënimeve ose trajtimeve mizore , çnjerëzore ose poshtëruese. Cilido të cilit i është hequr liria do të trajtohet me respektin që i takon dinjitetit të lidhur ngushtë me personin njerëzor.”
vi. Konventa e Gjenevës e 8 qershorit 1977, Protokolli Shtesë nr. 2 për Mbrojtjen e Viktimave të Konflikteve të Armatosura Jo Ndërkombëtare
Neni 4
“(...) 2. Pa e dëmtuar karakterin e përgjithshëm të dispozitave që paraprijnë, janë dhe mbeten të ndaluara në çdo kohë e në çdo vend ndaj personave të parashikuar në paragrafin 1:
a) cenimet ndaj jetës, shëndetit ose mirëqenies fizike a mendore të personave, veçanërisht vrasja, si edhe trajtimet mizore si tortura, gjymtimet apo të gjitha format e mundimeve trupore; (...)”
vii. Karta Afrikane e të Drejtave të Njeriut dhe të Popujve e 27 qershorit 1981
Neni 5
“Çdo individ ka të drejtë për respektimin e dinjitetit të lidhur ngushtë me personin njerëzor dhe për njohjen e personalitetit të tij juridik. Të gjitha trajtat e shfrytëzimit e të përuljes së njeriut, veçanërisht skllavëria, trafikimi i personave, tortura fizike ose morale dhe dënimet apo trajtimet mizore, çnjerëzore ose poshtëruese, janë të ndaluara.”
viii. Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare
Neni 17 – Çështje lidhur me pranueshmërinë
“1. Duke pasur parasysh pikën e dhjetë të hyrjes dhe nenin e parë, një çështje gjykohet si e papranueshme nga Gjykata atëherë kur:
a) Çështja është objekt hetimi ose procedimesh nga ana e një shteti që ka kompetencë për të vepruar për çështjen në fjalë, me përjashtim të rasteve kur ky shtet nuk e ka vullnetin ose është i paaftë për t’i kryer vërtet siç duhet hetimin ose procedimet;
b) Çështja është bërë objekt hetimi nga ana e një shteti i cili ka kompetencë për të vepruar për çështjen në fjalë dhe kur ky shtet ka vendosur të mos e procedojë personin në fjalë, me përjashtim të rasteve kur ky vendim vjen si pasojë e mungesës së vullnetit ose e paaftësisë së shtetit për të bërë procedime vërtet siç duhet;
c) Personi në fjalë është gjykuar tashmë për sjelljen që përbën objektin e ankimit dhe kur ai nuk mund të gjykohet prej Gjykatës sipas nenit 20, paragrafi 3;
d) Çështja nuk është aq serioze saqë Gjykata ta vijojë atë.
2. Për të përcaktuar nëse ka mungesë vullneti të shtetit në një rast çështjeje, Gjykata sheh nëse ekziston, duke pasur parasysh garancitë e një procesi të drejtë të pranuara nga e drejta ndërkombëtare, një ose disa nga rrethanat e mëposhtme:
a) Procedura është nisur ose niset apo vendimi i shtetit është marrë me qëllimin për ta mënjanuar personin në fjalë nga përgjegjësia e vet penale për krimet që i takojnë kompetencës së Gjykatës të parashikuar në nenin 5;
b) Procedurës i është shkaktuar një vonesë e papërligjur e cila, në ato rrethana, është e papajtueshme me qëllimin për ta nxjerrë përpara drejtësisë personin në fjalë;
c) Procedura nuk është ndjekur apo nuk ndiqet në mënyrë të pavarur ose asnjanëse, por në një mënyrë që, në ato rrethana, është e papajtueshme me qëllimin për ta nxjerrë përpara drejtësisë personin në fjalë.
3. Për të përcaktuar nëse ka paaftësi të shtetit në një rast çështjeje, Gjykata sheh nëse shteti, për arsye të shembjes në tërësi ose në një pjesë thelbësore të aparatit të tij gjyqësor apo të mungesës së gatishmërisë së tij, është i paaftë për ta kapur të akuzuarin, për të grumbulluar elementet e provës dhe dëshmitë e nevojshme ose për ta zhvilluar procedurën me sukses në çfarëdo mënyre tjetër.”
5. Vendime juridiksionesh ndërkombëtare
Në një vendim të 14 shkurtit 2002 (Çështja lidhur me urdhërarrestin e 11 prillit 2000, Republika Demokratike e Kongos k. Belgjikës), Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vënë re se Kongoja nuk i referohej më pikës së pretendimit të Belgjikës për të ushtruar një kompetencë të përgjithshme dhe ka vendosur të shqyrtojë vetëm pikën e respektimit të imuniteteve nga të cilat përfitonte ministri kongolez i Punëve të Jashtme në ushtrimin e funksioneve të tij. Çështjes së kompetencës së gjyqtarit belg dhe, për rrjedhojë, të ushtrimit të një kompetence të përgjithshme, i janë qasur megjithatë disa gjyqtarë në mendime individuale të bashkëngjitura me vendimin (veçanërisht, në çështjen e sipërpërmendur, në vështrim të kompetencës së përgjithshme të vetvetishme të ushtruar atëherë nga Belgjika).
Në çështjen Prokurori k. Anto Furundzija (vendim i 10 dhjetorit 1998 (nr. IT-95-17/1-T), Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GjPNJ) ka çmuar si vijon:
“153. (...) Për arsye të rëndësisë së vlerave që ai mbron, [parimi i ndalimit të torturës] është kthyer në një normë të domosdoshme apo në jus cogens, domethënë në një normë e cila në hierarkinë ndërkombëtare qëndron në një rang më të lartë sesa e drejta e konventave e madje edhe sesa rregullat e së drejtës “së rëndomtë” zakonore. Pasoja më e dukshme e kësaj është se shtetet nuk mund t’i shmangen këtij parimi me anë traktatesh ndërkombëtare, zakonesh vendore apo të posaçme ose edhe rregullash zakonore të përgjithshme që nuk kanë të njëjtën vlerë normative.
154. Qartësisht, vlera si jus cogens e ndalimit të torturës shpreh idenë se kjo e fundit është tashmë një nga normat më themelore të bashkësisë ndërkombëtare. Përveç kësaj, ky ndalim duhet të ketë një efekt shkëshillues në kuptimin që ai u rikujton të gjithë pjesëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare si edhe individëve mbi të cilët ata kanë autoritet se aty bëhet fjalë për një vlerë absolute të cilën nuk mund ta shkelë askush.
155. (...) Do të ishte absurde që, nga njëra anë, të pohohej se, duke pasur parasysh vlerën si jus cogens të ndalimit të torturës, traktatet ose rregullat zakonore që parashikojnë torturën bëhen të paqena ab initio dhe, nga ana tjetër, të liheshin të lirë për të vepruar shtetet që, për shembull, marrin masa kombëtare të cilat e lejojnë ose e tolerojnë praktikën e torturës apo u japin amnisti torturuesve. (...)
156. Për më tepër, në shkallë individuale, konkretisht në atë të përgjegjësisë penale, një prej pasojave të vlerës si jus cogens të pranuar për ndalimin e torturës nga bashkësia ndërkombëtare është, me sa duket, se çdo shtet ka të drejtë t’i hetojë, t’i procedojë e t’i dënojë ose t’i ekstradojë individët e akuzuar për torturë, të cilët janë të pranishëm në territorin e tij. (...)”
Deklarata të ngjashme gjenden edhe në vendimet Prokurori k. Delacic me të tjerë (16 nëntor 1998, çështja nr. TI-96-21-T, § 454) dhe Prokurori k. Kunarac (22 shkurt 2001, çështja nr. TI 96-23-T dhe nr. TI-96-23/1, § 466).
ANKESAT
Duke iu referuar nenit 7 të Konventës, paditësi ankohet se është proceduar e dënuar në Francë për veprime të kryera në Mauritani më 1990 dhe 1991, ndërkohë që ai nuk mund ta parashikonte se ligji mauritanian do të mënjanohej në favor të ligjit francez, se ky i fundit nuk e quante torturën si vepër penale më vete në kohën e ngjarjeve dhe se dispozitat e Kodit të ri Penal janë zbatuar ndaj tij në mënyrë prapavepruese.
LIGJET
Paditësi ankohet se është proceduar e dënuar nga juridiksionet franceze. Ai i referohet nenit 7 të Konventës, i cili thotë:
“1. Askush nuk mund të dënohet për një veprim ose një mosveprim që, në momentin kur është kryer, nuk përbënte vepër penale sipas të drejtës së brendshme ose ndërkombëtare. Po ashtu, nuk mund të jepet një dënim më i rëndë se ai që ishte i zbatueshëm në momentin kur është kryer vepra penale.
2. Ky nen nuk do të ndikojë mbi gjykimin dhe dënimin e një personi për një veprim ose mosveprim, i cili, në momentin kur është kryer, quhej vepër penale sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës, të njohura nga kombet e qytetëruara.”
A. Argumentet e palëve
1. Qeveria
Qeveria sheh si argument kryesor se kjo kërkesëpadi përbën një shpërdorim të së drejtës në kuptimin e nenit 17 të Konventës, përderisa paditësi ka kryer veprime në kundërshtim me nenin 3 të Konventës gjatë ngjarjeve që janë zhvilluar në Mauritani më 1990 dhe 1991, me fjalë të tjera veprime që kanë synuar rrënimin e të drejtave dhe të lirive të njohura nga Konventa.
Si argument dytësor, Qeveria e çmon kërkesëpadinë si haptazi të paarsyetuar. Ajo vë në dukje pikësëpari se ligji francez i zbatuar ndaj paditësit kishte mundësi qasjeje dhe ishte i parashikueshëm. Në kohën kur janë zhvilluar ngjarjet, rregullat për kompetencë të përgjithshme që përmban Konventa kundër Torturës e 10 nëntorit 1984 ishin bartur në të drejtën franceze, konkretisht në nenin 689-2 të Kodit të Procedurës Penale të futur me një ligj të datës 30 dhjetor 1985. Konventa kundër Torturës e 10 nëntorit 1984 ishte ratifikuar madje që më 1985 me ligj, para se të hynte në fuqi më 26 qershor 1987. Nga ana tjetër, veprat e torturës dënoheshin edhe nga neni 303 i ish-Kodit Penal, në trajtën e rrethanave rënduese. Qeveria nxjerr këtej si përfundim se paditësi nuk e mohon dot mundësinë e qasjes ndaj ligjit. Ajo e hedh poshtë gjithashtu argumentin e tij të nxjerrë nga fakti se ligji penal ishte i hartuar në një gjuhë e cila ishte e huaj për të, përderisa paditësi po ndiqte një kurs trajnimi ushtarak të nivelit shumë të lartë në Francë pasi kishte fituar më parë një konkurs pranimi në gjuhën frënge. Lidhur me parashikueshmërinë, Qeveria vëren se paditësi po ndihmohej prej avokatëve që kishte zgjedhur vetë dhe se sistemi i kompetencës i vënë në zbatim nga juridiksionet franceze rrjedh nga një tekst ndërkombëtar me prirje të përbotshme dhe, për këtë arsye, i parashikueshëm. Ajo çmon pra se paditësi nuk mund të pretendonte seriozisht që nuk e dinte se, në cilësinë e një oficeri zbulimi e përgjegjësi të një kampi ku u torturuan me dhjetëra ushtarakë mauritanianë me prejardhje subsahariane, veprimet e kryera ishin të dënueshme në rrafshin ndërkombëtar, dhe se ligji mauritanian i amnistisë nuk mund të përdorej si argument duke pasur parasysh ndalimin e torturës në çfarëdo rrethane, të sanksionuar nga e drejta ndërkombëtare.
Qeveria çmon se vepra penale e torturave ekzistonte në të drejtën franceze përpara hyrjes në fuqi të Kodit të ri Penal, atëherë kur janë kryer veprat. Nga njëra anë, shtetet që e kishin ratifikuar Konventën kundër Torturës ishin të detyruar që ta vendosnin kompetencën e tyre në të drejtën e brendshme për aktet e torturës, edhe sikur këto akte të mos kishin asnjë lidhje varësie të drejtpërdrejtë me shtetin. Franca e ka përshtatur pra legjislacionin e saj dhe ka miratuar për këtë qëllim dispozitat e neneve 689-1 dhe 689-2 të Kodit të Procedurës Penale. Mbi të gjitha, Qeveria saktëson se paditësi, nga njëra anë, është dënuar sipas neneve 303 dhe 309 të Kodit Penal të zbatueshëm në momentin e ngjarjeve dhe, nga ana tjetër, ka marrë një dënim me dhjetë vjet heqje lirie, i cili përbënte maksimumin e parashikuar për vepra torture në kohën e ngjarjeve. Ajo saktëson se, sado që tortura nuk përbënte një vepër penale më vete në momentin e ngjarjeve, ajo ishte prapëseprapë e parashikuar dhe kishte tashmë një natyrë kriminale për çka dënohej penalisht.
Së fundi, Qeveria rikujton se përjashtimi i parashikuar në paragrafin 2 të nenit 7 kishte për qëllim që të mos lejonte vënien përsëri në pikëpyetje të legjislacioneve të miratuara pas Luftës së Dytë Botërore për të dënuar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Sipas saj, përmendja e “parimeve të përgjithshme të së drejtës, të njohura nga kombet e qytetëruara” u referohet konventave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të cilat janë me prirje të përbotshme. Mirëpo nga e drejta ndërkombëtare del se aktin e torturës nuk mund ta përligjë asnjë përjashtim.
2. Paditësi
Paditësi çmon se përmendja e nenit 17 të Konventës është jashtë teme, sepse ai nuk kërkon të përkrahë të drejtën e ndokujt për të kryer vepra torture. Kërkesëpadia e tij ka si objekt që të përcaktojë kushtet në të cilat një shtet mund t’i japë të drejtë vetes për të gjykuar një person dhe vepra të cilat janë krejtësisht të huaja për të, një pikë kjo mjaft e rëndësishme për të mos u shmangur përmes nenit 17. Mirëpo ai rikujton se, duke ndërruar regjim, Mauritania ka miratuar një ligj amnistie që synon të mundësojë rindërtimin e vendit, ligj nga i cili ai kërkon të përfitojë.
Lidhur me parashikueshmërinë e ligjit, çështja e tij është hipoteza e parë e këtij lloji në Francë dhe kompetenca e juridiksioneve franceze, e cila mund të rrjedhë nga Konventa e Nju Jorkut, nuk nënkuptonte atë të ligjit francez. Madje, një përçapje e tillë mund ta bënte të paparashikueshme rregullin e së drejtës në qoftë se të gjitha vendet do të zbatonin rregullat e tyre.
Paditësi i qëndron mendimit se ai është dënuar për më tepër për një vepër penale e cila nuk ekzistonte e parashikuar më vete në datën e veprave të proceduara.
Së fundi, ai çmon se përjashtimi i parashikuar në paragrafin 2 të nenit 7 nuk ka të bëjë fare me pikëpyetjen e shtruar rreth zbatimit të ligjit mauritanian të amnistisë, meqenëse një ligj amnistie nuk është njësoj sikur të mos pranohet dënimi i akteve të torturës, por synon pajtimin kombëtar.
B. Vlerësimi i Gjykatës
Gjykata rikujton në radhë të parë se neni 17 i Konventës, për aq sa ka parasysh individë, ka si qëllim të mos i lërë ata të nxjerrin nga Konventa ndonjë të drejtë që t’u lejojë atyre të kryejnë ndonjë veprimtari a veprim për rrënimin e të drejtave dhe lirive të njohura në Konventë. Nëse askush nuk duhet të mundë të përfitojë nga dispozitat e Konventës për të kryer veprime të cilat synojnë rrënimin e të drejtave dhe të lirive që merren parasysh këtu më sipër, kjo dispozitë, e cila ka një vlerë negative, nuk mund të interpretohet a contrario sikur ia heq një personi fizik të drejtat themelore individuale të garantuara në nenet 5 dhe 6 të Konventës (Lawless k. Irlandës, vendim i 1 korrikut 1961, seria A nr. 3, § 7, f. 45). Sipas mendimit të Gjykatës, po e njëjta gjë vlen edhe për të drejtat e garantuara në nenin 7 të Konventës.
Në çështjen në fjalë, paditësi nuk i referohet Konventës për të përligjur apo për të kryer veprime në kundërshtim me dispozitat e nenit 3. Ai i është drejtuar Gjykatës me një kërkesëpadi ngaqë, sipas tij, i janë hequr garancitë e nenit 7 të Konventës. Për pasojë, ai nuk mund të pengohet që të përfitojë prej tyre sipas dispozitave të nenit 17 të Konventës.
Gjykata shënon gjithashtu se paditësi nuk e kundërshton kompetencën e juridiksioneve franceze, pikë kjo që fundja nuk i takon nenit 7 të Konventës, por ai ankohet që këto të fundit kanë zbatuar të drejtën franceze dhe jo të drejtën mauritaniane, në kushte në kundërshtim me porositë e nenit 7.
Gjykata rikujton se në vendimin e saj Achour k. Francës, ajo ka çmuar se “Palët e Larta Kontraktuese [janë të lira] të vendosin për politikën e tyre penale, për të cilën asaj nuk i takon në parim që të shprehet” dhe se “zgjedhja e këtij apo atij sistemi penal nga një shtet nuk i nënshtrohet si parim kontrollit evropian të ushtruar prej saj, për aq kohë sa sistemi i zgjedhur nuk i shpërfill parimet e Konventës” (Achour k. Francës [DhM], nr. 67335/01, përkatësisht §§ 44 dhe 51, GjEDNj 2006-IV).
Gjykata rikujton gjithashtu se garancia që sanksionohet nga neni 7, element thelbësor i sundimit të ligjit, zë një vend parësor në sistemin mbrojtës të Konventës, siç e vërteton fakti që neni 15 nuk lejon asnjë shmangie prej saj në rast lufte ose rreziku tjetër publik. Siç rrjedh nga objekti e qëllimi i saj, ajo duhet të interpretohet dhe të zbatohet në mënyrë që të sigurojë një mbrojtje efektive kundër procedimeve, dënimeve dhe sanksioneve arbitrare (Korbely k. Hungarisë [DhM], nr. 9174/02, § 69, GjEDNj 2008-...)
Neni 7 i Konventës sanksionon, në mënyrë të përgjithshme, parimin e ligjshmërisë së krimeve dhe të dënimeve (nullum crimen, nulla poena sine lege) dhe e ndalon, në veçanti, zbatimin prapaveprues të së drejtës penale kur ai bëhet në dëm të të akuzuarit (Kokkinakis k. Greqisë, vendim i 25 majit 1993, seria A nr. 260-A, f. 22, § 52). Në qoftë se ai e ndalon në veçanti që fusha e zbatimit të veprave penale ekzistuese të shtrihet edhe te veprime që, më parë, nuk përbënin vepra penale, ai urdhëron përveç kësaj që ligji penal të mos zbatohet në mënyrë ekstensive në dëm të të akuzuarit, për shembull për analogji.
Për rrjedhojë, ligji duhet t’i përkufizojë qartësisht veprat penale dhe dënimet për ndëshkimin e tyre. Ky kusht plotësohet kur i pandehuri e ka mundësinë për ta ditur, duke u nisur nga formulimi i dispozitës përkatëse e, në rast nevoje, me ndihmën e interpretimit që i bëhet asaj nga gjykatat, se cilat veprime ose mosveprime e ngarkojnë atë me përgjegjësi penale. Nocioni i “së drejtës” (fr. “droit”, angl. “law”) i përdorur në nenin 7 përkon me atë të “ligjit” që figuron në nenet e tjera të Konventës; ai përfshin si të drejtën me prejardhje legjislative ashtu edhe atë me prejardhje nga jurisprudenca dhe nënkupton disa kushte cilësie, ndër të tjera ato të mundësisë së qasjes dhe të parashikueshmërisë (shih, sidomos, Cantoni k. Francës, 15 nëntor 1996, § 29, Recueil des arrêts et décisions 1996-V, Achour, i cituar më lart, §§ 41-42, dhe Korbely, i cituar më lart, § 70).
Detyra që i bie Gjykatës është pra që të sigurohet se, në çastin kur një i akuzuar ka kryer veprimin që ka qenë shkak për procedimet dhe për dënimin, ekzistonte një dispozitë ligjore e cila e bënte të dënueshëm atë veprim dhe se dënimi i vendosur nuk i ka tejkaluar kufijtë e përcaktuar nga ajo dispozitë (Coëme me të tjerë k. Belgjikës, nr. 32492/96, 32547/96, 32548/96, 33209/96 e 33210/96, § 145, GjEDNj 2000-VII, dhe Achour, i cituar më lart, § 43).
Nga ana tjetër, Gjykata ripohon se, në këndvështrimin e nenit 7 § 1 të Konventës, sado i qartë që të jetë formulimi i një dispozite penale, në cilindo sistem juridik qoftë, ekziston pashmangshmërisht një element interpretimi gjyqësor dhe do të duhet përherë të sqarohen pikat e dyshimta e t’i përshtatesh situatës. Në fakt, në traditën juridike të shteteve palë në Konventë është vërtetuar në mënyrë të qëndrueshme se jurisprudenca, si burim i së drejtës, jep medoemos ndihmesë në zhvillimin hap pas hapi të së drejtës penale. Neni 7 i Konventës nuk mund të interpretohet sikur e ndalon sqarimin shkallë-shkallë të rregullave të përgjegjësisë penale përmes interpretimit gjyqësor nga një çështje në tjetrën, me kusht që rezultati të jetë koherent me përmbajtjen e veprës penale dhe i parashikueshëm në mënyrë të arsyeshme (S.W. dhe C.R. k. Mbretërisë së Bashkuar, vendime të 22 nëntorit 1995, përkatësisht seria A nr. 335‑B, f. 41-42, §§ 34-36, dhe seria A nr. 335-C, f. 68-69, §§ 32-34, Streletz, Kessler e Krenz k. Gjermanisë [DhM], nr. 34044/96, 35532/97 e 44801/98, § 50, GjEDNj 2001-II, Jorgic k. Gjermanisë, nr. 74613/01, § 101, 12 korrik 2007, dhe Korbely, i cituar më lart, § 71). Sigurisht, ky nocion vlen në parim për zhvillimin hap pas hapi të jurisprudencës në të njëjtin shtet të së drejtës e nën një regjim demokratik, elemente që përbëjnë gurët e themelit të Konventës, siç e dëshmon hyrja e saj, por ai e ruan të gjithë vlerën e tij kur, si në çështjen në fjalë, ka pasur miratim të një teksti ndërkombëtar me vlerë të përbotshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut (shih, mutatis mutandis, Streletz, Kessler e Krenz, i cituar më lart, § 82). Një arsyetim i kundërt do të binte ndesh me vetë parimet mbi të cilat është ndërtuar i gjithë sistemi mbrojtës i vendosur nga Konventa (i njëjti vendim).
Në çështjen në fjalë, Gjykata vëren se juridiksionet franceze përfitojnë në disa raste një kompetencë të përgjithshme, parimi i së cilës është vendosur nga neni 689-1 i Kodit të Procedurës Penale. Ato mund ta gjykojnë kështu autorin e një vepre penale cilado qoftë shtetësia e tij, ajo e viktimës së saj dhe e vendit të kryerjes, me kushtin e dyfishtë që ai të ndodhet në territorin francez dhe që kjo të bëhet në zbatim të disa konventave ndërkombëtare.
Gjykata vë re se të dyja këto kushte ishin të plotësuara në çështjen në fjalë. Nga njëra anë, paditësi, oficer i ushtrisë mauritaniane, shtetas mauritanian, është proceduar në Francë e arrestuar ndërsa gjendej në Francë më 1999 dhe së fundi dënuar në mungesë, më 1 korrik 2005, meqenëse kishte kryer akte torture dhe mizorie në Mauritani gjatë viteve 1990 dhe 1991. Nga ana tjetër, Gjykata shënon se, në kohën e ngjarjeve, Konventa kundër Torturës dhe Dënimeve ose Trajtimeve të Tjera Mizore , Çnjerëzore ose Poshtëruese, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1984, kishte hyrë tashmë në fuqi, dhe kjo që prej 26 qershorit 1987, përfshirë aty edhe në Francë, e cila e kishte bartur paraprakisht këtë Konventë në të drejtën e saj të brendshme përmes Ligjit nr. 85-1407 të 30 dhjetorit 1985, duke futur për këtë qëllim një nen të ri 689-2 në Kodin e Procedurës Penale.
Për më tepër, ndalimi i torturës zë një vend parësor në të gjitha instrumentet ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht, në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, ose edhe në Kartën Afrikane të të Drejtave të Njeriut dhe të Popujve e cila ka posaçërisht prirje për t’u zbatuar në kontinentin afrikan nga është me prejardhje paditësi. Neni 3 i Konventës i ndalon gjithashtu me terma absolute torturën dhe dënimet ose trajtimet çnjerëzore dhe poshtëruese. Ai sanksionon një nga vlerat themelore të shoqërive demokratike dhe nuk lë vend për kurrfarë shmangieje të tij, edhe në rast rreziku publik që kërcënon jetën e kombit (Aksoy k. Turqisë, i 18 dhjetorit 1996, Recueil des arrêts et décisions 1996-VI, f. 2278, § 62, Assenov me të tjerë k. Bullgarisë, vendim i 28 tetorit 1998, Recueil 1998-VIII, f. 3288, § 93, dhe Selmouni k. Francës [DhM], nr. 25803/94, § 95, GjEDNj 1999-V).
Gjykata çmon, në pajtim me jurisprudencën e GjPNJ-së, se ndalimi i torturës ka vlerë norme të domosdoshme, domethënë si jus cogens (Al-Adsani k. Mbretërisë së Bashkuar, 21 nëntor 2001, § 60, Recueil des arrêts et décisions 2001-XI). Në qoftë se ajo ka pranuar që shtetet mund ta pretendojnë gjithsesi imunitetin në rast kërkesash civile për dëmshpërblime dhe interesa për shkak aktesh torture që do të ishin kryer jashtë ligjit të shtetit të vendgjykimit (i njëjti vendim, § 66), kjo çështje nuk ka të bëjë me pikën e imunitetit të një shteti në rast padie civile të një viktime torture, por me përgjegjësinë penale të një individi për akte torture që qenkan kryer (shih, a contrario, të njëjtin vendim, § 61).
Mirëpo, sipas mendimit të Gjykatës, nevoja e domosdoshme e ndalimit të torturës dhe e procedimit eventual të personave që e shkelin këtë rregull të përbotshëm, si edhe ushtrimi prej një shteti nënshkrues i kompetencës së përgjithshme të parashikuar nga Konventa kundër Torturës, do të zbrazeshin nga thelbi i tyre nëse do të duhej të mbahej vetëm kompetenca e këtij shteti mbi juridiksionin e vet, por pa e lejuar zbatueshmërinë e legjislacionit përkatës të atij shteti. Nuk ka dyshim, shmangia e këtij legjislacioni në favor të disa vendimeve apo ligjeve të rastit të miratuara nga shteti i vendit ku janë kryer veprat penale, duke vepruar për të mbrojtur shtetasit e vet apo, eventualisht, nën ndikimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të autorëve të këtyre veprave penale, me qëllim për t’i shfajësuar ata, do të bënte që të paralizohej çdo ushtrim i kompetencës së përgjithshme dhe do ta asgjësonte qëllimin e ndjekur nga Konventa e 10 dhjetorit 1984. Nën shembullin e Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe të GjPNJ-së, ajo është e mendimit se amnistia është përgjithësisht e papajtueshme me detyrën që kanë shtetet për të hetuar rreth veprimeve të tilla.
Duhet vënë re se, në rastin e çështjes në fjalë, ligji mauritanian për amnistinë ka dalë jo pas gjykimit dhe dënimit të paditësit, por pikërisht për të penguar çdo ndjekje penale ndaj tij. Sigurisht, në mënyrë të përgjithshme, nuk ka sesi të përjashtohet mundësia e një konflikti midis nevojës për të proceduar krimet e kryera, në njërën anë, dhe vullnetit për pajtim të trupit shoqëror të një vendi, në anën tjetër. Sidoqoftë, në Mauritani nuk është ndërtuar asnjë proces pajtimi i këtij lloji. Mirëpo, siç e ka vënë tashmë në dukje Gjykata, ndalimi i torturës zë një vend parësor në të gjitha instrumentet ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sanksionon një nga vlerat themelore të shoqërive demokratike. Prandaj nuk ka sesi të vihet përsëri në pikëpyetje detyrimi për t’i ndjekur penalisht vepra të tilla duke i dhënë pandëshkueshmëri autorit të tyre përmes miratimit të një ligji amnistie që mund të cilësohet si abuziv në vështrim të së drejtës ndërkombëtare. Gjykata vë në dukje veç kësaj se kjo e fundit nuk e përjashton që një person i amnistuar para gjykimi në shtetin nga e ka prejardhjen të gjykohet prej një shteti tjetër, çka del për shembull nga neni 17 i Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, i cili nuk e llogarit këtë situatë në numrin e shkaqeve për papranueshmëri të një çështjeje.
Së fundi, një lexim i kombinuar i neneve 4 dhe 7 të Konventës kundër Torturës, të cilët parashikojnë, nga njëra anë, detyrimin që kanë shtetet për t’u kujdesur që aktet e torturës të përbëjnë vepra penale në vështrimin e legjislacionit të tyre dhe, nga ana tjetër, kompetencën e autoriteteve të brendshme për ta marrë vendimin e tyre në të njëjtat kushte si edhe për çdo vepër penale ordinere me karakter të rëndë sipas së drejtës së tyre të brendshme, lejon afërmendsh të nxirret përfundimi, siç e bëri Gjykata e Apelit e Nimës, se kanë kompetencë jo vetëm juridiksionet franceze, por edhe ligji francez. Gjykata shënon madje se Komiteti kundër Torturës i Kombeve të Bashkuara, në përfundimet dhe rekomandimet e tij lidhur me Francën në datën 3 prill 2006, e ka përshëndetur shprehimisht vendimin e Gjykatës së Apelit të Nimës që e dënonte paditësin.
Duke pasur parasysh atë çka paraprin më sipër, Gjykata çmon në këtë çështje se ligji mauritanian i amnistisë nuk ishte në vetvete i një natyre të tillë që ta pengonte zbatimin e ligjit francez nga juridiksionet franceze të ftuara për t’u shprehur për faktet në bazë të kompetencës së përgjithshme, dhe se zgjidhja e dhënë nga juridiksionet franceze ishte e mbështetur.
Prandaj është e udhës që të shqyrtohet pika e mundësisë së qasjes dhe e parashikueshmërisë së ligjit francez të zbatuar ndaj paditësit.
Rreth kësaj pike, Gjykata vë në dukje se, në kohën e ngjarjeve që i ngarkohen paditësit, domethënë përpara hyrjes në fuqi të Kodit të ri Penal e cila ka ndodhur më 1 mars 1994, si tortura ashtu edhe aktet e mizorisë ishin të parashikuara shprehimisht nga neni 303 i Kodit Penal. Sipas këtij të fundit, ato përbënin një rrethanë rënduese që sillte si pasojë ose një dënim të ngjashëm me atë të parashikuar për një person fajtor për vrasje kur shoqëronin një krim, ose një dënim me pesë deri në dhjetë vjet heqje lirie kur shoqëronin një kundërvajtje penale. Neni 309 parashikonte nga ana e tij goditjet dhe veprimet e dhunshme që kanë shkaktuar një paaftësi të plotë personale për punë për më shumë se tetë ditë.
Gjykata vë re se paditësi është dënuar konkretisht në bazë të neneve 303 dhe 309 të Kodit Penal të cilat ishin të zbatueshme në momentin e ngjarjeve, dispozita të cituara shprehimisht në vendimin përfundimtar. Natyrisht, paditësi çmon se këto tekste nuk mund të shërbenin si bazë për dënimin e tij, përderisa nuk përcaktonin vepra penale të veçanta, por rrethana rënduese të kryerjes së një krimi ose të një kundërvajtjeje penale. Nga ana tjetër, vendimi i Gjykatës Penale përmend shprehimisht nenin 222-1 të Kodit Penal.
Gjykata shënon megjithatë se veprat e torturës dhe të akteve të mizorisë ishin, siç e ka vënë ajo në dukje, të parashikuara shprehimisht prej Kodit Penal të zbatueshëm në kohën e ngjarjeve. Nuk mund të jetë përcaktuese, në çështjen në fjalë, që ato kanë përbërë atëherë jo vepra penale të veçanta, por rrethana rënduese: ato mund t’i kundërviheshin gjithsesi ligjërisht cilitdo autor të një krimi a të një kundërvajtjeje penale dhe përbënin, mbi bazën e një teksti të posaçëm, elemente plotësuese e të veçanta të veprës penale kryesore, duke sjellë si pasojë një dënim më të rëndë sesa ai i parashikuar për veprën penale kryesore. Gjykata vë re madje se qarkorja e 14 majit 1993, e cila komenton akuzën e re, tregon shprehimisht se shprehja “tortura dhe akte mizorie” e ruan kuptimin që i jepej asaj nga jurisprudenca kur këto akte parashikoheshin në cilësinë e rrethanave rënduese, çka është ripohuar më vonë në një jurisprudencë të brendshme, meqenëse Gjykata e Kasacionit ka gjykuar madje se akuzat e reja lidhur me torturën e me aktet e mizorisë sigurojnë vazhdimësinë e akuzave të parashikuara nga Kodi i mëparshëm Penal. Ajo shënon përveç kësaj se ndryshimi midis akuzës së re dhe dispozitave të mëparshme shpjegohet kryesisht me faktin se teksti i ri ka një rreze veprimi më të gjerë sesa ai i Konventës së Nju Jorkut, përderisa kjo akuzë synon të plotësojë mangësitë në fushën e procedimeve në situata gjithsesi të huaja për çështjen në fjalë.
Nga ana tjetër, dënimi i dhënë ndaj paditësit nuk e ka tejkaluar maksimumin e parashikuar sipas dispozitave të ish-nenit 303 të Kodit Penal të zbatueshëm në kohën e ngjarjeve.
Për sa u përket dispozitave të nenit 222-1 të Kodit Penal, të hyra në fuqi më 1 mars 1994, ato përbëjnë në thelb, për mendimin e Gjykatës, një zhvillim të Kodit Penal që sjell jo shfaqjen e një akuze të re, por një rregullim legjislativ lidhur me disa sjellje të cilat parashikoheshin e dënoheshin tashmë shprehimisht nga Kodi i mëparshëm Penal. Duhet të vihet re gjithsesi se ndaj paditësit në çështjen në fjalë nuk është zbatuar dënimi më i rëndë i parashikuar sipas nenit 222-1. Kështu që nuk ka sesi të ketë kurrfarë problemi prapaveprimi.
Duke pasur parasysh sa paraprin më sipër, Gjykata çmon se, në momentin kur janë kryer, veprimet e paditësit përbënin vepra penale të përcaktuara me mjaft mundësi qasjeje dhe parashikueshmërie sipas të drejtës franceze dhe të drejtës ndërkombëtare, dhe se paditësi e kishte mundësinë që në mënyrë të arsyeshme, në rast nevoje me ndihmën e një mendimi të urtë juridik, ta parashikonte rrezikun që të ndiqej penalisht e të dënohej për aktet e torturës që ka kryer ndërmjet viteve 1990 dhe 1991 (shih, sidomos, Achour, i cituar më lart, § 54, Jorgic, i cituar më lart, § 113, dhe Korbely, i cituar më lart, § 70).
Për këtë arsye, dënimi i paditësit nga juridiksionet franceze nuk është bërë duke shpërfillur nenin 7 § 1 të Konventës.
Në dritën e kësaj konsiderate, Gjykata nuk ka përse ta shqyrtojë pikën nëse ky dënim përligjej apo jo në bazë të nenit 7 § 2 të Konventës (Streletz, Kessler e Krenz, i cituar më lart, § 108).
Për rrjedhojë, kërkesëpadia është haptazi e paarsyetuar dhe duhet të rrëzohet në zbatim të nenit 35 §§ 3 dhe 4 të Konventës.
Për këto arsye, Gjykata, njëzëri,
E shpall kërkesëpadinë të papranueshme.
Claudia WesterdiekRait Maruste
SekretareKryetar
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy