GJYKATA EVROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I KATËRT
VENDIM
Çështja nr. 43759/10 dhe 43771/12
Steven WILLCOX kundër Mbretërisë së Bashkuar
dhe Scott HURFORD kundër Mbretërisë së Bashkuar
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Katërt), e mbledhur më 8 janar 2013, me trup gjykues të përbërë nga:
Ineta Ziemele, Kryetar,
David Thór Björgvinsson,
Päivi Hirvelä,
George Nicolaou,
Paul Mahoney,
Krzysztof Wojtyczek,
Faris Vehabović, gjyqtarë,
dhe Fatoş Aracı, Zëvendës Sekretar i Seksionit,
Duke pasur parasysh aplikimet e sipërpërmendura, të depozituara përkatësisht më 2 gusht 2010 dhe 29 qershor 2012,
pas shqyrtimeve përkatëse, vendosi si më poshtë:
FAKTET
1. Kërkuesi i parë, Z. Steven Willcox, është nënshtetas britanik i lindur në vitin 1964 dhe aktualisht vuan dënimin në Burgun HM Prison Rye Hill. Kërkuesi i dytë, Z. Scott Hurford, është nënshtetas britanik, i lindur në vitin 1975 dhe aktualisht vuan dënimin në burgun HM Prison Full Sutton. Të dy kërkuesit janë përfaqësuar në Gjykatë nga Stevens Solicitors, një firmë avokatore me seli në Stafford.
A. Rrethanat e çështjes
2. Faktet e çështjes, siç janë parashtruar nga kërkuesit, mund të përmblidhen si më poshtë.
1. Kërkuesi i parë
(a) Arresti, dënimi dhe transferimi
3. Në prill të vitit 2003, kërkuesi i parë u arrestua dhe u ndalua në Tajlandë, në vendin ku ai jetonte në atë kohë, me akuza për mbajtje droge. Në nëntor të vitit 2004 ai u deklarua fajtor për veprën penale të mbajtjes për arsye shpërndarje të 24 gramëve heroine të pastër dhe 1.4 gramëve MDMA-je të pastër në formën tabletash ekstazie. Të dyja këto lloje drogash konsideroheshin si drogë e Kategorisë së 1-të nga legjislacioni tajlandez (shih paragrafin 36 më poshtë). Sasia e drogave çoi në “prezumimin e patjetërsueshëm” që droga mbahej për qëllim shpërndarje (shih paragrafin 40 më poshtë). Kërkuesi i parë u deklarua i pafajshëm për akuzën e mbajtjes për shpërndarjes të rreth 760 gramëve heroine të pastër, pasi kishte prova të pamjaftueshme për të vërtetuar mbajtjen e kësaj sasie droge prej tij. Ai u dënua me burgim të përjetshëm. Pavarësisht nga ky dënim, atij iu vlerësua pranimi i fajësisë në formën e uljes së një të tretës së dënimit. Duke e barazuar dënimin e përjetshëm me pesëdhjetë vjet heqje lirie, gjykata e dënoi kërkuesin e parë me tridhjetë e tre vjet dhe katër muaj heqje lirie për akuzën e sipërpërmendur.
4. Në qershor të vitit 2007, kërkuesi i parë kërkoi transferim në Mbretërinë e Bashkuar për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, në përputhje me një marrëveshje dypalëshe për transferimin e të burgosurve ndërmjet Tajlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar (“Marrëveshja për Transferimin e të Burgosurve – shih paragrafët 49-56 më poshtë). Kërkesa u miratua nga të dyja qeveritë.
5. Kushtet e transferimit iu bënë me dije kërkuesit të parë në një letër të dërguar nga Shërbimi Kombëtar i Menaxhimit të të Dënuarve të Mbretërisë së Bashkuar, në të cilën shpjegohej se Mbretëria e Bashkuar do të zbatonte vendimin e dhënë për të në Tajlandë. Vendimi do të ishte objekt i dispozitave për lirimin me kusht dhe lirimin e parakohshëm, sipas specifikimeve përkatëse ligjore të Mbretërisë së Bashkuar. Në të thuhej se, pas transferimit, kërkuesi i parë nuk mund të kundërshtonte vendimin ose dënimin e dhënë kundër tij para gjykatave britanike; se e drejta e rishikimit i përkiste shtetit dënues, dhe, për rrjedhojë, çdo pretendim duhej të bëhej para gjykatave të këtij shteti. Kërkuesi i parë dha pëlqimin e tij lidhur me kushtet dhe nënshkroi një formular pëlqimi.
6. Më 6 nëntor 2007, kërkuesi i parë u transferua në një burg në Angli, pasi kishte vuajtur afatin minimal prej katër vitesh në burgjet tajlandeze. Ministria e Drejtësisë kishte lëshuar një urdhër zyrtar, në përputhje me Aktin për Riatdhesimin e të Burgosurve të vitit 1984 (“Akti i 1984-ës” – shih paragrafët 57-62 më poshtë, që autorizonte vuajtjen e dënimit në Mbretërinë e Bashkuar.
7. Në qershor të vitit 2008, dënimi i kërkuesit të parë u ul nga një Dekret Mbretëror tajlandez në njëzet e nëntë vite dhe tre muaj heqje lirie. Kjo çoi në lëshimin e një urdhri të ri për të më 9 qershor 2008 nga Ministria e Drejtësisë, sipas Aktit të vitit 1984. Urdhri autorizonte mbajtjen e tij në burg dhe për 8,901 ditë të tjera (pak mbi njëzet a katër vjet). Data aktuale e lirimit të parakohshëm për kërkuesin e parë, në mes të dënimit të tij, do të jetë 5 dhjetori i vitit 2017.
(b) Proceset për rishikim juridik
8. Kërkuesi i parë kërkoi rishikim juridik të urdhrit të Ministrisë së Drejtësisë, datë 9 qershor 2008, për të autorizuar ndalimin e tij. Ai pretendonte se, pikë së pari, “prezumimi i patjetërsueshëm” sipas legjislacionit tajlandez, sipas të cilit mbajtja e drogës ishte për qëllim shpërndarje, kishte çuar në mohimin flagrant të drejtësisë dhe se zbatimi i dënimit, për rrjedhojë, ishte në kundërshtim me Nenin 5 të Konventës. Së dyti, sërish sipas Nenit 5, ai pretendonte se dënimi ishte arbitrar pasi efekti i transferimit do të thoshte se, me deklarimin fajtor, koha e harxhuar në paraburgim ishte më e gjatë se po të mos ishte deklaruar fajtor. Së fundmi, ai pretendonte se vazhdimi i zbatimit të vendimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar shkelte të drejtat e tij, të parashikuara në Nenin 3 të Konventës, pasi në vetvete dënimi ishte tejet joproporcionale me veprën e kryer. Po ashtu, ai pretendonte se nuk kishte pasur asnjë mundësi tjetër, por të binte dakord me transferimin me çdo kusht për shkak të kushteve të tmerrshme në të cilat ishte mbajtur në burgun tajlandez, kështu që pëlqimi i tij nuk ishte dhënë në gjendje të lirë.
9. Më 1 korrik 2009, Gjykata Divizionale dha vendimin e saj duke e rrëzuar pretendimin. Gjykatësi Ouseley vërente, që në fillim, se ishte rënë dakord që prezumimi në fjalë ishte i patjetërsueshëm. Ai vërente më tej se gjykata tajlandeze nuk kishte bërë asnjë koment për kundërshtimin e vazhdueshëm të kërkuesit të parë lidhur me faktin që droga ishte për përdorim personal, pasi, sipas legjislacionit tajlandez ky argument ishte i pabazë.
10. Gjyqtari rishikoi dispozitat e Marrëveshjes për Transferimin e të Burgosurve. Ai u shpreh se ishte i mendimit se thelbi i marrëveshjes ishte që pjesa e dënimit të vendosur nga shteti transferues, pjesë e dënimit e cila ka mbetur e pambaruar pas transferimit, të kryhej në shtetin pritës, duke qenë objekt i dispozitave për lirim të parakohshëm të shtetit të fundit. Në rastin e kërkuesit të parë, kjo do të thotë që, ndërkohë që i dënuar do të ishte liruar pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit në Tajlandë, ai përfitonte nga lirimi i parakohshëm në Mbretërinë e Bashkuar. Ai do të përfitonte po ashtu çdo amnisti ose falje mbretërore nga Tajlanda.
(i) Prezumimi që del nga sasia e drogës me të cilën është kapur kërkuesi
11. Duke iu kthyer trajtimit të kundërshtimit të ligjshmërisë së vazhdimit të vuajtjes së dënimit për kërkuesin e parë bazuar në procesin ligjor kundër tij në Tajlandë, Ouseley J ishte dakord që vazhdimi i zbatimit të një dënimi pas një procesi gjyqësor që përbënte mohim flagrant të drejtësisë do të ishte i paligjshëm dhe se pëlqimi i të burgosurit për transferimin nuk mund ta tjetërsonte këtë gjë. Për rrjedhojë, ishte e rëndësishme për Mbretërinë e Bashkuar të pyeste para transferimit nëse, në thelb si dhe në formë, dënimi është dhënë nga një gjykatë kompetente. Gjyqtari shprehet se rastet kur bëhej fjalë për një problem të tillë kishte të ngjarë të ishin të dukshme ose t’i bëheshin me dije përfaqësuesve diplomatikë të Mbretërisë së Bashkuar në kohën e zhvillimit të procesit gjyqësor. Ai vërente se pasojat e Marrëveshjes për Transferimin e të Burgosurve, legjislacioni i brendshëm dhe qasja e kësaj gjykate janë që sa më i padrejtë procesi gjyqësor, aq më shumë të ngjarë do të kishte për shtetin pritës të refuzonte bashkëpunimin dhe që i burgosuri do të mbetej aty ku ishte, siç kishte ndodhur në raste të tjera, ku të burgosurit nuk i kishin plotësuar kërkesat për transferim.
12. Duke iu kthyer rrethanave të çështjes së kërkuesit të parë, gjyqtari vërente se atij i është miratuar kërkesa për transferim, i cili, sipas argumenteve të kërkuesit, të analizuara më sipër, duhej të ishte refuzuar me arsyetimin e mohimit flagrant të drejtësisë në procesin gjyqësor kundër tij. Gjithsesi, kjo nuk e ndaloi kërkuesin e parë të kundërshtonte ligjshmërinë e vazhdimit të vuajtjes së pjesës së mbetur të dënimit kur ai kishte arritur në juridiksionin e Mbretërisë së Bashkuar. Gjyqtari shpjegonte se rreziku i cenimit të Marrëveshjes për Transferimin e të Burgosurve ishte i vogël për shkak të pragut shumë të lartë që duhej të realizohej para se të kërkohej lirimi, probabilitetit që çdo proces gjyqësor që e arrinte këtë prag duhej t’i vihej në dijeni autoriteteve britanike dhe faktit që kjo do të kishte çuar në refuzimin e kërkesës për transferim. Ai vijonte më tej:
“37. ... Në fakt, gjykata duhet të jetë e kujdesshme për të shmangur uljen e pragut. Kjo ulje mund të zbatohej vetëm në ato raste kur reagimi i gjykatës të jetë i tillë që një i burgosur i caktuar nuk mund të burgohet në Mbretërinë e Bashkuar për të vazhduar një dënim pas një procesi të tillë ligjor.
38. ... Në qoftë se Z. Willcox ka të drejtë kur thotë që procesi ligjor kundër tij ishte mohim flagrant i drejtësisë, ai nuk duhet të ishte transferuar sipas MTB-së [Marrëveshjes për Transferimin e të Burgosurve], por duhet të ishte lënë në burg në Tajlandë. Z. Willcox mund të ketë përfituar nga ajo që ai duhet ta konsiderojë si dëshirë për gatishmëri nga autoritetet britanike, por edhe po të jetë kështu, rezulton që të tjerët nuk duhet të përfitojnë nga e njëjta gjë. Veprimet e tij, në rast se ai ka të drejtë, në theksimin e kufizimeve të kompetencave për transferim sipas MTB-së, dhe po ashtu dëshmia e tij në disavantazh të të tjerëve në mënyra kërcënuese për jetën, duke dashur të realizojë lirimin e tij, nuk mund të qëndrojnë mbi ligjin. Por, ato mund të inkurajojnë zbatimin e kujdesshëm të këtij të fundit.”
13. Lidhur me pretendimin nëse ka pasur mohim flagrant të drejtësisë në çështjen e kërkuesit të parë, gjyqtari vërente se bazuar në provat e çështjes ka baza të arsyeshme që droga të ketë qenë për përdorim vetjak. Ai shqyrtoi natyrën dhe efektin e prezumimit dhe konstatoi se ky ishte “një prezumim shumë i rëndësishëm për një çështje shqetësuese kaq të përhapur në Tajlandë si droga”, e cila kishte çuar në rritje të ndjeshme të dënimit. Pavarësisht nga kjo, ai përfundonte duke thënë se pavarësisht zvogëlimit të rëndësisë së prezumimit të pavarësisë, proceset gjyqësore në Tajlandë nuk mund të përshkruheshin si mohim i plotë ose anulim i të drejtës për proces të rregullt ligjor. Ai vërente se procesi gjyqësor ishte mbajtur me dyer të hapura, përpara dy gjyqtarëve të pavarur; se kërkuesi i parë kishte qenë i pranishëm dhe i përfaqësuar nga avokat; se ai ishte dënuar për një vepër shumë të rëndë; se gjykata kishte dëgjuar prova që provonin kapjen e tij me drogë megjithëse ky fakt nuk ishte kontestuar prej tij; se ishin ndjekur procedurat e brendshme të dënimit dhe se ishte lejuar një ulje e konsiderueshme e dënimit për shkak pranimit të fajësisë; dhe se në fund të procesit ishte dhënë një vendim i arsyetuar.
14. Duke iu referuar një vendimi të Gjykatës së Lartë të Tajlandës për përputhshmërinë e “prezumimit të patjetërsueshëm” me prezumimin e pafajësisë (shih paragrafët 41-42 më poshtë), gjyqtari vërente se arsyetimi pas “prezumimit të patjetërsueshëm” ishte që gjykatat tajlandeze në fakt kishin marrë vendimin bazuar në sasinë e drogës së kapur. Ai theksonte se Tajlanda hasej me një situatë shumë të vështirë lidhur me drogën dhe se gjykatat në Mbretërinë e Bashkuar duhet të ishin të kujdesshme të jepnin një vendim për mënyrën sesi shtetet që nuk janë palë në Konventë i trajtonin problemet e tyre më shqetësuese në vendet e tyre.
15. Duke rrëzuar ankesën e bazuar në Nenin 5 lidhur me procesin e gjykimit, gjyqtari përfundonte se:
“51. Duhet marrë parasysh një qasje gjithëpërfshirëse e procesit ligjor. Unë përfundoj duke thënë që ishte thjesht një proces gjyqësor, i drejtë brenda kufijve të krijuar nga legjislacionin kombëtar kundër përdorimit të lëndëve narkotike lidhur me një përbërës, megjithëse të rëndësishëm. Këta kufij e prekin të drejtën, por nuk e anulojnë ose nuk e fshijnë atë tërësisht, dhe, në mendimin tim, as nuk i afrohen asaj shumë pranë ...”
16. Gjykatësi Davis ishte dakord që ankesa të rrëzohej. Lidhur me pjesën që fliste për “prezumimin e patjetërsueshëm”, ai shprehej se:
“91. ... Mund ta pranoj që, sipas standardeve të së drejtës evropiane, një prezumim i patjetërsueshëm (jo i tjetërsueshëm) i qëllimit për të shpërndarë mund të jetë i kundërshtueshëm. Por, dispozita përkatëse ligjore është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese e Tajlandës, dhe është përcaktuar si dispozitë kushtetuese prej kësaj të fundit dhe si jo në papërputhshmëri me prezumimin e pafajësisë të zbatueshëm në Tajlandë. Nuk mendoj se gjykatat britanike duhet të përpiqen të kërkojnë vendosjen dhe zëvendësimin e pikëpamjeve të tyre me pikëpamjet tajlandeze mbi çështjen. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese e Tajlandës ka theksuar po ashtu se realiteti praktik është i tillë që e bën këtë prezumim të çojë në rritje të ndjeshme të dënimit. Kjo reflekton synimin e legjislacionit tajlandez për të penguar përfshirjen e njerëzve në vepra të tilla dhe për të trajtuar këtë fenomen në Tajlandë.
92. Më tej, Z. Willcox pa dyshim ka qenë objekt i asaj që me të drejtë mund të njihet si proces i rregullt ligjor në Tajlandë. Ai kishte përfaqësuesin e tij ligjor; provat ishin marrë dhe vlerësuar në procesin kundër tij; një gjykatë e përbërë sipas ligjit vendas ka zbatuar prezumimin e pafajësisë; dhe, në fakt, në një gjykim plotësisht të arsyetuar, gjykata, pasi ka marrë provat, ka konstatuar se akuza nuk i ka vërtetuar akuzat dhe shumë më të rënda me të cilat ishte akuzuar fillimisht kërkuesi dhe për të cilat është dënuar i pandehuri tjetër në të njëjtin proces. Pra, Z. Willcox u dënua për akuza më pak të rënda, pas pranimit të fajësisë prej tij; ai u dënua nëpërmjet një procesi të rregullt; dhe dënimi ishte në përputhje me të drejtën tajlandeze ...”
(ii) Efekti i pranimit të fajësisë
17. Kërkuesi i parë pretendonte, po ashtu, se vazhdimi i dënimit të tij ishte arbitrar në kuadrin e pranimit të fajësisë. Ai shprehej se ai do të ishte dënuar me burgim të përjetshëm nëse nuk do të kishte pranuar fajësinë dhe, pas transferimit, për të do të ishte vendosur një afat minimal nga Gjykata e Lartë (shih paragrafin 63 më sipër). Në përcaktimin e afatit minimal, Gjykata e Lartë do të kishte marrë parasysh kontekstin britanik dhe, për pasojë, do të kishte fiksuar një periudhë goxha më të shkurtër sesa afati fiks i përcaktuar për të në Tajlandë. Ouseley J shpjegonte se:
“54. Ky argument është i pabazë. Po te ishte dënuar me burgim të përjetshëm e jo me vdekje, pas mospranimit të fajësisë, atij do t’i ishte dashur të vuante minimalisht 8 vjet dënim në Tajlandë para shqyrtimit të mundësisë për transferim, dhe jo katër vjet, siç kishte kaluar realisht. Pas lirimit në Britaninë e Bashkuar, ai do të kishte pasur pasoja. Dënimi me burgim të përjetshëm synohet të ketë efekt të vazhdueshëm pas lirimit dhe të përbëjë rrezik kthimi në vuajtje dënimi, gjë që përndryshe nuk do të ekzistonte. Në parim, ai duhet të konsiderohet si dënimi më i rëndë. Dallimi në rezultate nuk është rezultati i veprimit arbitrar nga Gjykata tajlandeze, por i zbatimit të ligjit tajlandez në çështjen kundër tij, ndërthurur me praktikën e dënimit në Britaninë e Bashkuar pas transferimit.”
18. Për pasojë, gjyqtari arriti në përfundimin se nuk ishte arbitrare për gjykatat britanike të zbatonin dënimin pas transferimit.
19. Davis J shtonte më tej:
“94. ... Në Tajlandë dënimi me burgim të përhershëm është – në përgjithësi dhe në varësi të amnistive ose faljeve – asgjë më tepër se burgim i përhershëm. Për shkak të faktit që në të drejtën angleze përdoret sistemi i vuajtjes minimale të dënimit, i njohur ndryshe si sistemi tarifor, mund të fillojë të shfaqet arbitrariteti i pretenduar. Në çdo rast, në asnjë mënyrë nuk është e përcaktuar qartë që autoritetet tajlandeze do të kishin pranuar të transferonin Z. Willcox si të burgosur me burgim të përjetshëm; në fakt, provat tregojnë se Tajlanda kërkon që një i burgosur i tillë të vuajë të paktën 8 vjet dënim në një burg tajlandez përpara se të shqyrtohet kërkesa e tij për riatdhesim. Provat tregojnë po ashtu se, në praktikë, për shkak të amnistive dhe faljeve të shumta të dhëna në Tajlandë, zakonisht dënimi me burgim të përhershëm shpesh transformohet në dënim me kohë të përcaktuar.”
(iii) “shpërpjestueshmëria” e theksuar e dënimit
20. Së fundmi, Ouseley J trajtoi argumentin e kërkuesit të parë që vendimi i dhënë kundër tij ishte aq i shpërpjestuar në raport me veprën e kryer saqë çonte në shkelje të Nenit 3. Ai argumentonte se në rast se kërkuesi i parë do të ishte dënuar në Mbretërinë e Bashkuar vetëm për kapje me të njëjtën sasi heroine ose ekstazie, dënimi i tij nuk do të tejkalonte kufirin maksimal prej shtatë vjet heqje lirie (shih paragrafin 46 më poshtë) dhe dënimi do të kishte qenë shumë më i ulët sesa dënimi që kishte marrë kërkuesi i parë në Tajlandë. Edhe në rast se kërkuesi i parë do të ishte kapur me të njëjtën sasi droge në Mbretërinë e Bashkuar me qëllim shpërndarjen e saj, që në fakt përbën veprën ekuivalente për të cilën është dënuar kërkuesi i parë, dënimi nuk do të kishte qenë më i gjatë se gjashtë vjet, duke pasur parasysh dënimet e dhëna për çështje të ngjashme (megjithëse vepra parashikonte si dënim maksimal dënimin me burgim të përjetshëm). Ai vijonte më tej:
“60. ... personalisht nuk më duket se ka ndonjë vlerë të shqyrtohet nëse një dënimi i përcaktuar është ose mund të jetë kaq i shpërpjestuar në raport me veprën e kryer saqë të çojë në shkelje të Nenit 3 vetëm për shkak të kohëzgjatjes së tij. Kjo për vetë faktin se ka gjithmonë faktorë të tjerë që luajnë rol në marrjen e vendimit. Këtu përfshihen natyra e veprës, arsyetimi për kuadrin e dënimit dhe rrethanat personale të autorit të veprës.”
21. Gjyqtari vërente se kërkuesi i parë kishte dhënë prova të cilat, nëse pranoheshin, tregonin se kushtet e burgosjes ishin shumë të ashpra dhe degraduese, dhe mbase dhe në shkelje të standardeve të parashikuara në Nenin 3. Ai vijonte arsyetimin e tij:
“64. ... Suksesi i Z. Willcox mund të jetë shumë dëmtues për interesat e të burgosurve të tjerë që gjenden në të njëjtat rrethana të përshkruara prej tij, dhe jo vetëm në Tajlandë. Ai nuk është dënuar për një vepër penale të pazakontë në Tajlandë. ... [A] Një drejtues i lartë i Ministrisë së Drejtësisë ka deklaruar se që prej vitit 1991 nga Tajlanda janë transferuar 33 të burgosur bazuar në MTB-në, shumica e të cilëve të gjykuar për vepra të lidhura me lëndë narkotike, me dënime që shkonin deri në 50 vjet heqje lirie. Nuk duhet supozuar që Tajlanda është indiferente nëse Mbretëria e Bashkuar liron dikë pas transferimit në Mbretërinë e Bashkuar me arsyetimin se dënimi i vuajtur është shumë i shpërpjestuar në raport me veprën e kryer. Tajlanda nuk ka rënë dakord, dhe nuk do të kishte rënë dakord që një gjykatë e Mbretërisë së Bashkuar të zëvendësonte dënimin e dhënë nga një gjykatë tajlandeze. Tajlanda refuzoi të nënshkruante një marrëveshje bilaterale me Holandën derisa kjo e fundit hoqi dorë nga preferenca e saj për ‘konvertim dënimi’. Sipas mendimit tim, mund të vihej në pikëpyetje mirëbesimi i Mbretërisë së Bashkuar në kuadrin e MTB-së dhe në kuadrin e asaj çfarë ka thënë Mbretëria e Bashkuar në kohën e transferimit; dhe, për rrjedhojë mund të pengohej ose të parandalohej transferimi i të burgosurve të tjerë në të ardhmen.”
22. Gjyqtari vërente më tej se qëndrimi ndaj transferimit të Shteteve të tjera me të cilët Mbretëria e Bashkuar kishte nënshkruar marrëveshje dypalëshe ose shumëpalëshe për transferimin e të dënuarve, mund të cenohej nga mënyra sesi Mbretëria e Bashkuar trajton të burgosurit e transferuar nga një vend tjetër. Për pasojë, ai përfundonte duke thënë që, nëse kërkuesi i parë kishte të drejtë kur thoshte se dënimi i tij është shumë në shpërpjesëtim me veprën e kryer, aq sa vazhdimi i zbatimit të tij nga Mbretëria e Bashkuar conte në shkelje të Nenit 3, atëherë Mbretëria e Bashkuar do të ishte e detyruar të refuzonte pranimin e transferimit pikërisht me këtë argument, në mënyrë që të shmangte shkeljen e Marrëveshjes për Transferim të të Burgosurve. Do të duhej të bëhej një vlerësim i përpjesëtueshmërisë përpara transferimit në mënyrë që të vendosej nëse të pranohej një kërkesë për transferim ose jo. Gjyqtari vërente se:
“66. ... Kjo do të nënkuptonte transferimin e më pak të burgosurve, pavarësisht sesa shumë do të kontestonin këta të fundit dhe pavarësisht se ata do të jepnin pëlqimin për transferim bazuar në kushtet e MTB-në ekzistuese. Kjo mund të çojë po ashtu në vendime mbrojtëse nga Mbretëria e Bashkuar lidhur me personat që duhet të transferohen, në interes të respektimit të zbatimit të MTB-së. Ka pak të ngjarë që të burgosurit të thonë diçka që mund të cenojë transferimin e tyre, të paktën deri sa ata të transferohen. Por moskrijimi i problemit deri në kthimin e tyre, thjesht sa do të vononte problemin që do të shkaktonte kjo qasje për MTB-në, duke minuar mirëbesimin, i cili është absolutisht i nevojshëm për funksionimin efektiv dhe përfitues të MTB-së. Në qoftë se argumentet e tij janë të drejta, Z. Willcox do të përfitonte nga nevoja për qartësi ligjore dhe argumentet e tij do të duheshin të zbatoheshin mbi të tjerët në të ardhmen. Për rrjedhojë, ekziston një dilemë e konsiderueshme e krijuar nga vetë thelbi i argumenteve [të kërkuesit] ...”
23. Gjyqtari theksonte se Marrëveshja për Transferimin e të Burgosurve në tërësi është hartuar me qëllimin që, pas transferimit, të zbatohet vendimi i gjykatës transferuese dhe i burgosuri të mos i nënshtrohet më gjykimit dhe vendimeve të tjera, duke adoptuar kësaj here vlerat dhe vendimet e shtetit pritës. Ai vijon më tej duke thënë se për Mbretërinë e Bashkuar rishikimi i vendimit pas transferimit do të thotë të bëhej pikërisht ajo që kundërshtohet nga Marrëveshja për Transferimin e të Burgosurve. Ai shton se që ta interpretosh marrëveshjen sikur Mbretëria e Bashkuar ta kishte këtë kompetence do të ishte keqkuptim i kushteve të saj. Ai vijon më tej:
“69. Zgjidhja e kësaj dileme nuk mund të gjendet e gatshme as në vendimin e shkurtër obiter të paarsyetuar të GJEDNJ-së në çështjen Drozd dhe Janousek [26 qershor 1992, § 110, Seritë A nr. 240], që i kërkon shtetit pritës të mos bashkëpunojë për transferimet. Në atë çështje nuk trajtohet problemi i ngritur këtu. Aty nuk trajtohej problemi që, mbi bazën e argumenteve, ky i ndaluar duhej të kishte mbetur në burg në kushte shumë më të këqija sesa në kushtet që kishte përfituar pas transferimit. Në të nuk shqyrtohej as problemi që pasoja e suksesit të çështjes së tij për të bindur qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për të bashkëpunuar me Tajlandën, në interes të tij dhe në një mënyrë që ai tani thotë se nuk duhej të ishte bashkëpunuar më parë, mund të çojë në situatën që të tjerët të lihen të vuajnë në Tajlandë ose gjetkë, pas proceseve gjyqësore dhe për afate kohore dhe në kushte të cilat mund të cenojnë vetë thelbin e argumenteve të kërkuesit. Argumenti i Z. Willcox, nëse është i vërtetë, bën të nevojshëm pranimin e faktit që ai duhej të ishte aktualisht ende në burg në Tajlandë, dhe tani që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është në dijeni të shpërpjestueshmërisë së masës së dënimit në raport me veprën e kryer në çështjen kundër tij, të tjerë në pozicione të ngjashme me të duhet të vuajnë dënimin aty ku janë dënuar në mënyrë që të drejtat e tyre të mos shkelen kur ata të transferohen në Mbretërinë e Bashkuar. Zbatimi i saj për të cilën është shprehur GJEDNJ-ja në këto rrethana, sipas arsyetimit të mësipërm, do të ishte arritja e të kundërtës së asaj çfarë ajo mendonte të arrinte në çështjen Drozd dhe Janousek. Asaj nuk i duhet të merret me mënyrën sesi komenti obiter për detyrimin për refuzimin e bashkëpunimit mund t’i kërkonte Mbretërisë së Bashkuar të minonte qëllimin e marrëveshjeve ndërkombëtare si alternativë, pavarësisht për sa shkurt ndodh kjo gjë, deri sa shteti transferues të refuzonte vazhdimin e bashkëpunimit sipas MTB-së, ashtu siç ka të drejtë të bëjë. GJEDNJ-ja nuk mund të ketë parashikuar se detyrimi për të mos bashkëpunuar duhet të nënkuptojë që transferimet të miratohen nga njëra anë (shtet) dhe më pas të zbatohen nga ana tjetër (nga shteti tjetër), në një mënyrë që mund të cenojë mirëbesimin e shtetit kërkues. Këto probleme reale thjesht nuk kanë qenë të pranishme më parë dhe, për pasojë, normalisht që nuk janë trajtuar.”
24. Gjyqtari përfundoi se në fakt, trajtimi i bërë për kërkuesin e parë nga Mbretëria e Bashkuar për qëllime të Nenit 3 nuk ishte përcaktimi i dënimit, por transferimi i dënimit, për të cilin kërkuesi i parë kishte rënë dakord për qëllime të vazhdimit të vuajtjes të dënimit të dhënë në Tajlandë në Mbretërinë e Bashkuar. Pra, gjyqtari konstatoi se, trajtimi i pretenduar si mizor, çnjerëzor ose degradues, i cili çoi në pretendim për shkelje të Nenit 3, kishte të bënte me veprimin mbi kërkesën për transferim, me pasojën e nevojshme që vendimi të vazhdohej të zbatohet. Ai vijoi më tej:
“70. ... Nuk do të ishte me vend të bëhej pyetja nëse ky dënim është kaq i shpërpjestuar në raport me veprën e kryer saqë të çojë në shkelje të Nenit 3. Z. Willcox e kishte në dorë të zgjidhte se ku të vuante dënimin, në Tajlandë apo në Mbretërinë e Bashkuar. Ai zgjodhi të vuante dënimin në Mbretërinë e Bashkuar për përfitimet për të cilat ai ishte në dijeni, dhe për këtë arsye, dha pëlqimin për transferimin. Ai e dinte që përfitimet nuk përfshinin rishikimin e dënimit. Koncepti i ‘shpërpjestueshmërisë’ së dënimit nuk është zëvendësues për formulimin e Nenit 3, por thjesht një ilustrim i asaj se çfarë mund të mbulojë ai; trajtimi bazë prapë duhet të jetë mizor, çnjerëzor ose degradues. Unë nuk mund të pranoj që funksionimi i kësaj dispozite humane, nga e cila kërkuesi ka përfituar nëpërmjet vendimit të marrë prej tij, pas marrjes së informacionit të nevojshëm, mund të përshkruhet e tillë, apo e aftë për të çuar në një trajtim që është mizor, çnjerëzor ose degradues. Vazhdimi i zbatimit të dënimit pas transferimit thjesht nuk e shkel Nenin 3, pavarësisht se sa e madhe është shkalla e shpërpjestueshmërisë në sytë e Mbretërisë së Bashkuar, apo pavarësisht sesa arbitrar të mund të ketë qenë dënimi.”
25. Në këto rrethana, Mbretërisë së Bashkuar nuk i është kërkuar të shqyrtojë përpara transferimit nëse dënimi i dhënë nga gjykata e shtetit transferues ishte kaq i shpërpjestuar sa të çonte në shkelje të Nenit 3, në rast se do të zbatohej.
26. Lidhur me parashtrimin e kërkuesit të parë se pëlqimi nuk ishte dhënë lirshëm dhe, si i tillë, duhej të mos merrej parasysh, gjyqtari vërente se për të burgosurit jashtë shtetit që kërkojnë transferim, gjithmonë do të ketë disa rrethana vështirësie që prekin pëlqimin e tyre; pikërisht për këto arsye ata kërkojnë transferimin. Vetëm fakti i thjeshtë që të drejtat e Nenit 3 janë shkelur në një vend të caktuar transferues nuk mund të nënkuptojë që transferimi i të burgosurve duhet të refuzohet me arsyetimin që pëlqimi i të burgosurit mund të mos ketë qenë efektiv. Në qoftë se gjykata do të vendosë që pëlqimi i kërkuesit të parë ishte dhënë për shkak të kushteve të burgut, e njëjta gjë do të ishte e vërtetë dhe për të burgosur të tjerë në Tajlandë, të cilët ndodhen në të njëjtat kushte e të cilët, për pasojë, nuk do jepnin kurrë pëlqimin e tyre efektiv për transferimin. Gjyqtari përfundonte si më poshtë:
“74. Asgjë në jurisprudencën e GJEDNJ-së nuk kërkon që marrëveshjet ndërkombëtare, të nënshkruara për një qëllim përfitues, që funksionojnë në përfitim të individit në fjalë, të minohen në këtë mënyrë, e le më të karakterizohen si shkelje të Nenit 3 ...”
27. Së fundmi, gjyqtari konstatoi se edhe në rast se vazhdimi i vuajtjes së dënimit është në gjendje të shkelë Nenin 3 për shkak të kohëzgjatjes së dënimit, dënimi i dhënë për kërkuesin e parë nuk është aq i shpërpjestuar në raport me veprën e kryer, ose kaq arbitrar sa ta bënte Mbretërinë e Bashkuar të shkelte Nenin 3. Megjithëse bazuar në standardet e dënimit të Mbretërisë së Bashkuar, dënimi ishte i rëndë, kërkuesi i parë nuk e kishte kryer veprën në Mbretërinë e Bashkuar; ai i kishte kryer veprat në Tajlandë, ku ka një problem të madh me lëndët narkotike dhe ku qeveria dhe ligjvënësit kanë të drejtë t’i konsiderojnë dënimet e rënda si legjitime dhe të nevojshme. Në këtë aspekt, gjyqtari vërente se:
“77. ... Do të ishte shumë gabim të injorohej fakti që dënimi nuk është dhënë nga Mbretëria e Bashkuar, që vendimi nuk trajtonte çështjen e lëndëve narkotike në Mbretërinë e Bashkuar sipas vlerave dhe standardeve të vendit. Vendimi është dhënë nga një shtet tjetër, i cili ka vlerat, vendimet dhe objektivat e veta për të trajtuar një fenomen, i cili njihet ndërkombëtarisht si shumë problematik, dhe përcaktimi i rëndësisë së këtij fenomeni për Tajlandën i takon vetëm Tajlandës. Vendimi lidhur me shpërpjestueshmërinë e dënimit si e tillë që çon në shkelje të Nenin 3, kur ai zbatohet në Mbretërinë e Bashkuar, nuk mund ta injorojë këtë dimension dhe të vijojë sikur vepra të ishte kryer në Mbretërinë e Bashkuar ose sikur dënimi të ishte dhënë nga Mbretëria e Bashkuar. Shpërpjestueshmëria e theksuar lidhet me ashpërsinë e veprës dhe me rrethanat a autorit të saj. Nëse mungesa e përpjesëtueshmërisë është kyçi i analizës, ajo nuk mund të shqyrtohet në boshllëk, ose sikur e gjithë bota të ketë të njëjtat probleme, në të njëjtën masë, dhe të ndajë të njëjtat pikëpamje lidhur me mënyrën sesi t’i zgjidhë problemet. Gjithsesi, pak do të kishte kuptim të gjykohej niveli i shpërpjestueshmërisë duke prezumuar se vendimi është dhënë në Mbretërinë e Bashkuar, në një kohë kur nuk është kështu. Shpërpjestueshëria kërkon marrjen parasysh të shtetit transferues, ose, në të kundërt, do të kemi të bëjmë me një pikëpamje false të shpërpjestueshmërisë. Problemet dhe këndvështrimet e shtetit ku është kryer vepra dhe ku është dhënë dënimi janë shumë të rëndësishme.”
28. Davis J vërente se ishte shumë e rëndësishme të mbahej parasysh se, sipas të drejtës angleze, dënimi maksimal për veprën për të cilën ishte dënuar kërkuesi ishte burgimi i përjetshëm. Megjithëse ai pranonte se në Gjykatën Mbretërore (Crown Court) në Angli kërkuesi nuk mund të priste që, pas pranimit të fajit, përfshirë edhe pranimin e qëllimit, të dënohej me më shumë se katër ose pesë vjet burg dhe shtonte se zbatimi i një dënimi nga një shtet kontraktues pas transferimit, për qëllimet e Nenit 3, nuk duhej të barazohej me natyrën ndëshkuese të dënimit nga shteti kontraktues. Ai ishte dakord me Ouseley J se trajtimi përkatës nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar për qëllimet e Nenit 3 ishte marrëveshja e tyre për transferimin e kërkuesit. Ai vazhdonte më tej:
“96. Kur çështja shihet në këtë mënyrë, ashtu siç duhet të shihet sipas mendimit tim, ky argument në emër të Z. Willcox bie. Z. Willcox duhet të vuajë dënimin bazuar në ligjin anglez vetëm lidhur me lirimin e parakohshëm, gjë e cila është në favor të tij, për pjesën tjetër të dënimit pasi kjo klauzolë parashikohet nga MTB-ja. Në rast se ai nuk vuan pjesën e mbetur të dënimit, atëherë shkelet zbatimi i kushteve të MTB-së dhe ... do preken politikat mbështetëse që qëndrojnë pas Aktit për Riatdhesimin e të Burgosurve të vitit 1984 dhe vetë MTB-ja do të bëhet një letër pa jetë sa hap e mbyll sytë, në dëm të të burgosurve në Tajlandë, të cilët shpresojnë për riatdhesime në të ardhmen ...
97. Në mendimin tim, parë në kontekst, nuk mund të thuhet se dënimi i vendosur për Z. Willcox është i tillë që zbatimi i tij e bën Mbretërinë e Bashkuar të shkelë Nenin 3. Tajlanda qartazi ka vendosur të vërë në jetë vendime penguese për keqpërdorimin e lëndëve narkotike; për Z. Willcox është organizuar një proces ligjor me një gjykatë të përbërë siç duhet, dhe dënimi për Z. Willcox, në moshë madhore, është dhënë pas një procesi të përshtatshëm ligjor, në përputhje me legjislacionin tajlandez. Vlefshmëria e vendimit është vërtetuar nga Gjykata Kushtetuese e Tajlandës. Pavarësisht nga iniciativat diplomatike që mund të bëhen, ai ka të drejtë të përfitojë nga amnistitë ose faljet periodike, të cilat botohen në mënyrë periodike në Tajlandë, si dhe përfiton po ashtu nga dispozitat për lirim të parakohshëm të parashikuara nga e drejta angleze.”
29. Më 3 shkurt 2010, Gjykata e Lartë e refuzoi lejen për apel të vendimit në Gjykatën Divizionale.
2. Kërkuesi i dytë
30. Kërkuesi i dytë u arrestua në Tajlandë më 19 mars 2005 për kalimin e kufirit Kamboxhiano-Tajlandez me 240 pilula metamfetaminë. Ai u deklarua fajtor për akuzën penale të paligjshmërisë së importimit të 240 pilulave metamfetaminë dhe u dënua me tridhjetë vjet heqje lirie. Një amnisti mbretërore, e dhënë menjëherë më pas, e uli dënimin për të me njëzet e gjashtë vjet dhe tetë muaj heqje lirie.
31. Kërkuesi i dytë kërkoi të transferohej në Mbretërinë e Bashkuar për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. Më tej, ai kërkoi që dënimi për të të ulej pas transferimit deri në dënimin maksimal të parashikuar për të njëjtën vepër në Mbretërinë e Bashkuar. Në kohën e kryerjes së veprës nga kërkuesi i dytë, metamfetamina parashikohej si drogë e Klasës B sipas legjislacionit të Mbretërisë së Bashkuar. Në rast se kërkuesi i dytë do ta kishte kryer veprën në Mbretërinë e Bashkuar, ai do të ishte dënuar me maksimumi katërmbëdhjetë vjet heqje lirie. Më 18 janar 2007 metamfetamina u riklasifikua si drogë e Klasës A në Mbretërinë e Bashkuar. Dënimi maksimal për importimin e drogave të Klasës A ishte dënimi me burgim të përjetshëm (shih paragrafin 44 më poshtë).
32. Më 24 korrik 2009, Ministria e Drejtësisë e pranoi kërkesën e kërkuesit të dytë për transferim në Mbretërinë e Bashkuar për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. Lidhur me kërkesën e tij për ulje dënimi, Ministria shpjegonte:
“Siç mund të jeni në dijeni, në kohën kur keni kryer veprën në Tajlandë, një vepër e ngjashme në Mbretërinë e Bashkuar do të kishte përbërë veprën penale të importimit të drogës së Klasës ‘B’. Si e tillë, dënimi maksimal i parashikuar për të ishte 14 vjet heqje lirie. Por, bazuar në kushtet e Marrëveshjes së Transferimit të të Burgosurve ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Tajlandës, ne na kërkohet të zbatojmë dënimin e dhënë për ju nga gjykatat tajlandeze. Nuk ka asnjë kërkesë bazuar në të drejtën angleze për të ndryshuar ose për të ulur një dënim të vendosur nga një gjykatë jashtë shteti, kur ky dënim e tejkalon dënimin maksimal ligjor dhe kur ky ndryshim nuk është parashikuar nga një marrëveshje përkatëse ndërkombëtare.”
33. Kërkuesit të dytë iu dha mundësia të tërhiqte kërkesën e tij për transferim. Ai nuk e bëri këtë gjë. Të dyja shtetet dhe kërkuesi i dytë ranë dakord për transferimin, në përputhe me Marrëveshjen për Transferimin e të Burgosurve, kështu që kërkuesi i dytë mbërriti në Angli më 11 nëntor të vitit 2009. Data aktuale e lirimit të tij të parakohshëm është gushti i vitit 2020.
34. Në shkurt të vitit 2010, kërkuesi i dytë kërkoi falje me kusht nga Sekretari i Shtetit bazuar në të drejtën mbretërore për falje (mëshirë). Më 27 prill 2010, kërkuesi i dytë mori një përgjigje ku, inter alia, thuhej;
“Sekretari i Drejtësisë ka arritur në përfundimin se ai nuk ka kompetencë mbi marrëveshjet ndërkombëtare me Tajlandën për të dhënë falje me kusht. Dhënia e kësaj faljeje do të çonte në shkelje të kësaj marrëveshje si dhe do të ishte në kundërshtim me politikat e Mbretërisë së Bashkuar, të shprehura në të.”
35. Kërkuesi i dytë aplikoi për leje për rishikimin juridik të vendimit, duke pretenduar se Sekretari i Shtetit i kishte interpretuar gabimisht kompetencat e tij sipas të drejtës mbretërore për falje dhe se ai kishte dështuar në dhënien e një vendimi në përputhje me vendimin e tij. Leja për rishikim u rrëzua më 17 nëntor 2011. Kërkesa e kërkuesit të dytë për të qartësuar një çështje ligjore me interes të përgjithshëm publik për Gjykatën Supreme u rrëzua më 2 mars 2012.
B. Legjislacioni dhe praktika përkatëse
1. Legjislacioni tajlandez për veprat e lidhura me lëndët narkotike
36. Seksioni 15 i Aktit Tajlandez për Lëndët Narkotike i vitit 1979 përmban një ndalim të përgjithshëm për prodhimin, importimin, eksportimin, shpërndarjen ose mbajtjen e lëndëve narkotike të Kategorisë së 1-rë.
37. Seksioni 65 parashikon se prodhimi, importimi dhe eksportimi i lëndëve narkotike të Kategorisë së 1-rë dënohet me burgim të përjetshëm dhe me gjobë. Dënimi me vdekje zbatohet në rastet kur vepra është kryer për qëllime shpërndarje.
38. Seksioni 67 trajton mbajtjen e thjeshtë të 3 ose më pak gramëve lëndë narkotike të Kategorisë së 1-rë: koha e parashikuar për vuajtje dënimi është nga një deri në dhjetë vjet, ose gjobë.
39. Seksioni 66 trajton mbajtjen e lëndëve narkotike të Kategorisë së I. Në rastet kur sasia e kapur e drogës është nën 3 gramë, koha e parashikuar për vuajtje dënimi varion nga katër deri në pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie, ose gjobë. Për sasi nga 3 deri në 20 gramë, koha e parashikuar për vuajtjen e dënimit varion nga katër vjet heqje lirie deri në burgim të përjetshëm dhe gjobë. Për sasi që i kalojnë 20 gramë, dënimi është burgim i përjetshëm dhe vendosja e një gjobe, ose dënim me vdekje.
40. Paragrafi 3 i Seksionit 15 parashikon që prodhimi, importimi, eksportimi ose mbajtja e 3 ose më shumë gramësh lënde narkotike të Kategorisë së I konsiderohet si prodhim, importim, eksportim ose mbajtje për qëllim shpërndarje.
41. Në vitin 2001 Gjykata Kushtetuese e Tajlandës shqyrtoi pajtueshmërinë e “prezumimit të patjetërsueshëm” me dispozitën kushtetuese që një person i dënuar për një vepër të prezumohej i pafajshëm dhe se duhej të provohej se ishte fajtor. Në atë kohë prezumimi aplikohej për sasinë 20 gramë lëndë të pastër narkotike, jo për tre gramë. Gjykata arriti në përfundimin se “prezumimi i patjetërsueshëm” dhe dispozita kushtetuese ishin në përputhje me njëra-tjetrën. Ajo nënvizoi që qëllimi i aktit ishte:
“të bënte të mundur shtypjen dhe kontrollin e lëndëve narkotike dhe të tregonte harmoni me konventën ndërkombëtare kundër lëndëve narkotike, në të cilën Tajlanda është palë. Kjo për shkak se në ditët e sotme lëndët narkotike përbëjnë problem ndërkombëtar dhe shkaktojnë rreziqe të rënda kundër shëndetit dhe jetës së njerëzve. Si rezultat, dënimet duhet të jenë më të rënda sesa zakonisht dhe masat ndëshkuese duhet të jenë absolute.”
42. Qëllimi i legjislacionit ishte ndëshkimi i mbajtësve të më shumë se 20 gramësh lëndë të pastër narkotike, duke i konsideruar veprimet e tyre të kryera për qëllim shpërndarje. Lëndët narkotike të Kategorisë së I përbëjnë rrezik të madh për shoqërinë. Prodhimi dhe posedimi i tyre janë të ndaluara. Sa më shumë të prodhohej dhe të posedohej, aq më i lartë është dënimi. Gjithsesi, Gjykata u shpreh se përcaktimi në ligj i lëndëve narkotike të Kategorisë së I thjesht shërbente si tregues krahasimor për veprën penale, e cila çonte në dënim. Ligji parashikon gjoba, duke treguar hapat nëpërmjet të cilave ato rriten paralelisht me rritjen e sasisë së kapur. Pavarësisht nëse droga mbahet për përdorim vetjak ose për qëllim shpërndarje, mbi autorin e veprës vendosen gjoba të ndryshme në varësi të sasisë së kapur të drogës. Për një person për të cilin vendosej një gjobë duhej të demonstrohej se ai kishte në posedim sasitë përkatëse.
2. Legjislacioni dhe praktika për veprat e lidhura me drogën në Mbretërinë e Bashkuar
43. Seksioni 3(1) i Aktit për Keqpërdorimin e Drogave i vitit 1971 (“Akti i 1971-it”) parashikon ndalimin e importimit ose eksportimit të një droge të kontrolluar. Në përputhje me seksionin 50(3) të Aktit të Menaxhimit të Doganave dhe të Akcizës të vitit 1979 (“Akti i 1979-s”), një person është fajtor për një vepër në rast se importon ose është i lidhur me importimin e ndonjë malli në kundërshtim me parashikimet ligjore.
44. Seksioni 50(4) dhe (5) dhe Tabela 1 e Aktit të 1979-s parashikojnë që për veprën e importimit të drogës së Kategorisë A, dënimi maksimal është burgimi i përjetshëm dhe vendosja e një gjobe. Për importimin e një droge të Klasës B, dënimi maksimal është katërmbëdhjetë vjet heqje lirie dhe vendosja e një gjobe.
45. Seksioni 5 i Aktit të 1971-it e parashikon mbajtjen e një droge të kontrolluar si vepër penale, në përjashtim të disa përjashtimeve të kufizuara. Ai parashikon më tej se një person, i cili ka një drogë të kontrolluar në zotërim, qoftë në mënyrë të ligjshme ose jo, me synimin e shpërndarjes tek një person tjetër, kryen vepër penale, sërish në përjashtim të disa përjashtimeve të kufizuara.
46. Seksioni 25 dhe Tabela 4 e Aktit të 1971-it trajtojnë ndëshkimin dhe dënimin e autorëve të veprave të tilla. Për mbajtje të një droge të Klasës A, dënimi maksimal është shtatë vjet heqje lirie dhe një gjobë. Për mbajtjen e një droge të Klasës A me qëllim shpërndarje, dënimi maksimal është burgimi i përjetshëm dhe një gjobë.
47. Heroina, ekstazia dhe metamfetamina janë droga të Klasës A. Deri më 18 janar 2007, metamfetamina ishte drogë e Klasës B.
48. Udhëzimi më i fundit për dënimet e lidhura me lëndët narkotike, i përgatitur nga Këshilli i Dënimeve, ka dalë në shkurt të vitit 2012. Gjykatave që japin dënime në Mbretërisë e Bashkuar u kërkohet të respektojnë udhëzimin në rastin e dhënies së çdo dënimi pas datës 27 shkurt 2012, në përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është në kundërshtim me interesat e drejtësisë. Udhëzimi kërkon vlerësimin e rolit të autorit të veprës dhe merr parasysh sasinë e drogës së përfshirë në vepër për të ofruar një pikë nisëse të përshtatshme për llojin e dënimit.
3. Marrëveshja ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Tajlandës për Transferimin e të Dënuarve dhe për Bashkëpunimin në Zbatimin e Vendimeve Penale, e vitit 1990
49. Marrëveshja për Transferimin e të Burgosurve ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Tajlandës ka hyrë në fuqi në shkurt të vitit 1991. Në pjesën e saj hyrëse përmendet dëshira e palëve për të shtrirë më tej bashkëpunimin në zbatimin ligjor dhe në administrimin e drejtësisë; për të bashkëpunuar për zbatimin e vendimeve penale; dhe për të lehtësuar riintegrimin e suksesshëm të autorëve të veprave më vonë në shoqëri.
50. Neni 2 parashikon transferimin e personave të dënuar nga një shtet transferues tek shteti pritës për të vuajtur dënimet e dhëna në shtetin e parë.
51. Neni 3 parashikon objektin e zbatimit të Marrëveshjes. Ai parashikon disa kushte, duke përfshirë dhe që aktet për të cilat është dhënë vendimi të jenë vepra penale për të dyja shtetet; që autori i veprës të jetë nënshtetas i vendit pritës; që të jetë vuajtur koha minimale e dënimit; që vendimi të jetë i formës së prerë dhe që të mos ketë procese pezull; dhe që të dyja palët dhe i burgosuri përkatës të jenë dakord për transferimin.
52. Neni 5 parashikon që shteti transferues të ruajë juridiksionin ekskluziv lidhur me vendimet e dhëna në gjykatat e tij, dënimet e dhëna prej tyre dhe procedurat për rishikimin, modifikimin ose anulimin e këtyre vendimeve dhe dënimeve.
53. Neni 6(1) parashikon që vazhdimi i zbatimit të vendimit pas transferimit të drejtohet nga ligjet dhe nga procedurat e shtetit pritës, duke përfshirë dhe ligjet dhe procedurat e lidhura me kushtet e burgimit dhe me uljen e afatit të burgimit nëpërmjet detyrimit për paraqitje, lirimit me kusht, anulimit, etj.
54. Neni 6(2) parashikon se, bazuar në nenin 6(3), shteti pritës është i detyruar të respektojnë natyrën ligjore dhe kohëzgjatjen e dënimit siç përcaktohet nga shteti transferues.
55. Neni 6(3) parashikon se asnjë vendim për mohim lirie nuk duhet të zbatohet nga shteti pritës në mënyrë të tillë që ta zgjasë atë përtej periudhës së specifikuar në dënimin e gjykatës të shtetin transferues. Ai parashikon që zbatimi duhet të përkojë “për aq sa është e mundur” me dënimin e dhënë në shtetin transferues.
56. Neni 6(6) i kërkon shtetit pritës të informojë shtetin transferues për çdo rast të dhënies së lirimit me kusht, për përfundimin e dënimit, ose për rastet e arratisjes.
4. Procedura e transferimit
57. Seksioni 1(1) i Aktit për Riatdhesimin e të Burgosurve të vitit 1984 parashikon që, në varësi të dispozitave të tjera të Seksionit 1, Sekretari i Shtetit duhet të lëshojë një urdhër për transferimin e një të burgosuri në Mbretërinë e Bashkuar, në të cilin të thuhet se, në përputhje me marrëveshjen e transferimit të të burgosurve, shtetet në fjalë dhe i burgosuri (nëse është e nevojshme) kanë dhënë pëlqimin për transferimin.
58. Seksioni 1(2) e ndalon Sekretarin e Shtetit ta lëshojë urdhrin kur ai është i mendimit që transferimi është i pavend.
59. Seksioni 1(4) parashikon që Sekretari i Shtetit nuk lëshon urdhër në përjashtim të rasteve kur ai është i bindur që janë marrë të gjithë hapat e nevojshëm për ta informuar të burgosurin me shkrim, në gjuhën e tij amtare:
“(a) për thelbin, për aq sa është e mundur, e çështjes së të burgosurit, dhe për procedurat ndërkombëtare në përputhje me të cilat është propozuar transferimi për të,
(b) për ndikimin e urdhrit mbi të burgosurin, urdhër i cili do të lëshohet lidhur me të në përmbushje të këtij Akti,
(c) ..., për ndikimin mbi të burgosurin të ligjit lidhur me ndalimin e tij sipas këtij urdhri (duke përfshirë efektin e çdo zbatimi ose instrumenti bazuar në të cilin ai mund të lirohet më shpejt sesa është parashikuar nga kushtet e urdhrit),
...
(e) për kompetencat e Ministrit përkatës, të parashikuara në Seksionin 6 të këtij Akti [revokimi i urdhrave ];”
60. Në përputhje me Seksionin 3(1) të Aktit të vitit 1984, qëllimi i urdhrit është të autorizojë prurjen e të burgosurit në Mbretërinë e Bashkuar dhe ndalimin e tij në përputhje me dispozitat që i japin jetë procedurave ndërkombëtare, mbi bazën e të cilave është transferuar i burgosuri.
61. Seksioni 3(3) parashikon që në përcaktimin e dispozitave të zbatueshme, Sekretari i Shtetit, deri në masën që atij i duket në përputhje me marrëveshjen për transferimin e të burgosurit, merr parasysh papërshtatshmërinë e dispozitave të urdhrit, të cilat, inter alia, përfshijnë nëse:
(a) ato janë ekuivalente me më shumë se maksimumin e gjobave (nëse janë të kërkueshme) që mund t’i vihen një personi, nga ana Mbretërisë së Bashkuar, ku personi do të vuajë dënimin; kryerjen e një vepre që korrespondon me veprën për të cilën i burgosuri është dënuar në shtetin ... nga i cili po transferohet; ...”
62. Seksioni 6 i Aktit të 1984-s e autorizon Sekretarin e Shtetit të revokojë një urdhër, ose të lëshojë një urdhër të ri, nëse në çdo kohë një akt i tillë atij i duket i përshtatshëm për t’i dhënë fuqi marrëveshjes për transferimin e të burgosurve, ose në një çështje që përmendet në seksionin 1(2) (shih paragrafin 58 më sipër).
63. Në përputhje me Seksionin 273 të Aktit të Drejtësisë Penale të vitit 2003 (“Akti i 2003-it”), kur një i dënuar me burgim të përjetshëm është transferuar në Mbretërinë e Bashkuar në përputhje me urdhrin e lëshuar sipas Aktit të 1984-ës, Sekretari i Shtetit duhet t’ia dërgojë çështjen Gjykatës së Lartë, në mënyrë që ajo të përcaktojë afatin minimal gjatë të cilit duhet të vuhet dënimi para pranimit të kërkesës për lirim me kusht.
ANKESAT
64. Të dy kërkuesit u ankuan bazuar në Nenin 3 të Konventës për dënime shumë të shpërpjestuara në raport me veprat e kryera prej tyre.
65. Të dy kërkuesit u ankuan po ashtu bazuar në Nenin 5 § 1 të Konventës se vazhdimi i dënimit në Mbretërinë e Bashkuar ishte arbitrar, pasi duke pranuar fajësinë atyre u ishte kërkuar realisht të kalonin një kohë më të gjatë në burgim sesa po të mos e kishin pranuar fajësinë.
66. Së fundmi, kërkuesi i parë pretendonte se, si rezultat i “prezumimit të patjetërsueshëm” të aplikuar në të drejtën tajlandeze në çështjen kundër tij, procesi gjyqësor kundër tij ishte në mënyrë flagrante i padrejtë dhe, për pasojë vazhdimi i ndalimit të tij ishte arbitrar dhe i paligjshëm në kuptimin e Nenit 5 § 1.
LIGJI
A. Bashkimi i vendimeve
67. Duke pasur parasysh ngjashmëritë faktike dhe bazën ligjore, Gjykata vendosi që të çështjet e të dy kërkuesve të bashkohen, mbi bazën e Nenit 42 § 1 të Rregullores së Gjykatës.
B. Përputhshmëria e kërkuesit të dytë me Nenin 35 § 1
68. Gjykata vëren që në fillim se kërkuesi i dytë u transferua në Mbretërinë e Bashkuar më 11 nëntor të vitit 2009. Ai nuk e kundërshtoi urdhrin e lëshuar nga Sekretari i Shtetit për të autorizuar vazhdimin e vuajtjes së dënimit në Mbretërinë e Bashkuar për të. Por, ai kërkoi rishikimin juridik të vendimit të fundit të Sekretarit të Shtetit, datë 27 prill 2010, i cili i refuzonte atij lirimin me kusht. Ai ngriti padi në Gjykatë brenda afatit prej gjatë muajsh nga refuzimi i kërkesës së tij për certifikimin e një aspekti ligjor me rëndësi të përgjithshme për publikun, më 2 mars 2012. Gjykata vëren se çështja që ngrihet në këtë pikë lidhur me kërkuesin e dytë ka të bëjë me faktin nëse ai i ka përmbushur kërkesat e Nenit 35 § 1 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“Gjykata mund të marrë në shqyrtim çështjen vetëm pasi të jenë shterur mjetet e brendshme, sipas rregullave përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare dhe brenda një afati prej gjashtë muajsh nga data e marrjes së vendimit përfundimtar.”
69. Gjithsesi, nuk është e nevojshme për Gjykatën të shqyrtojë këtë element, pasi aplikimi në çdo rast është i papranueshëm për arsyet e dhëna më poshtë.
C. Ankesat bazuar në nenin 3 të Konventës
70. Kërkuesit pretendojnë se dënimet kundër tyre janë shumë të shpërpjestuara në raport me veprat e kryera dhe se vazhdimi i zbatimit të vendimeve nga Mbretëria e Bashkuar shkel të drejtat e tyre sipas nenit 3 të Konventës, i cili parashikon se:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose
degraduese.”
71. Kërkuesit pretendojnë se konstatimi i Gjykatës Divizionale se vetëm vendimi për të pranuar transferimin është i rishikueshëm sipas Nenit 3 është i pasaktë, dhe se vazhdimi i zbatimit të këtyre vendimeve shkaktonte po ashtu shkelje të këtij Neni. Sipas tyre, një dënim kaq i shpërpjestuar në raport me veprat e kryera prej tyre mund të çojë në shkelje të Nenit 3, bazuar në çështjen Harkins dhe Edwards k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 9146/07 dhe 32650/07, § 133, datë 17 janar 2012. Nuk ka prag vlerësimi në Nenin 3 dhe është e qartë se objektivat shtesë, megjithëse legjitime, ose madje dhe për t’u përshëndetur, nuk e cenojnë natyrën absolute të Nenit 3. Fakti që dënimi është dhënë në Tajlandë nuk ka të bëjë me vlerësimin nëse ka shkelje ose jo: kur një dënim konsiderohet si shumë i shpërpjestuar, ai nuk mund të shpëtohet duke nga konsiderata për një kontekst dënimi alternativ. Ai zbatohet në mënyrë absolute në kontekstin e të burgosurve të transferuar.
72. Lidhur me natyrën jopërpjesëtimore të dënimit të dhënë për këto vepra, kërkuesit theksuan se dënimet e tyre ishin katër deri në pesë herë më të gjata sesa dënimet që do të kishin marrë nëse do të ishin dënuar për të njëjtat vepra në Mbretërinë e Bashkuar. Ata pretenduan se vazhdimi i ndalimit për ta nuk i shërbente më qëllimit legjitim penologjik, duke marrë parasysh kohën që ata kishin qëndruar në burg.
73. Gjykata vëren që në fillim që keqtrajtimi duhet të ketë një nivel minimal graviteti në mënyrë që ai të trajtohet në kuadrin e Nenit 3. Vlerësimi i këtij minimumi varet nga të gjitha rrethanat e çështjes, të tilla si kohëzgjatja e dënimit, efektet fizike dhe mendore të shkaktuara prej tij, dhe, në disa raste, seksi, mosha dhe gjendja shëndetësore e viktimës (shih Léger k. Francës, nr. 19324/02, § 89, datë 11 prill 2006; dhe Kafkaris k. Qipros [GC], nr. 21906/04, § 95, GJEDNJ 2008). Gjykata ka theksuar vazhdimisht që vuajtja dhe trajtimi poshtërues i përfshirë duhet të shkojnë përtej elementit të paevitueshëm të vuajtjeve dhe përuljes së lidhur me një formë të trajtimit ose ndëshkimit legjitim. Në rastet që përfshijnë mohimin e lirisë, Shteti duhet të sigurojë që personi të ndalohet bazuar në kushtet që janë në përputhje me respektimin e dinjitetit të tij njerëzor dhe që mënyra dhe metoda e ekzekutimit të masës së dënimit nuk e bëjnë personin e dënuar të vuajë stres ose vështirësi që shkojnë përtej nivelit të pashmangshëm të vuajtjes që mbart në vetvete burgimi (shih Kafkaris, cituar më sipër§ 96; dhe çështjen Kudła k. Polonisë [GC], nr. 30210/96, §§ 92 dhe 94, GJEDNJ 2000‑XI).
74. Ndërkohë që, në parim, çështjet e dënimit të përshtatshëm bien kryesisht jashtë objektit të Konventës, Gjykata pranon që një dënim shumë i shpërpjestuar në raport me veprën e kryer çon në keqtrajtim, në kundërshtim me Nenin 3 në momentin e zbatimit. Gjithsesi, shpërpjestueshmëria e madhe është test strikt dhe testi realizohet vetëm në raste të rralla dhe unike (shih Harkins dhe Edwards, cituar më sipër, § 133). Në çështjen Harkins dhe Edwards, e cila lidhet me ankesën e kërkuesve se për ta shteti që kërkoi ekstradimin do të merrte vendime të shpërpjestuara në raport me veprat e kryera, Gjykata shpjegon se në rastin e një ekstradimi, do të kishim të bënim me një shkelje, nëse kërkuesi do të ishte në gjendje të dëshmonte praninë e një rreziku serioz të marrjes së dënimit të zhdrejtë në raport me veprën e kryer në shtetin e parë. Gjithsesi, Gjykata thekson që Konventa nuk ishte një mjet që u kërkonte shteteve palë të zbatojnë standardet e Konventës në shtete të tjera. I duhet kushtuar rëndësi faktit që praktikat dënuese ndryshojnë shumë nga njëri shtet në tjetrin dhe që shpesh ka dallime legjitime dhe të arsyeshme ndërmjet shteteve lidhur me kohëzgjatjen e dënimeve edhe për vepra të ngjashme. Për pasojë, vetëm në raste “shumë përjashtimore” një kërkues është në gjendje të demonstrojë që dënimi me të cilin do të haset në një shtet jo palë është shumë i shpërpjestuar në raport me veprën e kryer dhe, për rrjedhojë, në kundërshtim me Nenin 3 (pika § 134 e vendimit të Gjykatës).
75. Gjykata thekson se ngrihen aspekte të ndryshme në çështjet kur një pale kontraktuese i kërkohet të refuzojë ekstradimin në një juridiksion të caktuar ku mund të vendoset një dënim shumë i shpërpjestuar me veprën e kryer; dhe në rastet kur i njëjti shtet përballet me kërkesën e një të burgosuri për transferim për të vuajtur dënimin e dhënë nga një gjykatë e huaj, kur dënimi mund të ishte vlerësuar si i shpërpjestuar në raport me veprën e kryer, në qoftë se do të ishte vlerësuar në kuadrin e një kërkese të mëparshme për ekstradim. Në rastin e parë, është kompetencë e shtetit të parandalojë vendosjen e dënimit. Në rastin e dytë, vendimi është dhënë dhe mund të duhet të kryhet në kushte të rënda dhe degraduese, dhe është objekt i dispozitave të kufizuara për lirim të parakohshëm. Kur shqyrtohet niveli i poshtërimit ose i vuajtjes si pjesë e akteve të vendosura, është e rëndësishme të merret parasysh niveli i poshtërimit ose i vuajtjes në opsionin alternativ. Në mendimin e Gjykatës, do të ishte paradoksale ne raport me detyrimin e saj për të interpretuar dhe për të zbatuar të drejtat e Konventës në një mënyrë që i bën garancitë praktike dhe efektive, dhe jo teorike dhe iluzive (shih, ndërmjet shumë autoritetesh të tjera, Airey k. Irlandës, datë 9 tetor 1979, § 26, Seritë A, nr. 32; dhe Hirsi Jamaa dhe të Tjerët k. Italisë [GC], nr. 27765/09, § 175, GJEDNJ 2012), nëse mbrojtja e ofruar nga Neni 3 përdoret për të parandaluar transferimin e të burgosurve për të vuajtur dënimet e tyre në kushte më humane.
76. Nga paragrafët pararendës rezulton se kur shqyrtojmë nëse një vendim është në shkelje të Nenit 3 në kontekstin e vazhdimit të zbatimit të një dënimi bazuar në një marrëveshje për transferim të një të burgosuri, vëmendja duhet të përqendrohet tek fakti nëse vuajtja dhe përçmimi i shkaktuar shkojnë përtej elementit të paevitueshëm të vuajtjes ose poshtërimit që lidhet me zbatimin e dënimeve të dhëna nga gjykata e huaj. Në vlerësimin e nivelit të vuajtjeve ose të poshtërimit, është e rëndësishme të merren parasysh praktikat e ndryshme të dënimit të miratuara nga shtetet dhe dallimet legjitime dhe të arsyeshme që ekzistojnë ndërmjet shteteve lidhur me kohëzgjatjen e dënimeve. Gjykata duhet të marrë po ashtu parasysh faktin që transferimi është kryer brenda kuadrit të bashkëpunimit ndërkombëtar në administrimin e drejtësisë, i cili në parim është në interes të personave të përfshirë (shih Drozd dhe Janousek k. Francës dhe Spanjës, 26 qershor 1992, § 110, Seritë A nr. 240; dhe Veermaë k. Finlandës (Vend.) nr. 38704/03, datë 15 mars 2005). Marrëveshjet për transferimin e të burgosurve janë posaçërisht të hartuara për t’i shërbyer qëllimeve të eliminimit të efekteve negative të vuajtjes së dënimit në një mjedis që është i panjohur në aspektin social, kulturor dhe linguistik, dhe të lehtësimit të riintegrimit të ardhshëm të të dënuarve në shoqëri (shih, për shembull, objektivat e Marrëveshjes për Transferimin e të Burgosurve, paragrafi 49 më sipër). Pra, kur një masë bashkëpunimi ndërkombëtar lidhet drejtpërsëdrejti me promovimin dhe me mbrojtjen e të drejtave themelore të atyre që janë objekt i sanksioneve penale jashtë shteti, përfitimi që gëzon kërkuesi si rezultat i ekzekutimit të kësaj mase është faktor i rëndësishëm në favor të konstatimit se mënyra dhe metoda e zbatimit të vendimit nuk e vendosin kërkuesin përball stresit dhe vështirësive që e tejkalojnë nivelin e pashmangshëm të vuajtjeve që e karakterizojnë dënimin.
77. Në çështjen nën shqyrtim, Gjykata thekson se, së pari, nuk ka asnjë sugjerim që vendimet e dhëna për kërkuesit kanë qenë përtej gamës së dënimeve që jepen përgjithësisht për personat e dënuar për të njëjtat vepra penale në Tajlandë. Dënimi i dhënë për kërkuesit bie po ashtu brenda dënimit maksimal të lejueshëm dhe të zbatueshëm për dënime ekuivalente në Angli, sipas Akteve të 1971-it dhe të 1979-ës (shih paragrafët 44 dhe 46 më sipër).
78. Gjykata thekson po ashtu se dënimet e kërkuesve janë dhënë nga gjykatat tajlandeze për vepra të kryera në Tajlandë. Në këtë kuadër, Gjykata tërheq vëmendjen tek ndryshimet e mëdha që ekzistojnë në kushtet civile, politike, sociale dhe kulturore në vende të ndryshme në të gjithë globin. Si pasojë e këtyre dallimeve domethënëse, shtetet kanë ndërtuar sistemet e tyre të drejtësisë penale, bazuar në parime dhe qasje, të cilat janë po aq të larmishme. Në parim, u takon shteteve sovrane të vendosi se si t’i zgjidhin më mirë problemet me të cilat hasen në territoret e tyre, me kusht që gjithmonë përgjigjet të mbeten brenda gamës së qasjeve që konsiderohen si të pranueshme nga shtetet demokratike. Zgjidhjet e përdorura në një shtet mund të mos jenë të përshtatshme për një shtet tjetër, dhe, rrjedhimisht, një vendim nuk mund të jetë shumë i shpërpjestuar thjesht për faktin se ai është më i ashpër se dënimi që jepet në një shtet tjetër. Nuk kundërshtohet fakti që Tajlanda përballet me një problem serioz të drogave. Për këtë qëllim, veprat penale të lidhura me lëndët narkotike dënohen rëndë. Gjykata është dakord me gjyqtarin në Gjykatën Divizionale që thotë se qeveria dhe ligjbërësit tajlandezë kanë të drejtë të përqafojnë pikëpamjen se dënimet më të ashpra se në Mbretërinë e Bashkuar janë legjitime dhe të nevojshme (shih paragrafin 27 më sipër).
79. Më tej, vlen të theksohet se vendimet në fjalë zbatohen nga Mbretëria e Bashkuar në përputhje me kërkesat e kërkuesit për transferimin e tyre. Është e qartë që të dy kërkuesit kanë dhënë shprehimisht pëlqimin për t’u transferuar, pasi ishin këshilluar për pasojat e transferimit lidhur me kohëzgjatjen e dënimeve, pasi atyre u ishte bërë e ditur se u duhej të vuanin dënimin dhe se nuk kishin mundësi të kundërshtonin dënimet ose vendimet e marra kundër tyre (shih paragrafët 5 dhe 31-33 më sipër). Gjykata vëren se po të ishin refuzuar kërkesat për transferim nga Mbretëria e Bashkuar, të dy kërkuesit do të kishin mbetur të burgosur në burgjet tajlandeze, ku kushtet e burgimit ka të ngjarë të jenë shumë më të këqija se kushtet aktuale të vuajtjes së dënimit në Mbretërinë e Bashkuar, dhe mund të kishin kryer vetë shkelje të Nenit 3. Ata do të kishin pasur të drejtë të përfitonin lirim të parakohshëm vetëm pasi të kishin vuajtur dy të tretat e dënimit po të kishin qëndruar në Tajlandë, në vend të së drejtës për përfitim lirimi të parakohshëm në mes të dënimit sipas të drejtës angleze. Pa dyshim që transferimet e tyre kishin për qëllim të promovonin dhe të mbronin të drejtat e tyre themelore në shkallën më të gjerë të mundshme në kuadrin specifik dhe ky synim është arritur në fakt prej tyre.
80. Duke pasur parasysh të gjitha rrethanat, sipas Gjykatës, nuk ka shkaqe të mjaftueshme për të dëshmuar se vuajtja dhe poshtërimi i shkaktuar nga zbatimi i vendimeve të marra kundër kërkuesve deri në kohën e përfitimit të lirimit të parakohshëm, sipas të drejtës angleze, shkon përtej elementit të pashmangshëm të vuajtjeve dhe poshtërimit që mbartin në vetvete dënimet e përcaktuara nga gjykatat tajlandeze dhe, në veçanti, mënyra dhe metoda e ekzekutimit të masës nuk i përball ata me stres ose vështirësi që e kalon nivelin e pashmangshëm të stresit ose vështirësive të shkaktuara nga vetë vuajtja e dënimit. Ankesat e kërkuesve sipas Nenit 3 të Konventës janë shprehimisht të pabazuara dhe duhet të rrëzohen bazuar në Nenin 35 §§ 3 (a) dhe 4.
D. Ankesat bazuar në Nenin 5 § 1 të Konventës
81. Kërkuesit u ankuan për vazhdimin e vuajtjes së dënimit, duke thënë se dënimi ishte arbitrar pasi, në rast se ata nuk do të kishin pranuar fajësinë, do të kishin përfunduar duke qëndruar më pak në burg. Ata u mbështetën në Nenin 5 § 1 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
a) kur burgoset ligjërisht, pas një dënimi të dhënë nga një gjykatë kompetente;
82. Kërkuesi i parë pretendonte po ashtu se “prezumimi i patjetërsueshëm” i zbatuar në çështjen kundër tij e bënte procesin gjyqësor të padrejtë në mënyrë flagrante, ashtu siç ishte dhe vazhdimi i vuajtjes së dënimit në Mbretërinë e Bashkuar.
1. Konsiderata të përgjithshme
83. Mund të shihet nga detajet e ofruara lidhur me natyrën e ankesave të kërkuesve se ata nuk e kundërshtojnë përputhshmërinë e vazhdimit të vuajtjes së dënimit me të drejtën e brendshme, dhe as nuk e mohojnë praninë e një marrëdhënie shkak-pasojë ndërmjet dënimeve dhe mohimeve të lirisë për ta. Në fakt, ankesat e tyre përqendrohen në pretendimin për arbitraritet të lidhur me vazhdimin e vuajtjes së dënimit.
84. Për këtë arsye, Gjykata do të shqyrtojë nëse mohimi i lirisë në rastet e tyre është arbitrar, brenda kuptimit të Nenit 5 § 1 të Konventës. Gjykata është shprehur më parë se arbitrariteti mund të dalë në rastet kur është i pranishëm një element i keqbesimit, ose i mashtrimit nga ana e autoriteteve; kur urdhri për të burgosur dhe ekzekutimi i burgosjes nuk janë në përputhje me qëllimin e kufizimeve të lejuara nga nënparagrafi përkatës i Nenit 5 § 1; kur nuk ka lidhje ndërmjet arsyeve të mohimit të lejuar të lirisë dhe vendit dhe kushteve të ndalimit; dhe kur nuk ka marrëdhënie përpjesëtimi ndërmjet shkaqeve bazuar në të cilat është marrë vendimi dhe është bërë ndalimi faktik (shih Krajišnik k. Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 6017/77, § 53, datë 23 tetor 2012. Shih po ashtu çështjen Saadi k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 13229/03, § 69, ECHR 2008; dhe James, Wells dhe Lee k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 25119/09, 57715/09 dhe 57877/09, §§ 192-195, datë 18 shtator 2012 (ende jo përfundimtar) dhe referencat në to). Kërkuesit nuk kanë pretenduar se ndonjëri nga këta elementë është i pranishëm në çështjet e tyre, dhe Gjykata nuk i vlerëson ata (elementët) të jenë aq të pranishëm.
85. Për rrjedhojë, mbetet të vlerësohet nëse ka tregues të tjerë të arbitraritetit në çështjet e kërkuesve që shkaktohen si rezultat i pranimit të fajësisë ose, në rastin e kërkuesit të parë, përdorimit të “prezumimit të patjetërsueshëm” siç zbatohet në Tajlandë. Për vlerësimin e çështjes së arbitraritetit, Gjykata thekson se Konventa nuk mund të interpretohet në boshllëk, dhe, për aq sa është e mundur, duhet të interpretohet në përputhje me ligjet e tjera ndërkombëtare të cilat përbëjnë pjesë të saj (shih Al‑Adsani k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 35763/97, § 55, ECHR 2001‑XI; Csoszánszki k. Suedisë (Ven.), nr. 22318/02, datë 27 qershor 2006; dhe Rantsev k. Qipros dhe Rusisë, nr. 25965/04, § 274, GJEDNJ 2010 (fragmente)). Në çështjen në fjalë, i duhet kushtuar rëndësi kuadrit të përgjithshëm të transferimeve të të burgosurve dhe kushteve specifike të Marrëveshjes për Transferimin e të Burgosurve, të zbatuar për këtë çështjes.
2. Efekti i pranimit të fajësisë
86. Kërkuesit pretendojnë se pranimi i fajësisë prej tyre duhet të kishte çuar në një ulje të konsiderueshme të dënimit për ta. Gjithsesi, megjithëse në Tajlandë dënimet kundër tyre ishin ulur nga burgim i përjetshëm në dënime me afat të përcaktuar, ndikimi i kësaj ulje ishte tjetërsuar me transferimin e tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo për faktin se në rast se nuk do të kishin pranuar pafajësinë dhe do të ishin dënuar me burgim të përjetshëm, do t’i kishte takuar Gjykatës së Lartë të përcaktonte afatin minimal të vuajtjes së dënimit para se të shqyrtoheshin kërkesat e tjera (shih paragrafin 63 më sipër). Në kryerjen e këtij ushtrimi, Gjykata do të kishte marrë parasysh udhëzimet lokale të dënimit, dhe vuajtjen minimale të dënimit dhe në secilën prej çështjeve kërkuesit do të kishin marrë dënime që do të kishin qenë shumë të më ulëta se dënimet e dhëna nga gjykatat tajlandeze. Po ashtu, në raste se ata nuk do të kishin pranuar fajësinë, tani ata do të kishin pasur mundësinë e lirimit të menjëhershëm.
87. Gjykata vëren se në rastin e kërkuesit të parë, dënimi i përjetshëm nuk ishte i vetmi dënim i disponueshëm për gjykatat tajlandeze në qoftë se nuk do të bëhej fjalë për pranimin e fajësisë. Ai ishte dënuar për mbajtje të 24 gramëve heroinë me synimin e shpërndarjes së saj; dy dënimet e mundshme për një vepër të tillë ishin: dënimi i përjetshëm, ose dënimi me vdekje (shih paragrafin 39 më sipër). Për aq sa pranimi i fajësisë çoi në ulje të dënimit me vdekje në një dënim me kohë të përcaktuar burgimi, ai ka marrë një përfitim të madh nga pranimi i fajësisë.
88. Gjykata vëren më tej se amnistitë mbretërore janë të zakonta në Tajlandë dhe se ato mund ta ulin një dënim me burgim të përjetshëm në një dënim me kohëzgjatje të përcaktuar në burg (shih paragrafin 19 më sipër). Duhet të theksohet po ashtu se të dy kërkuesit kishin përfituar nga një ulje dënimi si rezultat i amnistisë mbretërore (shih paragrafët 7 dhe 30 më sipër). Për rrjedhojë, nuk është e qartë nëse kërkuesit do të ishin dënuar me burgime të përjetshme në momentin e transferimit po të mos kishin pranuar fajësinë (në mënyrë që fiksimi i afatit minimal të përcaktohej nga Gjykata e Lartë).
89. Më tej, Gjykata Divizionale vërente në rastin e kërkuesit të parë se në rast se ai do të ishte dënuar me burgim të përjetshëm, atij do t’i ishte kërkuar të kalonte afatin minimal prej tetë vjetësh në Tajlandë para se të kishte të drejtë të aplikonte për transferim (shih paragrafët 17 dhe 19 më sipër). Megjithëse një informacion i tillë nuk ishte dhënë lidhur me kërkuesin e dytë, ka të ngjarë që një kufizim i tillë të zbatohej dhe për të. Në rast se për ta do të zbatohej dënimi me burgim të përjetshëm, kërkuesve do t’ju mohohej mundësia e transferimit për katër vjet të tjera, kohë të cilën ata do ta kishte kaluar në burg në Tajlandë në kushte shumë më të vështira.
90. Po ashtu, Gjykata bie dakord me konstatimet e Gjykatës Divizionale se nuk është e drejtë të krahasohet periudha e vuajtjes minimale të dënimit në kushtet e një dënimi të përjetshëm me periudhën minimale të vuajtjes së dënimit në rastin e një vendimi me kohë të përcaktuar (shih paragrafin 17 më sipër). Dënimi i përjetshëm përfshin detyrime dhe kufizime të cilat shtrihen përtej periudhës së kaluar në burg, si në formën e kushteve me detyrim përcaktimi dhe rrezikut të të kthyerit sërish në burg në rast të shkeljeve të këtyre kushteve. Në parim, këto kufizime e bëjnë një dënim me burgim të përjetshëm një dënim më kufizues.
91. Gjykata pranon se mund të ketë dallime në rezultatet për të burgosurit që janë transferuar nga shteti i dënimit për të vuajtur dënimet e tyre në një shtet tjetër. Ajo ka konstatuar dhe më parë se ndalimi nuk ka qenë arbitrar dhe se, si rezultat i ndërveprimit të ligjit të zbatueshëm të shtetit transferues me rregullat për lirim të parakohshëm në shtetin pritës, transferimi i të burgosurit ka çuar në vuajtjen e dënimit për një afat më të gjatë de facto burgimi (shih Veermaë, cituar më sipër; Csoszánszki k. Suedisë (Vend.), nr. 22318/02, datë 27 qershor 2006; Ciok k. Polonisë (vend.), nr. 498/10, § 26, datë 23 tetor 2012; dhe Giza k. Polonisë (vend.), nr 1997/11, § 23, datë 23 tetor 2012). Në çështjen në fjalë, duket se në rast se për kërkuesit në Tajlandë do të ishte dhënë dënimi me burgim të përjetshëm dhe në qoftë se ai nuk do të ishte konvertuar në dënime me kohë të përcaktuar nga amnistia mbretërore para transferimit të tyre, kërkuesit do të kishin përfituar nga një periudhë domethënëse ulje dënimi pas transferimit në Mbretërinë e Bashkuar pasi Gjykata e Lartë do të kishte vendosur një afat minimal relativisht të shkurtër (shih paragrafin 17 më sipër). Gjithsesi, dallimi në rezultate nuk vjen nga aplikimi arbitrar i rregullave të veçanta tek të burgosur të ndryshëm. Në Aktin e vitit 1983 dhe në Aktin e vitit 2003 janë përcaktuar rregulla të qarta për zbatimin e marrëveshjes së transferimit të të burgosurve, të cilat zbatohen në raste e transferimit të të burgosurve. Fakti që mund të ketë rezultate të ndryshme shkaktohet nga ndërveprimi i legjislacionit për dënimet në shtetin transferues me praktikën e shtetit pritës (për transferimet). Dallime të tilla janë të pranishme në të gjitha procedurat për transferimin e të burgosurve dhe kryesisht bazohen në parimin që dënimi i vendosur nga shteti transferues do të zbatohet nga shteti pritës. Gjykata thekson se kërkuesit e kanë dhënë pëlqimin për t’u transferuar, duke qenë në dijeni të asaj çfarë përfshinte transferimi lidhur me kohën e vuajtjes së dënimit, pa asnjë dyshim për të gëzuar përfitimet e shumta që kishte zbatimi i vendimit kundër tyre në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë dhe rregulla më të favorshme për lirim të parakohshëm dhe kushte më të mira gjatë vuajtjes së dënimit.
92. Në këto rrethana, vazhdimi i dënimit të kërkuesve nga Mbretëria e Bashkuar nuk mund të thuhet se është arbitrar brenda kuptimit të Nenit 5 § 1 (a) si rezultat i efektit të pranimit të fajësisë prej tyre. Ankesat e tyre janë shprehimisht të pabazuara dhe, për pasojë, të papranueshme në përputhje me Nenin 35 §§ 3 (a) dhe 4 të Konventës.
3. “prezumimi i patjetërsueshëm”
93. Megjithëse kërkuesi i parë e pranonte fajësinë, ai thotë që pavarësisht nga sasia e drogës me të cilën ishte kapur, droga ishte e gjitha për përdorim vetjak. Për shkak të “prezumimit të patjetërsueshëm” të parashikuar në të drejtën tajlandeze ai nuk kishte mundësi të kundërshtonte akuzën që droga ishte për shpërndarje. Për rrjedhojë, ai pretendon se procesi kundër tij ishte i padrejtë në mënyrë flagrante dhe se ndalimi i tij i mëpasshëm është arbitrar në kuptimin e seksionit 5 § 1 (a) të Konventës.
94. Përderisa Konventa nuk u kërkon shteteve palë të imponojnë standardet e tyre mbi shtetet e treta, kërkesat e Nenit 5 § 1 (a) që një individ të ndalohet në mënyrë të ligjshme pas “dënimit nga një gjykatë kompetente” nuk nënkuptojnë që Gjykata duhet t’i bëjë objekt kontrolli gjithëpërfshirës proceset që çojnë në këtë dënim në shtetet e treta dhe të verifikojë nëse këto shtete i kanë respektuar plotësisht kërkesat e parashikuar anë nenin 6 të Konventës (shih çështjen Stoichkov k. Bulgarisë, nr. 9808/02, § 51, datë 24 mars 2005; dhe Drozd dhe Janousek, cituar më sipër, § 110). Për të kërkuar një rishikim të tillë për mënyrën sesi i ka zbatuar parimet e mishëruara në Nenin 6 një shtet që nuk është palë në Konventë, shteti përkatës do të tjetërsonte tendencën aktuale të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në administrimin e drejtësisë, të cilën Gjykata e ka theksuar si në interes të personave të përfshirë (shih Drozd dhe Janousek, cituar më sipër, § 110).
95. Megjithatë, Gjykata ka vendosur që në rast se një dënim është rezultat i proceseve që kanë qenë “në mohim flagrant të drejtësisë”, pra që janë “shprehimisht në kundërshtim me dispozitat e Nenit 6, ose të parimeve të mishëruara në të”, mohimi i lirisë për shkak të tij nuk është i justifikueshëm sipas Nenit 5 § 1 (a) (shih Stoichkov, cituar më sipër, § 51; dhe Othman (Abu Qatada) k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 8139/09, § 259, datë 17 janar 2012). Gjykata ka dëshmuar se “mohimi flagrant i drejtësisë” është test i padrejtësisë. Testi shkon përtej parregullsive ose mungesave të garancive në proceset gjyqësore, aq sa mund të çojë në shkelje të Nenit 6 në qoftë se ndodh brenda vetë shtetit kontraktues. Ajo çfarë kërkohet është shkelja e parimeve të procesit të drejtë ligjor të përcaktuara në Nenin 6, i cili është kaq i rëndësishëm saqë mund të çojë në anulim, ose madje dhe në shkatërrim të vetë thelbit, të së drejtës së garantuar nga ky nen (shih Othman (Abu Qatada), cituar më sipër, § 260). Megjithëse nuk është kërkuar ende që afati të përcaktohet në mënyrë më precize, Gjykata është shprehur se forma të caktuara të padrejtësisë mund të çojnë në mohim flagrant të drejtësisë. Këtu përfshihen: dënimi in absentia duke mos lënë mundësinë e marrjes së një versioni tjetër për themelin e çështjes; një proces gjyqësor që është përmbledhës në natyrë dhe i përmbyllur pa marrë fare parasysh të drejtat e mbrojtjes; burgimin pa akses në një gjykatë të pavarur dhe të paanshme për rishikimin e ligjshmërisë së dënimit të dhënë; dhe refuzimi sistematik dhe i qëllimshëm për të marrë një avokat, veçanërisht për një individ të burgosur në një shtet të huaj; dhe pranimi i provave të marra si rezultat i torturës (shih çështjen Othman (Abu Qatada), cituar më sipër, § 259 dhe referencat që i bëhen asaj; dhe § 267). Nga shembujt e dhënë më sipër dhe nga natyra e testit rezulton se rastet kur ka pasur mohim flagrant drejtësie janë të dukshme dhe të njohura për përfaqësuesit diplomatikë të shtetit pritës para realizimit të transferimit.
96. Pyetja që shtrohet në këtë rast është nëse “prezumimi i patjetërsueshëm” në legjislacion tajlandez ka çuar në shkelje të Nenit 6, i cili është kaq i rëndësishëm saqë çon në anulimin ose shkatërrimin e vetë thelbit të së drejtës së kërkuesit për proces të rregullit ligjor. Në këtë kuadër, Gjykata vëren se prezumimet e faktit ose të së drejtës operojnë në një sistem shumëligjor dhe se Kushtetuta në parim nuk i cenon këto prezumime. Por, Neni 6 § 2 nuk e konsideron prezumimin e fakteve ose të ligjeve të parashikuara në të drejtën penale me indiferentizëm. Ajo u kërkon shteteve t’i inkuadrojnë parashikimet e tyre brenda kufijve të arsyeshëm, të cilat marrin parasysh rëndësinë e asaj që është në rrezik dhe respektojnë të drejtat e mbrojtjes (Salabiaku k. Francës, datë 7 tetor 1988, § 28, Seritë A nr. 141‑A).
97. Funksionimi i seksioni 15(3) të Aktit tajlandez në diskutim (shih paragrafin 40 më sipër), dispozita që lidhet me përcaktimin e veprës me të cilën mund të akuzohet, gjykohet dhe të dënohet një person i dyshuar, e përjashton kërkuesin e parë nga të pretenduarit se sasia e drogës në zotërim të tij ishte vetëm për përdorim vetjak. Gjykata thekson më tej konstatimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë se mund të pretendohet në mënyrë të arsyeshme që droga ishte e gjitha për përdorimin vetjak të kërkuesit të parë (shih paragrafin 13 më sipër). Nuk mund të përjashtohet që mund të ketë rrethana në të cilat një dispozitë lidhur me natyrën e seksionit 15(3) të Aktit tajlandez mund të jetë në gjendje të çojë në atakimin e një çështje të mbuluar nga Neni 6 § 2. Por, ashtu siç shpjegoi dhe Gjykata Kushtetuese tajlandeze në vendimin e saj të vitit 2001, qëllimi i aktit tajlandez ishte të ndëshkonte më rëndë personat që mbanin më shumë sesa një sasi të caktuar lënde narkotikësh dhe rezultati i synuar nga zbatimi i seksionit 15(3) të Aktit ishte rritja e gjobave që mund të vendoseshin për një të pandehur që zotëronte një sasi të tillë lëndësh narkotike. Vepra rrjedh kryesisht nga mbajtja e lëndëve narkotike, dhe kjo duhet të provohet nga akuza (shih paragrafët 41-42 më sipër). Në çështjen në fjalë, kërkuesi i parë pati përfitimin e disa garancive procedurale në proceset gjyqësore në Tajlandë. Ai u gjykua në publik nga dy gjyqtarë të pavarur tajlandezë; kishte qenë i pranishëm dhe i përfaqësuar nga një avokat; ishte dënuar për një vepër shumë të rëndë; gjykata kishte dëgjuar prova që provonin kapjen e tij me drogë megjithëse ky fakt nuk ishte kontestuar prej tij; për të ishin ndjekur procedurat e brendshme të dënimit dhe se ishte lejuar një ulje e konsiderueshme e dënimit për shkak pranimit të fajësisë; dhe në fund të procesit ishte dhënë një vendim i arsyetuar (shih paragrafët 13 dhe 16 më sipër). Në çdo rast, kemi të bëjmë me një faktor material kur vlerësojmë ndikimin e “prezumimit të patjetërsueshëm“ lidhur me sa i drejtë ishte procesi juridik në tërësinë e tij, dhe me faktin që kërkuesi i parë nuk i vuri në dijeni autoritet britanike as gjatë procesit të gjykimit dhe as në kohën që bëri kërkesën për transferim për pretendimin për mohim flagrant të drejtësisë në çështjen kundër tij.
98. Gjykata përfundon se ndërkohë që të drejtat e kërkuesit janë kufizuar nga funksionimi i “prezumimit të patjetërsueshëm” në çështjen kundër tij, nuk mund të thuhet se është cenuar thelbi i së drejtës së tij për proces të rregullt ligjor. Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes, Gjykata është e mendimit që kërkuesi ka dështuar të dëshmojë para kësaj gjykate se ka pasur mohim flagrant drejtësie në çështjen kundër tij. Për pasojë, vazhdimi i vuajtjes së dënimit për kërkuesin nuk përbën shkelje të Nenit 5 § 1 (a). Ankesa e tij është shprehimisht e pabazuar dhe, për rrjedhojë, e papranueshme bazuar në Nenin 35 §§ 3 (a) dhe 4 të Konventës.
Për këto arsye, Gjykata me unanimitet
Vendos t’i bashkojë aplikimet;
i deklaron aplikimet të papranueshme.
Fatoş AracıIneta Ziemele
SekretarKryetar
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy