© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ për jurisprudence nr. 159 të Gjykatës
Janar 2013
Willcox dhe Hurford k. Mbretërisë së Bashkuar (ven.) - 43759/10 dhe 43771/12
Vendim, datë 8.1.2013 [Seksioni IV]
Neni 3
Ndëshkimi degradues
Dënimi çnjerëzor
Vazhdimi i vuajtjes së dënimit të dhënë nga gjykatat tajlandeze në Mbretërinë e Bashkuar në përputhje me marrëveshjen për transferimin e të burgosurve: i papranueshëm
Neni 5
Neni 5-1
Mohimi i lirisë
Neni 5-1-a
Pas dënimit
Vazhdimi i vuajtjes së dënimit të dhënë nga gjykatat tajlandeze në Mbretërinë e Bashkuar në përputhje me marrëveshjen për transferimin e të burgosurve: i papranueshëm
Faktet – të dy kërkuesit vuajnë dënimin në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar bazuar në dënimet e dhëna nga gjykatat në Tajlandë për mbajtje të paligjshme të lëndëve narkotike, pas deklarimit fajtor për akuzat kundër tyre. Ata u transferuan në Mbretërisë së Bashkuar për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, bazuar në një marrëveshje për transferimin e të burgosurve ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Tajlandës. Ata ishin informuar se pas transferimit nuk mund të kundërshtonin kohëzgjatjen e vuajtjes së dënimit.
Në aplikimet në Gjykatën Evropiane, kërkuesit pretendojnë se dënimet kundër tyre ishin shumë të shpërpjestuara në raport me veprat e kryera, duke qenë katër deri në pesë herë më të gjata se dënimet që ata do të kishin marrë nëse do të gjykoheshin për të njëjtën vepër penale në Mbretërinë e Bashkuar dhe se vazhdimi i vuajtjes së dënimit shkelte të drejtën e tyre, bazuar në Nenin 3 të Konventës. Ata u ankuan më tej për shkelje të Nenit 5 duke pretenduar se vazhdimi i vuajtjes së dënimit për ta ishte arbitrar, pasi, duke pasur parasysh mënyrën sesi funksionon marrëveshja për transferimin e të burgosurve, në rast se ata nuk do të kishin pranuar fajësinë, do të kishin përfunduar në kohë më të shkurtër vuajte dënim. Kërkuesi i parë pretendonte po ashtu se “prezumimi i patjetërsueshëm”, i zbatuar në çështjen kundër tij, në fakt e kishte bërë procesin ligjor të padrejtë në mënyrë flagrante, aq sa vazhdimi i vuajtjes së dënimit për të në Mbretërinë e Bashkuar ishte arbitar.
Ligji – Neni 3: Ndërkohë që, në parim, çështjet e dënimit të përshtatshëm bien kryesisht jashtë objektit të Konventës, Gjykata pranon që një dënim shumë i shpërpjestuar në raport me veprën e kryer çon në keqtrajtim, në kundërshtim me Nenin 3, në momentin e zbatimit. Gjithsesi, shpërpjestueshmëria e madhe është test strikt dhe testi realizohet vetëm në raste shumë përjashtimore. Për më tepër, i duhet kushtuar rëndësia e nevojshme faktit që praktikat e dënimit ndryshojnë shumë nga një shtet në tjetrin për shkak të kushteve dhe të qasjeve të brendshme të tyre. Kur shqyrtohet niveli i përçmimit ose i vuajtjes si pjesë e akteve të vendosura, është e rëndësishme të merret parasysh niveli i përçmimit ose i vuajtjes në opsionin alternativ.
Në çështjen në fjalë dënimet ishin marrë nga gjykatat tajlandeze dhe, në rast se nuk do të ishin transferuar, kushtet e kërkuesve për vazhdim të vuajtjes së dënimit në Tajlandë do të kishin qenë të rënda dhe degraduese. Në mendimin e Gjykatës do të ishte paradoksale nëse mbrojtja e ofruar nga Neni 3 do të përdorej për të parandaluar transferimin e të burgosurve për të vuajtur dënimet e tyre në kushte më humane. Si rezultat, çështja që duhet të ngrihet është nëse vuajtja dhe përçmimi i përfshirë në vazhdimin e vuajtjes së dënimit shkon përtej vuajtjes dhe dënimit të lidhur me zbatimin e vendimit nga një gjykatë e huaj. Në vlerësimin e nivelit të vuajtjes, u mor parasysh fakti që transferimi kishte ndodhur në kuadrin e bashkëpunimit ndërkombëtar për administrimin e drejtësisë, gjë e cila në parim ishte në interes të personave në fjalë. Marrëveshjet për transferimin e të burgosurve janë posaçërisht të hartuara për t’i shërbyer qëllimeve të eliminimit të efekteve negative të vuajtjes së dënimit në një mjedis që është i panjohur në aspektin social, kulturor dhe linguistik, dhe për të lehtësuar riintegrimin e ardhshëm të të dënuarve në shoqëri.
Në çështjen në fjalë nuk kishte sugjerime që vendimet e marra kundër kërkuesve shkonin përtej gamës së dënimeve që jepeshin përgjithësisht për persona të tjerë të dënuar për të njëjtat vepra në Tajlandë. Vendimet bien nën gamën e maksimumit të lejuar për dënime ekuivalente në Angli. Po ashtu, është fakt që Tajlanda haset me probleme të rënda droge dhe për këtë arsye i dënon ashpër veprat që lidhen me të. Po ashtu, dënimet në fjalë po zbatohen nga Mbretëria e Bashkuar në përputhje me kërkesat e kërkuesve për transferim, në rrethana në të cilat të dy kërkuesit ishin informuar për kohëzgjatjen e dënimeve që duhet të vuanin dhe pamundësinë për të kundërshtuar dënimet ose vendimet e marra. Së fundmi, po t’u ishte refuzuar kërkesa për transferim, kërkuesit do të kishin pasur të drejtë të përfitonin lirim të parakohshëm vetëm pasi të kishin vuajtur dy të tretat e dënimit, po të kishin qëndruar në Tajlandë, në vend të së drejtës për përfitim lirimi të parakohshëm në mes të dënimit sipas të drejtës angleze.
Përfundimi: i papranueshëm (shprehimisht i pabazuar).
Neni 5 § 1
(a) Efekti i pranimit të fajësisë – Kërkuesit pretendojnë se pranimi i fajësisë prej tyre duhej të kishte çuar në ulje domethënëse të dënimit. Në çështjen në fjalë, megjithëse në Tajlandë dënimi me burgim të përjetshëm ishte ulur me dënim me kohë të përcaktuar, zbatimi i kësaj ulje ishte ndikuar negativisht nga transferimi në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo për shkak se në rast se kërkuesit nuk do të kishin pranuar fajësinë dhe do të ishin dënuar në Tajlandë me burgim të përjetshëm, ata do të kishin përfituar nga një periudhë domethënëse ulje dënimi pas transferimit në Mbretërinë e Bashkuar pasi Gjykata e Lartë do të kishte vendosur një afat minimal relativisht të shkurtër dënimi për ta. Në realizimin e këtij ushtrimi, Gjykata e Lartë do të mbante parasysh udhëzimet e brendshme të dënimit dhe afati minimal i vuajtjes së dënimit do të kishte qenë shumë më i ulët sesa dënimi me kohë të përcaktuar i dhënë nga gjykatat tajlandeze. Por, në qoftë se kërkuesit nuk do të kishin pranuar fajësinë, tani ata do të gëzonin mundësinë e lirimit të menjëhershëm.
Gjithsesi, Gjykata vëren se në çështjen kundër kërkuesit të parë, burgimi i përjetshëm nuk përbënte të vetmin dënim që mund të kishte dhënë gjykata tajlandeze, nëse ai do të ishte dënuar pas mospranimit të fajësisë. Kërkuesi mund të ishte dënuar dhe me vdekje. Për aq kohë sa pranimi i fajësisë ishte ulur nga një vendim me vdekje në një vendim me kohë të përcaktuar burgimi, kërkuesi ka pasur një përftim të madh nga pranimi i fajësisë. Për më tepër, amnistitë mbretërore janë të zakonshme në Tajlandë dhe mund të shërbenin për të ulur dënimin me burgim të përjetshëm me burgim me kohë të përcaktuar. Të dy kërkuesit kanë përfituar nga ulja e dënimit si rezultat i amnistisë mbretërore. Për rrjedhojë, nuk është e qartë nëse kërkuesit do të ishin dënuar me burgime të përjetshme në momentin e transferimit, po të mos kishin pranuar fajësinë (në mënyrë që fiksimi i afatit minimal të përcaktohej nga Gjykata e Lartë). Po ashtu, në rastin e kërkuesit të parë, në rast se ai do të ishte dënuar me burgim të përjetshëm, atij do t’i ishte kërkuar të kalonte afatin minimal prej tetë vjetësh në Tajlandë para se të kishte të drejtë të aplikonte për transferim dhe nuk do të kishte të drejtë të vuante vetë katër vitet e dënimit që ka vuajtur realisht. Megjithëse një informacion i tillë nuk është dhënë lidhur me kërkuesin e dytë, ka të ngjarë që një kufizim i tillë të zbatohej dhe për të. Për më tepër, nuk është e drejtë të krahasohet periudha e vuajtjes minimale të dënimit me burgimin e përjetshëm. Po ashtu, burgimi i përjetshëm përfshin detyrime dhe kufizime që shtrihen përtej periudhës së vuajtjes së dënimit në burg, qoftë në formën e kushteve të detyrim-paraqitjes dhe të rrezikut të kthimit në vuajtje dënimi në rastet e shkeljes së këtyre kushteve. Në parim, këto kufizime e bëjnë dënimin me burgim të përjetshëm më strikt në natyrë. Së fundmi, dallimi në rezultatet e shkaktuara nuk ka ardhur si rezultat i zbatimit të rregullave të ndryshme për të burgosur të ndryshëm. Në rastin e transferimit të të burgosurve janë zbatuar rregulla të qarta, siç janë zbatuar dhe në rastin e kërkuesve. Fakti që janë shkaktuar rezultate të ndryshme ka ardhur si pasojë e ndërveprimit ndërmjet legjislacionit të shtetit transferues për dënimin dhe praktikës së dënimit në shtetin pritës pas transferimit.
Në rrethanat në fjalë, vazhdimi i vuajtjes së dënimit për kërkuesit nga Mbretëria e Bashkuar nuk mund të thuhet se është arbitrar në kuptimin e Nenit 5 § 1 (a) si rezultat i ndikimit të pranimit të fajësisë.
(b) “prezumimi i patjetërsueshëm” – kërkuesi i parë u ankua se për shkak të “prezumimit të patjetërsueshëm” të parashikuar në të drejtën tajlandeze ai nuk kishte mundësi të kundërshtonte akuzën që droga nuk ishte për shpërndarje, por në fakt ishte për përdorim vetjak. Për rrjedhojë, në parashtrimin e tij, ai shprehet se procesi ligjor kundër tij është i padrejtë në mënyrë flagrante dhe, për pasojë, dënimi është arbitrar.
Gjykata vëren se testi nëse ka pasur ose jo “mohim flagrant të drejtësisë” është standard i ngurtë që shkon përtej parregullsive dhe kërkon shkatërrimin e vetë thelbit të së drejtës për proces të rregullt ligjor.
Prezumimet për faktet ose të drejtën ekzistojnë në çdo sistem ligjor. Këto prezumime duhet të kufizohen brenda kufijve të arsyeshëm që marrin parasysh rëndësinë e saj çfarë është në rrezik dhe ruajnë të drejtat e mbrojtjes, kështu që nuk mund të përjashtohet rasti që mund të ekzistojnë rrethana në të cilat një dispozitë e kësaj natyre në çështjen kundër kërkuesit të parë të mund të çojë në shkelje. Por qëllimi i kësaj dispozite është rritja e gjobës që mund të vendoset për ata që zotërojnë më shumë sesa një sasi të caktuar lëndësh narkotike, për të vepruar si masë penguese. Vepra penale u ngrit bazuar në zotërimin e lëndëve narkotike, dhe ende duhej të vërtetohej nga akuza. Kërkuesi i parë pati përfitimin e disa garancive procedurale në proceset gjyqësore në Tajlandë. Ai u gjykua në një proces me dyer të hapura nga dy gjyqtarë të pavarur tajlandezë; ishte i pranishëm gjatë të gjithë procesit ligjor kundër tij dhe i përfaqësuar nga një avokat; ishte deklaruar i pafajshëm për disa nga akuzat e lidhura me prezumimin e pafajësisë, pavarësisht se nuk ishte kontestuar mbajtja e sasisë së heroinës dhe të eustazisë; provat kishin çuar në vërtetimin e faktit që droga kishte qenë në posedim të tij; për të ishin ndjekur procedurat e brendshme të dënimit dhe ishte lejuar një ulje e konsiderueshme e dënimit për shkak pranimit të fajësisë. Në çdo rast, kemi të bëjmë me një faktor material kur vlerësojmë ndikimin e “prezumimit të patjetërsueshëm“ lidhur me sa i drejtë ishte procesi juridik në tërësinë e tij, dhe me faktin që kërkuesi i parë nuk i vuri në dijeni autoritet britanike as gjatë procesit të gjykimit, dhe as në kohën që bëri kërkesën për transferim për pretendimin për mohim flagrant të drejtësisë në çështjen kundër tij.
Përfundimi: i papranueshëm (shprehimisht të pabazuara).
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nga Sekretaria nuk është detyruese për gjykatën.
Klikoni këtu për shenime informative per jurisdrudencen
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy