CASE OF V.C. v. SLOVAKIA - [Albanian Translation] by the COE Human Rights Trust Fund
Karar Dilini Çevir:

 

 

© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.

© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.

© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.


 

 

ISH-SEKSIONI IV

 

 

 

 

 

ÇËSHTJA V.C. kundër SLLOVAKISË

 

(Kërkesa nr. 18968/07)

 

 

 

 

 

VENDIM

[Pjesë të shkëputura]

 

 

STRASBURG

 

8 nëntor 2011

 

PËRFUNDIMTAR

 

08/02/2012

 

Ky vendim ka marrë formë të prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.

 

 

Në çështjen V.C. kundër Sllovakisë,

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (Ish-Seksioni IV), në Dhomën e përbërë nga:

Nicolas Bratza, Kryetar,
Lech Garlicki,
Ljiljana Mijović,
David Thór Björgvinsson,
Ján Šikuta,
Päivi Hirvelä,
Mihai Poalelungi, gjyqtarë,
and Fatoş Aracı, Zëvendës Kancelar,

Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 22 mars 2011, 6 qershor 2011, 24 gusht 2011 dhe 17 tetor 2011,

Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të përmendur:

PROCEDURA

1.  Çështja filloi me një kërkesë (nr. 18968/07) kundër Republikës së Sllovakisë e drejtuar në Gjykatë sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga një shtetase sllovake, Znj. V.C. (“kërkuesja”), më 23 prill 2007. Kryetari i Dhomës miratoi kërkesën e kërkueses për të mos zbuluar emrin e saj (neni 47 § 3 i Rregullores së Gjykatës).

2.  Kërkuesja përfaqësohej nga Znj. B. Bukovská dhe Znj. V. Durbáková, avokate që vepronin në bashkëpunim me Qendrën për të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtat Civile në Košice. Qeveria e Republikës së Sllovakisë (“Qeveria”) përfaqësohej nga agjentja e saj, Znj. M. Pirošíková.

3.  Kërkuesja pretendoi shkelje të neneve 3, 8, 12, 13 dhe 14 të Konventës për shkak të sterilizimit të saj në një spital publik.

4.  Me anë të një vendimi të datës 16 qershor 2009 Gjykata e deklaroi kërkesën të pranueshme.

5.  Kërkuesja dhe Qeveria paraqitën vërejtjet e tyre me shkrim në lidhje me themelet e çështjes (neni 59 § 1). Përveç kësaj, u morën edhe komente të palëve të treta nga Federata Ndërkombëtare e Gjinekologëve dhe Obstetërve (angl. FIGO), së cilës i ishte dhënë leje nga Kryetari për të ndërhyrë në procedurën me shkrim (neni 36 § 2 i Konventës dhe neni 44 § 3 i Rregullores).

6.  Një seancë dëgjimore u caktua më 7 shtator 2010. Ajo u shty për 24 gusht 2010 me kërkesë të Qeverisë, e cila u shpreh se dëshironte të eksploronte mundësinë e arritjes tek një marrëveshje miqësore në këtë çështje. Palët nuk arritën marrëveshje miqësore.

7.  Një seancë publike u mbajt në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg më 22 mars 2011 (neni 59 § 3 i Rregullores).

Para Gjykatës dolën:

(a)  për Qeverinë
Znj.M. Pirošíková, Agjente,

Znj.K. Čahojová, Bashkë-Agjente,

Z.M. Buzga,

Z.V. Cupaník,

Z.J. Palkovič, Këshilltarë;

(b)  për kërkuesen
Znj.B. Bukovská, Avokat,
Znj.V. Durbáková, Avokat.

 

Gjykata dëgjoi parashtresat e Znj. Bukovská, Znj. Durbáková, Znj. Pirošíková, Z. Buzga dhe Z. Cupaník.

FAKTET

I.  RRETHANAT E ÇËSHTJES

8.  Kërkuesja, e cila i takon përkatësisë etnike Rome, është e lindur në vitin 1980 dhe jeton në Jarovnice. Ajo ka përfunduar arsimin e detyrueshëm deri në klasën e gjashtë dhe është e papunë. Gjuha e saj amtare është gjuha rome, të cilën ajo e përdor në komunikimin e përditshëm, bashkë me një dialekt vendas.

A.  Sterilizimi i kërkueses në Spitalin Prešov

9.  Më 23 gusht 2000 kërkuesja u sterilizua gjatë kohës që ishte e shtrirë në Qendrën Spitalore dhe të Kujdesit Shëndetësor në Prešov (tani e njohur si Spitali Universitar dhe Qendra Shëndetësore J.A. Reiman në Prešov – “Spitali Prešov”), nën menaxhimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

10.  Procedura u zhvillua gjatë lindjes së fëmijës së dytë të kërkueses me prerje cezariane. Edhe lindja e fëmijës së parë të kërkueses ishte zhvilluar me operacion cezarian. Sterilizimi i kërkueses u bë përmes lidhjes së tubave me anë të metodës Pomeroy, e cila përfshin prerjen dhe mbylljen e përhershme të tubave të mitrës me qëllim që të parandalohet fertilizimi.

11.  Gjatë shtatzanisë kërkuesja nuk ka bërë kontrolle të rregullta. Ajo është vizituar te mjeku i përgjithshëm vetëm një herë.

12.  Kërkuesja u pranua në departamentin e gjinekologjisë dhe obstetrikës të Spitalit Prešov më 23 gusht 2000 pak para orës 8:00 të mëngjesit. Ajo erdhi në spital me dhimbje të lindjes. Pas mbërritjes kërkuesja u informua që lindja do të bëhet me prerje cezariane.

13.  Lindja është e dokumentuar në një raport të shkruar që tregon hollësitë e procesit të lindjes në intervale të rregullta. Shënimi i parë në raport është në orën 7:52 të mëngjesit. Më pas kërkuesja u vu nën vëzhgim me CTG (kardiotokografi); shënimi i fundit i CTG-së (kardioktografia)është bërë në ora 10:35 të mëngjesit.

14.  Sipas shënimeve të lindjes, pas orës 10:30 të mëngjesit, kur lindja ishte në proces, kërkuesja ka kërkuar që të sterilizohet. Kërkesa është shënuar menjëherë në regjistrin e lindjes me fjalët e shtypura “Pacientja kërkon sterilizim”. Poshtë këtij shënimi ndodhet nënshkrimi i dridhur i kërkueses. Nënshkrimi është bërë me shkrim të dridhur dhe me emrin e vajzërisë së kërkueses, të cilin ajo e përdori aty, është i ndarë në dy pjesë.

15.  Kërkuesja parashtroi që, pasi kishte disa orë që kishte hyrë në procesin e lindjes dhe kishte dhimbje, personeli mjekësor i Spitalit Prešov e kishte pyetur nëse donte të kishte fëmijë të tjerë. Kërkuesja u përgjigj pozitivisht por personeli mjekësor i tha që nëse lindte edhe një fëmijë tjetër do të vdiste ajo ose fëmija. Kërkuesja filloi të qante dhe meqenëse u bind që shtatzania e saj e ardhshme do të ishte fatale, iu drejtua personelit mjekësor me fjalët “Bëni çfarë doni të bëni”. Më pas asaj iu kërkua të nënshkruante nën shënimin në regjistrin e lindjes ku tregohej që ajo kishte kërkuar sterilizim. Kërkuesja nuk e kuptoi fjalën sterilizim dhe e nënshkroi formularin nga frika se po të mos e bënte do të kishte pasoja fatale. Meqenëse ajo ishte në fazën e fundit të lindjes, aftësitë e saj konjitive dhe njohëse ishin nën ndikimin e lindjes dhe dhimbjeve.

16.  Në ora 11:30 të mëngjesit kërkuesja u vu nën anestezi, pas së cilës lindja u zhvillua me prerje cezariane. Duke pasur parasysh gjendjen e organeve riprodhuese të kërkueses dy mjekët e përfshirë kërkuan mendimin e mjekut kryesor lidhur me kryerjen e procedurës së histerektomisë apo sterilizimit. Më pas ata kryen procedurën e lidhjes së tubave të kërkueses. Procedura përfundoi në ora 12:10 të drekës, dhe kërkuesja u zgjua nga anestezia pas dhjetë minutave.

17.  Fjalët “Pacientja është me origjinë Rome” janë të shënuara në regjistrin e shtatzanisë dhe lindjes së kërkueses (seksioni “Historia mjekësore”, nën-seksioni “Kushtet sociale dhe të punës, posaçërisht gjatë shtatzanisë” të formularit të printuar përpara që shërben për atë qëllim).

18.  Gjatë qëndrimit të saj në spital në pavijonin e gjinekologjisë dhe obstetrikës të Spitalit Prešov kërkuesja u akomodua në një dhomë ku kishte ekskluzivisht femra me origjinë etnike Rome. Ajo u ndalua të përdorte të njëjtat banja dhe tualete si femrat që nuk ishin me origjinë Rome.

19.  Kërkuesja vuajti pasoja të rënda mjekësore dhe psikologjike nga procedura e sterilizimit. Kështu, nga fundi i vitit 2007 dhe fillimi i vitit 2008 kërkuesja shprehu simptoma të një shtatzanie false. Ajo besoi se ishte shtatzënë dhe tregonte të gjitha shenjat e shtatzanisë. Megjithatë, ekzaminimi me ultrazë tregoi që ajo nuk ishte shtatzënë. Rrjedhimisht, në korrik të vitit 2008 ajo u trajtua nga një psikiatër në Sabinov. Sipas deklaratës së psikiatrit, kërkuesja vazhdon të vuajë si pasojë e infertilitetit të saj.

20.  Gjithashtu, kërkuesja është izoluar edhe nga komuniteti i Romëve. Bashkëshorti i saj, babai i fëmijëve të saj, e ka lënë atë disa herë për shkak të infertilitetit të saj. Në vitin 2009, kërkuesja dhe bashkëshorti i saj divorcuan. Kërkuesja u shpreh se infertiliteti ishte një nga arsyet e ndarjes së tyre.

B.  Qëndrimi i Spitalit Prešov

21.  Një deklaratë me shkrim e Drejtorit të Spitalit Prešov e datës 3 qershor 2008 tregon që lindja e parë e kërkueses në vitin 1998 përfundoi me prerje cezariane për shkak se madhësia e legenit të saj e përjashtonte lindjen normale. Para lindjes kërkuesja kishte shkuar në qendrën për shëndet prenatal vetëm dy herë, në fillim të shtatzanisë së saj. Pas lindjes, ajo u vendos në një dhomë pas-lindjeje me pajisje sanitare ku ajo ishte nën kujdes shëndetësor. Ditën e tretë ajo u largua nga spitali pa lejen e mjekëve dhe u kthye pas 24 orëve me infektim të përgjithshëm (sepsis) të shkaktuar nga pezmatimi i mitrës. Pas nëntë ditësh në spital gjatë të cilave ajo mori trajtim intensiv me antibiotikë kërkuesja dhe fëmija i saj u lëshuan nga spitali. Kërkuesja u këshillua të shkonte tek gjinekologu rregullisht por nuk e bëri këtë.

22.  Gjatë shtatzanisë së saj të dytë, kërkuesja u vizitua në qendrën për kujdes prenatal vetëm një herë, në fillim të shtatzanisë. Në kohën e lindjes së dytë, për shkak të dhimbjes që kërkuesja ndiente në pjesën e poshtme të mitrës (ku ishte operuar gjatë lindjes së parë) dhe duke pasur parasysh madhësinë e legenit të saj, mjekët u shprehën se do të nevojitej një operacion cezarian. Ata ishin të mendimit që ekzistonte rreziku i rupturës (shqyerjes) së mitrës. Pasi ia shpjeguan asaj situatën dhe rreziqet e një shtatzanie të tretë, kërkuesja, duke qenë plotësisht e vetdijshme për atë që po ndodhte, e nënshkroi kërkesën për sterilizim.

23.  Në një deklaratë tjetër të datës 27 korrik 2009 Drejtori i Spitalit Prešov mohoi ndarjen e qëllimshme dhe të organizuar të femrave Rome dhe ekzistencën e të ashtuquajturave “dhoma të ciganëve”. Në praktikë, femrat Rome shpesh akomodohen së bashku me kërkesën e tyre.

C.  Procedurat penale

24.  Më 23 janar 2003, në përgjigje ndaj publikimit nga Qendra për të Drejta Riprodhuese dhe Qendra për të Drejtat e Njeriut dhe ato Civile të “Trupi dhe Shpirti: Sterilizimi i Detyruar dhe i Shtrënguar dhe Dhunime të Tjera ndaj Lirisë Riprodhuese në Sllovaki” (“Raporti i Trupit dhe Shpirtit”), Seksioni për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicat pranë Zyrës së Qeverisë filloi hetime penale në lidhje me pretendimet për sterilizimin e paligjshëm të shumë femrave të ndryshme Rome.

25.  Hetimet penale u zhvilluan brenda Drejtorisë Rajonale të Trupës së Policisë në Žilina pranë Zyrës së Policisë Gjyqësore dhe Kriminale. Shumë vendime u morën nga hetuesi, prokurorët publikë në nivele të ndryshme dhe Gjykata Kushtetuese. Përfundimisht procedurat u ndërprenë mbi bazën e faktit që nuk ishte kryer vepër penale në kontekstin e sterilizimit të femrave me origjinë etnike Rome (hollësi të mëtejshme ndodhen në I.G., M.K. dhe R.H. kundër Sllovakisë (vend.), nr. 15966/04, 22 shtator 2009).

26.  Kërkuesja nuk filloi procedura penale individuale.

D.  Procedurat civile

27.  Në janar 2003, pas lirimit të Raportit të Trupit dhe të Shpirtit, kërkuesja mësoi që lidhja e tubave nuk ishte operacion për shpëtimin e jetës siç ishte pretenduar nga personeli mjekësor i Spitalit Prešov dhe që kërkohej pëlqimi i plotë dhe i informuar i pacientes. Për këtë arsye, ajo u përpoq pa sukses të shikonte përsëri shënimet e saj në spital. Asaj iu lejua të shikonte dosjen e saj mjekësore bashkë me avokatin e saj në maj 2004 pas një urdhri të gjykatës për atë arsye.

28.  Më 9 shtator 2004 kërkuesja ngriti një pretendim në Gjykatën e Qarkut në Prešov sipas neneve 11 et seq. të Kodit Civil, ku kërkonte mbrojtjen e të drejtave të saj personale. Ajo parashtroi që procedura e sterilizimit e kryer në trupin e saj ishte zhvilluar në shkelje të legjislacionit sllovak dhe të standardeve të të drejtave ndërkombëtare të njeriut përfshirë nenet 3, 8, 12 dhe 14 të Konventës. Kërkuesja argumentoi që ajo nuk ishte informuar si duhej në lidhje me procedurën si e tillë, pasojat e saj dhe zgjidhjet alternative. Ajo kërkoi që t’i kërkohej falje për procedurën dhe kërkoi kompensim për dëme jo-materiale.

29.  Gjatë procedurave Gjykata e Qarkut shqyrtoi provat në formë dokumentesh dhe mori disa deklarata nga kërkuesja si dhe nga personeli mjekësor i Spitalit Prešov.

30.  Në mënyrë të veçantë, kërkuesja përshkroi rrethanat në të cilat ajo kishte lindur në Spitalin Prešov dhe mënyrën se si i ishte kërkuar të nënshkruante shënimin përkatës në regjistër. Gjithashtu, ajo deklaroi se babai i fëmijëve të saj e kishte lënë atë për dy vite për shkak të infertilitetit të saj dhe që ata kishin pasur probleme në marrëdhëniet e tyre për këtë arsye. Ajo theksoi problemet shëndetësore që po përjetonte.

31.  Doktor Č. Nga Spitali Prešov, i cili kishte zhvilluar procedurën tek kërkuesja, deklaroi që atij nuk i kujtohej kërkuesja në mënyrë të veçantë apo rrethanat e qëndrimit të saj në spital. Deklarata e tij bazohej mbi informacionet në dosjen mjekësore të kërkueses. Ai pretendoi që kërkuesja ishte informuar plotësisht rreth gjendjes së saj shëndetësore dhe përparimin e procesit të lindjes afërsisht nëntëdhjetë minuta para lindjes. Informacioni në lidhje me nevojën për sterilizim i ishte thënë asaj nga mjeku kryesor i pavijonit të gjinekologjisë dhe obstetrikës, si dhe nga mjeku i dytë i cili kishte marrë pjesë në operacion, dhe gjithashtu nga mjeku anestezist. Sterilizimi ishte zhvilluar me kërkesë të kërkueses si nevojshmëri mjekësore. Çdo shtatzani e tretë e mundshme mund të kishte qenë e rrezikshme për kërkuesen nëse ajo nuk do të qëndronte nën mbikëqyrje të vazhdueshme gjatë shtatzanisë. Doktor Č. Deklaroi që sterilizimi i kërkueses nuk kishte qenë operacion për t’i shpëtuar jetën.

32.  Doktor K., mjeku kryesor i pavijonit të gjinekologjisë dhe obstetrikës në Spitalin Prešov, deklaroi që ishte plotësisht dakord me dëshminë e Doktor Č. As Doktor K. nuk i kujtohej me hollësi rasti i kërkueses. Ai supozoi që rasti i saj ishte i njëjtë me disa raste të tjera të ngjashme. Ai nuk kishte qenë i pranishëm gjatë lindjes dhe sterilizimit të kërkueses por i kishin treguar mjekët e tjerë lidhur me rastin e saj. Ai e përshkroi procedurën e sterilizimit si procedurë e qeverisur nga ligji përkatës. Në rastin e kërkueses, nuk kishte pasur kohë për të mbledhur komisionin meqenëse ajo kishte ardhur në spital shumë shkurt para lindjes.

33.  Më tej, Doktor K. deklaroi që, pasi ai kishte caktuar kolegët Š. dhe Č. për të zhvilluar operacionin, ai gjithashtu i kishte kërkuar atyre të shikonin nëse pacientja do të ishte dakord për sterilizim, dhe të merrnin pëlqimin e saj përmes nënshkrimit. Edhe sikur pacientja të refuzonte të jepte pëlqimin me shkrim për sterilizim, ai do të mund të kryhej sipas seksionit 2 të Rregullores së Sterilizimit të vitit 1972, e cila e lejonte një veprim të tillë nëse rrezikohej jeta e një personi.

34.  Në procedura civile, kërkuesja gjithashtu paraqiti një vlerësim nga psikologu të gjendjes së saj mendore të datës 17 shkurt 2006. Aty tregohej që kapaciteti i saj mendor ishte shumë i ulët, gati në kufi me vonim mendor, por që të menduarit e saj ishte i zhvilluar mirë në aspektin e punëve praktike. Psikologu përfundonte që komunikimi me kërkuesen kërkonte përshtatje me shkathtësitë e saj mendore dhe gjuhësore. Nuk u diktua asnjë sëmundje mendore që do ta pengonte kërkuesen nga marrja e vendimeve në lidhje me jetën e saj dhe marrjen përsipër të përgjegjësisë për çështjet e lidhura me jetën e saj.

35.  Më 28 shkurt 2006 Gjykata e Qarkut në Prešov i rrëzoi veprimet. Ajo u shpreh që procedura ishte zhvilluar vetëm pasi që personeli mjekësor kishte marrë nënshkrimin e kërkueses. Ajo pranoi që nënshkrimi i kërkueses në dhomën e lindjes ishte marrë pak para se të bëhej operacioni cezarian, kur kërkuesja kishte qenë në “pozicion në shpinë”. Procedura ishte zhvilluar mbi baza mjekësore. Ajo kishte qenë e nevojshme për shkak të gjendjes së dobët mjekësore të kërkueses. Personeli mjekësor kishte proceduar në përputhje me ligjin.

36.  Fakti që procedura nuk ishte miratuar më përpara nga një komision sterilizimi përbënte vetëm mos përmbushje të kërkesave formale; ai nuk do të kishte mundur të ndërhynte tek integriteti personal i kërkueses që mbrohet nga neni 11 et seq., i Kodit Civil. Nuk u konstatua asnjë shkelje e të drejtave të kërkueses sipas Konventës.

37.  Së fundi, Gjykata e Qarkut u shpreh që situata e kërkueses nuk ishte e pakthyeshme meqenëse ekzistonte mundësia e fekondimit in vitro.

38.  Më 12 maj 2006 kërkuesja apeloi. Ajo deklaroi që ishte sterilizuar pa pëlqimin e saj të plotë dhe të informuar në një situatë ku ajo nuk kishte qenë në gjendje të kuptonte plotësisht natyrën dhe pasojat e procedurës. Kishte zbrazëtira dhe papërputhshmëri në deklaratat e personelit mjekësor dhe dosja mjekësore nuk përmbante shënime që ajo ishte informuar si duhej në lidhje me procedurën, natyrën e saj të kthyeshme, dhe metodat alternative. Në shkelje të legjislacionit në fuqi sterilizimi nuk ishte miratuar nga një komision i sterilizimit. Lidhja e tubave nuk mund të konsiderohej operacion për shpëtimin e jetës. Kërkuesja u bazua në dokumente të lëshuara nga organizatat mjekësore ndërkombëtare.

39.  Më 25 tetor 2006 Gjykata Rajonale e Prešov miratoi vendimin e shkallës së parë. Ajo arriti në përfundimin që sterilizimi i kërkueses ishte zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe që ishte kërkuar nga gjendja mjekësore e kërkueses.

40.  Gjykata e apelit iu referua deklaratave nga mjekët e përfshirë dhe u shpreh që kishte pasur rrezik të shqyerjes së mitrës së kërkueses. Kërkuesja kishte kërkuar sterilizimin pasi që ishte informuar si duhej në lidhje me gjendjen e saj shëndetësore. Procedura ishte zhvilluar në përputhje me dispozitat përkatëse të Rregullores së Sterilizimit të vitit 1972. Vendimi nëse sterilizimi ishte i domosdoshëm ose jo në këto kushte i takonte mjekut kryesor. Miratimi i mëparshëm nga një komision sterilizimi kërkohej vetëm aty ku sterilizimi do të kryhej mbi organe riprodhuese të shëndetshme. Megjithatë, kjo nuk kishte qenë situata e kërkueses.

E.  Procedurat kushtetuese

41.  Më 17 janar 2007 kërkuesja drejtoi një ankesë në Gjykatën Kushtetuese. Duke iu referuar sterilizimit të saj dhe përfundimeve të zakonshme të gjykatës në procedurat civile të lartpërmendura, ajo parashtroi që ajo i ishte nënshtruar sterilizimit në Spitalin Prešov pa pëlqimin e saj të informuar dhe që nuk kishte arritur të gjente zgjidhje si rezultat i sjelljes dhe vendimit të Gjykatës Rajonale në Prešov. Ajo pretendoi që kjo e fundit kishte shkelur të drejtat dhe liritë e saj kushtetuese që ndalonin diskriminimin dhe trajtimin ose dënimin mizor, çnjerëzor apo poshtërues, të drejtën e saj për mbrojtjen nga ndërhyrja e pajustifikuar në jetën e saj private dhe familjare, dhe të drejtën e saj për mbrojtjen e familjes së saj, si dhe të drejtat e saj nga nenet 3, 8, 12, 13 dhe 14 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 5 të Konventës mbi të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë. Kërkuesja kërkoi që Gjykata Kushtetuese të prishte vendimin e Gjykatës Rajonale.

42.  Më 14 shkurt 2008 Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankesën si dukshëm të pabazuar (për hollësi të mëtejshme shihni vendimin mbi pranueshmërinë e kërkesës në fjalë të datës 16 qershor 2009).

F.  Rrëfimet për praktikat e sterilizimit në Sllovaki

1.  Informacion i paraqitur nga kërkuesja

43.  Kërkuesja iu referua disa publikimeve që tregonin një vazhdimësi të sterilizimeve të detyruara të femrave Rome që rridhte që nga koha e regjimit komunist në Çekosllovaki në fillim të viteve 1970 dhe që ajo besonte se kishte ndikuar edhe në sterilizimin e saj.

44.  Në mënyrë të veçantë, kërkuesja parashtroi që Rregullorja e Sterilizimit e Ministrisë së Shëndetësisë e vitit 1972 ishte përdorur për të inkurajuar sterilizimin e femrave Rome. Sipas një dokumenti të vitit 1979 nga Karta 77, një grup disident Çekosllovak, në Çekosllovaki kishte filluar një program që ofronte mbështetje financiare për sterilizimin e femrave Rome për shkak të përpjekjeve të pasuksesshme të mëparshme të qeverisë “për të kontrolluar popullsinë tepër të pashëndetshme Rome përmes planifikimit familjar dhe kontraceptivëve”.

45.  Më tej kërkuesja u shpreh që në qarkun e Prešov 60% e operacioneve të sterilizimit të zhvilluara nga viti 1986 deri në vitin 1987 ishin kryer në femrat Rome, të cilat përfaqësonin vetëm 7% të popullsisë së qarkut. Një studim tjetër gjeti që në vitin 1983, afro 26% e femrave të sterilizuara nga Sllovakinë lindore (rajoni ku jeton kërkuesja) ishin Romë; në vitin 1987 kjo shifër ishte rritur në 36.6%.

46.  Në vitin 1992, një raport i Human Rights Watch shënoi që shumë femra Rome nuk ishin plotësisht në dijeni të natyrës së kthyeshme të procedurës dhe detyroheshin ta bënin atë për shkak të gjendjes së tyre të varfër ekonomike ose për shkak të presionit nga autoritetet.

47.  Sipas raporteve të tjera, në vitin 1999 infermieret që punonin në qendrat finlandeze të refugjatëve informuan hulumtuesit e Amnesty International që kishin vënë re përqindje të pazakonta të larta të procedurave gjinekologjike si sterilizimi dhe heqja e vezoreve mes azilkërkuesve femra Rome nga Sllovakia lindore. Të gjitha raportet citonin Spitalin Prešov si një nga spitalet ku zbatoheshin këto praktika sterilizimi.[1]

2.  Informacioni i paraqitur nga Qeveria përgjegjëse

48.  Qeveria parashtroi që kujdesi shëndetësor në Sllovaki u ofrohej të gjitha femrave njësoj. Të dhënat statistikore bazuar mbi origjinën etnike të pacienteve zakonisht nuk mblidheshin meqenëse konsiderohej se ishte në kundërshtim me të drejtat e njeriut.

49.  Pas publikimit të Raportit mbi Trupin dhe Shpirtin, Ministria e Shëndetësisë formoi një grup ekspertësh me qëllim të hetimit të sterilizimeve dhe ndarjes së femrave Rome.

50.  Raporti i Ministrisë i datës 28 maj 2993 paraqitur komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, kombësitë dhe statusin e femrave tregonte se ishin shqyrtuar shënimet mjekësore të 3,500 femrave që ishin sterilizuar dhe shënimet e 18,000 femrave që kishin lindur me procedurën e operacionit cezarian gjatë dhjetë viteve të mëparshme.

 

51.  Përqindja e sterilizimit të femrave në Sllovaki përbënte vetëm 0.1% të femrave në moshë riprodhuese. Në vendet europiane përqindja ishte mes 20% dhe 40%. Përqindja e ulët e sterilizimeve në Sllovaki ishte kryesisht për shkak të faktit që procedura nuk përdorej gjerësisht si metodë kontraceptive.

52.  Në mungesë të të dhënave zyrtare lidhur me origjinën etnike të banorëve, grupi i ekspertëve pati mundësinë të vlerësonte pozicionin e femrave me origjinë etnike Rome vetëm në mënyrë indirekte. Në ato rajone ku ishte e mundur të vlerësoheshin drejtpërdrejt proporcioni i femrave me origjinë etnike Rome, shpeshtësia e sterilizimeve dhe lindjeve cezariane mes popullatës Rome ishte shumë më e ulët sesa në pjesën tjetër të popullsisë. Shpeshtësia e sterilizimeve ishte statistikisht shumë pak më e lartë në Prešov dhe Košice sesa në rajone të tjera të Sllovakisë.

53.  Grupi arriti në përfundimin që në spitalet e hetuara nga pjesëtarët e grupit nuk kishte ndodhur as gjenocid as ndarje të popullatës Rome. Të gjitha rastet e sterilizimit kishin qenë të bazuara në rekomandimet mjekësore. Disa mangësi në kujdesin shëndetësor dhe mospërputhje me rregulloret e sterilizimit (si për shembull mos-përmbajtja ndaj procedurës administrative) ishin konstatuar në disa raste. Megjithatë, ata ndikonin tërë popullsinë në mënyrë të barabartë pavarësisht nga origjina etnike e pacientit. Spitalet në të cilat u zbuluan gabime administrative kishin marrë masa me qëllim të eliminimit të tyre.

54.  Në asnjërin prej spitaleve të vizituara nga grupi i ekspertëve nuk ekzistonin dhoma të ndara për femrat Rome; të gjitha pacientet merrnin trajtim brenda të njëjtave ambiente spitalore. Për shkak të situatës që ka ekzistuar gjatë dekadave të mëparshme, personeli mjekësor dhe individët nuk ishin në të njëjtin nivel për sa i përket përgjegjësisë për mbajtjen dhe përmirësimin e gjendjes shëndetësore të individëve. Kjo u pasqyrua sidomos në të drejtat e kufizuara të individëve dhe përgjegjësitë në problemet në aspektin shëndetësor. Ishin rekomanduar masa për të siguruar që individët merrnin informacionin e duhur që të mund të jepnin pëlqimin e informuar për trajtimin e tyre ose për ta refuzuar atë. Kërkesat individuale për ndërhyrje mjekësore duhet të bëheshin në mënyrë ligjërisht të vlefshme duke u lejuar personave në fjalë të shprehnin pëlqimin e tyre të lirë pasi të kishin marrë informacionet e duhura.

55.  Masat e rekomanduara në raport përfshinin amendimin e rregullave ligjore mbi sterilizimin me qëllim që të siguronin përputhshmërinë me, inter alia, Konventën e të Drejtave të Njeriut dhe Biomjekësinë, të cilën Sllovakia e kishte ratifikuar. Raporti gjithashtu përmbante disa rekomandime në fushën e edukimit të stafit mjekësor duke u fokusuar në “dallimet kulturore në rajone me përqendrim të rritur të komunitetit Rom”. Në mënyrë që të edukohet popullata Rome në fushën e kujdesit shëndetësor, Universiteti Sllovak i Shëndetësisë në Bratislavë do të hapte, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, një rrjet asistentësh të kujdesit shëndetësor të cilët do të zhvillonin trajnime të posaçme dhe do të punonin në vendbanimet Rome.

56.  Në seancën dëgjimore Qeveria tregoi se ajo ishte e hapur ndaj femrave që presupozohej se ishin ndikuar nga praktika e keqe në kontekst të sterilizimit për të kërkuar kompensim para gjykatave civile. Sipas informacioneve në dispozicion të Qeverisë, kishte pesë procedura të asaj natyre në pritje pranë gjykatave sllovake. Gjashtë procedura të tjera ishin përmbyllur me vendime përfundimtare. Në tri prej tyre paditësit e kishin fituar gjyqin.

II.  LIGJI PËRKATËS NË VEND

A.  Kodi Civil

57.  Sipas nenit 11, personat natyralë kanë të drejtën e mbrojtjes së të drejtave të tyre (integriteti personal), në mënyrë të veçantë të jetës dhe shëndetit, dinjitetit civil dhe njerëzor, privatësisë, emrit dhe tipareve personale.

58.  Sipas nenit 13 § 1, personat natyralë kanë të drejtë të kërkojnë që shkeljet e pajustifikuara të të drejtave të tyre personale të përfundojnë dhe që pasojat e këtyre shkeljeve të fshihen. Po ashtu kanë të drejtën e shpërblimit të drejtë të përshtatshëm.

59.  Neni 13 § 2 parashikon që, në rastet kur shpërblimi i marrë nga neni 13 § 1 është i mjaftueshëm, në mënyrë të veçantë për shkak se dinjiteti apo pozicioni shoqëror i palës së dëmtuar është ulur në mënyrë të konsiderueshme, atij ose asaj po ashtu i takon kompensim financiar për dëme jo-materiale.

B.  Rregullorja për Sterilizimin e vitit 1972

60.  Rregullorja Nr. Z-4 582/1972-B/1 e Ministrisë së Shëndetësisë e Republikës Socialiste të Sllovakisë, e botuar në Gazetën Zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë Nr. 8-9/1972 (“Rregullorja e Sterilizimit e vitit 1972”) dhe e zbatueshme në kohën përkatëse, përmbante direktiva që qeverisnin sterilizimin në praktikën mjekësore.

61.  Seksioni 2 lejonte sterilizimin në një institucion shëndetësor, qoftë me kërkesë të personit në fjalë ose me pëlqimin e personit në fjalë aty ku, inter alia, procedura ishte e nevojshme sipas rregullave të shkencës mjekësore për trajtimin e organeve riprodhuese në rastet kur ishin të prekura nga sëmundjet (seksioni 2(a)), ose kur shtatzania apo lindja do të kërcënonin jetën apo shëndetin e një femre organet riprodhuese të së cilës nuk ishin të prekura nga sëmundja (seksioni 2(b)).

62.  Seksioni 5(1)(a) autorizonte mjekun kryesor të departamentit të spitalit ku personi përkatës trajtohej që të vendoste nëse sterilizimi i atij personi ishte i domosdoshëm brenda kuptimit të seksionit 2(a) të Rregullores së Sterilizimit të vitit 1972. Sterilizimi mbi çdo bazë tjetër kërkonte miratim paraprak nga një komision mjekësor (“komisioni i sterilizimit”).

63.  Pika XIV e Shtojcës së Rregullores së Sterilizimit të vitit 1972 shprehej si më poshtë për sa u përket arsyeve gjinekologjike apo obstetrike që arsyetonin sterilizimin e një femre:

(a) gjatë dhe pas lindjes së përsëritur me prerje cezariane, ku kjo metodë e lindjes ishte e nevojshme për arsye të cilat me gjasë do të vazhdonin gjatë një shtatzanie të ardhshme dhe kur femra në fjalë nuk dëshironte të lindte përsëri me prerje cezariane;

(b) në rast të komplikimeve të përsëritura gjatë shtatzanisë, gjatë lindjes dhe gjatë periudhës vijuese gjashtë-javore, ku një shtatzani e ardhshme do të kërcënonte seriozisht jetën ose shëndetin e femrës;

(c) kur një femër kishte disa fëmijë (katër fëmijë për femrat nën moshën 35 vjeç dhe tre fëmijë për femrat mbi atë moshë).

64.  Rregulloja u anulua nga Ligji për Kujdesin Shëndetësor i vitit 2004 duke hyrë në fuqi nga data 1 janar 2005 (shih poshtë).

C.  Akti i Kujdesit Shëndetësor i vitit 1994

65.  Në kohën përkatëse dispozitat vijuese të Ligjit nr. 277/1994 mbi Kujdesin Shëndetësor (Zákon o zdravotnej starostlivosti – “Akti i Kujdesit Shëndetësor i vitit 1994”) ishin në fuqi.

66.  Seksioni 13(1) bëri që trajtimi mjekësor të bëhej me pëlqimin e pacientit. Pëlqimi i pacientit për procedurat mjekësore të një natyre veçanërisht serioze ose të cilat ndikonin substancialisht jetën e mëtejshme të një personi duhet të jepej me shkrim ose në një mënyrë tjetër të vërtetueshme (seksioni 13(2)).

67.  Sipas seksionit 15(1) mjeku ishte i detyruar ta këshillonte pacienten, në mënyrë të përshtatshme dhe të verifikueshme, në lidhje me natyrën e sëmundjes së tij ose të saj dhe procedurat e nevojshme mjekësore, në mënyrë që mjeku dhe pacienti të mund të bashkëpunonin në mënyrë aktive në trajtimin e pacientit. Sasia e informacionit të mjaftueshëm për t’iu dhënë pacientit do të përcaktohej nga mjeku në një mënyrë e cila respektonte pacientin në aspektin etik dhe nuk lejohej të ndikonte në trajtimin e pacientit.

D.  Akti i Kujdesit Shëndetësor i vitit 2004

68.  Ligji nr. 576/2004 mbi kujdesin shëndetësor dhe shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe mbi ndryshimin dhe plotësimin e disa Akteve (Zákon o zdravotnej starostlivosti, službách súvisiacich s poskytovaním zdravotnej starostlivosti a o zmene a doplnení niektorých zákonov – “Akti i Kujdesit Shëndetësor i vitit 2004”) hyri në fuqi më 1 nëntor 2004 dhe u bë veprues më 1 janar 2005.

69.  Seksioni 6 qeveris dispozitat e dhënies së informacionit pacientëve dhe dhënien e pëlqimit nga pacientët. Sipas nën-seksionit 1, mjekët janë të detyruar, përveç se kur ligji parashikon ndryshe, që të informojnë personat e renditur më poshtë në lidhje me qëllimin, natyrën, pasojat dhe rrezikun e trajtimit, mundësinë e zgjedhjes për sa i përket procedurave të propozuara dhe rreziqeve të mundshme nga pranimi ose refuzimi i pranimit të trajtimit. Ky detyrim për informim shtrihet, inter alia, edhe tek personi që duhet trajtuar ose një person tjetër i zgjedhur nga ky i fundit, ose tek përfaqësuesi statusor ose kujdestari kur bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor ndaj një të mituri, një personi të privuar nga kapaciteti ligjor ose një personi me kapacitet ligjor të kufizuar dhe, në mënyrën e përshtatshme, gjithashtu tek personat që e kanë të pamundur të japin pëlqimin e informuar.

70.  Seksioni 6(2) i detyron mjekët të ofrojnë informacione në mënyrë të qartë, me konsideratë dhe pa presion, duke i lejuar pacientit mundësi dhe kohë të mjaftueshme për të dhënë apo mos dhënë me liri të plotë pëlqimin e informuar, dhe në një mënyrë të atillë që i përshtatet pjekurisë së intelektit si dhe vullnetit dhe gjendjes shëndetësore të personit në fjalë.

71.  Seksioni 6(3) parashikon që çdo person të cilit i takojnë këto informacione gjithashtu ka të drejtë ta refuzojë atë. Një refuzim i tillë duhet të regjistrohet me shkrim.

72.  Sipas seksionit 6(4), pëlqimi i informuar është pëlqimi i verifikueshëm për trajtimin e paraprirë nga informacioni siç parashikohet nga Akti i Kujdesit Shëndetësor i vitit 2004. Një formular i të drejtës për të dhënë pëlqimin e informuar kërkohet, inter alia, në rastin e sterilizimit. Çdokush me të drejtën për të dhënë pëlqimin e informuar po ashtu ka të drejtën për ta tërhequr pëlqimin në çdo kohë.

73.  Seksioni 40 parashikon:

“Sterilizimi

(1) Sterilizimi për qëllime të këtij ligji është parandalimi i fertilitetit pa heqjen ose dëmtimin e organeve riprodhuese të një personi.

(2) Sterilizimi mund të bëhet vetëm mbi bazën e një kërkese me shkrim dhe pëlqimit të informuar me shkrim pas ofrimit të informacionit një personi me kapacitet të plotë ligjor ose përfaqësuesit statusor të një personi jo të aftë për të dhënë pëlqimin e informuar, ose mbi bazën e një vendimi të gjykatës të lëshuar me kërkesë të përfaqësuesit statusor.

(3) Informatat që i paraprijnë pëlqimit të informuar të një personi duhet të jepen ashtu siç specifikohet nga seksioni 6(2) dhe duhet të përmbajnë informata në lidhje me:

(a) metodat alternative të kontraceptimit dhe planifikimit familjar;

(b) ndryshimeve të mundshme në rrethanat e jetës të cilat kanë çuar drejt kërkesës për sterilizim;

(c) pasojat mjekësore të sterilizimit si metodë që synon parandalimin e pakthyeshëm të fertilitetit;

(d) dështimin e mundshëm të sterilizimit.

(4) Kërkesa për sterilizim duhet t’i paraqitet një ofruesi të [kujdesit shëndetësor] i cili e kryen sterilizimin. Kërkesat për sterilizimin e femrave shqyrtohen dhe sterilizimi kryhet nga një mjek i specializuar në fushën e gjinekologjisë dhe obstetrikës; kërkesat për sterilizimin e meshkujve shqyrtohen dhe sterilizimi kryhet nga një mjek i specializuar në fushën e

Üyelik Paketleri

Dünyanın en kapsamlı hukuk programları için hazır mısınız? Tüm dünyanın hukuk verilerine 9 adet programla tek bir yerden sınırsız ulaş!

Paket Özellikleri

Programların tamamı sınırsız olarak açılır. Toplam 9 program ve Fullegal AI Yapay Zekalı Hukukçu dahildir. Herhangi bir ek ücret gerektirmez.
7 gün boyunca herhangi bir ücret alınmaz ve sınırsız olarak kullanılabilir.
Veri tabanı yeni özellik güncellemeleri otomatik olarak yüklenir ve işlem gerektirmez. Tüm güncellemeler pakete dahildir.
Ek kullanıcılarda paket fiyatı üzerinden % 30 indirim sağlanır. Çalışanların hesaplarına tanımlanabilir ve kullanıcısı değiştirilebilir.
Sınırsız Destek Talebine anlık olarak dönüş sağlanır.
Paket otomatik olarak aylık yenilenir. Otomatik yenilenme özelliğinin iptal işlemi tek butonla istenilen zamanda yapılabilir. İptalden sonra kalan zaman kullanılabilir.
Sadece kredi kartları ile işlem yapılabilir. Banka kartı (debit kart) kullanılamaz.

Tüm Programlar Aylık Paket

9 Program + Full&Egal AI
Ek Kullanıcılarda %30 İndirim
Sınırsız Destek
350 TL
199 TL/AY
Kazancınız ₺151
Ücretsiz Aboneliği Başlat